web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

A ekzistojnë vërtet fantazmat?/ Pesë shpjegime të mundshme shkencore për aktivitetet paranormale

11 Korrik 2023, 22:00, Kuriozitete CNA

A ekzistojnë vërtet fantazmat?/ Pesë shpjegime të mundshme

Pavarësisht nëse na pëlqen ta pranojmë apo jo, shumë prej nesh ndoshta kanë pyetur nëse një fanepsje gjatë natës ishte në të vërtetë një fantazmë apo thjesht një vegim. Por çfarë na bën saktësisht të ndihemi sikur jemi në prani të diçkaje që vjen nga bota tjetër?  Ja cilat janë 5 shpjegime e mundshme shkencore pas përvojave të aktivitetit paranormal.

1. Paraliza e gjumit

Në vitin 2015, një grua tregoi një përvojë rrëqethëse që kishte pasur një natë më parë. Kur ishte shtrirë pranë burrit të saj - që si zakonisht gërhiste - 62-vjeçarja u godit në shpatull nga dikush që i pëshpëriti:”Kam ftohtë, a mund të hyj nën kuvertë me ty?”.

Gruaja tha po, duke menduar se ishte një nga vajzat e saj, por kur hapi sytë, pa djalin e saj 7-vjeçar, i cili ishte vrarë disa muaj më parë. Kjo dukuri e tmerrshme njihet si paraliza e gjumit, dhe citohet shpesh si një shpjegim për dukuritë paranormale që përjetojnë njerëzit.

Ndërsa mjekët nuk janë shumë të sigurt, në përgjithësi besohet se ndodh kur një person është në fazën e gjumin me lëvizjen e shpejtë të syve (REM), gjatë së cilës kemi më shumë gjasa të shohim ëndrra që na duket si të vërteta.

Ata që vuajnë nga paraliza e gjumit, do të ndihen shpesh sikur janë zgjuar, por mund të përjetojnë ndjesi të shtyrjes apo mund të shohin halucinacione në dhomën e tyre. Për të shmangur paralizën e gjumit, ekspertët rekomandojnë të flini të paktën 7-9 orë në ditë, pasi kjo gjendje mund të shkaktohet nga pagjumësia. Mund të ndihmojë edhe ushtrimi i rregullt fizik, por jo më pak se 4 orë para se të shkoni në shtrat.

2. Myku

Sporet toksike të mykut, mund të shkaktojnë luhatje të humorit, zemërim pa ndonjë arsye

dhe madje edhe dëmtime të aftësive njohëse, në rast se ekspozoheni për një kohë të gjatë. Simptomat e inflamacionit të trurit dhe humbjes së kujtesës janë shfaqur gjithashtu në studimet e fundit, si dhe rritja e ankthit dhe e frikës.

Studiuesit pretendojnë se këto tipare, janë çuditërisht të ngjashme me ata që pretendojnë se kanë përjetuar aktivitet paranormal dhe sugjerojnë se mund të ketë një lidhje. Profesor Shejn Roxhers i Universiteti Klarkson në Nju Jork thotë:”Shumë përvoja të tilla, janë të ngjashme me simptomat mendore ose neurologjike të raportuara nga individë të ekspozuar ndaj mykut toksik që gjendet nëpër mure”.

3. Sindroma e Shpërthimeve në Kokë

Sindroma e Shpërthimit brenda Kokës, mund të tingëllojë si një gjendje e sajuar, por në fakt është një çrregullim shqisor shumë i vërtetë dhe i frikshëm. Sipas Universitetit Goldsmiths,  ajo karakterizohet nga “perceptimi i një zhurme të madhe ose ndjenja e shpërthimit në kokë, zakonisht kur del ose hyn në gjumin e thellë”.

Zhurma që perceptohet mund të jetë çdo gjë, nga një shpërthim i mirëfilltë i një të shtëne me armë apo edhe një ulërimë. Dy vjet më parë, një studim  zbuloi se 44.4 për qind e të sëmurëve përjetuan një frikë të madhe gjatë këtyre episodeve. Një pjesë të vogël besonin se ajo ishte shkaktuar nga diçka e mbinatyrshme.

Psikologia Luiza Kroulej thotë:“Këto halucinacione mund të jenë si ëndrra dhe mund të variojnë nga shikimi i dritave, formave apo njerëzve, deri tek dëgjimi i zërave, muzikës apo tingujve të tjerë. Ato mund të jenë shumë realiste, duke i bërë të vështira për t’u dalluar nga perceptimet në jetën reale”.

4. Monoksidi i karbonit

Lidhjet midis monoksidit të karbonit dhe përvojave paranormale janë analizuar që para

Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1921, American Journal of Opthalmology, tregoi përvojën rrëqethëse të një gruaje të njohur vetëm si “Zonja H”. Pasi u transferua në një shtëpi të re, ajo dhe familja e saj filluan të dëgjonin zëra të çuditshëm dhe madje u ndjenë sikur po i mbanin shtërnguar pas krevatit.

Kjo u shoqërua me ndjenjën e dobësisë fizike dhe dhimbjeve të kokës. U zbulua se këto simptoma ishin pasojë e helmimit me monoksid karboni. Ky gaz toksik (CO) është një kërcënim pa shije dhe erë që edhe në përqendrime të ulëta, mund të shkaktojë dëme të qëndrueshme tek njerëzit që e thithin atë.

Shpeshherë vjen nga djegia e lëndëve djegëse si gazi dhe propani, si dhe nga vatrat e zjarrit apo oxhaqet e bllokuar. Në rastin e Zonjës H, këto shkarkime kishin ardhur nga një furrë dhe sapo ajo u riparua, pushuan edhe sëmundjet e familjes së saj. Studimet më të fundit kanë treguar se helmimi me monoksid karboni ka shkaktuar gjithashtu një gjendje psikoze te disa të sëmurë. Mbi 6 javë ekspozimi ndaj monoksidit të karbonit mund të çojë në shkallë më të larta të depresionit, ankthit dhe madje edhe mosfunksionimit konjitiv.

5. Pareidolia

Nëse keni përjetuar ndonjëherë ndjesinë sikur pas jush qëndron dikush tjetër, duke menduar se keni parë një përbindësh në pasqyrë apo një krijesë midis pemëve, atëherë mund të keni përjetuar pareidolian. Pareidolia ndodh kur njerëzit ia atribuojnë kuptimin stimulit të rastësishëm vizual, si shikimi i fytyrave njerëzore tek retë.

Ndërsa është një mashtrim i zakonshëm i iluzioneve optike, gjatë një studimi me 82 pjesëmarrës nga Universiteti Tanta 2 vjet më parë, u pa se ata që pretenduan se kishin përjetuar diçka paranormale përpara eksperimentit, kishin më shumë gjasa të dallonin fytyrat në imazhet e treguara.

Dr.Kroulej thotë:”Kur njerëzit janë të pikëlluar ose kanë përjetuar humbje të mëdha, është shumë e zakonshme që ata mund të jenë më të ndjeshëm ndaj përvojave që i interpretojnë si komunikim ose vizita nga të dashurit e vdekur. Këto përvoja mund të përfshijnë shikimin ose ndjesinë e pranisë së atyre që kanë humbur, duke çuar në besime tek fantazmat apo shpirtrat”./ Pershtatur nga CNA





Lajmet e fundit nga