LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si është jeta e një agjenti sekret pasi është demaskuar?

20 Gusht 2023, 15:01, Kuriozitete CNA

Si është jeta e një agjenti sekret pasi është

Çfarë fati e pret një agjent sekret, të cilit i është zbuluar identiteti? Disa spiunë janë shumë të rëndësishëm për t’u lënë të kalben në një burg në një vend të huaj pasi kapen nga autoritetet. Për këtë arsye ata riatdhesohen sa më parë që është e mundur, zakonisht në kuadër të një shkëmbimi të ndërsjelltë spiunësh.

Herë të tjera, vendet që demaskojnë dhe burgosin agjentët sekretë të shteteve të tjera, ngurrojnë të marrin në konsideratë një shkëmbim me agjentët e tyre në vendin në fjalë, sepse tradhtia ka qenë kaq e madhe, sa që një dënim i gjatë me burg duket më se i merituar.

Pastaj është çështja e shpenzimeve. Ndaj menaxherëve të tyre të rangjeve të ulëta nuk u intereson se çfarë ndodh me ta pasi janë zbuluar. Po ashtu, ata cilësohen si shumë të parëndësishëm për t’u marrë në konsideratë për një shkëmbim spiunësh.

Teksa çështja e spiunimit ka bërë sërish bujë në media, pasi 3 shtetas bullgarë u akuzuan në Mbretërinë e Bashkuar si agjentë në shërbim të Rusisë, POLITICO tregon se çfarë ka ndodhur me agjentët e dikurshëm, që në një moment të caktuar u demaskuan.

Një jetë luksoze dhe magjepsëse

Për Ana Vasiljevna Kushçenkon (e njohur me pseudonimin Ana Çapman), ish-agjentja sekrete ruse, flokët e kuqe të së cilës e magjepsën për muajt me radhë shtypin tabloid amerikan dhe atë britanik, jeta pas aktivitetit të spiunazhit ka qenë shumë fitimprurëse.

Ajo u shfaq në kopertinat e disa revistave të njohura të modës, dha intervista ekskluzive për disa televizione, dhe pati jo pak mundësi për të bërë biznes. Çapman, që e mori këtë mbiemër nga një britanik me të cilin u martua për pak kohë, u prit si heroinë gjatë kthimit të saj në Rusi më shumë se një dekadë më parë, në shkëmbimin më të madh të spiunëve që ndodhi që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Shtetet e Bashkuara liruan 10 rusë, përfshirë Ana Çapmanin, ndërsa Kremlini dorëzoi Sergei Skripal, një oficer i inteligjencës rus i dënuar për spiunazh për llogari të Britanisë së Madhe, plus 3 persona të tjerë. Ajo dhe kolegët e saj që ishin pjesë e një celule agjenturore “të fjetur”, u takuan me Vladimir Putinin sapo mbërritën në Moskë, dhe thuhet se kënduan së bashku këngë patriotike ruse.

Si është jeta e një agjenti sekret pasi është

Më pas shumë prej tyre u emëruan në borde këshillimore të paguara mirë në kompanitë e mëdha shtetërore. Kremlini donte ta promovonte Ana Çapman si një model të një “Bond girl” në shërbim të Vladimir Putinit. Fillimisht, ajo u emërua si këshilltare e kreut të një banke ruse.

Por që atëherë, ajo është shfaqur si një modele nëpër pasarela, stiliste, prezantuese televizive por edhe sipërmarrëse. Andrei Bezrukov, i njohur në SHBA si Donald Hithfilld, që gjithashtu u rikthye në Rusi gjatë të njëjtit shkëmbim, e ri-shpiku veten si akademik në Universitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë.

U mungon shtëpia

Tre nga pjesëtarët e celulës famëkeqe të spiunazhit Cambridge Five (Pesëshja e Kembrixhit) - Kim Filbi, Gai Barxhes dhe Donald Maklin - arritën që të shmangnin arrestimin nga autoritetet britanike duke u arratisur për në Bashkimin Sovjetik. Rolet e tyre si agjentë të dyfishtë, cilësohen ende si një njollë e turpshme për shërbimet sekrete britanike.

Të tre ata ishin pasardhës të shtresës së lartë të Britanisë, pra njerëz që konsideroheshin plotësisht të besueshëm. E megjithatë i shkaktuan dëme të mëdha afatgjata shërbimeve të inteligjencës britanike.

Sepse i dorëzuan sovjetikëve mijëra dokumente top-sekret, i paralajmëruan ata mbi dezertorët e mundshëm sovjetikë, dhe tradhtuan ata që punonin për britanikët dhe amerikanët prapa Perdes së Hekurt. Por në dallim nga Çapman, asnjëri prej tyre nuk pati një jetë magjepsëse në Bashkimin Sovjetik.

Filbi nisi të zhgënjehej shumë shpejt që KGB-ja nuk i zinte më besë, dhe nuk i dha më asnjë mision. Madje në vitet e para të qëndrimit në Moskë, ai u mbajt de fakto në arrest shtëpiak. Kontakti i tij më i afërt i KGB-së, Mikail Ljubimov, i cili drejtonte stacionet e KGB-së në Britani dhe Danimarkë gjatë Luftës së Ftohtë, zbuloi më vonë se rusët kishin frikë se Filbi mund të kthehej sërish në Britani, i nxitur nga mërzia dhe malli për vendlindjen.

Dhe ndoshta kjo frikë nuk ishte e pabazë. Sepse me arratinë e tij Filbi e humbi mundësinë të luante kriket dhe të psoniste në dyqanet luksoze “Harrods” dhe “Fortnum & Mason”.

Më vonë u lejua të kishte një rol i vogël në trajnimin e rekrutëve të KGB-së, dhe iu lejua të shkruante një libër kujtimesh të censuruar.

Edhe Barxhes dhe Maklin e patën gjithashtu shumë të vështirë për t’u përshtatur me jetën në Bashkimin Sovjetik. Jeta e zymtë e Barxhes e nxitur nga alkooli u bë akoma më kaotike. Maklin ishte më i disiplinuar dhe u asimilua në Bashkimin Sovjetik, duke shërbyer si specialist i politikës ekonomike të Perëndimit dhe i politikës së jashtme britanike. Por edhe ai nisi të pijë shumë dhe gruaja e tij, Melinda, e la dhe u lidh me Filbin përpara se të kthehej në Perëndim.

Mercenarët

Si është jeta e një agjenti sekret pasi është

Kombi për të cilin keni rrezikuar lirinë tuaj mund të mos ju mbrojë gjithmonë, veçanërisht nëse nuk keni ndonjë komplot për t’ua demaskuar. Kështu roja i sigurisë i ambasadës britanike, Dejvid Smith, me origjinë nga Peisli, Skoci, po vuan aktualisht një dënim me 13 vjet burg pasi u shpall fajtor për spiunazh për llogari të Rusisë. Ai kishte kopjuar dokumente sekrete që i gjeti në dollapët e dosjeve të hapura, dhe në tavolinat e ambasadës britanike në Berlin ku ishte i punësuar.

Lihen të “kalben” në burg

Agjenti Eldrih Ejms i CIA-s dhe Robert Hansen i FBI-së u arrestuan në vitet 1990. Hansen spiunoi për shërbimet e inteligjencës sovjetike dhe ruse gjatë viteve 1979-2001. Tradhtia e tij u cilësua nga prokurorët si “ngjarja ndoshta më e rëndë e ndodhur tek shërbimet sekrete në historinë e SHBA-së”.

Ai u shiti rusëve mijëra dokumente tepër sekret mbi strategjitë bërthamore të SHBA-së, zhvillimet në teknologjitë e fundit të armëve dhe programet amerikane të kundërzbulimit. Po ashtu Ejms u dha autoritete sovjetike emrat e agjentëve të KGB-së që punonin fshehurazi për Uashingtonin, të cilët u ekzekutuan shumë shpejt pas demaskimit të tyre.

Pati zëra për përfshirjen e tyre në një shkëmbim spiunësh, por rusët nuk kanë mbajtur asnjë spiun të kalibrit të barabartë për t’u shkëmbyer. Përveç kësaj, tradhtia e tyre ishte aq e neveritshme sa që të mos e meritonin të shkëmbeheshin.

Nga viti 2002 e deri në vdekjen e tij në qershor të këtij vit në moshën 79-vjeçare, Hansen u burgos në një burg të sigurisë maksimale në Kolorado, ku u mbajt në izolim për 23 orë në ditë. Ejms, sot 82 vjeç, po vuan dënimin e përjetshëm në një burg të sigurisë së mesme në Indiana. 

Fati i disave mbetet një mister

Jo të gjithë spiunët që zbulohen arrestohen. Dy burrat rusë të dyshuar për kryerjen e helmimeve në Salisbëri të Britanisë në vitin 2018, u shfaqën në televizionin rus të financuar nga shteti pasi u identifikuan si të dyshuar. Ata deklaruan se po e vizitonin qytetin “e mrekullueshëm” anglez si turistë për të parë katedralen e tij. Por në një raport të vitit 2021, BBC tha ata nuk ishin parë më në publik që nga ajo kohë./ Pershtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga