web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rama: Shqipëria e para në rajon për Prokurorimet Publike

17 Maj 2026, 09:58, Politikë CNA

Kryeministri Edi Rama në episodin e sotëm të podcastit “Flasim” ka folur edhe për Prokurimet Publike, që sipas tij është një nga kapitujt më të rëndësishëm të procesit të anëtarësimit në BE.

Rama shprehet se Shqipëria është e para në rajon në fushën e Prokurimeve Publike dhe se në disa indikatorë është mbi mesataren e vendeve të BE-së.

Ndër të tjera shtoi se 95% e shërbimeve merren online nga e-Albania, ndonëse portali herë pas here nuk funksionon për asnjë shërbim.

“Këtë javë ndamë disa të dhëna kuptimplota për ecurinë e jashtëzakonshme të Shqipërisë në fushën e prokurimeve publike. Një nga kapitujt më të rëndësishëm të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe një kapitull ku, ndryshe nga pasqyra tërësisht e deformuar e realitetit e kanaleve dhe e portaleve të këtushme, Shqipëria shihet si e transformuar pozitivisht dhe vlerësohet me një progres domethënës.

Sot, në bazë të vlerësimit europian, Shqipëria është e para në rajon dhe me diferencë nga vendet e tjera të rajonit në të gjithë treguesit e prokurimeve publike, ndërkohë që në disa indikatorë kryesorë Shqipëria ndodhet mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Europian. Për shembull, ndërsa mesatarja e procedurave me një ofertues në vendet e BE-së është mbi 32%, në Shqipëri kjo shifër është 23.5%, ndërsa në prokurimet për punë publike ajo zbret në 12%. Edhe të dhëna të tjera flasin pikërisht për faktin se lufta kundër korrupsionit, e cila nuk është thjesht dhe vetëm lufta në frontin që ne mundësuam dhe që, falë vullnetit tonë, u hap në anën e drejtësisë, por është edhe lufta e përditshme sistematike në anën e modernizimit të shtetit dhe të ndërtimit të sistemeve që e bëjnë gjithmonë e më pak të pranishme prezencën e korrupsionit.

Janë rezultatet që tregojnë se, nga njëra anë, qytetarët tanë shërbehen tanimë prej vitesh me një klik në sistemin e shërbimeve digjitale, ku 95% e shërbimeve që ata kërkojnë nga shteti janë në platformën e-Albania. Pra, nuk janë më radhët, nuk janë më ryshfetet për të kaluar radhën e kështu me radhë, por është marrëdhënia e drejtpërdrejtë me shtetin. Ndërsa, nga ana tjetër, është pikërisht i gjithë sistemi i prokurimeve publike. Prandaj jam krenar sot që Shqipëria përmendet si një shembull pozitiv nga ata që na gjykojnë objektivisht, ndryshe nga çfarë ndodh në pasqyrat e deformuara të gjykatësve popullorë, subjektivë, partiakë dhe gjysmë të verbër ose tërësisht të verbër”, tha Rama.

Gjithashtu gjatë fjalës së tij foli edhe për nënshkrimin e marrëveshjes mes shtetit dhe sistemit bankar për mbështetjen e sipërmarrjes shqiptare. Rama tha se kjo do të ndihmojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që të rriten përmes kredive me interes të ulët.

“Këtë javë nënshkruam edhe partneritetin shumë të rëndësishëm mes shtetit dhe sistemit bankar për mbështetjen e sipërmarrjes shqiptare. U hodh një hap i paralajmëruar, por që është një hap në drejtimin e duhur me një potencial të jashtëzakonshëm për rritjen e mëtejshme të sipërmarrjes shqiptare. Nënshkrimi i partneritetit ndërmjet qeverisë, sistemit bankar dhe linjës së kredisë së Bankës së Shqipërisë për programin kombëtar të financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është një derë e hapur, një program që u jep shumë më tepër mundësi ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të rriten përmes kredive me interesa të ulëta dhe garancisë sovrane të qeverisë për kredinë e tyre. Një program i lindur nga nevoja tanimë gjithmonë e më e zëshme e sipërmarrjes së vogël shqiptare për t’u rritur në bazë të themeleve të hedhura me shumë punë, me shumë përpjekje, me shumë mund dhe, në shumë raste, me eksperiencën e fituar në emigracion. Kështu që, përmes këtij programi, ne besojmë shumë që, duke vënë në dispozicion një linjë kredie me interesa nga 2 deri në 3% dhe një garanci sovrane nga 30 deri në 70%, në bazë të riskut, do t’u japim mundësira të mëdha konkrete mijëra ndërmarrjeve shqiptare”, tha kryeministri. /CNA





Lajmet e fundit nga