web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dritëro Agolli kujtohet në vendlindje/ Devolli feston 94-vjetorin e poetit të madh

13 Tetor 2025, 15:39, Qyteti im CNA

Dritëro Agolli kujtohet në vendlindje/ Devolli feston 94-vjetorin e

Në kuadër të 94-vjetorit të lindjes së poetit dhe shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, Bashkia Devoll zhvilloi një aktivitet kulturor në shkollën e fshatit Menkulas, vendlindjen e tij. Kjo ditë, tashmë e kthyer në traditë, mblodhi bashkë nxënës, mësues, përfaqësues të pushtetit vendor, dashamirës të poezisë dhe banorë të zonës, të cilët përmes vargjeve, këngës dhe vallës kujtuan figurën e njeriut që me penën e tij u bë zëri i Devollit dhe i mbarë Shqipërisë.

Atmosfera në oborrin e shkollës së Menkulasit ishte e mbushur me emocion. Nxënësit interpretuan poezi të njohura të Dritëroit, këngë të frymëzuara nga krijimtaria e tij, si dhe valle popullore që pasqyruan shpirtin e krahinës devollite. Ky aktivitet u organizua nga Qendra Kulturore e Bashkisë Devoll në bashkëpunim me shkollat e zonës, në kuadër të Muajit të Letërsisë, duke i dhënë një domethënie të veçantë këtij përvjetori.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Devoll, Eduard Duro, tha se kjo ditë është kthyer në një simbol për gjithë krahinën, sepse Dritëro Agolli është jo vetëm një personalitet i letrave shqipe, por edhe figura që e identifikon Devollin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai shtoi se tradita e përvitshme e këtij përkujtimi është një mënyrë për të përcjellë te brezat e rinj vlerat që Dritëroi i dha kulturës shqiptare.

“Si çdo 13 tetor, Bashkia Devoll organizon një aktivitet kulturor në kuadër të ditëlindjes së poetit dhe shkrimtarit të madh të Devollit, Dritëro Agolli. Jo vetëm i Devollit, por i gjithë Shqipërisë e mbarë kombit. Është një aktivitet që organizohet nga Qendra Kulturore e Bashkisë Devoll, në bashkëpunim me të gjitha shkollat e kësaj bashkie. Është dita që ne e kemi si festë të kësaj krahine, festën e zonës së Devollit, pasi ai është jo vetëm korifeu i letrave shqipe, por edhe ai që na identifikon ne në rang kombëtar e ndërkombëtar”,-tha Duro. 

Dritëro Agolli kujtohet në vendlindje/ Devolli feston 94-vjetorin e

Ndër të ftuarit ishte edhe Endri Fifo, mik i Dritëroit, i cili kujtoi poetin si një njeri të thjeshtë, të urtë e plot humor, që e deshi popullin dhe i këndoi jetës me shpirt e dashuri. Ai e cilësoi Agollin si një “arkivë të gjallë të folklorit shqiptar”, që njihte këngët e çdo treve dhe që përmes fjalës poetike bashkoi frymën e qytetit me atë të fshatit.

“Sot është ditë e shënuar për krahinën e Devollit dhe për gjithë Shqipërinë, sepse është ditëlindja e të madhit Dritëro Agolli, e njeriut të letrave, e devolliut të këngës, të valles, filozofit të poezisë popullore dhe poezisë lirike qytetare. Dritëroi mbetet një nga personalitetet më të shquara të letërsisë shqiptare, sepse në të gjithë historinë e tij, shpirti i tij i ka kënduar popullit të tij, Devollit tonë të dashur. Unë kam pasur fatin të njihem me Dritëroin dhe të komunikoj në fushën e folklorit, sepse Dritëroi ishte një arkivë e gjallë e folklorit shqiptar, duke njohur këngën jo vetëm të Devollit, por të të gjitha trevave shqiptare",-tha Fifo. 

Kryetari i Shoqatës “Devolli”, Guri Seferi, foli për ecurinë e punimeve në shtëpinë-muze të Dritëro Agollit, e cila po ndërtohet në Menkulas.

Sipas tij, godina tashmë është ngritur dhe pritet që për 95-vjetorin e lindjes së poetit, vitin e ardhshëm, muzeu të hapë dyert për vizitorët. Kjo nismë do të jetë një aset i rëndësishëm kulturor jo vetëm për Devollin, por për gjithë kombin shqiptar, duke ruajtur kujtimin dhe trashëgiminë e një figure që mbetet e gjallë në ndërgjegjen kombëtare.

 “Sot, jo vetëm unë si kryetar i Shoqatës ‘Devolli’, por edhe të gjithë anëtarët e shoqatës, e gjithë krahina e Devollit dhe mbarë kombi shqiptar janë të gëzuar. Sot ne jemi faktikisht në momentin që godina për muzeun e Dritëro Agollit është ngritur si karabina dhe në përvjetorin e 95-të që do të shënojmë vitin tjetër, ne do të jemi bashkërisht të gjithë për ta vizituar shtëpinë-muze. Ajo shtëpi do të ketë vlerë të madhe, të shtuar për krahinën dhe për kombin shqiptar. Në atë shtëpi do të përjetohet Dritëroi, sepse për ne ai është i gjallë dhe mes nesh, duke na dhënë orientime. Sot, në këtë 94-vjetor të ditëlindjes së tij, që përkon me Muajin e Letërsisë, ne kemi filluar aktivitetet me promovime librash dhe pamja e parë që kemi është Dritëro Agolli”,-tha Seferi. 

Dritëro Agolli kujtohet në vendlindje/ Devolli feston 94-vjetorin e

Me recitime, këngë dhe valle kushtuar poetit, Menkulasi përjetoi një ditë të mbushur me art, kujtime dhe emocione. Në çdo varg të recituar, në çdo zë fëmijësh që këndonte, ndihej fryma e Dritëroit, poeti që me fjalën e tij u dha dashuri tokës, njerëzve dhe vendlindjes.

Në këtë 94-vjetor, Devolli tregoi edhe një herë se Dritëro Agolli nuk është thjesht një kujtim, por një pjesë e gjallë e identitetit kulturor shqiptar, që vazhdon të frymëzojë brezat e sotëm dhe të nesërm./CNA 

 

 

 

 

 





Lajmet e fundit nga