web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kur ligjin e bën “Maliqi”, për burrin e Xhaçkës dhe burrin e Sevdarit  

29 Qershor 2022, 20:44, Aktualitet CNA
Kur ligjin e bën “Maliqi”, për burrin e
Foto ilustruese

Kur ligjin e bën “Maliqi”, ai mund të lexohet në dy mënyra, kur të intereson të bie kokës e të thyen në mes, në të kundërt është aq i butë sa nuk të hyn një gjemb në këmbë.

Loja e dy standardeve nuk ka marrë, e duket se nuk ka për të marrë fund në vendin tonë.

Ligji i vetingut në dorën e “Maliqit”, ka qenë shumë i butë dhe ledhatues kur bëhet fjalë për investitorin stategjik të burrit të ministres Xhaçka, i cili investon miliona në Rivierën Shqiptare, por askush nuk i kërkon llogari se si i vuri këto miliona, sa janë detyrimet që ka paguar në shtet dhe të tjera të dhëna, që kërkon ligji për deklarimin e pasurisë.

Por nuk ka ndodhur e njëjta gjë me prokuroren Antoneta Sevdari, e cila siç u bë e ditur u largua nga radhët e drejtësisë, sepse nuk arriti të justifikonte dot nëse bashkëshorti i saj emigrant para sesa të njihej me Antonetën, dhe as që e dinte për ekzistencën e saj, nuk  ka sjellë dokumentet për të vërtetuar se pronari i tij në Greqi ka paguar apo jo të ardhura për pagën që ai ka marrë në shtetin fqinj, kur ishte emigrant para 20 vitesh. Këto krahasime i solli në vemendjen tonë në një reagim të tij Ermal Mulosmani, një ditë më parë.

Shtet i rreptë  ky, “e kap lepurin me qerre”. Të fshihte pasurinë burri i huaj, i cili as e kishte menduar se do të martohej me prokurore!?

Kjo është e patolerueshme për ligjin tonë, dhe kur e shkel atë merr edhe masë, ndëshkohesh, në këtë rast largohesh nga detyra, dhe me një njollë si e “korruptuar”.

Po si ka mundësi të përdoren kaq hapur dhe trashë dy standarde!?

Si ka mundësi që ministrja Xhaçka është kaq e qetë dhe mendon se ua hodhi shqiptarëve duke u shprehur se paratë janë të burrit, që i ka bërë në emigracion duke i rënë bretku.

Po ky vetingu që heton deri në brezin e shtatë, për të mos thënë edhe “brekët e gjyshes”, si ka mundësi që nuk i kërkoi burrit të ministres të dëshmonte nëse kishte paguar taksa e tatime për punën e bërë dhe çfarë pune kishte bërë në emigracion.

Pronari i tij i ka derdhur tatimet për të në shtet apo s'ka rëndësi se tani ka gruan ministre dhe ligji për ministren nuk mund të jetë kaq i rreptë.

Ngjarje të tilla që janë djegur, prokurorë  e prokurore, gjyqtarë e gjyqtare, pa pasur fajin më të vogël, dhe që janë mbuluar, mbrojtur, e kamufluar shumë të tjerë, ka me dhjetëra.

Lind pyetja, cili është standardi i barazisë?

A është ligji i barabartë për të gjithë?

A jemi të gjithë njësoj para ligjit dhe Kushtetutës ?

Përgjigjja zyrtare e dimë që është PO.

Atëherë pse ndiqen gjithmonë dy standarde, faktet “ulërasin”,  por sërish drejtuesit e këtij vendi bëjnë sikur nuk i dëgjojnë.

Këtij vendi nuk i kanë munguar ligjet, por mënyra se si zbatohen ato.

Po sjellim në vëmendje ligjin e Amnistisë Fiskale, që po diskutohet të bëhet. Shumë mirë që realizohet, por frika që e shoqëron miratimin e këtij ligji është, a do të zbatohen standardet për të gjithë njëlloj, apo edhe këtu do të mbizotërojë, ligji i “Maliqit”.

Mbetet të presim dhe të shohim.

Tashmë jemi më të rritur e pjekur politikisht si popull, kemi përjetuar shumë, asgjë nuk na habit dhe nuk na lë pa fjalë në këtë vendin tonë të vogël, ku mbizotëron miku dhe jo çifliku./CNA.al





Lajmet e fundit nga