LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A kanë një shpjegim shkencor misteret e Trekëndëshit të Bermudës?

7 Nëntor 2022, 10:49, Kuriozitete CNA

A kanë një shpjegim shkencor misteret e Trekëndëshit të

Në brigjet juglindore të Shteteve të Bashkuara, ekziston një hapësirë në ??oqeanin Atlantik, e cila ka prej kohësh një reputacion të frikshëm. Anijet që kalojnë aty zhduken pa lënë gjurmë. Fluturimet e avionëve mbi atë zonë zhduken nga ekranet e radarëve, për të mos u parë më kurrë.

Ngjarjet misterioze kanë shkaktuar teori nga më të ndryshme nga ndërhyrjet e mbinatyrshme, te rrëmbimet aliene, apo që flasin për një zonë që është disi jashtë kufijve normalë të realitetit fizik. Thuhet se Trekëndëshi i Bermudës është një vend paranormal.

Sigurisht që ky është vetëm një version i historisë. Trekëndëshi i Bermudës ka qenë vendi i një numri zhdukjesh të anijeve dhe avionëve, fati i të cilëve mbetet ende misterioz. Megjithatë, disa ekspertë kanë propozuar shpjegime shkencore për këto ngjarje.

Tek e fundit, oqeani është një vend i rrezikshëm, ndaj nuk është e pazakontë që edhe sot gjërat të shkojnë keq. Në ujërat e trazuara nga stuhia në Atlantikun e Veriut, siguria nuk është kurrë një garanci. Po ku gjendet Trekëndëshi i Bermudës? Ai shtrihet midis Majemit, San Huanit, Porto Rikos dhe ishullit të Bermudës.

A kanë një shpjegim shkencor misteret e Trekëndëshit të

Në tërësi, ai përfshin qindra e mijëra kilometra katrorë në Oqeanin Atlantik Verior, pra një zonë shumë e madhe. Aty kalojnë shumë anije që shkojnë e vijnë nga Bregu Lindor dhe Gjiri i Meksikës. Trekëndëshi i Bermudës e mori emrin nga një artikull i vitit 1964 në revistën “Argosy”, që bëri lidhjen midis disa zhdukjeve në rajon.

Artikulli fliste për zhdukjen e “USS Cyclops”, një anije furnizimi e Marinës së SHBA-së në vitin 1918, dhe humbjen e një avioni bombardues gjatë një stërvitje në vitin 1945, si dhe të njërit nga avionët e kërkim-shpëtimit që ishte dërguar për kërkimin e tyre.

Këto incidente dhe të tjera, janë bërë sot pjesë e njohurive mbi Trekëndëshin e Bermudës. Këto histori synojnë të lënë të kuptohet se ka diçka të fshehur nën sipërfaqen e Oqeanit Atlantik. Por përveç shpjegimeve të mbinatyrshme, përgjatë viteve janë paraqitur një numër shpjegimesh më realiste mbi këtë fenomen, duke filluar nga magnetizmi i paqartë deri te vorbullat e rrezikshme.

Fakti që zona brenda Trekëndëshit të Bermudës ka shumë trafik detar, mund të shpjegojë një pjesë të misterit. Çdo rajon me shumë anije, do të përjetojë më shumë aksidente sesa në një zonë me më pak aktivitet.

A kanë një shpjegim shkencor misteret e Trekëndëshit të

Shtojini kësaj edhe faktin se Trekëndëshi i Bermudës përfshihet shpesh nga uraganet, dhe nuk është e vështirë të kuptosh se pse atje zhduken herë pas here anijet. Një shpjegim tjetër i zakonshëm për Trekëndëshin e Bermudës qëndron te magnetizmi.

Poli Verior magnetik i Tokës, nuk është i njëjtë me Polin e Veriut gjeografik, gjë që do të thotë se busullat zakonisht nuk tregojnë me saktësi veriun. Ato janë të sakta vetëm përgjatë asaj që njihet si vija agonike, ku rreshtohet veriu magnetik dhe gjeografik.

Një linjë agonike shkon nga Liqeni i Madh poshtë përmes Gjirit të Meksikës pranë Trekëndëshit të Bermudës. Një teori thotë se marinarët, zakonisht të mësuar të llogarisin një mospërputhje në leximet e tyre të busullës, mund të bëjnë gabime kur janë shumë afër vijës agonike, gjë që i çon ata në rrugë të gabuar. Dhe gabimet në orientim janë fatale në ujërat shpesh të cekëta të Karaibeve.

Një tjetër teori pretendon se në Trekëndëshin e Bermudës ndodh një anomali magnetike në shkallë të gjerë, një rajon ku linjat e fushës magnetike të Tokës janë të shtrembëruara. Edhe kjo gjë mund të shkaktojë gabime në lundrim. Por, siç kanë vërejtur të tjerët, nuk ka asnjë provë se Trekëndëshi i Bermudës mund të ketë ndonjë problem të pazakontë magnetik, diçka që është e qartë kur sheh një hartë magnetike të rajonit.

Kohët e fundit, disa shkencëtarë kanë sugjeruar që fundosjet e anijeve në Trekëndëshin e Bermudës, mund të kenë ndodhur për shkak të flluskave të mëdha të krijuara nga depozitat e metanit nën det. Dihet se dyshemeja e detit në atë rajon, përmban xhepa të mëdhenj gazi që mund të lirohen papritmas, duke e kthyer oqeanin në një “supë të shkumëzuar” që i gllabëron anijet.

Një proces i ngjashëm ka të ngjarë të krijojë kratere të mëdha ujore afër Norvegjisë. Por ndonëse mekanizmi në vetvete ka kuptim, nuk ka asnjë provë reale të çlirimit të metanit nga zona përreth Trekëndëshit të Bermudës. Sipas gjeologut të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së Bill Dilon, hera e fundit që ndodhi diçka e ngjashme në rajon, ishte rreth 15.000 vjet më parë.

A kanë një shpjegim shkencor misteret e Trekëndëshit të

Një shpjegim tjetër është prania e dallgëve mashtruese. Këto dallgë të mëdha mund të formohen në mënyrë të papritur dhe të ngrihen 2 ose edhe 3 herë mbi valët përreth. Studiuesit britanikë përdorën modele laboratori dhe kompjuteri për të simuluar efektet e dallgëve të tilla më të larta se 33 metra tek anijet si pjesë e një hetimi në Trekëndëshin e Bermudës.

Anijet që ishin shumë të gjata mund të mbeteshin pezull midis dy majave të dallgëve, pa asgjë që t’i mbështeste nga poshtë, teorizon një studiues. Por, ndërsa dallgët mashtruese janë sigurisht të afta që të përmbysin apo çajnë më dysh një anije, ne nuk kemi asnjë provë përfundimtare që i lidh ato me ndonjë prej katastrofave detare në Trekëndëshin e Bermudës.

Qeveria amerikane nuk e njeh zyrtarisht Trekëndëshin e Bermudës, dhe kjo zonë nuk shfaqet në asnjë hartë zyrtare. Për më tepër, nuk ka asnjë provë që të sugjerojë se në këtë zonë ka norma më të larta të katastrofave detare apo ajrore në krahasim me kudo tjetër në botë.

Shpjegimi i vërtetë për Trekëndëshin e Bermudës mund të mos qëndrojë në fund të fundit brenda oqeanit, por në mendjet tona. Ato janë shpesh të njëanshme ndaj ngjarjeve të çuditshme ose të paharrueshme, dhe kanë vështirësi në llogaritjen e saktë të mospërputhjeve statistikore.

Për shembull, ne kemi më shumë gjasa të kujtojmë gjëra që duken të jashtëzakonshme, si një anije që zhduket pa asnjë shpjegim - sesa diçka më të zakonshme, si një anije që fundoset nga një uragan. Dhe kur diçka na bie në sy, ajo mund të formojë bazën për një vëmendje të mëtejshme.

Kjo dukuri është një formë e asaj që quhet iluzion i frekuencës, ndonjëherë e quajtur edhe si efekti “Baader-Meinhof”. Pra pasi njihemi me diçka një herë, ne priremi ta vërejmë atë më shpesh përreth nesh. Kjo mund të na bëjë të mendojmë se çdo gjë që kemi vënë re, po bëhet me shpejtësi më e zakonshme, kur në realitet vetëm sa po e vëmë re më shpesh.

Çfarëdolloj arsye që është përgjegjëse për legjendën e Trekëndëshit të Bermudës, psikologjike apo e një lloji tjetër, ia vlen të kujtojmë se nuk ka pasur kurrë ndonjë provë që rajoni është më i rrezikshëm se kudo tjetër.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga