web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Shën Naumi, një shenjtor i vlerësuar nga shqiptarët

30 Tetor 2025, 21:11, Kulturë Ilirjan Gjika

Shën Naumi, një shenjtor i vlerësuar nga shqiptarët
I lindur në vitin 830, Shën Naumi, njihet në histori si një prej misionarëve që përhapën krishtërimin në popujt sllavë. Ai së bashku me Klementin, Gorazdin, Angjellarin dhe Savën ishin dishepujt e Cirilit dhe Metodit, me të cilët në vitin 863 do të kryenin misionin fetar në Moravi. Po kështu, në vitin 867 ata do të udhëtonin drejt Romës ku Shën Naumi do të dorëzohej prift (1). Ndërsa pas vdekjes së Cirilit më 868, ai dhe bashkëpunëtorët e tjerë do të shoqëronin Metodin përsëri në Moravi dhe Panoni. Me vdekjen e këtij të fundit në vitin 885, ky grup misionarësh, do të zhvendosej drejt oborrit të mbretit bullgar Boris (2). Në kryeqytetin Preslav, Shën Naumi, fillimisht do të punonte me një grup të ngushtë bashkëpunëtorësh për të përkthyer në sllavisht shkrimet e shenjta. Më pas, si predikues i krishtërimit dhe mësues i gjuhës sllave, ai, do të zëvendësonte Shën Klementin në disa zona dhe qytete të mbretërisë bullgare. Së fundmi, Shën Naumi, do të tërhiqej nga kjo veprimtari dhe në vitin 905, do të vendosej në manastirin që do të themelonte në breg të liqenit të Ohrit. Pikërisht këtu ai do të dorëzohej murg, derisa do të ndërronte jetë më 23 dhjetor 910 (3).

"Shën Naumi ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga shenjtët më të popullarizuar jo vetëm në trevat që mbulonte dikur Patriarkati i Ohrit por edhe në Bullgari, Serbi e Rusi’’, thekson për figurën e tij studjuesi Kliti Kalamata (4). Po kështu, ai, mbetet një shenjtor i respektuar edhe për Kishën dhe besimtarët ortodoksë në Shqipëri, fakt që shihet në disa aspekte. Duhet theksuar se ky fenomen i ka rrënjët e thella dhe lidhet me veprimtarinë e Shën Naumit, gjatë periudhës së pushtimin bullgar të një pjesë të territoreve shqiptare (861-1018) (5). Të përfshira në provincën e Kutmiçevicës që shtrihej midis Ohrit, bregdetit të Adriatikut, lumit Shkumbin dhe Vlorës, ato, do të bëheshin arenë e veprimtarisë së një sërë misionarësh fetarë (6). Ishte koha kur mbreti Boris për të mos qenë nën ndikimin e Bizantit, kishte nisur rrugën e krijimit të një kishe dhe kleri bullgar. Në këtë kuadër, ai, do të angazhonte Klementin, Naumin dhe bashkëpunëtorët e tyre, me misionin e predikuesit dhe mësuesit të krishtërimit dhe gjuhës sllave, në radhët e popullsisë bullgare të vendosur në Kumiçevica (7).

Qëllimi final ishte ngritja e strukturave të kësaj kishe dhe përdorimin e sllavishtes si gjuhë të saj dhe të administratës. Pikërisht në ketë provincë ku bënin pjesë edhe qytetet e Ohrit, Devollit dhe Gllavinicës, Klementi, do të kryente shërbimin për shtatë vjet. Mbreti Boris do ti dhuronte atij disa vende për pushim në Ohër dhe Gllavinicë, shkruan Kryepeshkopi i Ohrit, Theofilakti, në librin e tij ‘’Biografi e gjatë’’. Por me ardhjen në pushtet të mbretit Simeon, djalit të Borisit, Klementi do të emërohej më 893, peshkop i ‘’Dragvistës dhe Velicës’’. Kështu, në vend të tij në Gllavinicë, do të shkonte tashmë si misionar Shën Naumi, i cili do të shërbente për një periudhë kohe atje (9). Historiani dhe studjuesi i njohur, Dimitri Obolenski, duke cituar disa vepra të mëparshme e cilëson në këtë rast, Shën Naumin, si shokun dhe vazhduesin e veprimtarisë së Klementit (10). Pikërisht shërbimi në këtë rajon të Shqipërisë do të bënte që kulti i këtij shenjtori të nderohej që prej shek. XI. Ndërkohë ekzistojnë një sërë të dhënash të mbledhura nga studjuesi Theofan Popa, në zonën e Ballshit (Mallakastër), Beratit dhe Myzeqesë, ku dëshmohet veprimtaria e Klementit, Naumit, Gorazdit dhe Angjellarit. Rreth këtij problemi edhe mitropoliti Anthim Aleksudhi, në librin e tij, “Përshkrim i shkurtër historik i mitropolisë së shenjtë të Beratit”, thekson praninë e këtyre misionarëve në Berat (11). Në Myzeqe janë konservuar deri në ditët e sotme gjurmët e kultit të misionarëve sllavë, të cilët në traditën kristiano-sllave janë shtatë, si: Cirili, Metodi, Klementi, Naumi, Gorazdi, Angjellari dhe Sava, thekson Theofan Popa në shkrimin studimor, ‘’Disa konsiderata të përgjithshme rreth pikturës post bizantine në Shqipëri'' (12). Një gjë të tillë e gjejmë edhe në pikturat murale të kishës ‘’Lindja e Hyjëlindëses’’ në Ardenicë. Të realizuara nga Kostandin dhe Athanas Zografi më 1744, ky program freskografik do të bëhej modeli i cili do të zbatohej në të gjitha kishat e Myzeqesë (13). Duhet theksuar se në ikonografi, figurat e Cirilit dhe Metodit, apo dishepujve të tyre, Klementit dhe Naumit, janë paraqitur përpara shek. XVIII. Ndërkohë do të ishte mjeshtri i pikturës së kavaletit, Kostandin Jeromonaku (1692-1726), i cili do të konsolidonte paraqitjen ikonografike të figurës së Shën Naumit. Një gjë të tillë e ndeshim në ikonat e pikturuara prej tij në kishat e Voskopojës dhe manastirin e ‘’Shën Naumit’’. Po kështu, imazhi i shenjtorit do të zhvillohej më pas edhe nga piktorët Kostandin dhe Athanas Zografi (14). Ndërkohë në qytetin e Beratit ruhet ende tradita e hershme e nderimit të figurave të Shën Gorazdit dhe Shën Angjellarit, dy nga Shtatë Shenjtorët sllavë, shoqëruar nga një akullthi e botuar në Venecia (15). Po kështu edhe reliktuari me një pjesë të lipsanave të tyre ruhet në ambientet e katedrales ‘’Fjetja e Shën Mërisë’’, sot Muzeu Kombëtar i Ikonografisë ‘’Onufri’’ (16). Ndërkohë që shkrime të tjera për jetën dhe veprën e Shën Naumit, janë botuar në të kaluarën edhe në Voskopojë dhe Korçë.

"Një nga shtypshkronjat e para në Ballkan, shtypshkronja e Moskopolit, mbante emrin e Shën Naumit … ‘’, thekson në librin ‘’IKona’’ autori Kliti Kallamata (17). Po kështu në Voskopojë, në shek. XVIII, do të shkruheshin dhe botoheshin nga Grigor Kostandinidhi, përgjatë viteve 1740-1742, dy akullthi, njëra kushtuar Shtatë Shenjtorëve, kurse tjetra Klementit dhe Naumit (18). Ndërkohë nderimi i figurës së Shën Naumit nga shqiptarët nuk lidhet vetëm me ndikimet e ortodoksisë ballkanike, apo Patriarkanës së Ohrit, por edhe me shkaqe të tjera. Këtu, mund të përmendin rastin e arkimandrit Josifit, i cili kur edhi në Korçë si drejtor i shkollës në fillim të shek. XIX, gjeti një nderim të veçantë për këtë figurë në traditën vendase, i cili konsiderohej si ‘’Mbrojtës i Shqipërisë’’ (19).

"Përsa i përket forcimit të tipareve nacionale të kishës së Ohrit, shprehja më e qartë është në popullarizimin e shenjtorëve lokalë, të cilët e kishin kryer veprimtarinë e tyre në territorin e kësaj arkipeshkopate dhe ishin kanonizuar si të tillë nga Patrikana Ekumenike, ose vetë arkipeshkopata e Ohrit’’, thekson në një tjetër studim Kliti Kallamata (20). Ndërkohë nderimi i figurës së Shën Naumit vjen edhe nga mrekullitë që ai kishte kryer në Shqipëri. Kështu, në një rast kur shkonte kaluar për në Korçë duke ngjitur Qafën e Ploçës, kali ndaloi dhe nuk lëvizi më tej. Pikërisht edhe sot këtu ruhet toponimi ‘’Guri i Shën Naumit’’ dhe gjurmët e kalit të tij (21). Kudo që shkonte, shenjtori, ndihmonte të varfërit, shëronte të sëmurët dhe bekonte besimtarët me uratat e tij. Fshatarët e Zagorçanit në Pogradec ai do ti bekonte me urimin: ‘’Grurë mbjellshi dhe magjja pa bukë mos u mbetë’’. Ndërsa në Tushemisht, bekimi i tij do të ishte për lopët e këtij fshati të cilat e shpëtuan nga sulmi i qenve. Ndërsa në vendin ku do të ngrinte manastirin që mban emrin e tij, Shën Naumi, do të shëronte një vajzë të sëmurë me ujin e Najazmës, burimit që ndodhet në territorin e Shqipërisë, pranë kufirit të sotëm. Po kështu, në këtë vend ai do të ndihmonte një bujk, të cilit ariu i kishte ngrënë një prej pendëve të qeve. Çdo vit gjatë mbjelljeve, ariu vinte dhe mprehej në parmendën e bujkut së bashku me kaun tjetër, një mrekulli e ilustruar në mozaikun që ndodhet mbi portën e manastirit (22).

Për të nderuar kultin e tij, murgj dhe klerikë nga Shqipëria, kanë kontribuar edhe për mirëmbajtjen ndër vite të manastirit të ‘’Shën Naumit’’. Sipas dorëshkrimeve mësojmë se Grigori ose Gavrili nga Voskopoja, igumen në vitin 1664, me përpjekjet e bëra do ta shpëtonte këtë objekt nga braktisja dhe shkatërrimi. Po kështu, familja Ballamaçi do të financonte më 1828 për ndërtimin e urës së gurtë që të çonte në manastir. Ndërsa në vitin 1887, me shpenzimet e Parashqevi Kotes nga Korça, do të rindërtohej edhe hajati i tij (23). Gjithashtu gjatë shek. XVIII-XIX nuk do të mungonin dhurimet e shumta, midis të cilëve përmenden edhe emrat e Ali Pashë Tepelenës apo Ismail Bej Plasës. Edhe për panairin e Shën Naumit që tërhiqte me dhjetra pelegrinë nga vise të ndryshme të Shqipërisë, ishin ndërtuar konakët, si ato të Pogradecit, Korçës, Voskopojës, Starovës, Hoçishtit, Dishnicës, etj (24). Në manastirin që përbëhet nga kisha e "Kryeëngjëjve Mikael dhe Gabriel’’, paraklisi-mauzole i Shën Naumit dhe konakët, kanë punuar edhe disa nga mjeshtrat e ikonografisë shqiptare. Kështu, në vitin 1711, së bashku me gdhëndjen e ikonostasit të kishës, Kostandin Jeromonaku, do të pikturonte ikonat e tij. Kurse më 1806, Tërpo Zografi, do të dekoronte me afrekse paraklisin e ‘’Shën Naumit’’ (25). Po kështu, në këtë manastir do të dorëzohej peshkop në vitin 1942, nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë edhe imzot Irine Banushi (26). Ndërkohë edhe sot, manastiri, shërben si një vend pelegrinazhi për shqiptarët. Janë jo vetëm besimtarët dhe pelegrinët ortodoksë por edhe turistë të shumtë, që në çdo kohë përgjatë pikave të kalimit kufitar të Qafë Thanës dhe Tushemishtit, kalojnë në territorin e republikës së Maqedonisë së Veriut, për të vizituar këtë objekt të shenjtë. Shën Naumi, nuk është vetëm një shenjtor i vlerësuar nga shqiptarët, por edhe një figurë historike që lidh me njëri-tjetrin popujt e Ballkanit.
*****

1-K. Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 126-127; D. Obolenski, Klementi i Ohrit dhe Shqipëria, Konferenca kombëtare për formimin e popullit shqiptar, ASH RPSH, Tiranë 1982, f. 67-72
2-Po aty, f. 126-127; f. 76-68; K. Nihoritis, Tradita e kultit të shtatë shenjtorëve në Shqipëri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 87-90
3-K. Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 126-127; ?. ?. ????????, ????????? ?? ??????????? ?????????? ? IX-X ?r, ??????????? ???????? ?? ???????, ????? 1962, 102
4-Po aty, f. 126-127
5-Dimitri Obolenski, Klementi i Ohrit dhe Shqipëria, Konferenca kombëtare për formimin e popullit shqiptar të gjuhës dhe kulturës së tij, ASH RPSSH, Tiranë 1982, f. 67-72
6-Po aty, f. 67-72
7-D. Obolenski, Klementi i Ohrit dhe Shqipëria, Konferenca kombëtare për formimin e popullit shqiptar të gjuhës dhe kulturës së tij, ASH RPSSH, Tiranë 1982, 67-72; K. Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 126-127; Akademia e Shkencave, Historia e Popullit Shqiptar, Toena, Tiranë 2002, f. 218
8-Paul Gautiers, Theophylacte D'Achrida: Discours, Traites, Poesies (Corpus Fontium Historiae Byzantinae), Thesalonique 1980; A. Milev, Grutskite zhitiya na Kliment Okhridski, Sofia 1966, f. 76-146
9-Dimitri Obolenski, Klementi i Ohrit dhe Shqipëria, Konferenca kombëtare për formimin e popullit shqiptar të gjuhës dhe kulturës së tij, ASH RPSSH, Tiranë 1982, f. 67-72
10-D. Obolenski, Klementi i Ohrit dhe Shqipëria, Konferenca kombëtare për formimin e popullit shqiptar të gjuhës dhe kulturës së tij, ASH RPSSH, Tiranë 1982, 67-72; ?. ?. ????????, ????????? ?? ??????????? ?????????? ? IX-X ?r, ??????????? ???????? ?? ???????, ????? 1962, 102
11-Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 111
12-Theofan Popa, Disa konsiderata të përgjithshme rreth pikturës post bizantine në Shqipëri, Studime historike, 2, Tiranë 1967, f. 95
13-Mihallaq Qarri, Prifti i parë i botës biblike në ikonografike Shqipëtare, Monumentet, 2002, f. 132
14-K. Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 127; K. Kallamata, Rreth tipareve të reja të programit ikonografik në pikturën murale të shek. XVIII, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 266-267
15-Kostas Nihoritis, Tradita e kultit të shtatë shenjtorëve në Shqipëri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 87-90
16-Th. Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, f. 141; Th. Popa, Glavinica e lashtë në Ballshin e sotëm, Studime historike, 1964, 2, f. 238-241
17-K. Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 127
18-Kostas Nihoritis, Tradita e kultit të shtatë shenjtorëve në Shqipëri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 88-89
19-Po aty, f. 88-89
20-Kliti Kallamata, Rreth tipareve të reja të programit ikonografik në pikturën murale të shek. XVIII, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 266
21-Gjergji Tasi Gusho, Manastiri i Shën Naumit, Tempulli, 4, Korçë 2001, f. 27-39
22-Po aty, f. 27-39
23-Po aty, f. 27-39
24-Po aty, f. 27-39; A. Llukani, Manastiri i Shën Naumit dhe Irine Banushi, Diskutime, 24-25 nëntor 2019, f. 26-27
25-Po aty, f. 27-39; f. 33
26-A. Llukani, Mitropolia e Beratit nga vitet apostolike deri në ditët tonë, Tiranë 2020, f. 43; A. Llukani, Manastiri i Shën Naumit dhe Irine Banushi, Diskutime, 24-25 nëntor 2019, f. 31





Lajmet e fundit nga