web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pogradeci gati për verën/ Turistë, traditë dhe shije vendase

31 Maj 2025, 14:24, Qyteti im CNA

Pogradeci gati për verën/ Turistë, traditë dhe shije vendase

Pogradeci ka çelur zyrtarisht sezonin turistik veror, duke i dhënë jetë një atmosfere të gjallë në qytetin buzë liqenit. Me përgatitje që kanë nisur prej muajsh, strukturat vendore, operatorët turistikë dhe artizanët vendas janë bashkuar për të garantuar një eksperiencë të veçantë për pushuesit vendas dhe të huaj. Gjatë hapjes simbolike të sezonit, qyteti është mbushur me vizitorë, muzikë, panaire dhe aktivitete kulturore.

Pogradeci këtë vit ofron mbi 40 hotele, dhjetëra restorante dhe bujtina që shtrihen jo vetëm përgjatë bregut të liqenit, por edhe në zonat malore përreth, si ajo e Mokrës, ku vitet e fundit ka pasur investime në infrastrukturë që e bëjnë më të aksesueshme dhe tërheqëse për turizmin natyror.

Kryebashkiaku Ilir Xhakolli tregon se kërkesat për akomodim janë rritur ndjeshëm, veçanërisht për zona si Tushemishti apo lagjet historike të qytetit, ku po zhvillohet një formë më e rafinuar e turizmit, që synon cilësinë dhe autenticitetin. Operatorët turistikë lokalë kanë intensifikuar bashkëpunimet me agjenci ndërkombëtare që prej fillimit të vitit, çka ka sjellë një rritje të ndjeshme të pranisë së turistëve të huaj, veçanërisht nga Gjermania dhe Austria.

 

 "Ne jemi gati. Kemi punuar që prej filllimit të vitit për sezonin veror që po vjen. Besoj që gjithë turistët shqiptarë dhe të huaj do të gjejnë një ambient shumë të dashur dhe do ndihen si në shtëpinë e tyre. Ne kemi rreth 40 hotele, 116 restorante dhe 40 bujtina, të hapura edhe në zonën e Mokrës për shkak të infrastrukturës në atë zonë. Besoj se ka nevojë akoma për kapacitete, janë 2 - 3 kërkesa, një te Turizmi i Vjetër dhe një në Tushemisht që kanë ambiente hotelerie dhe bëhet fjalë për turizëm elitar, që Pogradeci ka nevojë. Operatorët turistikë kanë filluar që në janar, duke u lidhur me kompani të fuqishme të turizmit dhe çdo ditë në disa hotele të Pogradecit gjenden gjermanë. Besoj që Pogradeci po e merr veten dhe shpresoj se edhe me investimet e tjera Pogradeci do shkojë atje ku duhet", tha Xhakolli.

 

Në qendër të festimeve dhe ofertës turistike janë edhe traditat kulinare të zonës. Vizitorët kanë mundësinë të shijojnë gatime tipike të qytetit, si tava me peshk të liqenit, lakrori, rosa e fshatit dhe produkte të tjera të përgatitura në mënyrë artizanale. Megjithatë, mungesa e koranit, një prej peshqve më të njohur të liqenit të Ohrit, ka sjellë vështirësi për restorantet që duan të ruajnë menunë tradicionale. Peshkatarët nuk po arrijnë të sigurojnë sasinë e nevojshme, çka ka kufizuar ofertën në këtë drejtim.

 

"Këtu kemi tavë korani me qepë, tradicionalen e qytetit. Është i bërë me qepë, arra, mjaltë, spec të kuq dhe pak domate. Ne e ofrojmë, por tani është pak vështirë të gjejmë koranin sepse peshkatarët nuk gjuajnë shumë dhe ka rënë edhe niveli i peshkut. Ka shumë kërkesa, por kemi edhe mungesë. Gatime të tjera tradicionale janë rosa, lakrori dhe kulaçi që i bëjmë vetë. Vijnë vetëm për koranin, sidomos nga Tirana dhe Elbasani. Të huajt preferojnë më shumë mishin, pulën, rosën, ndërsa peshkun nuk e konsumojnë shumë", u shpreh një operator turistik.

 

Një vëmendje të veçantë këtë sezon po tërheq edhe prodhimi artizanal vendas. Gratë e zonës kanë kthyer shtëpitë e tyre në punishte të vogla ku prodhojnë reçel, pekmez, turshi dhe petka të freskëta. Njëra prej tyre është Mukades Gjona, e cila tregon se gjatë muajve të verës, këto produkte ekspozohen dhe shiten në panaire dhe tregje lokale, duke sjellë një formë të qëndrueshme zhvillimi ekonomik për familjet rurale dhe duke pasuruar përvojën e vizitorëve që kërkojnë diçka autentike.

 

"Shtëpinë time e kam kthyer në punishte tradicionale prej 10 vitesh ku punoj me shoqet. Prodhojmë ushqime tradicionale  reçel, pekmez, narden, turshi. Në këtë kohë kemi sezonin e petkave, me vezë të freskëta nga pulat pasi kullota është shumë e mirë. Sot marr pjesë në çeljen e sezonit turistik. Bashkia më ka siguruar një shtëpizë ku shes këto 3 muaj. Kanë shumë interes për produktet tona sepse janë ushqime tradicionale të bëra vetë. Edhe të huajt i preferojnë. Kemi pasur shitje, me panairet që marrim pjesë e kemi kapur tregun", tha Mukades Gjona.

 

Turistët e huaj që ndodhen aktualisht në qytet shprehen të entuziazmuar me mikpritjen, natyrën dhe ushqimin vendas. Për shumë prej tyre, Pogradeci është një zbulim i ri që kombinon qetësinë e liqenit, panoramat malore dhe pasurinë kulturore.

Disa kanë zgjedhur të qëndrojnë për periudha më të gjata, duke eksploruar mundësi bashkëpunimi për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, ndërsa të tjerë e përfshijnë Pogradecin në itinerarin e pushimeve të tyre nëpër Shqipëri.

"Unë vij nga Austria, në fakt jemi për të dytin vit radhazi në Shqipëri. Është një vend i mrekullueshëm, sidomos liqeni është fantastik. Na pëlqejnë malet që e rrethojnë qytetin dhe vetë qyteti është shumë i bukur, madje sot është një festival dhe ne po e shijojmë shumë", tha një turist.

 

"Është një shtet shumë i bukur dhe ne vërtet na pëlqen mirësia e njerëzve këtu. Kemi provuar ushqimin dhe çdo gjë është shumë e bukur. Ne do të qëndrojmë në Pogradec për 2 ditë”, u shpreh një tjetër turist.

 

"Unë jam nga Gjermania dhe jam këtu për 1 muaj tani për të diskutuar me një guidë partnere disa ide për bashkëpunim. Sot jam shumë i kënaqur, me çfarë po shikoj duket shumë bukur. Qyteti është shumë i bukur, njerëzit janë shumë miqësorë, ata më ftojnë gjithmonë për të diskutuar", tha një turist gjerman.

 

"Kemi këtu vetëm një natë. Jemi nga Gjermania, erdhëm me traget deri në Durrës dhe më pas këtu me biçikletë. Do të qëndrojmë dy javë në Shqipëri dhe kemi vetëm një natë në Pogradec. Po shohim panirin këtu dhe produktet tradicionale, sapo kemi arritur dhe nuk kemi parë shumë", tha një turist.

 

Me energji pozitive, bashkëpunim të gjerë dhe interes në rritje, Pogradeci duket se po merr një hov të ri si një nga destinacionet më të preferuara të turizmit veror në juglindje të vendit./ CNA





Lajmet e fundit nga