web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Busti i intelektualit që firmosi themelet e BE-së, Llazar Zai Fundos, vendoset në Korçë

28 Nëntor 2025, 12:22, Aktualitet CNA

Busti i intelektualit të shquar, njeriut që firmosi themelet e BE-së, Llazar Zai Fundos, është vendosur në pedonalen e qytetit të Korçës, në sheshin e emëruar me të njëtin emër në shenjë nderimi dhe vlerësimi për figurën e Zai Fundos.

Një bust i punuar me mjeshtëri dhe me detaje nga skulptori Adi Dule. 

Llazar Fundo është intelektuali që në vitin 1941 bashkë me intelektualë të tjerë ndërkombëtarë morën pjesë në hartimin e manifestit të Ventotenes për një Europë të lirë dhe të bashkuar që inkurajonte krijimin e një federate të shteteve europiane, që ishte menduar të mbante vendet e Europës larg luftës.

Busti i tij është vendosur sot në zemër të qytetit të Korçës. Vendosja e bustit të intelektualit Llazar Zai Fundo në Korçë vjen në prag të festave të nëntorit, 28-29 Nëntorit.

Pak histori, kush ishte Llazar Zai Fundo?

Ai ishte një nga figurat kryesore politike me bindje të majta në Shqipërinë e kohës së mbretërisë dhe gjatë Luftës II Botërore.

Njihej personalisht me figura të shquara në rang botëror, si me Heminguejin, Barbysin, Rolanin, Kashenin, Leopold Infeldin, Ajnshtajnin. Këta, si edhe shumë të tjerë i kanë dhuruar vlerat e tyre me shënime autografi.

Llazar Fundo, i njohur si Zai Fundo, u lind në Korçë më 20 mars 1899 në një familje tregtare me origjinë nga Voskopoja. Ndoqi Liceun francez në Selanik, më pas studimet për drejtësi në Sorbonë të Parisit ku ra në kontakt me idetë komuniste. Më 1923 u kthye në Shqipëri me profesionin jurist. Ishte aktivist dhe kryetar i shoqërisë “Bashkimi” të Avni Rustemit, një eksponent i njohur i lëvizjes komuniste, më pastaj gazetar, social-demokrat.

Ndërkohë mori pjesë në Shoqërinë “Bashkimi” (1922-1925) dhe pas vrasjes së Avni Rustemit më 1924, u zgjodh kryetar i shoqërisë dhe drejtoi gazetën “Bashkimi”. Në mbarim të dhjetorit, kur qeveria e Nolit ra, u largua nga atdheu për në Itali, Austri, Gjermani, Francë e Rusi.

Gjatë kësaj kohe bashkëpunoi me gazetën “Liria Kombëtare” e Omer Nishanit. Gjatë qëndrimit në Vjenë aderoi në Federatën Komuniste Ballkanike, që kishte në brendi edhe Komitetin e Kosovës, ku Zai Fundo ishte aktiv. Më pas emigroi drejt BRSS-së, u diplomua për filozofi në Moskë dhe dha leksione të kësaj lënde në Leningrad dhe u anëtarësua në Komintern.

Mori pjesë në Kongresin e 8-të të Federatës Komuniste Ballkanike ku diskutoi rreth formimit të Partisë Komuniste në Shqipëri, duke ndihmuar të formohet Grupi Komunist i Korçës.

Me 1933 ndodhej në Gjermani ku pa Zjarrin e Reichstagut dhe u largua drejt Bashkimit Sovjetik me të gjykuarin e Leipzig-ut, Georgi Dimitrov. U dënua me vdekje nga Kominterni për qendrimin kundërstalinist më 1938, por Dimitrovi, atëherë prijës i Kominternit, e rrëzoi vendimin.

U kthye në atdhe dhe nisi punë si mësues gjimnazi. U hoq pas një viti për veprimtarinë e tij antiitaliane bashkë me Ali Këlcyrën, me të cilin u puqën dhe në mendimin politik të qendrës së majtë.

Sipas vetë veprave dhe botimeve (Kur Lindi Partia dhe Vepra 21) të diktatorit Hoxha, Llazar Fundo në 7 prill 1939 foli te Bashkia e Korçës, përpara një turme të madhe dhe kërkoi armë për të luftuar fashizmin.

U kap nga italianët në maj 1939 dhe u internua në ishullin famëkeq të Ventotenes. Atje qe bashkë me Safet Butkën, Muzafer Pipën, Isuf Luzajn, Altiero Spinellin dhe Sandro Pertinin.

Fundo ishte bërë komunist në Paris gjatë studimeve universitare. Duke qenë se besimit të tij i shtohej inteligjenca dhe njohja e jo pak gjuhëve, angazhimi i tij politik kishte arritur përtej Shqipërisë, dhe kur Dimitrov ishte arrestuar pas zjarrit në Rajhshtag, Fundo ishte në Berlin si një nga bashkëpunëtorët e tij. I kishte shpëtuar arrestimit dhe kishte rihyrë në Moskë ku punonte në Internacionale. Kur nisi era e spastrimeve të mëdha, ai, komunist besnik, por i edukuar në një atmosferë kulturore liberale në vendet demokratike, kishte frekuentuar jo pak kundërshtarë të Stalinit…

Në Ventotene ishte afruar në mënyrë të natyrshme me ish-komunistët dhe socialistët me të cilët fliste shpesh për mallkimin e regjimit të Stalinit. Përndryshe shëtiste i qetë, i drejtë, i bukur me flokë bionde që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit që ishte duke lexuar në greqisht, duke kërkuar te tekstet antike qetësinë e shpirtit që ia kishte marrë dështimi i përvojës së tij komuniste dhe që nuk e gjente gjëkundi… Pas 8 shtatorit kur u lirua dhe grupi i fundit i të internuarve të Ventotenes, Llazar Fundo zbriti në bregun puliez, kaloi në Shqipëri, u njoh me partizanët komunistë duke u thënë kush ishte dhe që po vinte të luftonte me ta, u vu pas murit dhe u pushkatua. Ishte a s’ishte 40 vjeç. "Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton”.

Me dy federalistët italianë bashkë me mikun e tij Stavro Skëndin hartuan Manifestin e Ventotenes.

Pasi regjimi fashist mori teposhtën e tij më 1943, me gjithë mbështetjen vëllazërore dhe miqësore që i dha Sandro Pertini, në një takim të fundit me të në Romë, në gusht 1943, që donte ta bindte për të qëndruar në Itali për të luftuar me të fashizmin, ai vendosi të kthehej në Shqipëri për të luftuar. U bashkua me vëllezërit Kryeziu dhe misionin britanik pranë tyre në Malësinë e Gjakovës.

Në shtator 1944 u kap nga partizanët jugosllavë në malin Dobrej të Tropojës dhe iu dorëzua komunistëve shqiptarë. U dënua për “trockizëm” dhe bashkëpunimin me Shërbimin Informativ Britanik. U arrestua dhe vra nga forcat partizane në Kolesjan të Kukësit më 23 shtator 1944.

Në radiogramin e Enver Hoxhës më 21 shtator 1944, thuhet: “Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni”./ CNA





Lajmet e fundit nga