Ja si Gjermania po planifikon legalizimin e kanabisit

19 Qershor 2022, 09:40, Blog Louis Westendarp
Ja si Gjermania po planifikon legalizimin e kanabisit
Foto ilustruese

Nis lobimi intensiv për legalizimin e kanabisit. Ministria gjermane e Shëndetësisë po zhvillon këtë javë bisedime me palët e interesuara mbi legalizimin e kanabisit rekreativ, me synim paraqitjen e një projektligji, që do të miratohet në parlament brenda vjeshtës së këtij viti.

Ndërsa socialdemokratët e kancelarit Olaf Sholc donin vetëm dekriminalizimin e kanabisit – pra që do të lejonte vetëm përdorimin vetjak - partnerët e tij në koalicion, të Gjelbrit dhe Liberalët, bënë fushatë gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 për legalizimin e plotë të kanabisit rekreativ, gjë që do të lejojë zotërimin, kultivimin, tregtimin dhe transportin e tij. Në fund dominuan partnerët e vegjël të koalicionit, duke çuar në një marrëveshje pro legalizimit të kanabisit rekreativ. Tani sfida është zbatimi i saj. Ndërsa Gjermania e legalizoi kanabisin për qëllime mjekësore në vitin 2016, ka ende shumë pyetje që duhet të marrin përgjigje. Burkhard Blinert, komisioneri gjerman për lëndët narkotike, do të mbajë 5 seanca dëgjimore me mbi 200 palë të interesuara, përfshirë ekspertët e varësisë nga drogat, shoqatat e kanabisit dhe ekspertë ndërkombëtarë. Rezultatet do të prezantohen në fund të këtij muaji, duke hedhur bazat për strategjinë e legalizimit që pritet të miratohet në vjeshtë.

Kush do të lejohet ta shesë kanabisin?

Aktualisht, në Gjermani vetëm farmacitë mund të shesin kanabis për qëllime mjekësore, dhe sipas tyre kjo nuk duhet të ndryshojë as për kanabisin rekreativ. “Nëse do të ketë kanale të ndryshme të shpërndarjes, do të jetë më e vështirë të zbatohen standarde uniforme dhe të larta për mbrojtjen e konsumatorit”- thotë Shoqata Federale e Farmacistëve Gjermanë.

Por jo të gjithë janë dakord. “Farmacitë shërbejnë për të shitur ilaçe. Përndryshe, duhet të nisin të tregtojnë edhe birra dhe cigare”, - thotë Georg Vyrt nga Shoqata Gjermane e Kërpit. Sipas marrëveshjes së koalicionit, kanabisi duhet të shpërndahet në “dyqane të licencuara”. Por nuk është përcaktuar ende se çfarë përfshin kjo. Sigurisht, lojtarët e mëdhenj në këtë do të dominojnë tregun e shitjes me pakicë, që do të rritet nga 20 ton kanabis mjekësor në 400 ton kanabis mjekësor dhe rekreativ në vit. Për momentin, vetëm produkte më pak të fuqishme si vajrat CBD, mund të shiten jashtë farmacive.

Ja si Gjermania po planifikon legalizimin e kanabisit

Kush do të mundet që ta blejë atë?

Marrëveshja e bën shumë të qartë, se kanabisi nuk është për fëmijët apo adoleshentët. “Vetëm të rriturit duhet të hyjnë në dyqanet e kanabisit. Ato duhet të ndodhen në vende larg shkollave ??dhe qendrave rinore për të mbrojtur të miturit”- shprehet Kirsten Kapert-Gonter, nënkryetare e komitetit të shëndetësisë në parlamentin gjerman.

Por Shoqata Federale e Farmacistëve Gjermanë, shkon një hap më tej dhe kërkon “rregullore të përshtatshme, për të kufizuar konsumin nga adoleshentët dhe të rinjtë”. Në të njëjtën linjë është edhe Shoqata Gjermane e Mjekëve: "Në aspektin mjekësor, duhet një kufizim moshe prej të paktën 21 vjeç ose ndoshta mbi 25 vjeç”, -thuhet në një deklaratë të saj me shkrim.

Si do të rregullohet ky treg?

Për t’u siguruar që marijuana e shitur në Gjermani të jetë e sigurt, duhet të ketë jo vetëm  shitës dhe furnitorë të besuar, por edhe rregulla të qarta për llojet që duhet të tregtohen. Kanabisi përmban mbi 400 substanca, dhe 2 më të njohurat janë THC dhe CBD. THC është përgjegjëse për efektin dehës të kanabisit, dhe norma e tij mund të ndryshojë shumë midis llojeve të ndryshme.

“Për aq sa mund të tregojnë të dhënat, nivelet e larta të THC (mbi 20 për qind) shoqërohen me rritje të konsiderueshme të rreziqeve shëndetësore, p.sh reaksione psikotike, sesa kanabisi me përqendrime të ulëta të THC”- thotë Shoqata Mjekësore Gjermane. Ndaj, rekomandohet një kufi THC-je prej 10-15 për qind.

Kur flitet fjalë për furnizimin, Blinert thotë se modeli holandez nuk mund të adoptohet për Gjermaninë. Holandezët lejuan shitjen e kanabisit nëpër kafene në vitin 1976, por nuk e shoqëruan me ligjet përkatëse për kontrollin e furnitorëve. Blinert nuk e dëshiron këtë për Gjermaninë. “Ne duhet të mbajmë nën vëzhgim të gjithë zinxhirin e furnizimit, nga kultivimi, tregtia dhe deri tek shitjet me pakicë”-thotë ai.

Ja si Gjermania po planifikon legalizimin e kanabisit

Nga do të vijë kanabisi?

Aktualisht, Gjermania lejon kultivimin e kanabisit vetëm në kushte shumë të rrepta. Bima narkotike duhet të rritet në ndërtesa të ngjashme me bunkerin. “Por nuk është as e arsyeshme dhe as e qëndrueshme që kërpi dhe kanabisi të kultivohen vetëm në plantacione të ngritura pas mureve të trasha të betonit”-thotë Kapert-Gonter.

Prandaj pasi kanabisi të legalizohet, këto rregulla mund të lehtësohen për të krijuar kushte më të mira rritje në Gjermani, me synim mbulimin e kërkesës. Disa lande gjermane lejojnë importin e kanabisit, për sa kohë që plotësohen disa kritere. Dhe nëse ky kanabis përpunohet në Gjermani, ai tashmë mund të shitet si kanabis mjekësor.

Shoqata e Kërpit po kërkon gjithashtu legalizimin e kultivimit të marijuanës në kushtet e shtëpisë. “Nuk ka kuptim të ndiqen penalisht konsumatorët për shkak të disa bimëve të kanabisit, ndërsa në dyqanin ngjitur shiten çdo ditë dhjetëra kilogramë me kanabis”- shprehet Vyrt.

A ka ndonjë pengesë ligjore?

Duke e legalizuar kanabisin rekreativ, Gjermania rrezikon të shkelë ligjin ndërkombëtar. Konventa e vetme e OKB-së e vitit 1961 mbi drogat narkotike, e ndalon Gjermaninë të legalizojë kanabisin rekreativ, pasi ajo i ndalon shtetet të kultivojnë dhe trafikojnë kanabis përtej qëllimeve mjekësore apo shkencore.

Për të shmangur shkeljen e ligjit, Berlini duhet fillimisht të tërhiqet nga kjo konventë, proces që mund të zgjasë deri në 1 vit. Ose Gjermania mund të zgjedhë ta injorojë konventën, siç ka bërë Kanadaja, pavarësisht qortimeve të përsëritura nga Bordi Ndërkombëtar i Kontrollit të Narkotikëve.

Pengesa mund të nxjerrë edhe BE-ja. Një vendim i Gjykatës Ndërkombëtare, thotë se shtetet anëtare duhet të parandalojnë shitjen e kanabisit. Edhe disa politikanë gjermanë mund të hapin probleme. Ligji mund ta ketë më të lehtë miratimin në Bundestag, ku partitë pro legalizimit kanë shumicën, por më të vështirë në Bundesrat, institucion që përfaqëson landet gjermane në nivel federal. Kristiandemokratët e qendrës së djathtë kanë atje një shumicë bllokuese. Udhëheqësi i tyre, Friedrih Merc, tha në dhjetorin e vitit të kaluar se “kanabisi është një portë drejt varësisë nga drogat më të forta”./ “Politico.eu”-Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga