LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Surprizat e Festës së Birrës/ Nënkryetarja e bashkisë së Korçës zbulon programin dhe të ftuarit specialë

6 Gusht 2023, 11:13, Aktualitet CNA
Surprizat e Festës së Birrës/ Nënkryetarja e bashkisë
Nënkryetarja e bashkisë së Korçës, Benila Themeli

Vetëm pak ditë na ndajnë nga Festa e Birrës, e cila këtë vit do të mbahet në datat 16-20 gusht te Terminali i Autobusëve në Korçë.

Për festën më të madhe të verës në Shqipëri ka dhënë detaje nënkryetarja e bashkisë së Korçës, Benila Themeli.

Në një prononcim për mediat, Benila Themeli ka treguar se ky është viti i fundit që Festa e Birrës do të mbahet te Terminali i Autobusëve, pasi nga viti i ardhshëm do të zhvendoset në zonën e ish-vaskave të peshkut, në Drenovë.

Në fakt, Festa e Birrës, në edicionin e saj të 17-të vjen me rritje ashtu siç ka ardhur nga viti në vit dhe kjo është arsyeja se pse si vitet e kaluara ka bërë që njerëzit ta presin me një kërshëri dhe me dëshirë të madhe Festën e Birrës në Korçë, sikurndër edhe ne vihemi para një përgjegjësie më të madhe për ta sjellë në nivele gjithnjë e më të larta organizimin e Festës së Birrës.

Është viti i fundit në fakt që Festa e Birrës do të organizohet te Terminali i Autobusëve, pasi ne që këtë vit me MIK Festival hapëm siparin e polit të jugut, të amfiteatrit më të madh të koncerteve, ku do të jetë vitin e ardshëm vendi i organizimit të Festës së Birrës e në vijim.

Pra, Festa e Birrës edhe këtë vit do të jetë brenda hapësirës së qytetit dhe do të zhvendoset vitin e ardhshëm në zonën e ish-vaskave të peshkut, në Drenovë”, u shpreh ajo.

Nënkryetarja e bashkisë zbuloi se do të ketë 4 emra BIG, të cilët do të jenë artistë të njohur ndërkombëtarë.

Ajo tregoi se atmosfera do të “ndizet” me muzikën e Elvana Gjatës, Ylli Limanit, dy këngëtareve të mirënjohura greke Despina Vandi e Keti Garbi, vëllezërve Prifti, grupit NA apo Eugent Bushpepës.

Këtë vit kemi menduar në këtë edicion të fundit të qytetit, një organizim interesant të festës, duke e ndarë programin muzikor sipas zhanreve në 5 netë të ndryshme, me 5 tipe të ndryshme ose lloje të ndryshme muzikore.

Do të kemi shumë surpriza. Janë të paktën 4 emra BIG, ndërkombëtarë dhe këngëtarët më të mirë të skenës shqiptare që do të ngjiten në skenën e Festës së Birrës.

Ne po i zbulojmë sipas kontratave që kemi bërë hap pas hapi. Kemi zbuluar tashmë për publikun programin e ditës së shtunë, dy emrat BIG të ditës së shtunë, të datës 19 gusht, që do të jenë Elvana Gjata, e cila vjen në Korçë pas koncertit shumë të madh në stadiumin kombëtar në Tiranë, si dhe ylli i mukizës greke, Despina Vandi.

Ndërkohë, do të kemi po një këngëtare greke ditën e dielë, e cila do të këndojë së bashku me vëllezërit korçarë, me vëllezërit Prifti. Do të jetë Keti Garbi dhe vëllezërit Prifti që do të jenë në programin e ditës së diel, ndërkohë që dita e premte, emrat e së cilës ne nuk i kemi nxjerrë akoma për arsye të kontratave, janë dy emra të mëdhenj ndërkombëtarë, të cilët së bashku me dj do të sjellin muzikën retro të viteve 90.

Pra, dancin e famshëm të viteve ’90 dhe pop-rrokun e viteve ’90. Janë dy emra që për brezin e rinisë së viteve ’90 do të jenë ‘uau’, gati e pabesueshme që do të jenë në Korçë në Festën e Birrës.

Dita e enjte do të sjellë një program që do të fokusohet te dita rrok. Do të kemi grupin NA, Eugent Bushpepën, edhe një bandë nga irlanda të rrokut. Ndërsa dita e parë iu dedikohet të rinjve, atyre të rinjve fare që duan këtë muzikën e gjallë dhe të gëzuarqë ne që jemi prindërit e tyre nuk e kuptojmë, por që ata çmenden.

Pas Capital T që ishte vitin e kaluar, vjen Ylli Limani dhe shumë këngëtarë të tjerë të brezit të të rinjve që do të çelin siparin e Festës së Birrës”, deklaroi Benila Themeli./ CNA.al

Lajmet e fundit nga