web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tregimi i së dielës/ 8 letrat…

20 Tetor 2024, 19:45, Kulturë Agim Xhafka
Tregimi i së dielës/ 8 letrat…
Agim Xhafka

Nuk di pse në shtëpi shkova tek arka e vogël që kam në sirtarin e fundit të dollapit. Kisha vite pa e zënë me dorë apo shkuar ndër mend. Mbaj atje ca sende të çmuara që më kujtojnë plot etapa të jetës. Siç është një orë e babait që sa e prek më bën të më regëtijë kraharori si ai zinxhiri i xhupit kur ngadalë e çon nga poshtë deri lart në grykë. Kam një palë vathë të nënës. Të bukur sa më duket sikur brenda gurit të kaltër të tyre rri ajo dhe më buzëqesh aq hijshëm. Gjenden dhe plot poezi të miat të gjimnazit që ia kushtoja Kozetës në fillim, pastaj Zanës, Idës, Tatjanës e një duzine gocash që kënaqeshin kur ua lexoja, por më pas nuk ma varnin më. E më të shtrenjtat në atë arkë janë 8 letrat e gjyshes sime,

Anesë që e quanin Adivije, por që ia mësova shumë vonë emrin, ashtu fare rastësisht kur babai një ditë mori një certifikatë familjare te zyra e gjendjes civile. Sa kisha mbaruar gjimnazin. Adivijen e kam poezi në zemrën time. Ajo më rriti, ajo më ushqeu, ajo më dëgjoi, ajo më këshilloi. Më duroi, por kurrë, kurrë nuk më qortoi. Ngaqë nëna ikte natën e kthehej natën nga puna, gjyshja u bë më e afërta për mua. Çdo ditë e nga pak. Si ajo elektroda që lëshon shkëndija e shkëndija kur saldon një hekur të këputur. E në fund sheh se shkëndijat e kanë bërë atë një trup. Aq solid sa mund të thyhet në çdo pjesë, por atje ku lodruan shkëndijat nuk këputet më. Sikur dhe bomba t’i bjerë sipër.

Kur ia thashë gruas se ato 8 letra ishin të gjyshes shkruar për mua buzëqeshi. I kisha folur, por dhe ajo e pati njohur vetë e me pak takime mes tyre më bëri xheloz. Se gruaja, ajo që do bëhej pra, u lidh shumë me anenë. Me Adivijen e shpirtit tim.

-Po sikur gjyshja jote nuk dinte as të shkruante e as të lexonte! -më tha ajo me çudi dhe me pak provokim.

Vërtet, aneja nuk dinte shkrim e këndim. Paçka se dhe këtë e zbulova vonë. Më rrinte mbi kokë kur unë bëja detyrat në fillore e pas çdo fjale që shkruaja më thoshte:

-Bravo bir! Si rruaza i ke shkruar. Bukur, shumë bukur!

Pëlqente te fletorja ime atë që ia gëlltiste syri. Kur gaboja e fshija dhe në letër ngelej një njollë boje. Ajo ma griste dhe më thoshte:

-Bëji prapë te kjo faqja e re!

Kështu vit pas viti. E harrova fare që ajo nuk dinte të shkruante. Pas gjuhës i thosha mësimin e historisë, të edukatës. Çdo mbasdite dërdëllisja sikur isha para zyshës. Ama pata sukses. Mbyllja vitet me fletë-lavdërimi e kur thosha që meritë ka aneja në shtëpi, qeshnin. E dinin që ajo nuk ia thoshte për shkrim e lexim. Por s’më bëhej vonë. Unë me të i bëja mësimet. Edhe matematikën me të. Edhe kiminë, edhe fizikën. Aneja më e duruara. Nuk kuptonte gjë, por rrinte gojëhapur, gjoja e përqendruar, kur flisja teoritë e Ajnshtajnit a ligjet e Njutonit. Kështu derisa mbarova maturën. Më pas, kur do shkoja në universitet në Tiranë qamë të dy një javë rresht. Por paraditeve, kur babai e nëna nuk ishin në shtëpi. Do ikja nga Korça e si do e lija vetëm gjyshen? Zyshën time? Shoqen time? Shpirtin tim?

Tek agjencia e autobusëve sa u përqafuam më dha te veshi porosinë:

-Mos harro! Më ke premtuar, çdo muaj do më shkruash letër!

Nuk i thoja dot, ti s’di të lexosh ngaqë mund t’ia lexonte babai, nëna a motra. Tunda kokën. Pa merak d.m.th.

Jeta në Tiranë më rrëmbeu. Pa u mbyllur shtatori zura dhe të dashur. Më hante kohë studimi, por dhe ajo. Ama në fund të muajit kur erdhi në konvikt një shok i babait që më solli lekët e muajit, se nuk kisha bursë shteti, i dhashë letrën për gjyshen. Në një zarf të mbyllur me shënimin sipër: “Anesë”.

Kështu dhe për tetor e nëntor. Dhjetori më gjeti në shtëpi për vit të ri. I hipa trenit në Tiranë në 5:00 të mëngjesit e në 6:00 mbasdite trokita te porta në Korçë. E hapi mamaja, lëshoi britma gëzimi si klithma sa hapën me vrull derën në të njëjtën kohë edhe Razo, edhe Ilo, fqinjët tanë. Kështu bërtiti dhe motra. Babai më i përmbajtur, në fund aneja ime erdhi duke u mbajtur te muri i korridorit. Tek ai mur po mbahesha dhe unë derisa u përqafuam e na mbyti ngashërimi. Më pas hare e lumturi. Flisja veç unë. Të gjithë gojëhapur. Për shkollën, për provimet, për të dashurën. Deri sa:

-Çohuni, të flemë tani! Jemi në punë nesër! -dha urdhër babai.

Ndërsa ata ikën gjyshja nxori nga një xhep i përparëses së saj tri letrat e mia. Të pahapura.

-Nuk t’i lexoi babai, moj? -e pyeta.

-Po si do t’i lexonte ai? Letra është për mua, jo për tët atë. Ma lexo ti tani!

Ngela si hu. Nuk e besoja kurrë që do kishte ndodhur kështu. E hapa dhe ia nisa leximit:

-Aneja ime.

-Këtu jam bir, vazhdo.

-Më ka marrë shumë malli për ty.

-Edhe mua. Më këputi, bir.

-Në shkollë kam dhënë provimet dhe kam marrë nota të mira.

-Doemos, doemos.

-Kam një shoqe të mirë. Të bukur e të mençur.

-Siç je vetë, mor xhan.

E letër pas letre, rresht pas rreshti mbaruam çfarë kisha shkruar. U përlot. I mblodhi sërish ndër duar, i futi te xhepi e më tha:

-M’i lexo nesër prapë!

Aq ditë sa ndenja me pushime i rilexuam letrat pa pushim. Me improvizimet e shumta të saj. Aq mall e detaje u fut brenda atyre zarfeve sa tani, kur Aneja ime më sheh nga lart, unë harroj që ajo nuk dinte shkrim e këndim. Se Adivija qe gjeni. Dashuria mes nesh ishte aq e fortë sa kur kujtoj dialogun në leximet që bëmë, që pas çdo fjale time të shkruar ajo fuste fjalën e saj të shqiptuar, them se nga komunikime të tilla ka lindur edhe “chat”-i i sotëm. Ose më saktë nga komunikime të tilla është shpikur “SKYPE”. Ja pse ato letra i quaj “8 letrat e gjyshes”. Se vazhdova çdo muaj deri në qershor të dërgoj në Korçë zarfin e premtuar. Dhe gjithë verës me to bënim “SKYPE” unë e gjyshja, pa u shpikur ende interneti. Gjyshe “Mesengeri”, i shkon më shumë. Më tej nuk u shkruam. Ndërroi jetë e mira ime. Por ende “komunikojmë” pa pushim, si atëherë. Unë i flas e i flas ditën, me sytë drejt reve. Ajo më kthen përgjigje natën, përmes ëndrrave tona…





10:57 Kulturë Agim Xhafka

“BABAI” TJETËR…

U çudita kur vajza te kasa e bankës më tha, duhej të d...

11:01 Kulturë Agim Xhafka

ATA JANË KËTU

Fluturimet nga Amerika në Tiranë përherë i bëj me transit ...

11:05 Kulturë

FOTO ME ENVERIN

Viti 1983. Shoku ynë Enver kishte ditëlindjen: 75 vjeç. M...

Lajmet e fundit nga