LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse duhet ta marrim seriozisht idenë e mbrojtjes europiane

9 Qershor 2022, 10:05, Blog Josep Borrell

Pse duhet ta marrim seriozisht idenë e mbrojtjes europiane

Lufta e Rusisë në Ukrainë e ka detyruar Bashkimin Europian të adresojë sfidat e vjetra strategjike. Detyra më emergjente është t’i jepet fund varësisë së Europës nga importet ruse të energjisë, dhe ky proces po ndodh tani, me një embargo graduale të naftës, që do të arrijë në masën 90 për qind deri në fund të vitit.

Por Europa duhet të zhvillojë edhe një politikë efektive të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe aftësitë e nevojshme për ta zbatuar atë. Edhe pse në vetvete kjo ambicie nuk është e re, tani kemi një shtysë të re për ta realizuar atë. Lufta e Rusisë e bëri më se të qartë se ne kemi nevojë për një hap madhor drejt një bashkimit më të madh të investimeve të mbrojtjes.

Ky ishte përfundimi kryesor i diskutimeve më të fundit të Këshillit Europian për mbrojtjen.

Nuk ka dy probleme politike të njëjta. Ndonjëherë, një sfidë duket aq e re dhe e paprecedentë saqë nuk mund të trajtohet derisa të kishte një vlerësim të duhur mbi një peizazh të ndryshuar. Dhe ndonjëherë zgjidhjet dihen, por mungojnë burimet për to.

Debati europian mbi sigurinë dhe mbrojtjen, përfshihet në një kategori të tretë: "diagnoza” dhe “recetat” janë të qarta, por ka pasur një mungesë të theksuar të vullnetit politik. Ne e dimë prej vitesh – madje prej dekadash  - se qeveritë europiane kanë shpenzuar shumë pak për mbrojtjen, dhe në një mënyrë shumë të fragmentuar.

Rezultati është se na mungojnë aftësitë ushtarake për të garantuar sigurinë tonë apo për të shërbyer si një partner i aftë për NATO-n. Ne duhet të shpenzojmë më shumë, dhe ne duhet të bëjmë më shumë shpenzime të përbashkëta. Përgjatë viteve, shumë politikanë europianë, institucione, ministri të mbrojtjes, grupime ekspertësh, etj., kanë publikuar raporte dhe propozime që bëjnë thirrje për më shumë shpenzime për mbrojtjen.

Këto këshilla kanë reflektuar një konsensus të qartë dhe të vendosur midis ekspertëve në lidhje me këtë çështje. Për më tepër, në vitin 2004, BE-ja krijoi Agjencinë Europiane të Mbrojtjes (EDA) për të mbështetur shtetet anëtare me projekte të përbashkëta kërkimi, zhvillimi dhe prokurimi.

Por pas krizës financiare të vitit 2008, shumë vende i reduktuan shpenzimet e tyre të mbrojtjes, duke reduktuar edhe pjesën e buxheteve të tyre, që i përket investimeve të përbashkëta në fushën e sigurisë. Që nga ajo kohë, qeveritë i kanë shmangur shpenzimet e përbashkëta, ndërsa kanë vazhduar të vënë në plan të parë prokurimin kombëtar (shpesh për arsye politike, për mbështetjen e industrive vendase dhe punësimit).

Dhe rezultati ka qenë dramatik. Gjatë viteve 2009-2018, shkurtimet e buxheteve të mbrojtjes nga shtetet anëtare, arritën në një total prej rreth 160 miliardë eurosh. Dhe ç’është me e keqja, shumë vende të tjera në mbarë botën kanë ecur përpara.

Në 20 vitet e fundit, shpenzimet e përbashkëta për mbrojtjen në BE u rritën me vetëm 20 për qind, krahasuar me 66 për qind për Shtetet e Bashkuara, gati 300 për qind për Rusinë dhe 600 për qind për Kinën. Edhe më alarmant është fakti që vitin e kaluar, Europa shënoi një nivel të ri të ulët, kur vetëm 8 për qind e shpenzimeve në pajisje shkuan për investime të përbashkëta, shumë larg nivelit 35 për qind, që ishte edhe objektivi i vendeve anëtare të BE-së.

Ky shpenzim i pamjaftueshëm dhe kjo mungesë bashkëpunimi, po u kushton vendeve të BE-së (dhe rrjedhimisht edhe taksapaguesve) dhjetëra miliarda euro në vit, për shkak të shpenzimeve të tepërta dhe mungesës së efikasitetit. Por s’ka pse të jetë kështu.

Ne i kemi mundësinë dhe fuqinë të ndryshojmë kurs, dhe tashmë e dimë rrugën që duhet ndjekur. Përmes Busullës Strategjike, institucionet e BE-së dhe të 27 shtetet anëtare, kanë hartuar një udhërrëfyes. Ne kemi në dispozicion mjete dhe një kuadër ligjor dhe institucional të gatshëm - duke filluar nga Bashkëpunimi i Përhershëm i Strukturuar dhe Fondi Europian i Mbrojtjes - për të ndihmuar shtetet anëtare të kryejnë kërkimet, zhvillimin dhe investimet në një mënyrë më të koordinuar.

Por ne duhet t’u ofrojmë stimuj financiarë për projekte të përbashkëta, dhe të shkojmë drejt një programimi më strategjik të tyre. Po ashtu duhet ta forcojmë bazën industriale dhe teknologjike të mbrojtjes së BE-së, duke mbështetur kërkimin dhe zhvillimin, si dhe duke shfrytëzuar potencialin e teknologjive të reja shkatërruese.

Siç u thashë pak kohë më parë udhëheqësve europianë kur e miratuan këtë qasje, si Komisioni Europian ashtu edhe EDA mund të ndihmojnë me koordinimin. Është e vërtetë që është shndërruar në një klishe, të thuash, në politikën europiane se na mungon vetëm vullneti politik për të përdorur mjetet që kemi në dispozicion.

Por klishetë janë përgjithësisht të vërteta. Ne europianët priremi të marrim vendime të vështira vetëm kur kemi provuar gjithçka tjetër, dhe kur jemi përballë një krizë akute. Këto kushte janë plotësuar tashmë. Ne po shohim Rusinë të zhvillojë një luftë brutale kundër Ukrainës, një luftë që ka nënvizuar dobësitë e vetë Europës, duke zbuluar të metat e vjetra në aftësi, por edhe nevoja të reja (si rimbushja e rezervave tona të pakësuara).

Për më tepër, kjo krizë vjen në krye të shumë kërcënimeve të tjera, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë. Interesat europiane po sfidohen në të gjitha fushat strategjike, duke përfshirë kibernetikën, transportin detar dhe hapësirën.

Prandaj ne duhet të zhvillojmë mjetet për të mbrojtur veten në një botë të rrezikshme. Kjo do të kërkojë jo vetëm më shumë shpenzime për mbrojtjen, por shpenzime më të mira për mbrojtjen. Ne duhet të investojmë më shumë së bashku, për të garantuar sigurinë tonë kolektive.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga