LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Liria e medias përkundrejt sigurisë kombëtare e rendit publik

20 Shtator 2022, 19:21, Editorial Brikena KASMI
Liria e medias përkundrejt sigurisë kombëtare e rendit publik
Brikena Kasmi

Sot e gjej të natyrshme që të shkruaj disa radhë për një ngjarje që në mënyrë hipotetike është diskutuar kaq e kaq herë në auditorët akademikë dhe jurisprudencën e drejtësisë evropiane.

Këtu e kam fjalën për Urdhrin e prokurorisë së Tiranës, dje, në lidhje me ndalimin e publikimit të disa materialeve të “publikuara”. Duke qenë e bindur për aftësinë profesionale të prokurorëve të prokurorisë së rrethit Tiranë, në fakt dje krijova përshtypjen më së shumti që organet e drejtësisë në vendin tonë po vuajnë nga kapja e tyre nga pushteti ekzekutiv.  Një organ i hetimit me një traditë të shkëlqyer profesionale, u rrek të krijonte një shtrat ligjor të sajuar në një katrahurë të dështimit të mbrojtjes së të dhënave personale nga sistemet elektronike që administrohen nga pushteti ekzekutiv.

Prokuroria tha dje se: “Për shkak të rëndësisë, qëllimeve dhe autorëve në shërbim të të cilëve po ndodh ky veprim kriminal, për shkak të detyrimit ligjor për të mbrojtur të dhënat e çdo individi si edhe Sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe si rrjedhojë për shkak të urgjencës dhe domosdoshmërisë për marrjen e një vendimi të menjëhershëm nga ana e Prokurorit, mbështetur në nenet 103, 208 e vijues, 304 të K.Pr.Penale nga ana e Prokurorisë u vendos: Sekuestrimi i të dhënave të publikuara dhe atyre që do të publikohen në vijim nga faqet objekt hetimi i procedimit penal në fjalë dhe në vijim bllokimin e publikimit të çdo lloj informacioni nga mediat e shkruara, audiovizive, mediat online. Për zbatimin e këtij urdhri u ngarkua Njësia “C” Hetimi i Krimeve Kibernetike e Drejtorisë Vendore të Policisë së Shteti, Autoriteti i Mediave Audiovize (AMA) dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) të cilët, duhet të grumbullojnë gjithë informacionin e tanishëm dhe të ardhshëm të të dhënave objekt sekuestrimi si edhe të urdhërojnë ndalimin e publikimit të çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik, kjo konform nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale, nga mediat audiovizive, të shkruara dhe online, si edhe në rrjetet sociale apo të çdo forme të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi".

Ky urdhër sjell probleme në disa plane të respektimit të të drejtave të njeriut të cilat po i radhis pa i detajuar:

1. Liria e shprehjes, e drejta për informim janë të drejta kushtetuese dhe nuk mund të kufizohen me një Urdhër prokurori.

2. Kushtetuta kërkon që kufizimi i një të drejte të bëhet vetëm nëse plotësohen 3 kushte kumulative: 1- të parashikohet në ligj; 2- Të ketë për qëllim mbrojtjen e interesit të ligjshëm dhe në proporcion me qëllimin e ligjshëm si psh siguria kombëtare apo të dhënat personale; si dhe 3- Të jetë i nevojshëm në një shoqëri demokratike; dhe ti përgjigjet presionit të një nevoje shoqërore. Nuk ka një ligj të tillë të ndalojë publikimin.

3. Prokuroria në asnjë rast nuk ka tagër për të vendosur në lidhje me masa që cënojnë të drejtat e të tjerëve sepse sistemi ynë nuk e ka parashikuar me masë sigurimi (injunction) kufizimin e lirisë së medias

4. Diskriminimi i një forme media përkundrejt tjetrës është sa i panevojshëm në një shoqëri demokratike edhe në kundërshtime me parimet e së drejtës. Nuk mund të ndalosh publikimin në media tradicionale atë që është publikuar në një media sociale.

5. Informimi është një mekanizëm konkret i menjëhershëm dhe që e prodhon pasojën njëherë për çdo subjekt prandaj vlen shprehja – njëherë e dalë në publik, konsideroje gjithmonë aty. Nuk ka llogjikë që të urdhërohet ndalimi i publikimit të një të dhëne tashmë të publikuar.

6. Shkaqet e rreshtuara nga prokuroria janë të drejta të parashikuara në nene të veçanta të Kushtetutës sonë si dhe Konventës evropiane të të drejtave të njeriut njësoj si edhe e drejta e medias. Këto të drejta nuk mund të kufizohen apriori nëse zbatimi i njërës përplaset me zbatimin e tjetrës.  Në raste përplasje është gjykata ajo që vendos bazuar në një ligj të parashikuar me parë.

7. Nuk mundet asesi prokuroria të urdhëroje një organ tjetër publik si AMA apo AKEP që të kryejë një veprim administrativ si ndalim apo bllokim që passjell kufizimin e një të drejte kushtetuese.

8. Organet publike si AKEP apo AMA janë organe ligjzbatuese dhe si të tilla janë të detyruara të zbatojnë gërmën dhe frymën e një ligji të miratuar shprehimisht dhe në mënyrë të qartë. Nëse ky ligj mungon ata nuk kanë kompetencë dhe për rrjedhojë kanë pengesë të veprojnë.

9. Ndalimi i publikimit që në vetvete është një kufizim i të drejtës për të informuar duhet të bëhet vetëm me vendim gjykate në bazë të një procesi të rregullt ligjor dhe mbështetur në një ligj të miratuara paraprakisht (para se ngjarja të ndodhë)

10. Në finale, e drejta e medias për nga roli dhe rëndësia që mbart tejkalon në disa aspekte të drejtat e tjera. George Washington dikur ka thënë: “if the freedom of speech is taken away, then dumb and silent we may be led, like sheep to the slaughter – nëse liria e shprehjes na merret, atëherë në heshtje dhe budallallëk do të na udhëheqin si delet drejt therjes”.

Me këtë dëshiroj të sqaroj opinionin publik se media tradicionale si TV, shtypi i shkruar apo elektronik, janë të lira të informojnë publikun për çdo informacion që ka ndjeshmëri e interes për të, në funksion të forcimit të demokracisë dhe vlerave njerëzore.

Nuk është rasti i parë apo i izoluar nxjerrja në publik i disa informacioneve që qarkullojnë për shkak të interesit që ka publiku, dhe si e tillë edhe kjo ngjarje do të trajtohet në dinjitetin e “P”së së radhës sikurse fati i Panama papers, Pandora Papers apo Paradise papers.

Lajmet e fundit nga