web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Shqipëria “lumë” në gjak/ Atentatet e bujshme që tronditën vendin, bilanci i “luftës” mes bandave

31 Dhjetor 2022, 15:20, Kronika CNA

Shqipëria “lumë” në gjak/ Atentatet e bujshme që

2022-shi ka gjenë një vit i mbushur me ngjarje të rënda kriminale, të cilat kanë tronditur mbarë vendin.

Vetëm 4 ditë pasi hyri viti 2022 u regjistrua viktima e parë, ndërsa çdo muaj ka pasur një sërë vrasjesh për hakmarrje, larje hesapesh apo edhe krime në familje.

Më poshtë CNA.al ka renditur disa prej tyre.

Vrasja e Erion Çelës

Në datën 4 janar u regjistrua atentati i parë mafioz në një lokal në zonën e Don Boskos. Shënjestër e këtij atentati mafioz mendohet të ketë qenë Blerim Çela, 28-vjeç, por viktimë e breshërisë së plumbave të kallashnikovit ka mbetur vëllai i tij, 35-vjeçari Erion Çela nga Dibra, i njohur edhe me emrin Adriatik Çela. Gjithashtu mbetën të plagosur Edmond Crroj, daja i viktimës, Azbi Selimaj, kamarier i lokalit dhe Arben Dani dhe Blerim Çela. Për këtë ngjarje janë arrestuar dy vëllezërit, Gentian dhe Indrit Beqiraj.

Atentati ndaj Gentian Bejtjas

Më 10 janar u regjistrua një atentat në fshatin Larushkë të Niklës, ku mbetën të plagosur Gentian Bejtja dhe shoku i tij Klodian Stafuka. Ata ishin duke udhëtuar dhe sapo kishin furnizuar makinën tip “Alfa Romeo” me karburant kur u qëlluan nga një automjet në lëvizje. Bejtja u plagos me një plumb në krah dhe humbi kontrollin e makinës, ndërsa nga aksidenti u plagos Stafuka. Bejtja është person i njohur për policinë. Ai i ka shpëtuar edhe një tjetër atentati në vitin 2016.

Atentati ndaj Lulzim Mashës

Më 18 janar, Lulzim Masha, administrator i shkollës private “Ëilson” në Tiranë q u bë shënjestër e një atentati në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë. Një person ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të mjetit tip “Benz” të cilin e drejtonte Masha, ndërsaky i fundit ndodhej vetëm. Fillimisht biznesmeni mohoi se ngjarja kishte të bënte me të, duke thënë se disa djem ishin konfliktuar dhe rastësisht plumbat kishin përfunduar në makinën e tij, por më pas u shpreh se e ndiqte një person. Për këtë ngjarje u arrestua si autor i dyshuar Skerdi Tasi.

Atentati në Mamurras

Në orët e para të mëngjesit të 22 shkurtit, një konflikt në Mamurras degjeneroi në përdorimin e armëve. Andi Diva dhe Kastriot Leshaj kanë  qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip ” Honday”, duke plagosur Andi Skonjan dhe Gentian Divan. transportuar në spitalin e Traumës Tiranë dhe ndodhën nën kujdesin mjekësor. Dyshohet se ngjarja ndodhi për ngacmimin e një vajze.

Atentati ndaj Romeo Meçajt

Mbrëmjen e 6 marsit u regjistrua një atentat mafioz pranë stadiumit “Flamurtari” në Vlorë. Nga të shtënat u plagos 33-vjeçari Romeo Meçaj, i cili po lëvizte me makinën tip “Land Rover” kur drejt tij u shkrehën plumba kallashnikovi. Si pasojë e të shtënave, makina në lëvizje e të plagosurit përplasi disa mjete në afërsi, ndërsa nuk pati të tjerë të lënduar. Pas të shtënave autorët u larguan me shpejtësi, ndërsa dogjën automjetin e tyre të vjedhur në zonën e quajtur “Shtatë Pallatet”, pranë Ujit të Ftohtë.

Atentati ndaj Aleksandër Dedës

Më 7 mars Aleksandër Deda, gjatë udhëtimit me makinën e tij, në afërsi të një lokali në dalje të qytetit të Lezhës është përballur me një breshëri plumbash që vinin nga një automjet tip “Audi”, nga ku edhe u plagos. Menjëherë është kthyer duke ju drejtuar Spitalit të Lezhës dhe gjatë udhëtimit një automjet tjetër i është vënë në ndjekje. Ishte vetë Deda që njoftoi policinë për këtë ngjarje. Ai i ka shpëtuar edhe një tjetër atentati 2 vite më pare në autostradën Lezhë-Laç.

Atentati ndaj Iljaz Çalit

Mbrëmjen e 3 prillit 2022, Iljaz Çali po lëvizte me makinën luksoze të marrë me qira, nga Rinasi në drejtim të Tiranës. Ai u qëllua me breshëri plumbash, ç’ka solli daljen e tij nga rruga dhe përplasjen me trafikndarësen në autostradë. Trupi i viktimës u gjet i shtrirë në një kënd të rrugës. Fillimisht nga policia u dyshua për aksident, por konstatimi i gëzhojave në vendngjarje, ndryshoi pistën e hetimit.

Atentati ndaj Orland Paplekajt

Më 16 prill, 31-vjeçari Orland Paplekaj u qëllua nga një makinë tip ‘Golf’, teksa po udhëtonte me një kamionçinë. Për pasojë, i riu  humbi kontrollin e drejtimit të mjetit dhe doli nga rruga, por nuk pati dëmtime fizike, pasi fatmirësisht nuk u kap nga plumbat. Ai ka qenë punonjës i Policisë së Shtetit, ndërsa është edhe djali i policit Prel Paplekajt.

Atentati ndaj Dedë Planajt

Më 30 prill, Dedë Planaj, djali i xhaxhait të “Kumbarit” të Shkodrës, Bardhok Planajt, ishte shënjestra e një atentati në Dobraç. 60-vjeçari ishte në krye të detyrës, në një pikë karburanti në një ndër lagjet më problematike të qytetit, kur një motor me dy persona i është afruar. Në moment, njëri prej tyre ka nxjerrë armën dhe ka shtënë 4 herë ndaj tij duke e lënë të plagosur, por pa rrezik për jetën.

Atentati ndaj Blerim Preçit

Rreth orës 20:00 të 14 majit, në atentat i stilit mafioz ndodhi ë dalje të qytetit të Lezhës. Autorët me një makinë në lëvizje e sipër kanë hapur zjarr ndaj makinës tip “Mercedez Benz ML”, me të cilën lëvizte Blerim Preçi, i njohur ndryshe si Rini. Ky i fundit ka qenë në automjet së bashku me një person tjetër. Ai ka tentuar të shmangë plumbat dhe ka devijuar makinën duke përfunduar kështu jashtë rruge. Nga të shtënat nuk pati të plagosur. Asokohe Blerim Preçi sapo ishte kthyer nga Belgjika dhe e shkuara e tij ishte një nga pistat kryesore të hetimit.

Vrasja e efektivit nga kolegu në komisariat

Mbrëmjen e 23 majit Tirana u trondit nga një krim i ndodhur në komisariatin nr. 3. Ludian Zaimi qëlloi me armën e shërbimit kolegun e tij Çaush Saliasi, 55 vjeç, të dy oficerë të Patrullës së Përgjithshme. Zaimi fillimisht e ka qëlluar tre herë, më pas ka hyrë në komisariat dhe e ka qëlluar edhe tre herë të tjera duke e lënë të plagosur rëndë. Si pasojë e plagëve të marra, Saliasi ndërroi jetë në spital. Ngjarja u aludua se ndodhi për shkak se viktima e bullizonte prej kohësh të riun. Zaimi punonte prej një viti e gjysmë në polici, ndërsa viktima ushtronte detyrën prej mbi 20 vitesh.

Atentati ndaj Naim Bajrit

Mëngjesin e 3 qershorit, qyteti i Shkodrës u zgjua nga krismat me armë zjarri. Naim Bajri, 68 vjeç u ekzekutua teksa po pinte kafe nga një mjet në lëvizje. Atentati u regjistrua rreth orës 07:20, në vendin e quajtur ‘Merkata e Rusit’, në lagjen ‘Partizani’. Bajri po pinte kafe me punëtorin e tij Astrit Zeneli, 58 vjeç, i cili mbeti i plagosur. 68-vjeçari punonte pranë ‘Merkatës së Rusit’ ku tregtonte prodhime deti. Ndaj tij u qëllua rreth 10 herë, ndërsa autorët u larguan me mjetin tip ‘Benz’, i cili u gjet i djegur pak më vonë në afërsi të Bypassit të Shkodrës. Një nga pistat e hetimit për vrasjen e tij ishte hakmarrja, kjo për shkak se viktimës Naim Bajri në vitin 2001 i kanë vrarë të birin Indit Bajrin. Vrasësit e Indrit Bajrit kanë qenë Xhabir Shega, Ilmir Hajdari dhe Kujtim Barbullushi. Xhabir Shega është ekzekutuar në vitin 2015.

Antetati ndaj Marklen Hakës

Rreth orës 15:00 të 8 qershorit, në hyrje të fshatit Nikël në Fushë-Krujë, u qëllua me armë ndaj makinës së Marklen Hakës, i konsideruar si i forti i Niklës. Një person që lëvizte në këmbë e ka qëlluar me pistoletë në fytyrë nga një distancë e afërt. Nga këto të shtëna Haka mori një plumb në fytyrë, por i mbijetoi atentatit.

Marklen Haka që njihet dhe me emrin Mariglen Haka është arrestuar disa herë, por ka arritur të dalë duke sfiduar organet e drejtësisë. Më 7 janar të këtij viti gjatë një aksioni të forcave RENEA në Fushë-Krujë u prangos bashkë me dy të tjerë për armë pa leje dhe kokainë në doza të vogla për shitje. Më 19 shkurt të vitit 2021 ishte arrestuar tek Xhamlliku në Tiranë me armë por sërish ka fituar lirinë.  Hakaj gjithashtu ka qenë i arrestuar edhe për një vrasje të ndodhur në Qershor të viti 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por është liruar për mungesë provash.

Ai i ka shpëtuar dhe një atentati të ndodhur në shtator të vitit 2019. Breshëri plumbash u shkrepën nga katër armë në drejtim të shtëpisë së Hakës. Nga atentati mbeti e vdekur halla e tij Shpresa Basha, ndërsa Marklen Haka arriti të shpëtonte me një plumb në krah.  Haka njihet për miqësinë me Valter Bamin, vëllain e Durim Bamit, i cili e transportoi të plagosur në spital në 2019-ën.

Atentati ndaj Pjerin Brushtullit

Mbrëmjen e 14 qershorit Pjerin Brushtulli u plagos me armë zjarri në plazhin e Velipojës. Ai mori një plumb në bark, por i shpëtoi atentatit. Autorët dhe shkaqet e ngjarjes nuk janë zbardhur ende. 48-vjeçari kishe vetëm dy muaj që kishte dalë nga burgu. Në vitin 2002, ai vrau bashkëfshatarin e tij, Kolec Nushi dhe u dënua me 15 vite burg.

Atentati ndaj Aleksandër Sadikajt

Më 11 qershor, Aleksandër Sadikaj, mbeti viktimë e një atentati me tritol. Një sasi eksplozivi iu vendos makinës së tij, e cila shpërtheu në aksin rrugor Sauk-Teg. 27-vjeçari ndërroi jetë në spital, si pasojë e plagëve të rënda që kishte marrë. 27-vjeçari ishte pronari i një ferme në Memaliaj dhe banorët e njihnin me emrin Sanço. Ai ishte një emër i njohur për policinë, pasi ka qenë i proceduar për tenativë për vrasjeje.

Tentativa e vrasjes ndaj Ylli (Brahja) Brahimit

Më 22 korrik, një breshëri armësh u zbras drejt makinës së biznesmenit Ylli Brahimi, në oborrin e banesës së këtij të fundit.

Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë Klisman Preçi dhe u plagos rëndë Ylli Brahimi, por ky i fundit i mbijetoi atentatit.

Kjo nuk ishte tentativa e vetme e vrasjes për Brahimin, pasi edhe në janar të 2021-shit, teksa ka qenë duke ecur i qetë me dy persona të tjerë në rrugë, është qëlluar me armë, por edhe në këtë rast vetëm mbeti i plagosur.

Atentati më shënjestër Brahimin mendohet të jetë për llogari personale, por nuk lihet mënjanë as pista se ishte përplekja e radhës e kundërshtarëve të Ervis Martinajt, pas vrasjeve të njëpasnjëshme të miqve të këtij të fundit.

Kjo pasi Brahimi është konsideruar si krahu i djathtë i Ervis Martinajt, ‘bosit’ të lojërave të fatit që u shpall i zhdukur në gusht të këtij viti.

Masakra e Fushë-Krujës

Më 17 korrik, tre persona u vranë në një atentat në mbikalimin e Fushë-Krujës. Autorët qëlluan me breshëri kallashnvikovi drejt makinës me të cilën po udhëtonte Brilant Martinaj, Diklon Vata dhe Besmir Hoxha. Vata doli jashtë mjetit, por u ekzekutua nga plumbat, ndërsa dy të tjerët u dogjën brenda mjetit.

Brilant Martinaj është kushëriri i parë i Ervis Martinajt, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për porositjen e vrasjes së Endrit Dokles pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Po ashtu Brilanti rezulton në kërkim për vrasjen e efektivit të FNSH-ve Xhulio Prela në 5 nëntor të 2020-ës, por edhe një tjetër ish-efektivi të uniformave blu, 60-vjeçarit Xhelal Reçi, raporton CNA.al.

Vrasja e Shpati Lenës dhe Hakim Xhezos

Më 18 gusht, në autostradën Fier-Vlorë, disa persona i prerë rrugën makinës tip ‘Mercedez Benz’ me të cilën udhëtonin Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, me qëllim uljen e shpejtësisë. Sapo kanë dalë paralel me makinën, 2 prej atorëve kanë zbrazur mbi 30 plumba me kallashnikovë, duke lënë viktima Lenën dhe Xhezon. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për hakmarrjen e vrasjes së Arben Beqirajt rreth 3 vite më parë në Vlorë. Kjo pasi Hakim Xhezo është vëllai i Eduard Xhezos, i cili ndodhet në burg për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj.

Atentati ndaj Alban Bruçit

Alban Bruçi u qëllua mbrëmjen e 26 gushtit në lagjen "Rus", në Shkodër. Ai ishte duke lëvizur me një makinë tip "Audi A3", kur u qëllua me armë drejt tij, por fatmirësisht nuk e kapën plumbat. Më shumë se 20 gëzhoja pistolete u gjetën në vendin e ngjarjes, shkak i së cilës dyshohet se është një konflikt i ndodhur dy vite më parë. Për atentatin e dështuar u shpallën në kërkim autorët e dyshuar Tonato Fusha dhe Bajram Çerkoja, pasi në konfliktin e dy vite më parë, Fusha mbeti i plagosur.

Atentati ndaj Ismet Çekorjas

Pasditen e 2 shtatorit, u ekzekutua Ismet Çekorja në lagjen "Guerrile", në Shkodër, shumë pak metra larg shtëpisë së tij. Autori/ët qëlluan 7 herë me pistoletë ndaj Çekorjas dhe më pas u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. 57-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital me shenja jete, por për fat të keq nuk ia doli t’i mbijetonte plagëve të marra. Ismet Çekorja është babai i Bajrman Çekorjas. Ky i fundit është shpallur në kërkim, si autor i dyshuar i atentati të dyshuar ndaj Alban Bruçit të ndodhur në 25 gusht. 4 ditë më parë para vrasjes, Ismet Çekorja doli në një deklaratë për mediat, ku tha se familjes së tij i janë qepur shteti dhe bandat e veshura me pushtet.

Atentati ndaj dy efektivëve të policisë

Persona me një automjet “Volkswagen” qëlluan drejt makinës së dy efektivë të policisë më 2 shtator. Ngjarja u regjistrua pranë spitali të Vlorës, ndërsa dy efektivët kanë shpëtuar pa marrë plumba nga të shtënat. Konkretisht bëhet fjalë për punonjësit e policisë Nako Mehmetaj dhe Anxhelo Breshani.

Atentati ndaj Akil Ndërjakut

Një atentat me snajper u regjistrua pak para mesditës së 12 shtatorit në Durrës, ku shënjestër dyshohet se ishte Akil Ndërjaku, person me precedentë penalë, i njohur ndryshe si Genti. Ky i fundit ka qenë duke lëvizuar me makinë në zonën e plazhit, në momentin që është qëlluar me armë. Sapo ka dalë nga automjeti, ai është qëlluar në drejtim të tij nga një person që mendohet se ndodhej në anën tjetër të rrugës. Vetë Ndërjaku arriti të shpëtonte, ndërsa plumbi ka përshkruar një tjetër automjet me targa të huaja që ishte i parkuar.

Atentati ndaj Erjon Xhenjes

Mbrëmjen e 18 shtatorit, 19-vjeçari Erjon Xhenje, u qëllua me armë zjarri teksa ishte duke pirë kafe në një lokal pranë kryqëzimit të Kirasit, në zonën e njohur si ‘Rruga e Gjerë’, në Shkodër. Autorët që po lëviznin me motoçikletë qëlluan me breshëri plumbash duke e lënë të vdekur në vend. Për këtë ngjarje u shpall në kërkim Bajram Çekorja, djali i Ismet Çekorjes, i vrarë mesditën e 2 shtatorit 2022 në lagjen e tij “Kiras”, raporton CNA.al.

Atentati ndaj Briken Sanajt

Briken Sanaj u ekzekutua mbrëmjen e 30 tetorit me breshëri plumbash kallashnikovi në zonën e njohur si "Kodra e Diellit", në Tiranë. 39-vjeçari u qëllua me breshëri plumbash nga një makinë, e cila u largua menjëherë. Sanaj u qëllua nga një distancë e afërt, sapo ka dalë nga garazhi ku kishte lënë makinën. Ai u dërgua në spital nga shoku i tij, por nuk arriti që të mbijetojë. Ai kishte më shumë se një vit që ishte rezident te "Kodra e Diellit", ndërsa nga rojet njihej edhe me emrin Anton Gjini. Një nga pistat e aluduara të vrasjes është ajo e hakmarrjes, pasi viktima ka plagosur një person në të shkuarën.

Atentati ndaj Edmond Papës

Mbrëmjen e 16 dhjetorit Edmond Papa u qëllua me 9 plumba, në një lokal në "Komunën e Parisit". Papa kishte ardhur pak ditë më parë nga Saranda në Tiranë, por mendohet se autori e ka mbajtur nën vëzhgim dhe e qëlloi pak metra larg banesës së vëllait të tij. Viktima kishte dy mbiemra dhe njihej gjithashtu si Edmond Hoxha. 49-vjeçari ishte me origjinë nga Fieri, por banonte prej vitesh në Sarandë ku dhe kishte shtrirë aktivitetin e tij në fushën e biznesit, kishte disa prona dhe biznese, mes tyre edhe një hotel të njohur. Vrasja e tij, ashtu si edhe shumë atentate që kanë ndodhur përgjatë vitit, ka mbetur pa autor./ B.A. - CNA.al





Lajmet e fundit nga