web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Korça pret festivalin ndërkombëtar të bandave frymore/ "LuluFest", një ngjarje që bashkon artin dhe turizmin

22 Tetor 2025, 12:10, Qyteti im CNA



Në qytetin e serenatave dhe të traditës muzikore, Korçë, nis edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Bandave Frymore “Air Beat Festival”, ose siç njihet ndryshe #LuluFest. Për tri ditë me radhë, nga 24 deri më 26 tetor, qyteti do të gjallërohet nga ritmet e orkestrave frymore, ekspozita, parada, master class-e profesionale dhe koncerte gala, që do ta kthejnë Korçën në një qendër të madhe muzikore dhe festive. Festivali organizohet nga Qendra e Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Bashkinë Korçë, dhe ka mbledhur mbi 150 artistë nga Shqipëria, Kroacia, Italia, Kosova dhe Greqia, të cilët do të performojnë në sheshe, bulevarde dhe ambiente kulturore të qytetit. Ky aktivitet është menduar si një ngjarje që ndërthur artin, kulturën dhe turizmin, duke synuar ta kthejë Korçën në një qendër rajonale të muzikës frymore dhe të promovojë trashëgiminë e saj të pasur.

 

Korça pret festivalin ndërkombëtar të bandave frymore/

Drejtoresha e Qendrës së Kulturës thekson se ky festival shënon një moment të rëndësishëm për qytetin, pasi për herë të parë Korça pret një aktivitet ndërkombëtar të këtij niveli. Ajo nënvizon se zgjedhja e qytetit nuk është e rastësishme, pasi Korça ka një histori të gjatë me orkestrat frymore, që janë pjesë e identitetit kulturor të saj. Sipas saj, festivali sjell në vëmendje trashëgiminë e bandës “Vatra” dhe të bandës së Korçës, formacione që kanë shoqëruar jetën kulturore e historike të qytetit ndër vite.

"Kam kënaqësinë të prezantoj një prej festivaleve më të rëndësishme siç është ai i Bandave Frymore.  Është edicioni i parë dhe besoj që ky festival do të jetë një brand për qytetin e Korçës. Jo pa qëllim mbahet në Korçë seose dihet që orkestrat frymore janë pjesë e identitetit të Korçës, por edhe të gjithë Shqipërisë. Kjo për shkak të bandës 'Vatra', bandës së Korçës që ka qenë një nga formacionet më të rëndësishme të jetës kulturore të qytetit na ka ndjekur në ngjarje historike, por edhe festa të ndryshme. Jam e lumtur që këtë festival e kuron Ilir Kodhima, pedagogu i Akademisë së Arteve.   Është kujdesur që të kemi banda me cilësi të lartë, do të kemi banda nga Kroacia, Italia, Kosova, Forcat e Armatosura dhe një kuintet, i cili na vjen nga Selaniku, por edhe Tirana nën drejtimin e profesorit dhe dirigjentit Edmond Doko. Shpresoj që ky festival në 3 net të jetë një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për artdashësit e Korçës, por edhe një shkëmbim eksperiencash për artistët dhe instrumentistët e frymës. Do të jetë një kalendar i pasur për 3 ditë. Nisim më 24 tetor me një ekspozitë retro Korça ku do të kemi instrumente të paekspozuara ndonjëherë të frymës, foto historike të bandave, do të kujtojmë personalitete të shquara që kanë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë lloj muzike apo këto instrumente. Do të kemi një marshim në dy net të gjithë bandave pjesëmarrëse, do të kemi në datën 25 një master class nga mjeshtër të instrumenteve frymore për të kulmuar në datën 25 në Luftëtari Kombëtar me programin gala që ne e quajmë 'LuluFest'. Ndërkohë në datën 26 do të kemi përsëri ekspozitën Retro Art dhe në mbrëmje te GAD do të jetë quinteti nga mjeshtri dhe dirigjenti Edmond Doko. Shpresoj që ky event të jetë një event edhe i turizmit për qytetin."

 

Korça pret festivalin ndërkombëtar të bandave frymore/

Drejtori artistik, Ilir Kodhima, shprehet se ky festival është konceptuar si një hapësirë bashkëpunimi dhe shkëmbimi mes artistëve profesionistë dhe atyre të rinj. Sipas tij, gjatë këtyre tri ditëve Korça do të gumëzhijë nga muzika frymore, me bashkëpunime të reja mes artistëve vendas e të huaj dhe me synimin për të afruar brezat e rinj me instrumentet e tunxhit. Ai thekson rëndësinë e master class-eve që zhvillohen në kuadër të festivalit, si një mënyrë për të ngritur nivelin profesional të muzikantëve dhe për të rikthyer dashurinë për instrumentet që dikur ishin pjesë e pandashme e jetës kulturore të qytetit.

"Jam shumë i emocionuar dhe surprizuar nga i gjithë profesonalizmi dhe koordinimi në mënyrë shumë profesionale të gjithë pjesëmarrësve që e bënë të mundur këtë organizim. Janë mbi 150 artistë që do të jenë gjatë këtyre tri ditëve në Korçë, të cilët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe kontribuojnë për të rinjtë e këtij qyteti për t'i afruar me artin e kulturën. Gjithashtu për të kontribuar në ngritjen e nivelit artistik të qytetit të Korçës, artdashësit e rinj, por edhe artistët e orkestrës simfonike dhe frymore të qytetit. Gjatë këtyre tri ditëve do të ketë bashkëpunime dhe stimulime për bashkëpunime më të gjera rreth artistëve që do të bashkëpunojnë me bandën e Korçës për të shkëmbyer eksperiencën e tyre. Dua të cek që ky festival është pak më i gjerë në fushën e artit, pasi në mesin e tij ka master class-e, në oboe, klarinetë, fagot, flaut, korno, duke i afruar të rinjtë e duke i dhënë një qasje ndryshe në instrumentet e tunxhit. Shpresoj shumë në kontributin tonë për afrimin e këtyre brezave dhe kthimin e asaj dashurie rreth instrumenteve të tunxhit si 100 vite më parë. Korça këto tri ditë do të gumëzhijë nga orkestra frymorë që do t'i japë një hov festiv në rrugët e këtij qyteti dhe gjëja më madhore do të jetë në sheshin ku do të mbahet koncerti, ku çdo orkestër frymore do të performojë dhe në fund do të mblidhen gjithë artistët në një vepër të përbashkët që është 'Kush do më shumë Shqipërinë'".

 

Korça pret festivalin ndërkombëtar të bandave frymore/

Nga ana e saj, nënkryetarja e Bashkisë, Benila Themeli, thekson se festivali shihet si një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e turizmit kulturor. Ajo e konsideron “Air Beat Festival” një element të rëndësishëm të ofertës së re turistike që bashkia po ndërton për Korçën, duke synuar ta përfshijë në paketat që ofrohen nga agjencitë kombëtare e rajonale. Sipas saj, sa më të mëdha dhe gjithëpërfshirëse të jenë ngjarjet që zhvillohen në qytet, aq më i madh është interesi i vizitorëve. Festivali, që mbështetet në traditën e bandës “Vatra” dhe përkon me ditët e çlirimit të qytetit, pritet të bëhet një element identifikues i kulturës korçare dhe i hapjes së saj drejt rajonit.

Emërtimi “LuluFest” i festivalit vjen si homazh për artistin e njohur korçar Lulushin, një figurë e dashur dhe e respektuar që përfaqëson shpirtin e muzikës frymore shqiptare.

 

"Për Korçën, ky festival ndërkombëtar i bandave shihet nga bashkia jo thjesht si një event artistik dhe kulturor për banorët e territorit të Korçës, por edhe si një mundësi për të tërhequr në Korçë vizitorë të shumtë. Ky është edicioni i parë dhe, për këtë arsye, i kemi kushtuar një rëndësi shumë të veçantë edhe promocionit të festivalit, i cili jam e bindur se në vitet në vijim do të jetë pjesë e kalendarit të shumë agjencive turistike. Kjo, sepse për herë të parë kemi filluar vendosjen e kontakteve një vit përpara, përpara përgatitjes së paketave turistike që agjencitë kombëtare dhe ato të vendeve të rajonit hartojnë për Korçën. Një nga pesë shtyllat e ofertës turistike, siç e kemi klasifikuar në bashki për Korçën, është pa dyshim edhe shtylla e eventeve dhe sa më gjithëpërfshirëse, më të mëdha dhe më me vlera të jenë aktivitetet, sa më të ndërkombëtarizuara të jenë ato, aq më i madh është interesi i vizitorëve për t’i ndjekur. Dhe sigurisht, të bazuara edhe në elementë të spikatur të traditës korçare, siç është mbështetja e këtij festivali në traditën e bandës së njohur 'Vatra', dhe që përkon jo rastësisht edhe me një ditë të rëndësishme për Korçën, me një ditë të çlirimit. Pra, jo rastësisht Qendra e Artit ka zgjedhur ta ketë në fund të tetorit këtë festival. Besoj se do t’ia shumëfishojë vlerën festivalit, duke u bërë një element identifikues i kulturës, i traditës korçare, por edhe i hapjes gjeografike që Korça ka për kulturën, me synimin për t’u kthyer në një qendër të rëndësishme të artit dhe kulturës, jo vetëm në Shqipëri, por në krejt vendet e rajonit".

Të gjithë e njohin, jo vetëm korçarët, por edhe më gjerë, Lulushin e famshëm. Dhe në tribut dhe në nderim të figurës së këtij artisti frymor, që i ka tejkaluar përmasat e Korçës dhe është një nga talentet më të mëdha që Shqipëria ka pasur në artin frymor, festivali, në mënyrë konvencionale, përveç "Airbeat Festival", që është emri ndërkombëtar i tij, ka dhe hashtagun LuluFest, në nder të figurës së Lulushit të madh.

Në mbrëmjen e 26 tetorit, aktivitetet kulmojnë me koncertin në Galerinë Dixhitale, ku do të interpretojnë Aeolos Brass Quintet, nga Orkestra e Selanikut, dhe Albanian Brass Quintet, me artistë shqiptarë të afirmuar.

Ky koncert do të përmbyllë tri ditë me ngjarje të pasura artistike, që pritet të lënë gjurmë të veçanta në jetën kulturore të qytetit. Për tri net, Korça do të jetojë në ritmin e muzikës frymore, me tinguj që bashkojnë traditën dhe frymën moderne. “Air Beat Festival”, ose “LuluFest”, është një rikthim te rrënjët muzikore të qytetit dhe një ftesë për ta përjetuar Korçën përmes artit që frymon jetë./CNA





Lajmet e fundit nga