web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dosja “Berisha”, si akuzë për Arben Krajën dhe të shkuarën e SPAK-ut

15 Shtator 2024, 16:07, Editorial CNA
Dosja “Berisha”, si akuzë për Arben Krajën dhe
Fotomontazh - Arben Kraja, në sfond SPAK

Në media po publikohet dosja e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezit. 

Disa media, në mënyrë të turpshme, thonë aferë e madhe, korrupsion, skandale të Berishës, por mjafton të lexosh detajet e dosjes me gjakftohtësi. Po shohim disa prej tyre, më të thjeshtat.

Së pari, në dosje pretendohet korrupsion pse Jamarbër Malltezi ka dhënë para për fëmijët me autizëm në fondacionin e vjehrrës së tij. E në qoftë se ka bërë bamirësi duhen falënderuar që Malltezi dhe Argita Berisha kanë punuar për vite të tëra në Kosovë, kanë qenë shumë të mirëpaguar dhe kanë ardhur me një pasuri të deklaruar shumë të madhe, për më tepër bëjnë edhe bamirësi për fëmijët me autizëm. (Lexo këtu)

Dosja “Berisha”, si akuzë për Arben Krajën dhe
Jamarbër Malltezi dhe Argita Berisha Malltezi

Kjo nuk është për t’u shkruar në aktakuzën e SPAK-ut dhe nuk është provë korrupsioni pse dhëndri dhe vajza financojnë vjehrrën dhe fondacionin e saj që ndihmon fëmijët me autizëm. Kjo është për t’u lavdëruar. 

SPAK-u nuk ka pse bën lavdërime, por nuk mund të ngrejë akuza mbi të tilla fakte, sidomos Arben Kraja, ish-drejtuesi i SPAK-ut, një prokuror që pretendon se është profesionist, ka drejtuar institucione.

Për Arben Krajën ka mjaft akuza për drejtimin e SPAK-ut që nga copëtimi i dosjes së inceneratorëve, që nga caktimi i dosjeve te prokurorë të cilët garantoheshin se kishin mbështetje te qeveria dhe lidhje me pushtetin, siç është rasti i tij me mbesën e punësuar në Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që vetë është personi që mori në dorë dosjen e icneneratorit të Tiranës.

Ky rast është një konflikt i pastër interesi, për këtë arsye një prokuror profesionist nuk duhet të ishte më në SPAK. Dhe nga ana tjetër drejton gishtin.

Shumë mirë bën që e heton Sali Berishën, t’ia gjejë të gjitha akuzat për korrupsion, ta dërgojë edhe në burg nëse ka bërë korrupsion, por nuk mund të akuzojë se dhëndri i tij i jep vjehrrës, bashkëshortes së Sali Berishës, ndihmë financiare për fëmijët me autizëm.

Nga ana tjetër, ajo që është kriminale dhe e dhimbshme është fakti se akuzohet si korrupsion se fëmijët kanë paguar për shërbimet shëndetësore të nënës së tyre, të vjehrrit të tyre. Po si mundet të jetë një akuzë SPAK-u për paratë që paguan për shëndetin e nënës dhe babait?

Dosja “Berisha”, si akuzë për Arben Krajën dhe
SPAK

A kanë nënë? A kanë prindër? A i kanë ndihmuar ndonjëherë Arben Kraja apo dhe zonja Millonai? Çfarë duhet të ndodhë? Duhet ta punësosh mbesën në bashki që ajo të marrë lekët dhe pastaj t’u shërbejë motrës dhe vëllait, a është ky korrupsion?

Quhet korrupsion në qoftë se mbesa e Arben Krajës për prindërit e saj paguan para me rrogën që ka marrë në shtet si punonjëse e Bashkisë së Tiranës, kushërinj, nipër dhe mbesa të punësuara në administratë të prokurorëve, jo vetëm të Arben Krajës?

Dhe nuk ka vetëm Arben Kraja persona të punësuar në administratë, ka edhe Edvin Kondili dhe shumë prokurorë të tjerë të SPAK-ut. Këta janë pikërisht koha e historisë së shkuar të SPAK-ut. Ne në CNA e kemi thënë shpesh, i kemi drejtuar edhe gishtin Sali Berishës, duke i thënë mos ngatërro Arben Krajën me Altin Dumanin. (Lexo këtu)

Dosja “Berisha”, si akuzë për Arben Krajën dhe
Arben Kraja

Dosjen e Sali Berishës në SPAK e ka dërguar Taulant Balla, Partia Socialiste dhe e ka marrë pikërisht drejtuesi i SPAK-ut për ta hetuar gjatë kohës që ka qenë kryetar i këtij institucioni dhe ka qenë i vullnetshëm vendimi për ta dërguar deri në fund këtë çështje dhe shumë mirë bëri, por çfarë bëri. 

Na sjell akuza llahtarisëse që na qenkan shpenzimet e Argitës për shëndetin e prindërve apo paratë e dhëna për fëmijët me autizëm në fondacionin e zonjës Berisha.

Ndaj dhe këto dy pika rrëzojnë shumë fakte dhe shumë gjëra në atë dosje, tregojnë sa inatçor, sa dashakeqës, sa mynxyrë është ndërtuar një hetim.

Dosja “Berisha”, si akuzë për Arben Krajën dhe
Lirie dhe Sali Berisha

A mund të kursente Arben Kraja Erion Veliajn si kryetar bashkie kur kishte punësuar të afërmit atje sepse me të ardhurat e tyre do të paguheshin familjarët për t’u shëruar? A duhet ta kursente Arben Kraja të njëjtën gjë qoftë për Malltezin apo Argita Berishën, apo për vetë Saliun, apo për zonjën Berisha.

Krim, korrupsion dhe lidhje korruptive, sipas Arben Krajës, është të paguash për fëmijë me autizëm dhe të paguash shpenzimet për shëndetin e prindërve.

Ndoshta nuk kanë prindër, ndoshta nuk kanë shpirt, ndoshta nuk e kuptojnë se ato paragrafë në një akuzë të tillë vetëm këtë thonë. Janë të pashpirt dhe ndalo dorën e Zot se nuk dinë se çfarë bëjnë./ CNA





Lajmet e fundit nga