web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Jehona e bustit të Llazar Fundos në Korçë/ Figura e tij rikthehet me dinjitet në qendër të historisë shqiptare

29 Nëntor 2025, 10:47, Kulturë CNA

Në qytetin e Korçës është vendosur një monument që ka ringjallur një pjesë të errësuar të historisë shqiptare, busti i intelektualit Llazar Zai Fundo.

Pas 81 vitesh nga vdekja e tij tragjike, pas heshtjes së gjatë dhe dënimit të padrejtë politik, figura e Fundos është rikthyer më e respektuar se kurrë. Të gjitha mediat shqiptare, nga më të mëdhatë te më të profilizuarat, kanë raportuar mbi këtë ngjarje.

Klan TV një prej mediave kryesore që pasqyroi ngjarjen, e vendos theksin te karakteri i padrejtë i ekzekutimit të Fundos. Klan raportoi se busti u inaugurua në kuadër të 113-vjetorit të Pavarësisë, ndërsa Plasari theksoi se Zai Fundo ishte një viktimë personale e Enver Hoxhës, jo vetëm e diktaturës. Nënvizohet po ashtu se urdhri për vrasjen e tij, i dhënë nga Hoxha para se ky i fundit të vinte në pushtet, tregon qartë frikën dhe xhelozinë ndaj mendimtarëve të lirë. Po ashtu theksohet se vendosja e bustit në sheshin që tashmë mban emrin e tij është një akt i rëndësishëm rikthimi historik.

Jehona e bustit të Llazar Fundos në Korçë/ Figura e tij

"Top Channel" e paraqet Zai Fundon si një prej figurave më të spikatura politike dhe intelektuale të Shqipërisë së shekullit XX, një mendimtar progresist, kritik i hapur i dogmave dhe një prej zërave më të fuqishëm të idesë europiane. Në sheshin përballë bashkisë, që sot mban emrin e tij, busti u vendos si një rikthim i historisë në vendin që i takon.

"Top Channel" thekson se studiuesi Aurel Plasari e formulon qartë këtë ngjarje si një borxh historik. Fundo, sipas tij, ishte një viktimë e drejtpërdrejtë e Enver Hoxhës. Ekzekutimi i Fundos, i cili mbetet një prej akteve më të errëta të historisë, sipas Plasarit, shpreh xhelozinë e pushtetit të frikësuar nga njerëzit e mendimit të lirë.

Jehona e bustit të Llazar Fundos në Korçë/ Figura e tij

"Top Channel" sjell edhe atmosferën e ceremonisë përkujtimore të zhvilluar në Katedralen "Ngjallja e Krishtit" në Korçë, ku familjarët e tij, pas dekadash qëndrimi nën hije, e përshkruan Fundon si një mendimtar të lirë, idealet e të cilit sot po kuptohen e çlirohen nga paragjykimet e së kaluarës.

"Euronews Albania" e shikon vendosjen e bustit si një akt drejtësie historike për njërin prej intelektualëve më të persekutuar të shekullit të kaluar.

"Euronews Albania" thekson rolin e rëndësishëm të Fundos në hapjen e mendimit kritik, në qasjen e tij europiane dhe në kontributin intelektual që i parapriu Europës së Bashkuar.

Jehona e bustit të Llazar Fundos në Korçë/ Figura e tij

"Euronews" citon se historiani Aurel Plasari sjell edhe një detaj të rëndësishëm në urdhrin që Enver Hoxha dha për vrasjen e Fundos, pyetja e parë që kërkonte t’i bëhej ishte: Përse ka vajtur në Kosovë?

Ky detaj i cituar në disa media tregon qartë paranojën politike dhe xhelozinë e regjimit të Hoxhës ndaj mendimtarëve që guxonin të tejkalonin kufijtë e kohës së tyre. "Euronews" thekson se busti është vendosur strategjikisht në pedonalen e qytetit, pranë shtëpisë ku Fundo lindi, u formësua dhe nisi rrugën e tij drejt idealit demokratik.

"Syri TV" zgjeron dimensionin ndërkombëtar të Fundos, duke kujtuar se në vitin 1941 ai ishte ndër intelektualët që kontribuuan në hartimin e Manifestit të Ventotenes, një dokument që më vonë u bë themel i konceptit të Europës së Bashkuar.

Jehona e bustit të Llazar Fundos në Korçë/ Figura e tij

Për këtë arsye, "Syri TV" e portretizon Fundon si një ndër pionierët e mendimit proeuropian, në kohën kur Shqipëria ishte ende nën hijen e sistemeve autoritare dhe ideologjive të rënda. Plasari, i cituar edhe në "Syri TV", e quan ngritjen e bustit një vlerë të shtuar për kujtesën e Korçës dhe të Shqipërisë, rikthim i një figure që për dekada u helmua nga narrativa të fabrikuara politike.

"Syri TV" sjell edhe fjalët prekëse të mbesës Elisaveta Fundo, e cila rrëfen se edhe pse nuk e ka njohur kurrë xhaxhain e saj, sot po mëson më shumë mbi të vërtetat e një jete të mohuar dhe përndjekjet që brezat e familjes kanë mbartur. Ajo përmend ëndrrën e Fundos për një Europë të bashkuar, dhe me emocion thotë se shpreson që Shqipëria ta realizojë atë që ai besoi 80 vite më parë.

"Vizion Plus" ofron një analizë të thelluar mbi rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje. "Vizion Plus" e sheh Fundon si një simbol të guximit përballë dhunës së pushtetit dhe si një figurë që duhet të jetë mësim për çdo brez.

Jehona e bustit të Llazar Fundos në Korçë/ Figura e tij

Duke cituar sërish Plasarin, theksohet se dokumentet historike e provojnë se Fundo u eliminua jo për shkak të sistemit në përgjithësi, por si viktimë personale e urrejtjes dhe frikës së Enver Hoxhës. Vendosja e bustit pranë shtëpisë së tij në pedonalen e Korçës është për "Vizion Plus" një rikthim i drejtësisë historike për njërin prej intelektualëve më të persekutuar të shekullit.

MCN TV raportoi gjithashtu mbi 81 vjetorin e vdekjes së Fundos dhe vendosjen e bustit në qendër të qytetit. Sipas MCN TV, ky është një borxh historik ndaj figurës së tij. Busti i intelektualit të njohur Llazar Fundo u vendos në Korçë, dhe profesori e shkrimtari Aurel Plasari tha se Zai Fundo nuk është thjesht viktimë e diktaturës, por viktimë e vetë Enver Hoxhës, i cili ka urdhëruar vrasjen e tij. MCN TV thekson se në 81 vjetorin e vdekjes, të afërm dhe qytetarë po ashtu u mblodhën në Katedralen Ngjallja e Krishtit në Korçë, duke zhvilluar homazhe për të rikthyer në vëmendje jetën dhe veprën e tij.

Jehona e bustit të Llazar Fundos në Korçë/ Figura e tij

"Iliria News" thotë se Fundo është një figurë emblemë e mendimit demokratik shqiptar. Ai paraqitet si një idealist, një mendimtar i lirë, që u përball me ndëshkimin e sistemit për shkak të ideve që i paraprinë kohës së tij. Sipas "Iliria News" sot Fundo nuk është më i mbuluar nga errësira e propagandës së dikurshme, ai po rilind në mendimin kolektiv shqiptar.

Jehona e bustit të Llazar Fundos në Korçë/ Figura e tij

Ceremonitë, busti, fjalët e studiuesve dhe ringritja e figurës së tij e nxjerrin atë nga hiri i harresës, duke e bërë sërish pjesë të identitetit tonë kombëtar. "Iliria News" thekson se rivlerësimi i Fundos është më shumë se një akt nderimi, është një rikthim i dinjitetit për një figurë që pagoi jetën për fjalën e lirë dhe për botëkuptimin e tij demokratik.

Në të gjitha mediat, rezonon i njëjti mesazh, Llazar Zai Fundo ishte një intelektual që i parapriu kohës dhe se u dënua për idetë dhe për guximin e tij të pashembullt. Busti i tij në Korçë është monument jo vetëm i një njeriu, por i lirisë së mendimit. Sot, busti i Fundos qëndron në pedonalen korçare si një kujtim i fortë i trimërisë intelektuale, një shtyllë e kujtesës historike dhe një ftesë për brezat e rinj që të mbrojnë mendimin e lirë me të njëjtin guxim./ CNA

 





09:55 Kulturë Agim Xhafka

Në pishinë…

Ndërsa ecja qetë në digën e liqenit, ashtu siç bëj çdo dit...

Lajmet e fundit nga