web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ekskluzive-Mjeku endokrinolog Ëngjëll Gusho kujton mikun e tij Ahmet Hoxhallari/ Një jetë në shërbim të mjekësisë dhe njerëzve

18 Tetor 2025, 12:40, Kulturë CNA

Një figurë e nderuar e mjekësisë korçare, doktori kirurg Ahmet Hoxhallari, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar profesionale dhe njerëzore. Ai kujtohet nga kolegët dhe miqtë e tij si një njeri me karakter të fortë, etikë të lartë dhe përkushtim të rrallë ndaj pacientëve dhe profesionit.

Në një intervistë ekskluzive për CNA TV, mjeku endokrinolog, Ëngjëll Gusho, kujtoi me mall dhe respekt rrugëtimin e gjatë të mikut dhe bashkëpunëtorit të tij. Ai tregoi se miqësia me doktor Ahmetin kishte nisur që në rini, në bankat e shkollës së mesme në Politeknikumin Mjekësor të Tiranës. Ishin ende adoleshentë, por të bashkuar nga pasioni për mjekësinë dhe përkushtimi ndaj dijes. Pas përfundimit të shkollës, rrugët e tyre vazhduan në Fakultetin e Mjekësisë, ku secili ndoqi specializimin e vet, njëri në endokrinologji dhe tjetri në kirurgji, por lidhja mes tyre nuk u ndërpre asnjëherë.

Ekskluzive-Mjeku endokrinolog Ëngjëll Gusho kujton mikun e tij Ahmet

Pas studimeve, jeta profesionale i shpërndau në qytete dhe institucione të ndryshme. Megjithatë, rrugët u kryqëzuan sërish në një spital, ku të dy punuan në të njëjtin ambient. Ëngjëll Gusho kujtoi se Hoxhallari kishte ardhur si kirurg i përgatitur, i sigurt në profesionin e tij, dhe shumë shpejt fitoi respektin e kolegëve e pacientëve. Ai u dallua për aftësinë, përqendrimin dhe mënyrën njerëzore me të cilën i trajtonte të sëmurët. Përmes përvojës dhe autoritetit që fitoi, arriti të drejtonte edhe vetë spitalin, duke e udhëhequr me përkushtim dhe ndershmëri.

"Për doktor Ahmetin është e vështirë të flasësh. Ju më bëtë një pyetje, njohjen time me të. Do të them që nuk e mbaj mend sepse jemi njohur fare të vegjël në shkollën e mesme. Kemi mbaruar shkollën e mesme në Tiranë, Politeknikumin Mjekësor. Më tej, vazhduam si studentë fakultetin, dikush në një grup, dikush në grup tjetër, por ishim që të dy korçarë, ai nga zona e Gorës dhe unë nga Korça. Më tej puna na lidhi në vende të ndryshme, dikush në një fshat, dikush vazhdoi specialitetet, unë për sëmundjet endokrine dhe doktor Ahmeti për kirurgji. Përsëri në një vend pune në spital, ai erdhi si kirurg i përgatitur, unë si mjek, të dy në një ambient spitali. Më tej u rrit në detyrë, pati shumë sukses në profesionin e tij, u bë një kirurg i shquar që kishte autoritet. Më tej ai u bë edhe drejtor spitali, njëkohësisht bëheshin konsulta, qoftë me sëmundje të kirurgjisë, sëmundje të metabolizmit, sëmundje endokrine."

Ekskluzive-Mjeku endokrinolog Ëngjëll Gusho kujton mikun e tij Ahmet

Në kujtimet e tij, doktor Gusho përmendi se marrëdhënia me Ahmet Hoxhallarin nuk ishte vetëm profesionale, por edhe personale e njerëzore. Përveçse punonin së bashku, i lidhte një respekt i ndërsjellë dhe një kujdes reciprok që zgjati për dekada.

Hoxhallari, përveçse koleg e mik, ishte edhe mjeku që e operoi vetë Gushon në një moment delikat shëndetësor. Ndërsa më herët, ishte vetë Gusho që kujdesej për shëndetin e tij, veçanërisht për problemet me zemrën dhe diabetin që e shoqëruan në vitet e fundit.

Ky raport i veçantë, ku mjeku dhe pacienti ndërrojnë rolet, mbetet një dëshmi e rrallë e miqësisë dhe e besimit të thellë që i bashkonte.

"Ai pati disa probleme shëndetësore, në fillim u sëmur me zemër, në atë kohë ishte dhe drejtor spitali, pati dhe sëmundje që duhej të mjekohej edhe nga unë, sëmundjen e diabetit. Më pas kam pasur edhe unë sëmundje, por më ka thënë një fjalë: ‘Sa jam unë hajde të bëhesh operacion Ëngjëll, se pastaj..." Ai më ka bërë operacion, pra e kam pasur shok, bashkëstudent, bashkëkoleg, unë isha mjeku i tij, por edhe ai mjeku im, kështu që ishim të lidhur me njëri-tjetrin. E vështirë është të flas në fakt më shumë se kaq."

 

Ëngjëll Gusho solli edhe një episod të veçantë nga jeta e përbashkët në spital, ku shihet qartë karakteri i fortë dhe ndershmëria e Hoxhallarit.

Si drejtor i institucionit, ai kishte gjithmonë frikë se mos e tepronte me vendimet që merrte, ndaj donte pranë vetes njerëz të ndershëm e të drejtë, që ta frenonin nëse do të kalonte kufijtë e drejtësisë.

Ekskluzive-Mjeku endokrinolog Ëngjëll Gusho kujton mikun e tij Ahmet

Kjo ndershmëri, kjo kujdesje për të mos e shkelur as etikën profesionale e as atë njerëzore, e përkufizon më mirë se çdo fjalë tjetër personalitetin e tij.

"Ma kujtove një gjë. Puna ishte këtu, kur u bë doktor Ahmeti drejtor, nëndrejtori i atëhershëm nuk donte të vazhdonte dhe kaloi në një pozicion tjetër. Ahmeti më thotë mua: ‘Do të bëhesh nëndrejtor në spital?’ ‘E pamundur’, i thashë, ‘se nuk jam tip që ta bëj atë detyrë, më lër të bëj gjëra të tjera, por jo nëndrejtor’. Më tha: ‘Në qoftë se nuk bëhesh nëndrejtor, unë do të të pushoj nga puna’. Kishte autoritet. ‘Nuk bëhem merak se më pushon ti nga puna, por më thuaj shkakun pse do të më bësh mua nëndrejtor?’ ‘Nëndrejtori ka punë të tjera, oraret, të jetë i rreptë me nëpunësit’, i thashë. Më tha: ‘Atë punë e bëj unë, më mirë se ty, por unë kam hall se mos e shkel ndonjëherë, e teproj, por dua të jesh ti që të më mbash mua frerët. Prandaj dua të të bëj ty nëndrejtor’. Nuk është vendi për ta thënë, por këtë më kujtove ti. Me kaq kuptohet se çfarë njeriu ishte. Ai nuk donte të shkelte etikën, qoftë mjekësore, qoftë civile."

Në fund të rrëfimit, doktor Gusho e përshkroi Ahmet Hoxhallarin si një figurë që do të mungojë thellë në jetën e qytetit të Korçës. Ai e konsideroi atë jo vetëm një profesionist të shkëlqyer që u dha shumë spitalit dhe pacientëve, por edhe një njeri që dinte të ruante miqësitë, të vlerësonte kolegët dhe të ishte shembull për brezat e rinj të mjekëve.

Ekskluzive-Mjeku endokrinolog Ëngjëll Gusho kujton mikun e tij Ahmet

"Ishte personalitet. Ai do t’i mungojë familjes, do t’u mungojë shokëve, kolegëve, kush ka punuar me të dhe Korçës. Edhe Korça i dha atij plot, por ai ia ka shpërblyer."

Largimi nga jeta i doktor Ahmet Hoxhallarit nuk shënon vetëm humbjen e një profesionisti të shquar të mjekësisë, por edhe të një njeriu që për vite me radhë u shërbeu me përkushtim qytetarëve dhe kolegëve të tij.

Ai mbetet shembull i një mjeku që e jetoi profesionin me pasion dhe ndershmëri, duke lënë pas kujtime të forta te të gjithë ata që e njohën e punuan me të. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në spitalin ku shërbeu, në qytetin që e deshi dhe në zemrat e atyre që patën fatin ta quajnë mik e mësues në profesion e në jetë./ CNA





09:40 Kulturë Agim Xhafka

“AH, TË ISHA DERR!”

Më shpëtoi kjo frazë duke parë televizorin. Po shihja një ...

Lajmet e fundit nga