LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse është kaq i ngadaltë furnizimi me armë i Ukrainës nga Perëndimi?

23 Qershor 2022, 11:56, Blog Michelangelo Freyrie
Pse është kaq i ngadaltë furnizimi me armë i Ukrainës
Foto ilustruese

Takimi i tretë i Grupit të Kontaktit mbi Ukrainën përfundoi me një skemë që të gjithë e njohim shumë mirë. Përfaqësuesit e 50 vendeve të mobilizuara për të mbështetur luftën e Ukrainës ndaj Rusisë, kanë konfirmuar synimin e tyre për të vazhduar furnizimin e ukrainasve me armë dhe materiale.

Ndërkohë, edhe samiti i ministrave të mbrojtjes të NATO-s, prodhoi një listë dërgesash të tjera me armë në përputhje me situatën në fushën e betejës. Nga 100 e ca ditë luftë, 60 ditët e fundit kanë qenë më tepër një betejë llogoresh në një front që shtrihet nga Harkiv në veri dhe deri në qytetin e Mikolavit buzë Detit të Zi, me përleshjet më të forta të përqendruara në qendër, rreth Severodonjeck dhe Kramatorsk.

Pse është kaq i ngadaltë furnizimi me armë i Ukrainës

Operacionet ushtarake janë shndërruar në një seri duelesh me artileri dhe sulmesh ndaj qendrave urbane të goditura më parë nga bombardimet me raketa. Ndaj nuk është për t`u habitur që kërkesat e bëra nga Kievi për Grupin e Kontaktit, u përqendruan kryesisht tek artileria e kalibrit të rëndë, topat vetëlëvizës që mund të gjuajnë dhe t’i shmangen reagimit të rusëve, dhe te sistemet që mund të identifikojnë pozicionet nga të cilat rusët godasin trupat ukrainase.

Europa, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u janë përgjigjur këtyre kërkesave, duke u fokusuar kryesisht te topat, të cilët janë më të lehtë dhe më të lirë për t’u dërguar në sasi të mëdha. Por problemi është se ndihmat e muajve të fundit janë ndoshta të pamjaftueshme për të mbështetur nevojat aktuale të ushtrisë ukrainase.

Është gati e pamundur të llogaritet se sa municione u nevojiten Forcave të Armatosura të Ukrainës, për të qenë në gjendje të ruajnë një nivel operimi të përshtatshëm përgjatë vijës së parë të frontit. Konflikti që po shohim atje, është i paprecedentë në shumë aspekte.

Pse është kaq i ngadaltë furnizimi me armë i Ukrainës

Përleshjet me intensitet të lartë midis dy ushtrive konvencionale në një territor kaq të gjerë, nuk janë të krahasueshme me asnjë nga konfliktet e 30 viteve të fundit, madje as duke parë përvojat e trupave amerikane në Lindjen e Mesme. Por është e rëndësishme përpjekja për të përputhur disa shifra me ndihmat e mëdha që kërkohen nga ukrainasit.

Po ashtu, është e rëndësishme të kuptohet se sa e vështirë është për aleatët e Kievit që të ofrojnë materiale të mjaftueshme për ukrainasit. Për shembull, ajo që mund të bëjmë është se sa predha artilerie do t’i duheshin një ushtrie moderne në këtë lloj lufte.

Le të përqendrohemi vetëm te topat me kalibër 155 mm, që janë dërguar muajt e fundit nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët. Duke përdorur manualin ATP 3-09.23 të ushtrisë amerikane, afro 208 topat e dërguar deri tani harxhojnë afro 31.200 predha në ditë ose 150 predha secili, të përshtatshme për operacione mbrojtëse me intensitet të mesëm dhe të lartë.

Kjo do të thotë se 276 mijë predhat 155 mm, të dërguara nga vendet e NATO-s, mjaftojnë për vetëm 9 ditë. Pra, shumë pak për një ofensivë që filloi në Donbas më 19 prill, dhe që për 60 ditë do të kërkonte gati 2 milionë predha. Duhet shtuar se ushtritë postsovjetike, kanë një rol edhe më qendror për furnizimin e artilerisë sesa NATO-ja, duke e rritur më tej konsumin e tyre të municionit.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, industria ushtarake e Ukrainës është praktikisht e dërrmuar, dhe në çdo rast do të ketë vështirësi të mëdha në prodhimin e municioneve që përputhet me standardet e NATO-s brenda një kohe të shkurtër. Kjo llogaritje është në vija të përgjithshme, dhe nuk merr parasysh shumë elementë shqetësues që dalin në një betejë në terren.

Por është në përputhje me lajmin se ukrainasve iu desh të kufizoheshin në rreth 5000 predha artilerie të çdo kalibri në ditë, një numër ky shumë i ulët. Madje, ka dëshmi për tanke të përdorura si artileri, por ma gjasë një lëvizje e paefektshme, pasi tanket nuk janë shumë të adaptueshëm për këtë gjë.

Por kufizimet nuk mbarojnë këtu. Do të ishte gabim të mendohej se kjo është një luftë e pastër llogoresh, pra një rikthim në Luftën e Madhe me mjete teknologjikisht të prapambetura. Krahasuar me planet e Moskës, kjo është çdo gjë tjetër veçse jo një “Blitzkrieg” (sulm rrufe).

Por të dhënat në terren tregojnë se kjo përballje mbetet ende shumë e lëvizshme, dhe se beteja të tilla fitohen nga ata që mund të shfrytëzojnë me shpejt epërsinë lokale, dhe që përparojnë me shpejtësi, duke konsoliduar pozitat që kanë pushtuar.

Si rusët, po ashtu edhe ukrainasit po luftojnë në këtë front. Por Moska po tregon se mund të përdorë si duhet të paktën disa nga aftësitë luftarake që duhet t’i kishte shfaqur më 24 shkurt. Në jug të vendit janë parë sistemet e luftës elektronike, aftësitë e inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit, që duket se janë funksionale.

Edhe aparati logjistik duket se po funksionon. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ukrainasit, tanket e të cilëve duket se janë të detyruar të bartin një pjesë të madhe të furnizimeve të tyre, duke i bërë kështu të prekshëm ndaj një goditjeje të vetme nga forcat e blinduara të armikut.

Prandaj, ushtria ukrainase ka nevojë jo vetëm për një sasi të madhe artilerie, por edhe për të gjitha ato aftësi të nevojshme që të kryejë operacione të lëvizshme me intensitet të lartë: poste komandimi dhe kontrolli, sisteme komunikimi, mjete të blinduara transporti, pajisje të luftës elektronike dhe tanke sigurisht.

Mbetet të shihet nëse tanket “Leopard” të prodhimit gjerman do të jenë të përshtatshëm, pasi janë mjete shumë të rënda për shumicën e urave dhe infrastrukturën e Ukrainës. E vërteta është se mbështetja e një fushatë luftarake kaq intensive, kërkon një rishikim të madh të industrisë europiane të mbrojtjes.

Për shkak të zgjedhjeve të mëparshme politike, dhe një qasjeje të caktuar ndaj teknologjisë ushtarake, industria e armëve në kontinentin tonë, ka më shumë inovacione cilësore sesa prodhim në shkallë të gjerë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga