web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Drejtor Rakipi duhet të zgjedhë: listën e fituesve e shtoi për partinë apo për lekë?

29 Prill 2024, 15:12, Aktualitet CNA
Drejtor Rakipi duhet të zgjedhë: listën e fituesve e shtoi
Arben Rakipi

Shkolla e Magjistraturës është prej ditësh e përfshirë në skandalin që Drejtor Rakipi u përpoq t’ia faturojë pajisjes që kontrollon rezultatin e testeve të konkurrentëve.

Sot opozita ka kërkuar thirrjen e drejtor Rakipit në Komisionin e Ligjeve, ku ai të përgjigjet jo vetëm për "konkursin" e vitit 2024, por me gjasë edhe të periudhave të kaluara kur përzgjedhja ka qenë në dorën e pajisjes që numëroka dhe vlerësoka gabim.

Ditën e parë të skandalit drejtor Rakipi doli dhe deklaroi se pajisja u kishte hequr nga 4 pikë kandidatëve.

Pasi pajisja gaboi me 4 pikë (sipas drejtor Rakipit të Magjistraturës), drejtori dhe krahu i djathtë i tij në Shkollën e Magjistraturës, rregulluan shifrat dhe shtuan 42 "fitues".

Por si është e mundur që më pas, pra pasi u korrektua me 42 kandidatë, lista u shtua edhe me 10 të tjerë?

Drejtori dhe krahu i djathtë i sektit të drejtësisë në Shkollën e Magjistraturës nuk dinin të shtonin nga 4 pikë për secilin kandidat? Prandaj dy ditë më pas nxorën nga xhepat edhe 10 kandidatë të tjerë?

Fituesit brenda 4 ditëve u shtuan nga 97 në 121 dhe në fund në 131.

Pra, gjithsej me 52 emra ose me 60% të listës fillestare.

Pas krahasimit të 3 listave, më poshtë janë 10 emrat e shtuar në raundin e tretë të manipulimit të fituesve të raundit të parë të konkursit të pranimit në Shkollën e Magjistraturës:

1. Evandro Janka

2. Bani Jazxhi

3. Ervis Bajramaj

4. Fatjon Xhafaj

5. Gledis Hajdini

6. Grisela Broci

7. Julinda Prifti

8. Lorida Abazi

9. Matilda Idrizaj

10. Sonila Morina.

Drejtor Rakipi duhet të zgjedhë: listën e fituesve e shtoi
Shkolla e Magjistraturës

Në listë gjen juristë që kanë punuar në studio avokatie, pronarët e të cilave janë kallëzuar për mashtrim, gjen juristë zyrash të pasurive të paluajtshme, ose juristë që nuk i njeh as “Google”.

Nuk dihet nga sa pikë ka marrë secili prej 131 kandidatëve. Shkolla e Magjistraturës e fshehu këtë të dhënë nga lista përfundimtare.

Drejtor Rakipi tha që pajisja kishte gabuar me 4 pikë.

Por nuk shpjegoi se si është e mundur që pajisja gabon vetëm 4 pikë dhe se si pas çdo raundi të verifikimeve manuale shtohen një herë 42 dhe herën tjetër 10 të tjerë!

Kunati i Fatmir Xhafajt është personi përgjegjës brenda Shkollës së Magjistraturës, që merret me hartimin e tezave dhe mbikëqyrjen e procesit.

Opozita ka kërkuar të thërrasë në Komisionin e Ligjeve përfaqësues të Shkollës së Magjistraturës.

Do ta mbrojë kunatin Fatmir Xhafaj?

Drejtor Rakipi duhet të zgjedhë: listën e fituesve e shtoi
Fatmir Xhafaj

Provimi i dytë në Shkollën e Magjistraturës u anulua nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës dhe vijimi i procesit u shty me më shumë se 24 orë.

Anëtarët e Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës:

- Sokol Sadushi, kryetar i Gjykatës së Lartë

- Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm

- Arben Rakipi, drejtor i Shkollës së Magjistraturës

- Naureda Llagami, kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor

- Alfred Balla, kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë

- Ulsi Manja, ministër i Drejtësisë

- Odise Moçka, avokati i Përgjithshëm i Shtetit

- Genti Dokollari, gjyqtar

- Albert Kulici, prokuror

- Maksim Haxhia, kryetar i Dhomës së Avokatisë

- Sokol Berberi, përgjegjës i Programit të Formimit Fillestar

- Artan Hajdari, pedagog i brendshëm i Shkollës së Magjistraturës

- Dashamir Kore, pedagog i brendshëm i Shkollës së Magjistraturës

Sokol Berberi është përgjegjësi direkt për procesin e hartimit të tezave dhe zhvillimin e provimeve të pranimit.

Çfarë do të bëjë Fatmir Xhafaj me kunatin?

Zoti Arben Rakipi u përpoq 2 herë në intervista dhe prononcime të detyruara që t’ia lërë fajin pajisjes numëruese. Por edhe për atë pajisje përgjegjësia bie mbi drejtor Rakipin dhe Sokol Berberin.

Vendet e hapura për këtë vit ishin për 20 gjyqtarë, 25 prokurorë dhe 15 ndihmës ligjorë.

Nga 79 kandidatët fitues të shpallur në prezencë të të gjithëve, pasi kandidatët u larguan,  dikush konstatoi që pajisja kishte defekt. Dhe natën rinisi vlerësimi. Në mëngjes u shpallën fitues 121 kandidatë!

Arben Rakipi, drejtori i Shkollës së famshme të Magjistraturës, në një tentativë të parë për të sqaruar skandalin e pranimeve në shkollën që drejton, tha:

".... scantron shpalli 79 fitues, ku shuma e pikëve është njëqind pikë dhe *scantroni gabimisht ka llogaritur listat duke u bazuar në 96 pikë.....”.

Drejtor Rakipi duhet të zgjedhë: listën e fituesve e shtoi
Arben Rakipi

Arben Rakipi, në cilësinë e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, deklaroi se scantroni (pajisja pa gojë që duhet të kishte vlerësuar testet në fazën e parë), gabimisht kishte llogaritur listat duke u bazuar në 96 pikë maksimale dhe jo 100!

Askush nuk sqaroi se si u korrigjua gabimi i pajisjes.

Logjika e thjeshtë e do që drejtori ka korrigjuar gabimin e pajisjes, duke u shtuar të gjithëve nga 4 pikë!

Nga darka në mëngjes, lista u shtua me 42 kandidatë.

Por nëse do të ishte kështu siç e sqaroi drejtori, atëherë përpara rivlerësimit nga drejtori, "trau" i pranimeve do të duhej të ishte ndarë te numri 69 i kandidatëve dhe jo te 79!

Sepse nëse drejtori u ka shtuar nga 4 pikë të gjithëve, atëherë ata që në listën e mëngjesit rezultuan me 64 pikë, përpara se të binte nata, do të duhet të kishin pasur 60 pikë. Pra për shkak të gabimit të pajisjes, "trau" i pranimeve në Shkollën e famshme të Magjistraturës, do të duhej të ishte ndalur deri te kandidati më i fundit që pajisja e dallonte si me 60 pikë të fituara.

Nëse vëzhgojmë listën, do të kuptojmë se përpara se të bëhej shtesa e 4 pikëve (që pajisja u paskësh vjedhur të gjithëve), vetëm deri te numri 69 i kandidatëve, mund të ishin ata që qenkëshin kualifikuar nga pajisja. Sepse deri te numri 69, kandidatët kanë nga 64 pikë. Që domethënë se në listën e parë, vetëm deri në numrin 69 ishin kandidatët, që kishin arritur të kapnin minimumin prej 60 pikësh që u siguronte kualifikimin.

Deri te numri 69 duhet të kishin qenë ata, që kishin siguruar minimumin e pikëve të pakontestuar as nga pajisja!

"Trau" i pranimeve duhet të ishte ndalur te numri 69. Jo te numri 79!

Nga ana tjetër kandidati me numër 79 kishte 63 pikë, por pas tij me 63 pikë ishin edhe 2 të tjerë.

Pajisja (që numëronte gabim me 4 pikë minus për të gjithë siç tha drejtori), paskësh kapërcyer deri te numri 79!

Megjithëse kandidati me numrin 79, sipas pajisjes, duhet të kishte pasur 59 pikë e jo 60!

Drejtor Rakipi duhet të zgjedhë: listën e fituesve e shtoi
Shkolla e Magjistraturës

E nëse pajisja kualifikoi kandidatin me numër 79, po dy kandidatët vijues pas kandidatit me numër 79 (e që kanë numër të njëjtë pikësh me numrin 79), si i nxori jashtë klasifikimit?

Pse lista herën e parë, kur pajisja numëronte minus 4 pikë, u ndal te numri 79 dhe jo te 81? Sepse edhe kandidati me numër 80, edhe ai me numër 81, kanë siguruar 63 pikë në fund. Pra po aq sa kandidati me numër 79 dhe sa 9 kandidatë të tjerë përpara kandidatit me numër 79.

Si për ta bërë me interesante çështjen, 2 ditë më vonë drejtori dhe përgjegjësi i procesit të përzgjedhjes, shtojnë edhe 10 kandidatë të tjerë!

Drejtori dhe personi përgjegjës për organizimin e konkurrimit të pranimit në Shkollën e Magjistraturës duhet të shpjegojnë bindshëm çfarë ka ndodhur që lista u fry me plot 52 kandidatura.

Nëse nuk janë bindës u mbetet vetëm të zgjedhin:

52 kandidatët i shtuan për partinë apo është thjesht punë lekësh?!/ CNA





Lajmet e fundit nga