web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Erion Veliaj, fati i tij “shpresë dhe marrëzi”

23 Shtator 2025, 11:23, Editorial CNA

Erion Veliaj, fati i tij “shpresë dhe marrëzi”

Kryebashkiaku i burgosur i Tiranës, Erion Veliaj, i cili tashmë pritet të gjykohet me 13 akuza të rënda penale, ka filluar “betejën” e tij me kryeministrin Rama. Një betejë që në fakt lidhet me karrierën politike të kryebashkiakut të Tiranës, që vjen me një karrierë në luftë me socialistët në vitin 2004 si bashkëpunëtor i ngushtë i Berishës, më pas si aleat i Edi Ramës, duke marrë vetëm një “grusht vota” si “99-ç” në vitin 2009.

Më tej deputet e ministër dhe tani i burgosur për vepra të rënda penale me akuza korrupsioni, pastrim i produkteve të veprës penale etj.

Fati i Erion Veliajt është “shpresë dhe marrëzi” në këto momente. Shpresë, nga ana e tij, për të shpëtuar imazhin dhe figurën. Këtë e pamë dhe e lexuam edhe në përgjimet e publikuara nga mediat dhe në mënyrë të veçantë nga CNA, ku dukej se kryebashkiaku kishte shpresë për t’u rikthyer në politikë, për të qenë në postet e tij, për të pasur një aktivitet.

Populli ka dhe një shprehje, “Shpresa vdes e fundit”.

 

Përtej shpresës është edhe marrëzia

Marrëzia e Erion Veliajt për të mbajtur gjallë atë që shkruam dhe më sipër, karrierën e tij politike. Për të shpëtuar, pasi gjithmonë e ka konsideruar veten të gjithëpushtetshëm. Ndoshta jetonte në një tjetër univers. Diku duke folur dhe për b*l*t e tij prej hekuri, që kontrollonin SPAK-un. Është po ky SPAK që tashmë e ka çuar në gjykatë me një dosje voluminoze me plot 13 akuza dhe një dosje tjetër nën hetim, për të cilën ende nuk dihet deri ku ka shkuar mbledhja e fakteve dhe provave.

Marrëzia e Erion Veliajt fillon me avokatët e huaj, me gënjeshtrat e tij se po i shkelen të drejtat që nuk i lejohet të ketë një avokat anglez apo amerikan. Në fakt, ai dhe avokatët e tij shqiptarë e dinë mjaft mirë se Kodi Penal e ka të qartë: mund të përfaqësohesh vetëm nga dy avokatë. Dhe Erion Veliaj ka dy avokatë shqiptarë. Mund të përfaqësohesh nga avokatë të huaj kur ata janë përfaqësues të studiove ligjore në një nga vendet e BE-së. As SHBA-ja dhe as Britania nuk janë pjesë e BE-së.

Pra, kjo është një nga marrëzitë e para, nga “vetëpushkatimet” publike që bën Erion Veliaj, i cili me sa duket kërkon t’i përdorë në Strasburg. Në fakt, nuk i përdor dot as në zyrën ligjore të bashkisë, me Alban Dokushin, sepse edhe ky i fundit do t’ia kishte hedhur surratit këto teza.

Marria shkon tek akuzat se mediat nxorën sekretet hetimore, kur në fakt gjithçka ka dalë pasi dokumentet u janë dhënë avokatëve të Erion Veliajt. E rastësishme që avokatët ua jepnin apo konfirmonin gazetarëve dhe më pas akuzonin mediat se i kishin nxjerrë dhe burimi ishin prokurorët?!

 

Marrëzia e tretë ishte mashtrimi që u bë disa herë në mënyrë të përsëritur se prokurori Ols Dado i kishte kërkuar Erion Veliajt leje për një shtesë. Në fakt, prej gati 5 javësh CNA u kërkon kryebashkiakut dhe avokatëve të tij të publikojnë dokumentin që mban firmën e Ols Dados. Pra, kërkesën e këtij të fundit dhe refuzimin e kryebashkiakut me firmën e Erion Veliajt. Dhe kjo nuk po publikohet.

Më tej, mashtrimet publike, marritë e tij se nuk po hetohej gruaja, nuk kishte asnjë hetim, por disa verifikime për Ajolën. Mashtrimet e tjera publike, se nuk kishte hetim ndaj Erion Veliajt dhe se ai po shkonte të bënte një lëvizje proaktive. Po shkonte te çunat që ta dëgjonin ata siç donte ky. Ndoshta kujtonte se prokuror do të kishte Arben Rakipin. Në fakt, ky i fundit me familjarët e tij, i kanë çuar akuzën e 13-të, atë të shpërdorimit të detyrës.

 

Fati i Erion Veliajt është vërtetë shpresë dhe marrëzi. Dikush mund t’i uronte paç fatin e k**vës, siç është një shprehje popullore.

Marrëzia pa fund dhe shpresa që po vdes

Në fakt, Erion Veliaj ka fatin e tij. Erion Veliaj e shkroi vetë fatin e tij politik dhe ligjor, sepse ende sot, gati 8 muaj pas prangave, apo gati më shumë se një vit e gjysmë pas nisjes së hetimeve, kryebashkiaku i Tiranës, i cili ndodhet pas hekurave, nuk është përpjekur kurrë të përballet me të vërtetën. Nuk ka qenë kurrë në nivelin e një qytetari dhe intelektuali që duhet të përfaqësojë kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Nuk mundi dot kurrë të shkëputej nga lidhja me karrigen e tij, pra të jepte dorëheqjen kur po hetohej. Të dilte i pafajshëm dhe pastaj kishte një karrierë të ndritur politike përpara. Por dhe sot po përpiqet të krijojë një lëmsh te socialistët, një rrëmujë. Vazhdon me mashtrime, me lëvizje që tregojnë sërish marrëzi.

Del publikisht dhe thotë se kërkon të dëgjohet. Në fakt, që të dëgjohet në Këshillin Bashkiak duhet t’u drejtohej prokurorëve, jo Këshillit Bashkiak. Ka mundësinë ta regjistrojë me audio, ka mundësinë ta shkruajë, ta dërgojë. Të gjitha këto janë lëvizje të pashpresa të kryebashkiakut Veliaj, sepse Asambleja socialiste, kryeministri, kryetari i partisë së tij, që e ka kandiduar, doli dhe tha të shkarkohet. Nuk pati kurajë Erion Veliaj të jepte dorëheqjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit, por vazhdoi dhe u përpëlit e u tërhoq zvarrë, për t’u përballur me Edi Ramën.

Edhe tani që po e shkarkojnë krijon ngërç, presione, do të shkojë në Kushtetuese, do të shkojë në Strasburg. Nuk ka kurajë të thotë: “Po më shkarkoi PS-ja, unë jap dorëheqjen, shkoj e përballem me drejtësinë”. Sepse ai e di që nuk është i pafajshëm, por ai fatin e tij po e bën “shpresë dhe marrëzi”, kur në fakt shpresa vdes e fundit.

Por marrëzia është kur partia politike dhe faktet janë para syve të tu. Ti i shikon dhe me çdo hap që hedh, me marrinë tënde, shkatërron fatin në çdo lëvizje ligjore dhe politike që kryen.

 

Pa asnjë diskutim që fati i Erion Veliajt është thjesht dhe vetëm, shpresë dhe marrëzi. Ku marrëzia është pa fund dhe shpresa duket se po vdes./CNA





Lajmet e fundit nga