web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ballkani Perëndimor, në një rend botëror kaotik dhe pa udhëheqës

11 Gusht 2023, 20:55, Blog Zoran Ivanov

Ballkani Perëndimor, në një rend botëror kaotik dhe pa

Çrregullimi aktual i rendit ndërkombëtar, është rezultat i humbjes së vizionit të udhëheqjes nga Perëndimi (të udhëhequr nga SHBA-ja), duke çuar në një krizë të rëndë të rendit  ndërkombëtar liberal. Kjo krizë karakterizohet nga faktorë të ndryshëm të ndërlidhur midis tyre, të cilët po e sfidojnë stabilitetin dhe zhvillimin global.

Në këtë kontekst, rajoni i Ballkanit Perëndimor  - një term politik i krijuar nga Bashkimi Evropian - e gjen veten në një moment kritik, duke u përballur me dobësi unike, të cilat mund të shkaktojnë një shpërthim të konflikteve të vjetra. Kaosi aktual global është pasojë e krizës në rendin ndërkombëtar liberal.

Erozioni i multilateralizmit, nacionalizmi në rritje, pabarazia ekonomike, reagimi kundër globalizimit dhe më e rëndësishmja humbja e besimit tek demokracia, janë faktorët më jetikë që po kontribuojnë në krizën globale aktuale.

Për më tepër, lufta në Ukrainë ka potencialin të përshkallëzohet në një konflikt global në rast se nuk mbizotëron arsyeja e shëndoshë. Brenda këtij konteksti, Ballkani Perëndimor përballet me një sërë sfidash unike.  Ai duhet të ecë përpara duke sfiduar pavendosmërinë e Perëndimit por edhe natyrën grabitqare të Lindjes, të udhëhequr kryesisht nga Rusia dhe Kina.

Kjo lloj përballjeje ka sjellë institucione të dobëta, pabarazi ekonomike, ndarje sociale dhe përshkallëzim të rreziqeve të sigurisë, që mund të çojnë në një kolaps të plotë. Sepse këto dobësi e pengojnë stabilitetin rajonal, zhvillimin ekonomik dhe paraqesin pengesa për integrimin dhe bashkëpunimin. Për më tepër, rajoni ka detyrimet e veta, të cilat nxisin padurimin rajonal dhe stanjacion ekonomik, duke e shtuar më tej rrezikun e përshkallëzimit të situatës.

Arsyeja dhe rezultati

Çrregullimi aktual i rendit global, i karakterizuar nga luftërat, normat e larta të inflacionit dhe ngecja e rritjes ekonomike, buron nga humbja e vizionit të udhëheqjes nga ana e Perëndimit. Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja parashtroi një vizion për një të nesërme më të mirë.

Dhe rendi ndërkombëtar liberal u bë platforma për të realizuar këtë vizion. Shumë vende u rreshtuan me Perëndimin për të siguruar një të ardhme të begatë. Kjo është një nga arsyet kryesore pse SHBA-ja dominoi me fuqinë e saj të butë, edhe pse kjo çështje meriton një analizë më vete.

Sa i përket rivaliteteve gjeopolitike, shumë analistë kanë shqyrtuar me imtësi kapacitetin global të Rusisë dhe Kinës për ta sfiduar Perëndimin. Njëkohësisht, është argumentuar shpesh se të dyja vendet nuk ishin mjaftueshëm të forta për ta sfiduar Perëndimin gjatë rimëkëmbjes së tyre nga 2 luftërat botërore.

Megjithatë, shpjegimi i vërtetë qëndron tek një nga aftësitë më të rëndësishme të lidershipit: shpalosjen e një vizioni. Pas Luftës së Ftohtë, Perëndimi në dallim nga Lindja, shpalosi vizionin për një të ardhme të begatë dhe u ofroi shpresë shumë vendeve për të punuar së bashku në këmbim të përfitimeve të ndërsjellta.

Nuk mund të mohohet fakti që në atë kohë as Rusia dhe as Kina nuk mund të dominonin në  arenën globale. Ato nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë as sot. Lufta e Ftohtë, shërben si një pikë referimi e mirë për të matur aftësinë e Lindjes për të zhvilluar luftë kundër Perëndimit. Lufta e vazhdueshme në Ukrainë, na shërben si një kujtesë se vendet zotërojnë ende aftësinë për t’u përfshirë në luftë. Në këtë kontekst, entiteti që e merr udhëheqjen globale dhe paraqet një vizion të qartë, do të jetë përcaktues në formësimin e rendit të ardhshëm botëror. Të tjerët ose do të ndjekin shembullin ose do të përshtaten në përputhje me rrethanat.

Duke marrë parasysh prioritetet dhe qasjet aktuale të Rusisë dhe Kinës në fushën e konkurrencës gjeopolitike, është e domosdoshme që Perëndimi të rimarrë rolin e tij udhëheqës dhe të krijojë pa humbur kohë një vizion të ri.

Aq më tepër që Tuqia ka një pozicion gjeografik unik, i cili e vendos atë në pozicionin e duhur për të luajtur një rol udhëheqës apo për të shërbyer si një shembull i udhëheqjes. Ajo shërben si një urë lidhëse kyçe midis dy kontinenteve, duke e bërë atë një faktor të rëndësishëm në ruajtjen e një ekuilibri delikat midis Perëndimit dhe Lindjes.

Turqia ka treguar se është një partnere aleate, ndërsa bashkëpunon me efektivitet dhe nxit marrëdhëniet e rëndësishme me vendet e Lindjes së Mesme, Azisë dhe Kaukazit. Sistemi global ka pësuar ndryshime të shpejta gjatë shekullit të kaluar, dhe sot e gjejmë veten duke jetuar në atë që ka mbetur nga rendi ndërkombëtar liberal.

Keq-menaxhimi i këtij rendi nga udhëheqësit dhe politikanët perëndimorë, të cilëve u mungon llogaridhënia, ka shkaktuar rritjen e populizmit, pabarazisë, migrimit të detyruar dhe sfida të tjera të ndryshme. Fuqitë e mëdha janë bërë grabitqare, ndërsa ato të mesme përpiqen që të balancojnë duke mbrojtur interesat e tyre kombëtare me ato të fuqive të mëdha.

Nga ana tjetër, duket se shteteve të vogla u kanë mbaruar opsionet, dhe janë të detyruara të zbatojnë politikën e fuqive të mëdha, duke rrezikuar edhe përfshirjen në luftëra. Lufta e vazhdueshme në Ukrainë, shërben si një shembull i përsosur. Prandaj, mbetet ende pa përgjigje pyetja kritike:Si mund të kontrollohen fuqitë e mëdha për të parandaluar ndodhjen e veprimeve të pamatura?

Stabilitokraci dhe zhvillim

Etiketimi fatkeq “Ballkani Perëndimor”, që i është vendosur rajonit nga BE-ja, është pasojë e drejtpërdrejtë e krizës me të cilën po përballet rendi ndërkombëtar liberal. Ndërsa fuqitë perëndimore arritën të vendosnin paqen në këtë rajon gjatë viteve 1990, ato dështuan të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme afatgjata, të cilat do të siguronin një zhvillim të vazhdueshëm.

Me kalimin e kohës, Marrëveshja e Dejtonit, që fillimisht synoi të siguronte paqen, gradualisht u vjetërua. Dhe ky ishte një rezultat i parashikueshëm, sepse marrëveshja nuk ishte krijuar për të nxitur zhvillimin. Statusi i njohjes së Kosovës si një shtet i pavarur mbetet i pandryshuar.

Objektivi kryesor në Ballkan ishte ruajtja e paqes dhe jo arritja e zgjidhjeve strategjike dhe të qëndrueshme që promovojnë sundimin e ligjit, kultivojnë një kulturë demokratike dhe nxisin zhvillimin ekonomik. Nga njëra anë, fuqitë perëndimore e pohojnë përkushtimin e tyre për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Nga ana tjetër, edhe politikanët në rajon i bëjnë jehonë ndjenjave të ngjashme. Megjithatë, asnjëra palë nuk ka ndërmarrë hapa të prekshëm apo të ketë marrë përgjegjësinë për të përmbushur detyrimet e tyre përkatëse. Ndaj janë të nevojshme veprime konkrete për të adresuar sfidat e pazgjidhura dhe për të përfunduar detyrat në fjalë.

Me kalimin e kohës, rajoni ka kaluar në një gjendje “stabilitokracie” në vend të demokracisë. Për sa kohë që paqja ruhet, BE-ja dhe SHBA-ja me apo pa dashje kanë toleruar politikanë të ndryshëm dhe regjimet e tyre, siç theksohet së fundmi edhe nga raporti i fundit i Clingendael Institute.

Stabilitokracia është një regjim me mangësi të konsiderueshme në aspektin e qeverisjes demokratike. Gjithsesi ai gëzon legjitimitet të jashtëm (nga BE dhe SHBA) për shkak të stabilitetit të perceptuar që garanton. Ky model lejon të mbajnë pushtetin të njëjtat elita politike të korruptuara, ndërkohë që BE dhe SHBA ofrojnë një mbështetje të heshtur ose në dukje të paqëllimshme.

Shumë politikanë rajonalë kanë mësuar ta flasin “gjuhën e BE-së”, por shumë pak prej tyre kanë ndërmarrë hapa konkretë drejt zbatimit të reformave reale. Ky model qeverisjeje është i rrënjosur thellë në kulturën politike aktuale të Ballkanit Perëndimor, duke nxitur korrupsionin, mungesën e transparencës dhe sundimin e kufizuar të ligjit, të cilat minojnë besimin e publikut dhe e pengojnë zhvillimin ekonomik.

Për të promovuar stabilitetin, tërhequr investime dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e rajonit, është thelbësore të forcohen institucionet, të rritet përgjegjshmëria dhe të luftohet korrupsioni. Për ta prishur këtë rreth vicioz, vendet në pjesën perëndimore të Ballkanit duhet që ta zhvendosin fokusin e tyre nga ndjekja e synimit të integrimit në BE si një ëndërr, dhe në vend të kësaj të përqendrohen më shumë tek nismat që promovojnë zhvillimin e brendshëm dhe rajonal.

Kjo e fundit kërkon nxitjen e vlerave të shteteve dhe zbatimin e parimeve që kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje të begatë. Njëkohësisht, Perëndimi global duhet të rimarrë rolin e tij udhëheqës dhe të shpalosë një vizion të ri, jo vetëm për Ballkanin, por edhe për hir të paqes dhe zhvillimit global.

Shënim:Zoran Ivanov, profesor në TOBB ETU dhe këshilltar në Institutin RINK në Lubjanë, Slloveni./ “Daily Sabah” - Përkthyer dhe përshtatur nga CNA





22:05 Blog

Si ta lësh duhanin?

Kushdo që është përpjekur të lërë duhanin do t'ju tregojë ...

Lajmet e fundit nga