web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Historia e çokollatës: Kur paratë rriten vërtet në pemë

1 Janar 2023, 08:41, Kuriozitete CNA

Historia e çokollatës: Kur paratë rriten vërtet në

Çokollata prodhohet nga fermentimi, tharja, pjekja dhe bluarja e farave të një peme të vogël tropikale të gjinisë Theobroma. Pjesa më e madhe e çokollatës që shitet sot prodhohet nga pema Theobroma kakao. Por popujt indigjenë në Amerikën e Jugut, Amerikën Qendrore dhe Meksikë prodhojnë ushqim, pije dhe ilaçe me shumë lloje të tjera të Theobroma-s.

Kakao nisi të kultivohej nga njerëzit të paktën 4000 vjet më parë, fillimisht në pellgun e Amazonës dhe më pas në Amerikën Qendrore. Dëshmia më e vjetër arkeologjike e kakaos, ndoshta e vitit 3500 Para Erës Sonë, vjen nga Ekuadori. Në Meksikën dhe Amerikën Qendrore, enët e zbuluara që me mbetje kakaoje datojnë që në vitin 1900 Para Erës sonë.

Kakao është emri në shumë gjuhë i Mesoamerikës (Meksika dhe Amerika Qendrore) si për pemën, për farën dhe përgatitjet që kërkon kjo pemë. Njerëzit që e përdorin këtë fjalë i bëjnë jehonë pikërisht asaj të kaluare të lashtë, indigjene.

Mezoamerikanët e kanë përdorur për mijëra vjet kakaon për shumë qëllime: si një ofertë për ritualet fetare, si një ilaç, dhe një përbërës kyç si në raste të veçanta, por edhe si një ushqim dhe pije në jetën e përditshme. Secila kishte emra të ndryshëm në vrasi të kontekstit. Një nga këto përgatitje të veçanta të kakaos quhej “çokollatë”.

Kolonialistët dhe monedha

Historia e çokollatës: Kur paratë rriten vërtet në

Po si u përhap çokollata në mbarë botën? Përdorimi fillestar më popullor i kakaos në shekullin XVI, nga kolonistët nga Evropa dhe Afrika në Amerikën Latine, ishte më shumë si një monedhë, sesa si diçka për të ngrënë ose pirë.

Hulumtimet e mia mbi kakaon si një formë paraje, tregon zhvillimin e tij të qëndrueshëm në rolin vendimtar si një nga mjetet e shumta të shkëmbimit të mallrave në Mesoamerikën para mbërritjes së Kolombit. Lugina e Rio Cenizës në El Salvadorin e sotëm ishte një prodhuese e jashtëzakonshme.

Ajo renditej midis 4 qendrave të rëndësishme bujqësore, të cilat e zgjeruan shumë përdorimin e kakaos si një monedhë gjatë shekullit XIII-të. Kolonizatorët spanjollë vendosën shpejt kursin e përshtatshëm dhe të besueshëm të parave të kakaos për të gjitha llojet e transaksioneve.

Por në fillim ata ishin shumë dyshues në lidhje me konsumimin e kësaj substance, duke debatuar për efektet shëndetësore dhe shijen e saj. Lugina e Rio Cenizës, e njohur atëherë me emrin indigjen Izalkos, u bë e famshme si vendi ku paratë “rriteshin” në pemë, dhe ku kolonistët e sapoardhur mund të grumbullonin pasuri.

Përhapja nëpër botë

Historia e çokollatës: Kur paratë rriten vërtet në

Pavarësisht një fillimi të ngadaltë, çokollata u bë shumë popullore në Evropë duke nisur nga fundi i shekullit XVI. Si një ndër një mori shijesh të reja që vinin nga Amerika ose Bota e Re, çokollata ishte veçanërisht magjepsëse. Më e rëndësishmja, pirja e çokollatës u bë një mënyrë për t’u shoqëruar me të tjerët.

Po ashtu ajo u lidh gjithnjë e më shumë me luksin dhe kënaqësinë seksuale, por dhe me vetitë e shëndetshme që e shtonin veçanërisht bukurinë dhe pjellorinë. Duke nisur nga vitet 1600, evropianët nisën ta përdornin fjalën çokollatë për të përshkruar ëmbëlsirat, pijet dhe salcat me aromë kakaoje.

Shumë shpejt çokollata nisi të ndryshojë mënyrën se si njerëzit i bënin gjërat. Siç e thekson studiuesja spanjolle e letërsisë, Karolin Nado:”Para çokollatës, mëngjesi nuk ishte një ngjarje kolektive siç ishin dreka dhe darka”. Ndërsa çokollata u bë gjithnjë e më e popullore në Spanjë, po ashtu u bë edhe mëngjesi.

Konsumi i saj u bë i zakonshëm si një mes-vakt në mesditë ose vonë në mbrëmje, i shoqëruar me disa feta buke apo edhe bukë të skuqur. Gjatë shekullit XVIII, një shumëllojshmëri recetash që përdornin çokollatën, mbushën faqet e librave evropianë të gatimit, duke treguar se sa e rëndësishme ishte bërë ajo në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Afrikanët e skllavëruar, që punonin në plantacione të reja në Amerikën Latine dhe më vonë në Afrikën Perëndimore, e rritën ndjeshëm prodhimin e kakaos. Për prodhuesit dhe konsumatorët, çokollata zhvilloi lidhje të gjalla me klasën, gjininë dhe racën.

Historia e çokollatës: Kur paratë rriten vërtet në

Por me globalizimin e çokollatës, janë rrënjosur gjithnjë e më shumë pabarazitë e thella. Për shembull, 75 për qind e konsumit të çokollatës ndodh në Evropë, SHBA dhe Kanada, edhe pse 100 për qind e kakaos në botë prodhohet nga zezakët dhe banorët indigjenë të Amerikës Latine dhe ata aziatikë, zona që konsumojnë vetëm 25 për qind të çokollatës së gatshme.

Ndërkohë afrikanët konsumojnë vetëm 4 për qind. Çokollata prodhohet kryesisht me dorë dhe është një burim jetese për deri në 50 milion njerëz në vendet kryesisht në zhvillim. Pandemia e Covid-19 i përkeqësoi gjërat.

Reduktimi i lëvizjes, kufizimet e tubimeve, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe qasja e dobët në kujdesin shëndetësor, i goditën rëndë komunitetet prodhuese. Ndërkohë edhe blerësit dhe tregtarët e mëdhenj të kakaos, reduktuan ose i pezulluan blerjet e tyre për deri në 2 vjet për të përballuar problemin e kërkesës së pasigurt të konsumatorit gjatë gjithë pandemisë.

Pabarazia, tregtia e ndershme dhe fermerët

Tendencat aktuale kanë rrënjë të thella tek e shkuara e çokollatës. Konsumi i çokollatës vazhdon që të rritet. Evropianët janë sot konsumatorët më të mëdhenj të çokollatës. Dhe Britania e Madhe mban një ndër nivelet më të lartat në Evropë, me një konsum për frymë prej 8.1 kg në vit.

Ajo ka tregun më të madh të çokollatës. Ndërsa tregu i çokollatës po zgjerohet, po shtohen edhe problemet e pabarazisë sociale dhe problemeve ekologjike. Karla Martin, themeluese dhe drejtore e “Fine Cacao and Chocolate Institute”, dhe unë kemi shpjeguar se një rrugë drejt qëndrueshmërisë ekonomike, sociale dhe mjedisore do të kërkojë një sërë investimesh të rëndësishme.

Universiteti i Ridingut, ka bërë tashmë përpjekje për t’i ndihmuar fermerët të identifikojnë dhe të kenë qasje në diversitetin gjenetik të kakaos, si dhe të kuptojnë se si profilet gjenetike lidhen me elasticitetin dhe produktivitetin më të madh të kësaj kulture.

Përkthyer nga CNA.al





08:46 Kuriozitete

Si formohet bora?

Bora formohet kur temperaturat janë të ulëta dhe ka lagësh...

Lajmet e fundit nga