LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Përkeqësimi i motit/ Ministria e Mbrojtjes pasqyron situatën, ja problematikat

23 Janar 2023, 12:39, Aktualitet CNA
Përkeqësimi i motit/ Ministria e Mbrojtjes pasqyron situatën, ja
Foto ilustruese

Ministria e Mbrojtjes ka pasqyruar situatën në vend pas reshjeve të denduara të shiut dhe dëborës, të cilat kanë shkaktuar përmbytje apo bllokime të disa prej akseve rrugore.

Sipas të dhënave, i gjithë territori i vendit do të ketë reshje me intensitet të lartë, të cilat do të jenë më të përqendruara në jug të territorit. Në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane të këtyre qarqeve mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara.

Në zonat malore në lartësitë 700 - 800 m mbi nivelin e detit do të ketë reshje dëbore me intensitet të ulët.

Nga raportimet në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile nuk paraqiten problematika të theksuara.

Niveli i lumenjve Drin dhe Buna janë nën nivelin kritik dhe lumenjtë e tjerë janë në kuota normale duke mos paraqitur problem për përmbytje.

Kuotat e lumit Drin në pikëmatjen në Lezhë është në nivelin 0,5 m nga 2 m që është niveli kritik.

Në Shkodër në hidrometrin Ura e Bahçallëkut shënon kuotën 5,85 m nga 7,5 m niveli kritik.

Niveli i liqenit në hidrometrin Ura e Bunës shënon kuotën 8,4 m nga 8,7 m niveli kritik.

Niveli i lumit Vjosa në pikëmatjen Ura e Mifolit është 4,7 m nga 8 m që është niveli kritik.

Hidroforët janë në gatishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë.

Sasia e prurjeve në basenin ujëmbledhës të Fierzës ditën e sotme është 600 m3/s; në basenin ujëmbledhës Koman - Vau i Dejës është në Koman 290 m3/s dhe Vau i Dejës 50 m3/s.

Në kaskadën e Drinit vijojnë shkarkimet me 303 m3/s. Shkarkimet në digën Ura e Fanit janë 39 m3/s. Në hidrocentralin Ulëz dhe Shkopet shkarkimet janë 220 m3/s.

Për sa i përket furnizimit me energji, ka problematika në të gjitha qarqet, më të pakta janë në qarkun Korçë dhe Kukës.

Strukturat e OSHEE janë duke punuar në terren pa ndërprerje për të rikthyer energjinë elektrike në kohë.

Në qarkun e Shkodrës në total ka rreth 1400 ha tokë bujqësore të përmbytur. Në njësinë administrative Ana e Malit është 1300 ha dhe njësinë administrative Dajç është 100 ha.

Më qarkun e Lezhës kemi zvogëlim të sipërfaqes së tokës së përmbytur nga 690 ha që ishte në datën 22 janar 2023 në 350 ha. Në Bashkinë Lezhë janë 250 ha dhe në Bashkinë Kurbin 200 ha.

Për sa i përket infrastrukturës rrugore, vijon qarkullimi normalisht në të gjitha rrugët nacionale.

Në Bashkinë e Tropojës trashësia e dëborës ndryshon nga 15 cm deri në 50 cm, në bashkinë Kukës në disa zona trashësia e dëborës është nga 10 cm deri në 25 cm.

Në aksin rrugor Korçë - Dardhë trashësia e dëborës arrin deri në 10 cm.

Vijon të mbetet i bllokuar nga ortekët e dëborës aksi Bogë - Theth, i cili ka prezencë dëbore mbi 1 m.

Vazhdon të jetë i lartë niveli i ujërave të "Përroit të Thatë" duke mbajtur të bllokuar segmentin rrugor Dedaj - Bogë, pikërisht në kilometrat 5,5 dhe 13,5, ku nëpërmjet sinjalistikës provizore kalimi orientohet në rrugë alternative.

Rruga e Obotit vijon me prezencë uji edhe ditën e sotme me një nivel 65 cm, për të cilën Forcat e Armatosura po mundësojnë transportin e qytetarëve.

Aksi rrugor në Currila, Bashkia Durrës, i cili u bllokua mëngjesin e sotëm nga rrëshqitjet e dherave është pastruar nga strukturat e bashkisë dhe vijon qarkullimi normalisht.

Strukturat e ARRSH dhe strukturat e pushtetit vendor po punojnë për pastrimin e rrugëve dhe kriposjen e tyre për të bërë të mundur qarkullimin e mjeteve.

Nga Ministria e Arsimit dhe Sportit është pezulluar procesi mësimor në 13 shkolla të njësive administrative Pult, Shosh dhe Shalë të Bashkisë Shkodër.

Situata e emergjencës në të gjithë territorin e RSH është nën kontroll, vazhdon pa ndërprerje bashkëpunimi dhe angazhimi i të gjitha institucioneve dhe strukturave të Sistemit të Mbrojtjes Civile.

Deri me tani janë angazhuar në nivel qendror 60 forca ushtarake me 7 mjete të kalueshmërisë së lartë.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, do të vijojnë të jenë në gatishmëri dhe do të aktivizojnë kapacitetet në nivel kombëtar për menaxhimin e çdo lloj situate që mund të krijohet si pasojë e kushteve të motit.

U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet me qëllime turistike në zonat ku ka prezencë dëbore, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të qarkullojnë me goma dimërore dhe zinxhirë sipas rekomandimeve të autoriteteve rrugore dhe të njoftojnë strukturat vendore dhe operacionale në çdo rast nevoje./ CNA.al

Lajmet e fundit nga