web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pjesa e tretë e dosjes AKSHI

30 Maj 2026, 13:25, Aktualitet CNA

Pjesa e tretë e dosjes AKSHI

Në një investigim, Top Channel, në emisionin Inside Story ditën e mërkurë, tregoi për rreth një orë se pjesa e hetimit të SPAK për AKSHI-n nuk duhet të fillonte dhe mbaronte thjesht dhe vetëm te Mirlinda Karçanaj, tek Ermal Beqiri, tek Ergys Agasi dhe disa emra të tjerë të marrë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Sipas dosjes, dilte se Daniel Shima, ish-nëndrejtor i AKSHI-t, një nga njerëzit kyç të tenderave, kishte zhvilluar prona dhe pasuri pafund.

Por, nuk është ky thelbi. Ajo që Top Channel nuk e tha në mënyrë të drejtpërdrejtë por u përpoq me pak diplomaci, nuk drejtoi gishtin për të thënë se ky është po aq i korruptuar sa pjesa tjetër. Ky duhet të jetë në akuzë për një grup tjetër kriminal që lidhet me të tjerë personazhe.

CNA ka raportuar kohë më parë, disa muaj përpara se të plaste skandali i AKSHI-t dhe të nisnin hetimet nga SPAK, në lidhje me një shtetas Gerond Meçen, i cili pas daljes publike të hetimeve të bërë nga prokurorët e posaçëm, u quajt viktimë.

Ndërkohë që Top Channel na tregoi se pas disa arrestimeve dhe largimeve që tashmë ishin shpallur në kërkim, pjesë të dosjes së AKSHI-t, ky i fundit kishte filluar të trashte tenderat.

CNA ka raportuar se ky personazh së bashku me Migena Schroder bllokonin me dhjetëra e dhjetëra tendera. Ne kemi publikuar një listë të plotë se si çoheshin në KPP, tenderat e AKSHI-t kur nuk i fitonte Gerond Meçe. Ndërkohë tashmë nuk çohen më, për arsyen se i fiton Gerondi.

Pjesët e dosjes së AKSHI-t

Në AKSH nuk ka një pjesë, dy pjesë. Pjesën e parë e tregoi hetimi i SPAK. Pjesën e dytë e tregoi deri diku “Inside Story” i Top Channel. Por ka një pjesë të tretë, ka një pjesë të katërt. Historia e AKSHI-t nuk fillon me Ermal Beqirin dhe Ergys Agasin. Ermal Beqiri krijoi ndoshta një nga kompanitë më të mëdha duke mundur të ketë partneritet me brandet më të njohura botërore.

Mori ndoshta më shumë se sa i takonte sipas tyre, e zmadhoi më tepër se sa duhej, paravendoste tendera me Ergys Agasin, siç del në përgjime, apo në bashkëpunime me Mirlinda Karçnajn. Por, nuk është vetëm Ermal Beqiri. Dosja “AKSHI” nuk fillon dhe nuk mbaron me Ermal Beqirin dhe Ergys Agasin.

Daniel Shima, që tregoi Top Channel, a mund të bënte dot gjë pa lejen e Mirlinda Karçanajt deri në një moment të caktuar? Cili është momenti që është prishur Daniel Shima me Mirlinda Karçanajn? Pse e ka larguar kjo e fundit?

Lind pyetja, kur ka filluar të bëhet më i madh se sa duhet Ermal Beqiri? Kush kanë qenë personat përpara Ermal Beqirit? Sa tendera ka fituar Gerond Meçe? Po kompanitë e tjera cilat janë? Kush ka hyrë dhe ka dalë në tenderat e AKSHI-t? Sa janë milionat që ata kanë marrë, jo thjesht dhe vetëm me Daniel Shimën por dhe me të tjerë personazhe që ende nuk fliten por janë larguar më përpara nga AKSHI.

Historia e AKSHI-t nuk është një, dy ose tre vjet. Historia e AKSHI-t është histori e një dekade që nuk fillon dhe nuk mbaron te hetimi i SPAK-ut, nuk fillon dhe nuk mbaron te investigimi i Top Channel.

Dhe ata që vetëshpallen sot viktima, kanë qenë përfitues të miliona eurove nga AKSHI dhe janë ndarë e kanë filluar të denoncojnë njëri-tjetrin për shkak të pazareve. Kjo është e vërteta e AKSHI-t. Merrte një palë disa miliona euro, pastaj merrte pala tjetër disa miliona të tjera, pastaj një tjetër disa miliona të tjera. Tenderat sekret, vlera e të cilave nuk dihet, nuk ka dalë në publik.

Kush i ka marrë? Çfarë shërbimesh kanë ofruar? Nuk ka një histori që fillon dhe mbaron me Ermal Beqirin. Nuk ka një histori që fillon dhe mbaron me Mirlinda Karçanajn apo Daniel Shimën. Ka një histori edhe me Gerondin, edhe me të tjerë.

Historia e korrupsionit të AKSHI-t në këto 10 vite ka brenda dhe ata që sot e shpallin veten viktimë, ose ata që ju është zënë rruga për të ecur përpara, për të bërë punë miliona euroshe me AKSHI-n.

AKSHI duhet zbërthyer si një dosje e plotë hetimore nga A tek ZH-ja, nga i pari tek i fundit, sepse aty brenda nuk është thjesht dhe vetëm një emër apo dy sa i serviren publikut.

Janë me dhjetëra emra individësh, subjektesh të përfshira në afera dhe korrupsion ku dikush bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë dhe dikush tjetër bën viktimën. Të gjithë janë bashkë në një thes. Në thesin që kanë zhytur duart e tyre të korrupsionit brenda AKSHI-t. /CNA





Lajmet e fundit nga