web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Devolli feston Ditën e Trashëgimisë Kulturore mes traditave, artizanatit dhe brezave të rinj

30 Shtator 2025, 13:53, Qyteti im CNA

Devolli feston Ditën e Trashëgimisë Kulturore mes traditave,

Në qytetin e Bilishtit u organizua “Dita e Trashëgimisë Kulturore në Devoll”, një aktivitet i veçantë i bashkisë në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Pedonalja e qytetit u kthye në një mozaik të gjallë kulturor, ku u ekspozuan veshje popullore tradicionale, punime artizanale dhe gatime karakteristike të krahinës, me synim ruajtjen dhe përcjelljen e traditave te brezat e rinj. Një vend të veçantë në këtë aktivitet zuri pjesëmarrja e nxënësve të shkollave të qytetit dhe të njësive administrative përreth, të cilët sollën punime artizanale, gatime dhe objekte tradicionale.

 

Inola Zaçlli, nxënëse e klasës së nëntë nga shkolla e Menkulasit, tregoi se kishin përzgjedhur punime artizanale për t’i prezantuar, ndërsa theksoi rëndësinë e mësimit për të vlerësuar traditat.

 

"Ne, shkolla e Menkulasit, kemi përzgjedhur punime artizanale për t'i prezantuar. Ky është një jastëk i punuar me dorë dhe i bërë me grep. Ne jemi shumë të kënaqur që sot kemi mësuar se si të vlerësojmë traditat tona dhe kemi ardhur për t'i përçuar të gjitha këto mesazhe këtu."

 

Letisia Galo, nga shkolla “Shaban Pajo” në Sul, solli gatime tradicionale të zonës si lakrorin me dy petë, petullat, trahananë e shumë ushqime të tjera. Ajo shprehu kënaqësinë që si nxënëse kishte mundësinë të promovonte kulturën e krahinës së saj.

 

"Ne nxënëset e shkollës 'Shaban Pajo', Sul, kemi ardhur këtu për të promovuar gatimet tradicionale të zonës së Devollit. Disa prej tyre janë lakrori me dy petë, petulla, tërhana, rosnica, japrakë me gjethe rrushi, petulla të fshira dhe shumë ushqime të tjera tradicionale. Unë kam ardhur këtu sepse sot është dita e trashëgimisë kulturore dhe ne të gjithë si nxënës jemi shumë të kënaqur dhe krenarë për gatimet tona dhe gjërat e vjetra e të veçanta kulturore."

 

Ndërkohë, Bianka Kaso nga klasa e nëntë e shkollës "Dritëro Agolli", u shpreh se ndihej e lumtur që mori pjesë në një aktivitet kaq të rëndësishëm, ku nxënësit sollën objekte të vjetra, veshje popullore, punime artizanale e gatime tradicionale që tregojnë identitetin dhe historinë e Devollit.

 

"Sot ndihem e lumtur që jam pjesë e këtij aktiviteti të veçantë kushtuar trashëgimisë sonë kulturore. Ne nxënësit e shkollave, kemi sjellë këtu objekte të vjetra, veshje popullore, punime artizanale dhe gatime tradicionale, të cilat tregojnë historinë, zakonet dhe identitetin tonë. Këtë kulturë duhet ta ruajmë me krenari dhe ta përcjellim brez pas brezi."

 

Përgjegjësja e sektorit të trashëgimisë kulturore pranë Bashkisë Devoll, Elona Uzhuri, theksoi se kjo ditë është shndërruar në një festë kombëtare që nga viti 2003 dhe ka në themel mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë. Ajo shtoi se këtë vit është angazhuar brezi i ri, nxënësit dhe të rinjtë, si ambasadorë të ruajtjes dhe promovimit të këtyre vlerave.

 

"Që nga viti 2003, dita e trashëgimisë kombëtare është bërë një festë që festohet në Shqipëri. Në themel të saj janë vlerat patriotike dhe atdhetare të ushtarakëve të cilët gjatë luftës së parë botërore, në vitin 1916, mbrojtën objektet e trashëgimisë në parkun e Apolonisë. Bashkia Devoll në bashkëpunim me njësitë administrative të saj, ka menduar të zhvillojë këtë aktivitet për të zbuluar rrënjë të jetesës sonë të përbashkët ndër shekuj. Trashëgimi kulturore janë të gjitha vlerat e Devollit i cili është i pasur dhe ka një identitet kombëtar në lidhje me folklorin, etnografinë, veshjet tradicionale, vallet. Këtë vit, Sektori i Trashëgimisë është angazhuar për të përfshirë të gjithë nxënësit dhe të rinjtë, të cilët janë ambasadorë të ruajtjes dhe promovimit të këtyre vlerave, por edhe trashëgimtarë ndër breza të një identiteti që na bën krenarë në Shqipëri."

 

Ndërkohë, koreografi Nikolla Ceka nënvizoi pasurinë e madhe folklorike të Devollit, ku një vend të veçantë e zë vallja devolliçe, e cila konsiderohet si thesar, emblemë dhe kurorë e çdo devolliu.

 

"Devolli është një pasuri vërtet e gjerë sidomos në aspektin e valleve folklorike dhe atij në tërësi, pasi nëpërmjet valleve është e shkruar vetë jeta e devolliut. Në Devoll përmendim vallet e vajzave si dardharen, beratçen, trëndelinën e shumë të tjera, ndërsa nga djemtë kemi vallen kaçakshe, etj., por atë që ne e kemi thesar, emblemë dhe kurorë të çdo devolliu që e mban mbi kokë, është vallja devolliçe. Ne jemi krenarë për këtë folklor të pasur që kemi dhe siç e shikoni, ne bëjmë një punë të shkëlqyer për ta trashëguar në breza."

 

Ky aktivitet i organizuar në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, e ktheu Devollin në një skenë të gjallë traditash, ku brezat e rinj u bënë pjesë aktive e ruajtjes dhe promovimit të identitetit tonë. Mes veshjeve popullore, punimeve artizanale, gatimeve tradicionale dhe valleve, u përcoll një mesazh i qartë. Trashëgimia është pasuria më e madhe që na bashkon dhe na bën krenarë brez pas brezi./CNA

 





Lajmet e fundit nga