web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rriten regjistrimet te “Fan Noli”/ Prifti: Procesi do të zgjasë deri më 11 shtator

29 Gusht 2025, 18:42, Aktualitet CNA


Në Universitetin “Fan Noli” të Korçës ka nisur procesi i regjistrimit të studentëve të rinj, i cili do të vijojë deri më 11 shtator.

Regjistrimet kryhen online përmes portalit U-Albania dhe zhvillohen në 7 faza, secila me afat 48-orësh.

Deri më tani, janë regjistruar rreth 50 studentë në të katër fakultetet që ofron ky universitet.

Sipas Artur Priftit, drejtor i kurrikulës dhe vlerësimit institucional, këtë vit vihet re një interes më i madh krahasuar me vitin e kaluar, me rreth 215 aplikime shtesë.

 

"Duke nisur nga data 29 gusht deri më 11 shtator ka filluar procesi i regjistrimit të studentëve në programet e studimit që ofron Universiteti “Fan Noli”, në të katër fakultetet e tij. Deri tani janë regjistruar rreth 50 studentë. Dua të theksoj se ka interes të veçantë për programet në fushën e teknologjisë si Teknologji Informacioni dhe Inxhinieri Informatike, të cilat janë programe shumë të kërkuara nga maturantët. Po ashtu, vijojnë të kenë interes programet tradicionale si Financë-Kontabilitet në Fakultetin e Ekonomisë, si edhe Infermieria dhe programet e Shkencave të Sportit. Procesi i regjistrimit do të vijojë në 7 faza, secila 48-orëshe, dhe kryhet përmes portalit U-Albania, ku maturantët aplikojnë dhe regjistrohen online. Në krahasim me një vit më parë, këtë vit kemi rreth 215 aplikime më tepër, çka tregon për një interes më të madh. Ne presim që numri i studentëve të regjistruar të jetë më i lartë se një vit më parë", tha Prifti.

Për sa i përket programeve të studimit, në Fakultetin e Ekonomisë pritet të mbyllet dega Ekonomiksi, e cila prej vitesh nuk ka tërhequr interes nga studentët.

Ndërkohë, një risi vjen nga Fakulteti i Bujqësisë, ku programi “Agroushqim” është riorganizuar dhe tashmë ofrohet si “Teknologji Ushqimore”, duke u përshtatur më mirë kërkesave të tregut të punës.

Pjesa më e madhe e studentëve të rinj vijnë nga rajoni i Korçës dhe qytetet përreth, por nuk mungojnë as aplikimet nga trojet, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët kanë kuota të veçanta të parashikuara për regjistrim.

"Shumica e studentëve që regjistrohen janë nga rajoni i Korçës dhe qytetet përreth. Gjithashtu kemi pasur interes, edhe pse të kufizuar, nga studentë nga trojet, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët regjistrohen me kuota të veçanta të parashikuara për këto programe", u shpreh Prifti.

 

Prifti shprehet optimist se këtë vit Universiteti “Fan Noli” do të ketë më shumë studentë të regjistruar krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar kështu interesin në rritje për programet e ofruara dhe për vetë institucionin arsimor të Korçës./ CNA





Lajmet e fundit nga