web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Humbi jetën në një aksident tragjik/ Karriera e gjatë e gazetarit, Enrik Mehmeti

2026-07-19 09:36:00, Aktualitet CNA

Humbi jetën në një aksident tragjik/ Karriera e gjatë e

Bota e medias dhe e gazetarisë shqiptare ka humbur një prej zërave të saj më të përkushtuar. Gazetari i njohur Enrik Mehmeti është ndarë tragjikisht nga jeta në moshën 40-vjeçare, si pasojë e një aksidenti fatal me motor në plazhin e Porto-Novës, në Vlorë.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasi ai humbi kontrollin e motomjetit, i cili u kthye përmbys duke i shkaktuar plagë të rënda, të cilave nuk mundi t'u mbijetojë. Ai që gjithë jetën e tij e kaloi duke raportuar lajmin e fundit, u kthye në lajmin më të trishtë për familjen, kolegët dhe mijëra qytetarë që e njihnin dhe e ndiqnin. Enriku lë pas dy fëmijë dhe një dhimbje të thellë për të gjithë shoqërinë.

Rrugëtimi i Enrik Mehmetit në botën e informimit nisi krejt herët dhe në rrethana të jashtëzakonshme. Në vitin 1997, kur ishte vetëm 11 vjeç, ai iu bashkua kampit të operacionit humanitar ‘Alba’ si përkthyes për ushtarët italianë që kishin ardhur në Shqipëri për të vendosur stabilitetin.

Përballja me dhimbjen e të plagosurve dhe realitetin e ashpër të asaj kohe e formësuan atë si njeri. Siç do të rrëfente ai vetë më vonë, ato përjetime i ngulitën bindjen se gazetaria nuk ishte thjesht një profesion, por misioni i jetës së tij.

Për më shumë se dy dekada, ai ishte një nga emrat më të njohur të gazetarisë lokale dhe asaj kombëtare. Për kolegët, Enriku ishte gazetari që nuk e priste lajmin në redaksi, por shkonte ta gjente vetë aty ku ndodhte. Ai mbuloi me profesionalizëm të lartë kronikën e zezë, aksidentet, operacionet policore dhe fatkeqësitë natyrore në jug të vendit. Në një profesion ku koha matet me sekonda, ai ishte gjithmonë ndër të parët në vendngjarje.

Humbi jetën në një aksident tragjik/ Karriera e gjatë e

Një nga momentet që dëshmoi më së miri guximin e tij profesional dhe qytetar ishte raportimi i drejtpërdrejtë gjatë grabitjes së armatosur të një argjendarie në Vlorë, në vitin 2021. Ndërsa të tjerët largoheshin nga rreziku, Mehmeti iu afrua autorit të armatosur i cili madje i drejtoi armën duke mos u tërhequr deri në përfundim të ngjarjes. Me këtë akt, ai jo vetëm që raportoi të vërtetën live, por ndihmoi në shmangien e një tragjedie, duke deklaruar më pas se po bënte njëkohësisht detyrën si gazetar dhe si qytetar.

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Enrik Mehmeti bashkëpunoi me mediat më të rëndësishme në vend. Për më shumë se 20 vite, ai i mbeti besnik logos së News24, duke e kthyer profesionin në një mënyrë jetese.

Humbi jetën në një aksident tragjik/ Karriera e gjatë e

Gjithashtu, ai ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i redaksisë së CNA-së dhe shërbeu si korrespondent për televizionin italian Rai, duke i dhënë zë Shqipërisë drejtpërdrejt në arenën ndërkombëtare. Motoja e tij e jetës ishte se nëse ka diçka që nuk bëhet, atë do ta bëjë patjetër, një fjali që përmbledh më së miri vendosmërinë dhe pasionin e tij.

Ai u dallua jo vetëm për ekskluzivitetet gazetareske, por edhe për ndjeshmërinë e thellë ndaj problemeve të komunitetit dhe gatishmërinë për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Për kontributin e tij të vyer në gazetari dhe angazhimin në çështjet sociale, në vitin 2015 u vlerësua me titullin “Personazhi i Vitit Vlorë”.

Largimi i tij i parakohshëm lë një boshllëk të pazëvendësueshëm. Enrik Mehmeti do të kujtohet përherë si reporteri sypatrembur që nuk e braktisi kurrë terrenin, që jetoi me dhe për lajmin, dhe që vendosi misionin e informimit të publikut mbi çdo vështirësi dhe rrezik./ CNA





Lajmet e fundit nga