web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një vit përplasjesh në Kuvend/ Debate të ashpra dhe vendime kyçe në legjislaturën e re

1 Janar 2026, 09:40, Aktualitet CNA

Një vit përplasjesh në Kuvend/ Debate të ashpra dhe vendime

Viti 2025 ka qenë një vit i tensionuar për Kuvendin e Shqipërisë. Që nga seanca e parë plenare në janar deri në seancat e fundit plenare në dhjetor, debatet mes mazhorancës dhe opozitës janë shoqëruar me tensione, përplasje politike dhe akuza të forta nga të dyja palët.

Seanca e janarit 2025 nisi me debate të ashpra. PD akuzoi mazhorancën për shkelje të rregullores dhe kufizim të fjalës së opozitës. Sipas PD-së, Kuvendi nuk respekton opozitën dhe nuk garanton debat demokratik, ndërsa për PS, Kuvendi ka funksionuar sipas rregullores dhe ligjit.

Në shkurt dhe mars, tensionet u përshkallëzuan me ndërprerje seancash dhe përjashtime deputetësh. Përplasjet vazhduan mbi procedurat parlamentare dhe rolin e opozitës. Në seanca kryedemokrati Sali Berisha ripërsëriste se “kjo mazhorancë ka frikë nga fjala e lirë dhe kontrolli parlamentar.” Ndërsa për PS opozita po përpiqej të paralizonte punën e Kuvendit.

Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, debati u radikalizua edhe më shumë, me akuza për keqqeverisje dhe përdorim politik të institucioneve. Demokratët akuzonin mazhorancën se po përdor institucionet për interesat e saj. Ndërsa kreu i qeverisë, Edi Rama, artikulonte se opozita nuk kishte asnjë program dhe vetëm pengonte shumicën në Kuvend.

Më 11 maj 2025 u zhvilluan zgjedhjet parlamentare që sollën një përbërje të re të Kuvendit dhe hapën rrugën për legjislaturën e re që nisi në shtator.

Në 12 shtator 2025, në seancën konstituive të legjislaturës së re, me 135 deputetë të betuar atë ditë dhe pjesa tjetër më pas, u zgjodh edhe Niko Peleshi si kryetar i Kuvendit me 84 vota pro. Niko Peleshi tha se e konsideronte privilegj dhe përgjegjësi të shërbente Kuvendin në një moment që e cilësoi historik për vendin, i cili synon integrimin në BE.

Opozita bojkotoi procesin politikisht, duke protestuar me pankarta në vend të fletëve të votimit. Peleshi u shpreh se Kuvendi duhet të funksionojë në bazë të Kushtetutës, rregullores dhe etikës parlamentare dhe bëri thirrje për bashkëpunim mes palëve.

Pas zgjedhjes së tij si kryetar i Kuvendit në shtator 2025, Partia Demokratike formalizoi një kërkesë zyrtare për shkarkimin e Niko Peleshit nga posti. Demokratët argumentuan se ai kishte kryer disa shkelje të Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës, duke mohuar të drejtat e opozitës dhe duke drejtuar punimet parlamentare në mënyrë të njëanshme. Më 30 tetor 2025, Kuvendi rrëzoi kërkesën për shkarkimin e Peleshit me 79 vota kundër dhe vetëm 10 pro, duke e lënë atë në funksion si kryetar.

Nga ana e mazhorancës socialiste, kërkesa u konsiderua e pabazuar dhe e motivuar politikisht, ndërsa theksuan se Peleshit i ishte kërkuar respektimi i rregullores dhe se nuk kishte prova për shkelje që kërkojnë shkarkim.

Në një nga seancat parlamentare të dhjetorit 2025, debati për projektligjin e barazisë gjinore u shndërrua në një incident që përfundoi me përjashtimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga punimet e Kuvendit për 10 ditë. Ky vendim erdhi pas deklaratave të Berishës ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, duke e akuzuar atë se po “ndikonte drejtpërdrejt në procesin e miratimit të ligjit” për interesa të tij personale, deklarata që socialistët i konsideruan fyese dhe denigruese. 

Reagimet ndaj deklaratave të Berishës u përhapën edhe jashtë Kuvendit. Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi këtë qasje si të papranueshme, duke theksuar se barazia gjinore dhe jodiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE dhe procesit të anëtarësimit dhe jo kërkesa personale të një diplomati. Debati për ligjin në fjalë ishte i gjatë dhe i ashpër, ndërsa u miratua me 77 vota pro dhe 36 kundër.

Në seancat e fundit të dhjetorit 2025, Kuvendi miratoi çështje të rëndësishme, përfshi draftin e Buxhetit 2026, duke shënuar edhe një tjetër fazë përplasjesh politike. Draftet dhe miratimet u debatuan për orë të tëra, me akuzat për mungesë dialogu dhe bllokimesh procedurale. Deputetët e PD-së thanë se miratimi i buxhetit u bë pa konsensus dhe pa respekt për debatet e opozitës. Ndërsa për PS-në buxheti i 2026-s është një hap strategjik për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.

Përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës u përqendruan edhe te procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit, një nga institucionet kyçe të pavarura. Opozita akuzoi mazhorancën për mungesë konsensusi dhe votim të njëanshëm, ndërsa socialistët theksuan se procedurat kushtetuese ishin respektuar dhe se vetë opozita kishte dhënë firmat dhe më pas i kishte tërhequr për emrin e Endrit Shabanin, i cili pavarësisht kundërshtimeve u zgjodh në postin e Avokatit të Popullit me 85 vota pro.

Ka degjeneruar në kaos, tension dhe përplasje fizike seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar. Gjithçka filloi përpara nisjes së punimeve, ku deputetët e opozitës, pasi hynë në sallë, zaptuan karriget e ministrave, duke shkaktuar përplasje me Gardën. Konflikti agravoi deri në konfrontim fizik mes tyre, çka u kushtoi dy deputetëve demokratë, Flamur Nokës dhe Klevis Balliut, përjashtimin nga seanca plenare.

Mes flakadanëve, hedhjes së ujit dhe shisheve në adresë të kryetarit të Kuvendit, në seancë u betua edhe kreu i ri i Avokatit të Popullit, Endrit Shabani. Për shkak të tensioneve në sallë, seanca u ndërpre, por me rinisjen e saj, Taulant Balla, në emër të grupit parlamentar të socialistëve, kërkoi kalimin direkt në votim të projektligjeve. Mazhoranca miratoi e vetme 11 projektligje mes kaosit dhe tensioneve, duke e mbyllur të fundit seancë plenare në përplasje me opozitën.

Viti parlamentar 2025 u mbyll me vendime të rëndësishme, por edhe me përplasje të forta politike. Nga debati për buxhetin, barazinë gjinore, te zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe funksionimi i legjislaturës së re të nisur në shtator, Kuvendi vijoi të mbetet një arenë konflikti mes mazhorancës dhe opozitës, duke lënë të hapur sfidën e dialogut politik për vitin që vjen. /CNA





Lajmet e fundit nga