LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sokol Sadushi, me urdhër individual cakton vlerat e pagave/ Akti është shkelje e rëndë e disiplinës buxhetore

7 Prill 2023, 13:21, Aktualitet CNA
Sokol Sadushi, me urdhër individual cakton vlerat e pagave/ Akti
Sokol Sadushi, kreu i Gjykatës së Lartë

Pakënaqësia ndaj sistemit të drejtësisë dhe "punës" së magjistratëve tashmë nuk është vetëm fakt mes shqiptarësh, që halli mund t’i ketë përplasur në dyer magjistratësh.

Pak ditë më parë, edhe investuesit, jo vetëm moralë, por edhe të drejtpërdrejtë të reformës, (të huajt) janë shprehur të pakënaqur nga ritmet e punës së Gjykatës së Lartë.

Sa kohë që halli gjigant i momentit janë dosjet që mban Gjykata e Lartë, nuk ka filluar ende analiza e çështjeve konkrete dhe jurisprudenca e përdorur nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.

Në këto kushte, aq më pak, opinioni publik ka vëmendje të verifikojë se sa dhe si paguhen gjyqtarët e kësaj Gjykate.

Ndaj ka kaluar pa vënë re një urdhër individual i lëshuar nga Sokol Sadushi me cilësinë e Kryetarit të Gjykatës së Lartë. Ky është një urdhër me të cilin Sadushi përcakton pagat e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

E gjitha bëhet duke përcaktuar me urdhër personal dhe pa asnjë kompetencë të lëshuar nga nga asnjë dispozitë ligjore, të "pagës referuese bazë" mbi të cilën llogaritet "paga për funksion".

Me urdhër personal, pa asnjë tagër ligjor për përcaktim pagash apo intepretim të pagës referuese dhe pagës për funksion, Sokol Sadushi vendos që përllogaritja e pagës për funksion duhet të nisë nga vlera 152.700 lekë.

Sokol Sadushi, me urdhër individual cakton vlerat e pagave/ Akti

Sokol Sadushi, me urdhër individual cakton vlerat e pagave/ Akti

Kjo nuk ështe paga për funksionin. Por vetëm vlera mbi të cilën duhet të nisë llogaritja e pagës.

Shifra që rezulton si pagë funksioni pas "urdhrit" të Sadushit, shkon përtej 350.000 lekë në muaj.

Me një urdhër pa asnjë bazë ligjore, të nxjerrë në tejkalim të kompetencave administrative që ka Sadushi si kryetar i Gjykatës së Lartë e që nuk lidhet me funksionin si gjyqtar në raport me shqyrtimin e çështjeve gjyqësore të kësaj Gjykate, Sadushi e "argumenton" qejfin e vet me pavarësinë e sistemit!

Sadushi me togfjalëshin "pavarësi e sistemit" beson se mbush, zëvendëson, plotëson, korrigjon apo edhe shkruan sipas qejfit vlerën e pagës për vete dhe të tjerët si ai.

Togfjalëshi magjik, sipas Sadushit, nënkupton që këta të drejtësisë së re, mund t’i vendosin vetë pagat aq sa ua do shpirti.

Në ligjin për menaxhimin buxhetor, (që Sadushi vendos si "bazë ligjore") kjo sjellje "pavarësie" konsiderohet shkelje financiare e rëndë dhe me dëm edhe ekonomik të paktën deri në vlerën që shifra e përcaktuar nga Sadushi tejkalon shifrën e akorduar nga buxheti i shtetit.

Për vendosjen e vlerës së pagave asnjëherë nuk kishte ndodhur më parë që dikush apo disa të kishin vendosur vetë rroga vetëm në emër të pavarësisë, sa kohë që kjo e drejtë nuk u ishte referuar drejtpërdrejt, qartë dhe plotësisht nga ligjet organike apo ligjet që rregullojnë funksionimin e organeve të administratës, gjyqësorit, shoqërive tregtare, agjencive të pavarura e kështu me radhë.

Nuk kuptohet se si sistemi i Thesarit ka miratuar dhe aprovuar shifra pagash që nuk rezultojnë në tabelat e Ministrisë së Financave si paga për çdo funksion.

Kjo është çështje për të cilën do t’i drejtohemi zyrtarisht me kërkesë për informacion Ministrisë së Financave.

Ajo që duhet sot është që profesor Sadushi, në datë 27 shkurt 2023, me urdhrin nr. 50, pa asnjë dispozitë që të autorizojë shprehimisht që i jep autorizim kryetarit të Gjykatës së Lartë që të vendosë pagën e vet, urdhëron që paga e grupit që kryeson të vendoset siç Sadushi e beson të drejtë dhe të mjaftueshme.

Dhe jo vetëm kaq!

Llogaritja e pagesës nuk do bëhet nga data e lëshimit të urdhrit e më pas! Pra, nga data 27.2.2023 e më pas!

Sadushi ka urdhëruar edhe rillogaritje të shumave nga data 9.1.2023!

Nuk mjaftonte urdhri pa asnjë referencë ligjore! I duhej edhe me prapaveprim!

Sadushi praktikisht urdhëron që nga taksat e shqiptarëve atij i takojnë më shumë sesa paskësh marrë deri në 9 janar 2023!

Vlerat e pagave referuese dhe të pagave për funksionim, aplikohen sipas fondit të miratuar nga Ministria e Financave. Nuk referohen as nga vendime gjykatash, as nga rekomandime të KLSH-së.

KLSH nuk lëshon as vendime as urdhra!

Jep vetëm rekomandime.

Disiplina buxhetore e do që njerëzit të paguhen sipas funksionit, aq sa referohen nga buxheti i alokuar i institucioneve për zërin "paga".

Askund nuk autorizohet asnjë drejtues i drejtësisë së re, që në emër të dënglave që Sadushi vendos si bazë ligjore të urdhrit të vet, të marrë dhe të fusë duart drejtpërdrejt në fonde shtetërore e të shpërndajë si pagë për vete sa, si dhe kur i do qejfi.

Rekomandimi i KLSH-së mbetet REKOMANDIM deri kur autoriteti që harton dhe shpërndan buxhet të vendosë që ta konsiderojë dhe më pas të rishkruajë buxhetin përkatës.

Drejtësia e re përveçse e avashtë dhe e pangopur, rezulton edhe harbute, nëse nuk është thjesht e paaftë të kuptojë që ca togfjalësh shterpë nuk zëvendësojnë dot bazën ligjore për nxjerrjen e çdo akti.

Sadushi duhet me urgjencë të publikojë se cila është dispozita, paragrafi, fjalia apo togfjalëshi që autorizon shprehimisht kryetarin e Gjykatës së Lartë që të përcaktojë me akt individual, pagën referuese dhe pagën për funksion.

Çmimi i drejtësisë paguhet nga taksat e shqiptarëve. Dhe drejtësia nuk është hani i babait të Sadushajt, që ai të përcaktojë, të vendosë, të urdhërojë dhe të ndajë buxhet.

Për statistikë për lexuesit:

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur gjerësisht si SPAK, u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë për vitin 2022, jo më pak se 588 milionë lekë të rinj. Shifra financiare e barasvlershme me 5.2 milionë euro është pagesa e shqiptarëve vetëm për SPAK-un, si organi i drejtësisë së re me pritshmërinë më të lartë publike.

73% e shumës prej 5.2 milionë eurosh ka shkuar për pagat e prokurorëve, agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe administratës.

Kostoja totale e SPAK-ut për 2022-shin është rritur me 262 milionë lekë në krahasim me vitin 2021.

Por këto shifra pritet të rriten edhe më shumë gjatë vitit 2023. Referuar programit buxhetor afatmesëm, të cituar në raport parashikimi buxhetor për vitin 2023 vetëm për SPAK-un, shkon në gati 10 milionë euro.

Ndërsa aplikimi i "Metodës Sadushi në vendosjen e pagave", në gjithë sistemin e drejtësisë, do t’u kushtonte shqiptarëve edhe 10 milionë euro të tjera në vit.

Dhe beson dikush që këta pastaj do të japin drejtësi?/ CNA.al

Lajmet e fundit nga