LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Cili është kuptimi dhe miti i syrit të keq?

9 Gusht 2023, 18:26, Kuriozitete CNA

Cili është kuptimi dhe miti i syrit të keq?

Është i mirënjohur për shumëkënd fakti që imazhi i një syri blu i vendosur në një unazë simbolizon “syrin e keq”. Ai është aq i famshëm si imazh, sa që shtua zyrtarisht në grupin e emoji-ve në vitin 2018 si pjesë e Unicode 11.0.

Dhe u bë shumë shpejt popullor si në mediat sociale ashtu edhe në komunikimet dixhitale private, duke u shfaqur në postimet e shumë personazheve të famshëm. Por ndërsa “syri i keq” përdoret gjerësisht për të mbajtur larg fatin e keq dhe ndjellë fatin e mirë, cila është origjina e këtij supersticioni?

“Syri i keq” përdoret prej shumë kohësh si një hamajli në vende si Turqia, Greqia por edhe territore të tjera pranë Mesdheut. Zakonisht simboli vjen në formën e një rruaze prej xhami. Ai quhet “nazarlik”, “nazar boncuk” ose “nazar boncugu” në Turqi, dhe është i paraqitur si një hamajli për të cilin tradita thotë se mbron njerëzit nga “syri i keq”.

Termi “nazar” përkthehet përafërsisht “për t’u parë” në arabisht, ndërsa “boncuk” vjen nga turqishtja që do të thotë perla. Në shumë kultura, në vend të vetë simbolit, syri i keq është një mallkim i jashtëm që mund ta godasë një person ose familje përmes një vështrimi të ndyrë, ose asaj që ndonjëherë njihet si “syri i qelbur”.

Besimi supersticioz se dikush mund të preket nga fati i keq për shkak të një shikimi të tillë, gjendet në shumë kultura. Në fakt, ai vërehet në mbarë botën, nga Mesdheu në Azi deri në Amerikën Qendrore. Dhe është shumë i lashtë.

Studiuesja Mari-Luiz Tomsen shkruan në revistën “Journal of Near Eastern Studies”, se në fillim të shekullit XX-të historianët gjetën prova të besëtytnive të syrit të keq midis asirianëve dhe babilonasve dhe Mesopotamisë së lashtë.

Syri i keq, lidhet veçanërisht me idenë e xhelozisë. Është shikimi ziliqar i një fqinji, i të një afërmi, rivali apo të huaji, që krijon një fat të keq mbi dikë, veçanërisht dikë të suksesshëm. Në thelb, koncepti i syrit të keq është një paralajmërim për ata që fitojnë pasuri dhe prestigj në lidhje me zilinë ndaj tyre, gjë që mund të çojë në zhbërjen e atyre sukseseve.

Thuhet se edhe komplimentet mund të tërheqin syrin e keq drejt atij që i merr ato. Shkrimtarja Diana Dark shkruan në librin e saj ”Turqia Lindore”, se syri i nazarit është zakonisht blu për të përfaqësuar sytë e vizitorëve në Turqi nga Evropa Veriore, të cilët shpesh kishin sy blu, diçka që është përgjithësisht e rrallë në Turqi dhe rajonet përreth.

Besohet se të huajt - si turistët që vizitojnë një vend të ri sot - kishin më shumë gjasa që t’i shihnin vendasit, duke krijuar përshtypjen se po u jepnin atyre shikime keqdashëse dhe jo kureshtare. Lidhja e ngjyrës blu me syrin e keq gjendet edhe përtej kufirit në Greqi.

Filozofi i  lashtë grek Plutarku, pretendonte se njerëzit me sy blu ishin veçanërisht të aftë për të marrë më sysh ata përreth tyre. Megjithëse sot imazhi i nazarit sot lidhet me një nuancë të caktuar të xhamit ngjyrë blu, simboli modern besohet se ka evoluar nga një popull i lashtë, fenikasit, të cilët jetuan në Mesdheun Lindor në vitet 1500-300 Para Erës Sonë dhe që i dekoronin bizhuteritë e tyre me sy në ngjyrë të kaltër.

Ndërsa nazari është simboli më i famshëm që besohet se e largon syrin e keq, kulturat në mbarë botën kanë zhvilluar një sërë artefaktesh të ndryshme, që thuhet se i mbajnë mbajtësit e tyre të sigurt nga shikimi keqdashës i atyre që janë përreth tyre.

Në Indi, vend ku besimi tek syri i keq - buri nazar - përshkon çdo shtresë të shoqërisë, ka një larmi të madhe objektesh që përdoren për t’u mbrojtur nga syri i keq. Shumë indianë mbajnë gjithmonë me vete hamajli të ngjashme me nazarin mesdhetar.

Edhe pronarët e bizneseve varin shpesh në qafë hamajli të bëra nga speci djegës dhe limoni,  për të shmangur mallkimet e njerëzve ziliqarë. Në Spanjë, ku syri i keq ka qenë i lidhur me shtrigat, në komunitetet rurale ishin të zakonshme ilaçet bimore.

Po ashtu për t’u mbrojtur nga syri i keq, digjeshin ose vareshin rreth shtëpisë disa lloje hamajlish. Në mbarë Evropën Veriore, besohej se karficat me simbole të veçanta largonin mallkimet e syve të këqij, ashtu siç përdoreshin nazaret në Mesdhe.

Sipas librit të studiuesit Frederik Eluorti, Syri i keq, pronarët e deveve në ishullin e Qipros, të cilët kishin frikë se devetë do të tërhiqnin syrin e keq, do t’i mbronin duke i stolisur me parzmore të zbukuruara me gjysmëhëna. Kjo traditë u përhap në Evropë dhe deri në Indi për të mbrojtur devetë por edhe kuajt./ Përkthyer dhe përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga