LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Alarmi/ Lumi i Shalës, në rrezik nga mbetjet plastike

2022-07-29 16:24:00, Denoncim CNA

Alarmi/ Lumi i Shalës, në rrezik nga mbetjet plastike

Sekretari i Përgjithshëm i FRPD-së, Grigels Muçollari, ka ngritur sot alarmin për rrezikun që i kanoset lumit të Shalës.

Muçollari thotë se përpos bukurive natyrore, syri vritet edhe nga mbetjet plastike që notojnë mbi lumë.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, ai denoncon se me ngritjen e nivelit të ujit, plastikat ia nisin të notojnë, duke shëmtuar peizazhin dhe rrezikuar burimin kryesor të të ardhurave për banorët e zonës.

Sekretari i Përgjithshëm i FRPD-së u bën thirrje autoriteteve të veprojnë me urgjencë për të shpëtuar këtë pasuri të madhe kombëtare nga mbetjet plastike.

“Lumi i Shalës në rrezik!

Lumi i Shalës është një perlë natyrore e veriut të Shqipërisë, i bërë i njohur gjerësisht nga publikimi i fotografive në rrjete sociale.

I shndërruar menjëherë në destinacion kryesor për vizitorë vendas dhe të huaj, lumi i Shalës po frekuentohet çdo ditë masivisht, duke rritur ndjeshëm trafikun e varkave dhe njëkohësisht ndotjen me sende plastike.

Përgjatë shëtitjes, përpos bukurive natyrore syri vritet edhe nga plastikat që notojnë mbi Drin.

Shumica e mbetjeve plastike vijnë nga prurjet e Valbonës dhe Fierza. Me ngritjen e nivelit të ujit, plastikat ia nisin të notojnë, duke shëmtuar peizazhin dhe rrezikuar burimin kryesor të të ardhurave për banorët e zonës.

KESH, që administron hecet dhe nivelin e ujit në kaskadë, zotëron një fond edhe për pastrimin e ujërave nga mbetjet; fond që nuk dihet se ku përdoret.

I bëj thirrje autoriteteve të veprojnë me urgjencë për të shpëtuar këtë pasuri të madhe kombëtare nga mbetjet plastike! Shpëtojeni këtë mrekulli të Zotit! Mos e shëmtoni Shqipërinë me mbetjet tuaja!”, shkruan Muçollari./ B.A. – CNA.al

Lajmet e fundit nga