Putini mund të fitojë në Ukrainë/ Por lufta e vërtetë Rusi-Perëndim sapo ka filluar

23 Qershor 2022, 08:30, Blog Max Hastings
Putini mund të fitojë në Ukrainë/ Por lufta e
Presidenti rus Vladimir Putin

“Na çliro nga e keqja!” Kjo fjali është ndër më të njohurat, në një nga lutjet më të vjetra të besimit të krishterë. Shumë nga ne janë të kujdesshëm në lidhje me përdorimin e kësaj “e keqja”, pasi të rriturit e dinë mirë se pak çështje apo njerëz mund të karakterizohen si krejtësisht të mirë. Përkundrazi ata klasifikohen diku në mes.

E megjithatë, duket e vështirë që presidenti rus Vladimir Putin të konsiderohet si diçka tjetër përveçse një forcë e së keqes. Ai është personalisht përgjegjës për dhjetëra mijëra të vdekur në Ukrainë nëpërmjet një agresioni të paprovokuar, që synon të përmbushë vizionin e madhështisë kombëtare dhe personale, i cili nuk ka bazë te ligji apo morali.

Ndërkohë, përmes bllokimit të eksportit të drithërave ukrainase, ai po kërcënon me uri një pjesë gjithnjë e më të madhe të Hemisferës Jugore. Është kjo arsyeja pse është e dhimbshme të thuhet se është e vështirë të shihet një rezultat katastrofik që ndëshkon Putinin dhe kombin e tij ashtu siç e meritojnë.

Apo një përfundim të këtij konflikti, që i rikthen popullit të presidentit ukrainas Volodimir Zelenski sigurinë dhe prosperitetin që i takon. Në Britani, emocionet mbi këtë luftë janë më të mëdha sesa në çdo vend tjetër europian përveç Polonisë dhe shteteve baltike.

Putini mund të fitojë në Ukrainë/ Por lufta e

Njerëz si unë, që shprehin skepticizëm në lidhje me perspektivat e fitores së Ukrainës, tallen gjerësisht, duke u cilësuar në rastin më të mirë “ultra-realistë” dhe në rastin më të keq si tolerantë ndaj regjimit në Rusi. Në një fjalim të famshëm ose më saktë famëkeq, drejtuar një komiteti në parlamentin prusian në vitin 1862, Oto Fon Bismarku tha: “Çështjet më të mëdha të ditës do të vendosen jo nga fjalimet dhe vendimet e shumicës në parlament, por nga gjaku dhe hekuri në fushën e betejës!” Ne na pëlqen të besojmë se shoqëritë e civilizuara të shekullit XXI kanë përparuar duke u zhvendosur përtej një doktrine të tillë kaq brutale.

Por Putini po përpiqet të tregojë se mund të shfrytëzojë ende dhunën ekstreme, për të siguruar një rol shumë më të madh në skenën botërore nga sa i jep statusi ekonomik dhe politik i Rusisë. Udhëheqësi rus e sfidon me përbuzje frymën udhëheqëse të kombeve të tilla si Gjermania, gjiganti industrial i Europës, e cila ka hequr dorë prej kohësh nga parimet bismarkiane.

Putini mund të fitojë në Ukrainë/ Por lufta e

Gjermania e ka identifikuar veten si një “fuqi civile”. Por përkundër këtij pacifizmi të shpallur hapur nga Berlini, Putini po zhvillon një lloj të ri të luftës asimetrike. Në terma afatgjatë, një ushtrim i ngathët i forcës nuk mund të zëvendësojë suksesin ekonomik dhe social.

Një ndryshim i rëndësishëm midis Prusisë së Bismarkut dhe Rusisë së Putinit, është se ushtria e të parës mbështetej nga një komb industrial në rritje, ndërsa e dyta është superfuqia e djeshme. PBB-ja e kombinuar e vendeve të NATO-s është gati 30 herë më e madhe se ajo e Rusisë, dhe shpenzimet e tyre për mbrojtjen janë 15 herë më të larta se ato të Kremlinit.

Gjithsesi, për të përballuar agresionin e Putinit, Europa duhet të çlirohet nga varësia energjitike nga Rusia dhe të riarmatoset. Që të dyja këto masa kërkojnë kohë, gjatë së cilës ushtarët e Putinit po përparojnë në rajonin ukrainas të Donbasit. Deri më tani, edhe aleatët europianë më të armatosur ose më pak të dobët - Britania, Franca dhe Gjermania - do të kërkonin muaj për të vendosur në fushën e betejës një divizion të vetëm.

Ndaj është shumë e domosdoshme fuqia dhe angazhimi i SHBA-së. R.D. Huker, ish-dekan i Kolegjit të Mbrojtjes në NATO, shkroi kohët e fundit: “Aleanca duhet të ketë vullnetin që të konkurrojë, ndërsa SHBA-ja duhet të udhëheqë dhe inkurajojë”.

Putini mund të fitojë në Ukrainë/ Por lufta e

Në terma afatshkurtër, politika “gjak dhe hekur” e Putinit duket se do të ketë sukses, pasi edhe një ushtri ruse me shumë të meta, mbetet sërish më e fortë se ajo ukrainase. Miqtë e mi që janë pjesë e forcave të armatosura, parashikuan disa javë më parë se trupat e Zelenskit, duhet të jenë në gjendje të parandalojnë një pushtim absolut rus të Ukrainës.

Por ata kanë argumentuar në çdo rast se edhe shanset që Kievi të rimarrë ndonjëherë Donbasin e pushtuar janë “zero”, pavarësisht se çfarë lloj armësh do t’i dërgojë Perëndimi. Rusia po konsolidon pozitat në territoret që ka pushtuar.

Pavarësisht humbjeve të rënda të ushtrisë së saj dhe moralit të dobët, Putini ka ende në dispozicion një inventar armësh të papërdorura, disa prej tyre të tmerrshme. Vetëm një ndërhyrje e drejtpërdrejtë ushtarake e Perëndimit, ofron një perspektivë për të anuar në mënyrë vendimtare shanset kundër Rusisë. Ekziston mundësia që anijet luftarake të SHBA-së dhe aleatëve që mund të shoqërojnë anijet që transportojnë grurin ukrainas nga Odesa drejt vendeve të ndryshme të botës, ta provokojnë Putinin që ai të qëllojë mbi to.

Por aktualisht, administrata e presidentit amerikan Xho Bajden, duket shumë e kujdesshme për marrjen e këtij hapi, që mund të përshpejtojë shkuarjen drejt një lufte totale. Është gati e paimagjinueshme që forcat amerikane të angazhohen drejtpërdrejt në betejë.

Shumë amerikanë, dhe jo të gjithë republikanë, mendojnë se vendi i tyre po rrezikon shumë në Europë, në një kohë kur sipas tyre Kina mbetet kundërshtarja më e rrezikshme për SHBA-në. Zhgënjimi gjatë 2 dekadave të fundit në Irak, Libi dhe Afganistan, i bën skeptikët të mos dëshirojnë ta shohin përsëri Amerikën të angazhohen në një luftë të rrëmujshme në një vend të largët, që kushton shumë jetë njerëzore dhe para, në një kohë që siguron pak lavdi.

Duke parë si zakonisht larg, Putini me siguri po llogarit se zgjedhjet presidenciale të 2024-ës do të rikthejnë në Shtëpinë e Bardhë ose ish-presidentin Donald Trump ose një klon të këtij të fundit, që do të jenë në çdo rast kundër përzierjes në një përballje europiane me Rusinë.

Një tërheqje e SHBA-së nga Europa do ta linte Ukrainën të varur nga mbështetja ushtarake, politike dhe ekonomike europiane. Një perspektivë kjo tepër e zymtë, pasi sot SHBA-ja i ofron më shumë se 80 për qind të ndihmës që merr aktualisht. Shumica e Europës kërkon dëshpërimisht një zgjidhje të konfliktit, që do të zbusë krizën e saj energjetike përpara mbërritjes së dimrit të ardhshëm.

Putini mund të fitojë në Ukrainë/ Por lufta e

Cilatdo qofshin mjetet e miratuara për të ruajtur një lloj fasade të unitetit kontinental kundër Putinit, prapa retorikës së shumicës së qeverive europiane, nuk ka asnjë ndjenjë reale të bashkimit. Pastaj është edhe kërcënimi i Putinit për të përdorur armët më të këqija nga të gjitha.

Disa argumentojnë se nuk mund ta lejojmë veten t’i dorëzohemi një bllofi bërthamor rus ose kinez. Dhe se në vend të kësaj, ne duhet të luftojmë; dhe nëse është e nevojshme të angazhojmë ushtarët tanë, duke i sfiduar regjimet autoritare të armatosura me armë bërthamore. Sigurisht, është e padiskutueshme që është i nevojshëm stacionimi i përhershëm të forcave të shumta të NATO-s në Poloni dhe shtetet baltike, për të penguar dhe nëse është e nevojshme për t’i rezistuar agresionit të mëtejshëm rus. Megjithatë, disa prej nesh nuk janë gati t’i sfidojnë rusët deri në pikën e përdorimit të armëve të tyre bërthamore.

Putini duket se ka hequr dorë nga objektivi i tij fillestar për zhdukjen e Ukrainës si një shtet sovran. Por duket se ai do të përmbushë synimet e tij për të arritur ndarjen de facto të këtij vendi. Ai mbetet i bindur se herët a vonë Perëndimi do ta pranojë këtë për shkak të rikthimit te komoditeti, nevojave të tij për energji dhe frikës nga armët bërthamore ruse. Sfida historike për Perëndimin është të vërtetojë se kjo llogaritje është e gabuar, pasi suksesi i tij do t’i jepte një goditje të rëndë kauzës së demokracisë, lirisë dhe drejtësisë në shekullin e XXI-të.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga