LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse Doktori gabon kur sulmon Rusmalin/ "Vlera kur sulmohet shumëfishohet"

26 Prill 2023, 09:13, Politikë CNA
Pse Doktori gabon kur sulmon Rusmalin/ "Vlera kur sulmohet
Ilir Rusmali

Ish kryeministri Sali Berisha ka bërë disa deklarata kontradiktore në lidhje me ish zëvendëskryeministrin në kohën e qeverisë Berisha, Ilir Rusmali.

Në vitin 2007 shprehej se kishte pranuar dorëheqjen e Rusmalit, me besimin se nuk ka patur lidhje korrupsionin ndërsa në 2023 thotë se është larguar nga detyra për korrupsion.

Sali Berisha për Rusmalin në 2007 dhe sot në 2023.

2007:

"E pranova dorëheqjen e zotit Rusmali me bindjen time më të thellë se ai nuk ka pasur asnjë lidhje, përveç lidhjes së gjakut, me përpjekjen e të vëllait për të përfituar në tendera. Unë e pranova dorëheqjen e zotit Rusmali, sepse nuk mund të refuzoj standardin e ri që bashkëpunëtori im vuri për politikën dhe zyrtarin shqiptar ”.

2023:

"Ai sillet në këtë mënyrë sepse është larguar për korrupsion nga detyra e zv kryeministrit. I kam thënë paraqit dorëheqjen por largimi i tij ka qenë vendim i prerë i Sali Berishës ndaj një njeriu që shkeli në mënyrë flagrante dhe korruptive ligjin. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve hap një tender dhe në tender shkon i vëllai i Ilir Rusmajlit. Dhe drejtori e regjistron. Kur e kërcënonte me të vëllanë zv kryeministër. Kjo është historia. Iliri shkarkoi drejtorin në kundërshtim me ligjin. Ndodhi që ditën që ndodhi skandali duhet të nisesha në drekë jashtë, Ilir Rusmajli në mënyrë jashtë kontrollit të vetes e mori dhe e shkarkoi në kohën kur ishte kompetencë e kryeministrit. U ktheva, ai mori një shkarkim”.

Më poshtë deklarata e plotë e ish-ministrit të Drejtësisë Ilir Rusmali në ditën që deklaroi dorëheqjen:

Tiranë, më 14 nëntor 2007

Nga ky vend në jo pak raste kemi komunikuar bashkë dhe kemi bërë të ditur për opinionin publik raste të rënda të fenomeneve korruptive që kanë ndodhur në Shqipëri dhe kanë bashkëjetuar me ne për një kohë të gjatë.

Bashkë kemi arritur një sukses diskret në denoncimin e këtyre rasteve të rënda të korrupsionit, kemi mundur të tronditim korrupsionin, ta trembim atë dhe, në ndonjë rast, edhe ta luftojmë. Kjo është një gjë, për të cilën unë ju falenderoj të gjithëve për bashkëpunimin.

Unë kam dalë si ministër drejtësie shpesh publikisht për denoncimin e korrupsionit, sepse kam konsideruar se është, për fat të keq, (ka qenë, për fat të keq) arma e vetme që i ngelej në dorë institucionit dhe zyrtarit shtetëror për të bërë detyrën e tij, në kushtet kur ligji gjendej i kapur nga korrupsioni, në kushtet kur institucionet ishin të kapura nga korrupsioni.

Unë shpresoj se falë këtij veprimi, falë këtij qëndrimi, falë bashkëpunimit me ju ne kemi mundur të thyejmë kornizën e hekurt me të cilën ishim rrethuar. E kam bërë veprimin, bazuar në një armë të vetme, në moralin e individit. E kam bërë veprimin, bazuar në një armë të vetme, në politikën e moralshme që duhet të vendosim ne si model.

Modelet kam pas në dorë, modelet kam dashur të shfrytëzoj për betejën time kundër korrupsionit.

Mbrëmë Partia Socialiste ka kërkuar publikisht dorëheqjen time për një çështje që nuk ka lidhje me personin tim. Mbrëmë PS-ja, zyrtarisht është vendosur në anën e korrupsionit për të rikrijuar kornizën që kishim vendosur ta thyenim me forcë. Prandaj, më duhet edhe një herë që t’i bëj thirrje moralit dhe politikës së moralshme.

Ndryshe nga ç’priste zëdhënësja e PS-së, jam këtu (dhe ju falenderoj juve) që të deklaroj dorëheqjen time, nga posti i ministrit të drejtësisë, në emër të këtij morali dhe të kësaj beteje për luftën kundër korrupsionit. Ky është mesazhi im politik.

Përsa i përket çështjes së ngritur në media nga ish drejtori i burgjeve dua të theksoj një gjë:

Isha i vendosur që nga posti i Ministrit të bëja të gjithë hetimin e nevojshëm ndaj akuzave, të kërkoja nga institucionet kompetente gjithë hetimin e nevojshëm ndaj akuzave që s’ kanë lidhje me Ministrin e Drejtësisë.

Nuk e pata mundësinë, sepse Partia Socialiste më parapriu me kërkesën për dorëheqje. Por ju siguroj, se akti im i fundit në pozicionin e ministrit është t’i kërkoj Kryeministrit të Shqipërisë, që të angazhojë auditin e tij të brendshëm, Departamentin e tij të Antikorrupsionit, t’i kërkoj Prokurorisë që të bëjë hetim të shpejtë dhe deri në fund të incidentit, të ngjarjes, të akuzave, dhe, në fund, ata, jo unë, ata të bëjnë sqarimin publik të opinionit. Ata të thonë kush është përgjegjësia rreth atij incidenti dhe kush duhet të ndëshkohet për atë incident.

Ministri i Drejtësisë i hap rrugë hetimit, sepse ministri i Drejtësisë ka besim tek ligji.

Ministri i Drejtësisë i hap rrugë hetimit, sepse ministri i Drejtësisë ka armë të vetme ligjin dhe moralin.

Anduena Llabani, Vizion Plus

Pyetje: A do ta vazhdoni betejën tuaj ligjore edhe pas dorëheqjes, lidhur me akuzat e bëra, ndaj jush nga z. Shehri?

Unë besoj, dhe kam përshtypjen që edhe ju besoni, që gjithë kjo ngjarje është shumë më tepër se sa përmasat e z.Shehri, megjithatë këtë do ta tregojë koha dhe ju do të shkruani për këtë. Historia ime me Shehrin mbyllet në momentin kur z. Shehri ndërmori një veprim aktiv, ka lejuar që të lirohen të burgosurit nga burgjet shqiptare në kundërshtim me ligjin. Në atë kohë ka filluar incidenti dhe i përket periudhës së majit.

Në atë kohë zoti Shehri në një kundërpërgjigje ka bërë kërcënime të drejtpërdrejta Ministrit të Drejtësisë për kaseta apo regjistrime që paska me familjarët e tij. Në atë kohë unë kam vënë në dijeni kryeministrin për kërcënimet dhe i kam thënë kryeministrit: Ose funksionari publik të pushohet nga puna, sepse po vepron në mënyrë të kundraligjshme, ose ministri i Drejtësisë të lërë vendin. Të dy bashkë në detyrë nuk mund të rrinë. Këtij mendimi i kam qëndruar deri në fund.

Çështja është tepër konkrete. Çështja mund të hetohet. Mund të hetohen personat e përfshirë në atë çështje, sikurse mund të evidentohet shumë kollaj padijenia e ministrit, në çfarëdo lloj rrethane, ndaj historisë së tenderave, pamundësia e ministrit, në çfarë do rrethane, për të ndikuar në tenderat që zhvilloheshin diku gjetkë dhe jo në Ministrinë e Drejtësisë.

Por, kjo është një histori që mund ta investigoni në kohë. Duhet vetëm t’i përcillni shqiptarëve që tenderi nuk është i tanishëm. Tenderi i përket një periudhe të shumë muajve më parë. Tenderi nuk ka lidhje me motivet për të cilat unë kam kërkuar jo shkarkimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve, por shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, për një grup rrethanash dhe faktesh tepër të rënda që cënonin integritetin e institucionit, i pari mbi të gjitha, lirimi i kundraligjshëm i të burgosurve tepër të rrezikshëm.

Sigurisht që unë di të kuptoj, se në betejën kundër korrupsionit nganjëherë njerëzit duhet të tërhiqen, sepse korrupsioni është tepër i fortë. Por ne nuk duhet ta pushojmë kurrë betejën, sepse përndryshe korrupsioni fiton.

Në funksionin tim politik, i cili nuk përfundon këtu, të jeni të sigurtë se beteja ime kundër korrupsionit do të vazhdojë me shumë vendosmëri, me të gjitha ato mjete që unë do të kem në dispozicion.

Elona Meço, Top Chanel

Pyetje : Meqenëse tani, jeni të dy të dorëhequr, edhe z.Shehri, edhe juve, a mendoni se kjo është një situatë e favorshme për kryeministrin për të sqaruar situatën?

Unë i kërkoj kryeministrit dhe strukturave të tij, i kërkoj prokurorisë, që situatën rreth ngjarjes dhe akuzës ta sqarojnë me shpejtësinë më të madhe, sepse shqiptarët duhet të dinë të vërtetën. Unë me dorëheqjen time, dua të ndihmoj këtë proces, por dua të jap, të vendos edhe shembullin e zyrtarit të përgjegjshëm (besoj se arrij ta japë këtë) edhe shembullin e politikanit të përgjegjshëm, sepse politikani jep dorëheqjen kur kërkon që ligji të funksionojë dhe nuk fshihet as pas karriges dhe as para saj.

Flori Serjani, gazeta “Shqip”

-Z. Rusmali. Ju thatë se i keni paraqitur kryeministrit kërkesën për shkarkimin e Drejtorit të Burgjeve. A i keni paraqitur atij edhe materialet e dokumentuara rreth shkeljeve të bëra nga z.Shehri ? Pse kryeministri nuk e miratoi kërkesën tuaj?

Kjo është një pyetje që duhet t’ia drejtoni institucioneve përkatëse. Unë mund t’ju ve në dispozicion dokumentet që kam përgatitur në atë kohë. Unë do të mund t’ju ve në dispozicion dokumentet që shoqëruan kërkesën e dytë për shkarkimin e z. Shehri. Janë që të gjitha gjëra shumë të rënda dhe që s’ kanë lidhje me tenderat. Tenderat nuk i zhvillonte ministria, tenderat i zhvillonte Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Për dijeninë tuaj, tenderi i përfolur është anuluar njëherë për mangësi të rënda nga komisioni i tenderit të Drejtorisë së Burgjeve dhe në atë kohë unë s’isha fare ministër.

Sonila Pepa, Top Media

Ju i keni dërguar kryeministrit një shkresë 9 në maj të vitit 2007 ku thoni se z. Shehri ka lejuar lirimin e personave të rrezikshëm dhe kjo është një akuzë tepër e rëndë?

Jeni përsëri duke seleksionuar faktet. Unë lirimin e personave të rrezikshëm nuk ia kam komunikuar kryeministrit shqiptar, ia kam komunikuar të gjithë shqiptarëve.

Ministri i Drejtësisë ka bërë raporte për këtë punë. Ministri i Drejtësisë ka bërë beteja për këtë punë. Ministri i Drejtësisë ka akuzuar institucionet e këtij vendi që kanë për detyrë zbatimin e ligjit për moszbatim të tij, për bashkëpunim me kriminalitetin.

Sigurisht kjo është akuzë publike që Ministri i Drejtësisë ua ka bërë njerëzve të korruptuar. Nëse vala një ditë kthehet mbrapa, kjo është një gjë që ju mund ta kuptoni fare mirë.

Unë e mirëkuptoj, unë e kisha parashikuar kthimin e valës prapa, por funksioni publik më kërkon që unë t’i qëndroj valës edhe duke dhënë dorëheqje./ CNA.al

Lajmet e fundit nga