web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zgjedhjet/ Një analizë për rezultatet elektorale të PD në Korçë

30 Prill 2021, 12:43, Politikë CNA

Zgjedhjet e 25 Prillit kanë bërë që palët politike të shfaqen si triumfuese. Është e drejta e fituesit që të deklarojë fitoren e tij dhe ta festojë, por në Shqipëri ndodhin dhe çudira, kur humbësi shpall fitoren.
Kështu ka ndodhur ekzaktësisht në Korçë. Edhe pse rezultati është 6 me 5 për Partinë Socialiste, Ervin Salianji dhe Partia Demokratike kanë shpallur fitoren.

Le të shohim një analizë shifrash të detajuara

Që nga viti 2009 dhe deri më sot në vitin 2021, pra në të paktën katër procese elektorale parlamentare. Në vitin 2009 për herë të parë u aplikua sistemi propocional rajonal.

Qarkun e Korçës kishte 12 mandate. Në atë kohë, rezultati final doli barazim, 6 me 6. Lista e socialistëve kryesohej nga Ben Blushi, ndërsa ajo e demokratëve nga ministri i Financave i asaj kohe Ridvan Bode.

Në finale, në mbyllje të kutive, u numëruan gati 130 mijë vota, nga të cilat 63 mijë i kishte Partia Socialiste dhe 62 mijë e 200 Partia Demokratike. Pra në një diferencë gati 1 mijë vota socialistët kryesuan zgjedhjet në Qarkun e Korçës.

Në atë kohë gati 5 mijë e 600 vota mori edhe koalicioni i LSI, i kryesuar në këtë qark nga Petrit Vasili.
Në 2009 ishte në lojë dhe koalicioni i LZHK-së, por i cili nuk pati peshë thelbësore elektorale. Pra po të shohim zgjedhjet e 2009, Partia Socialiste ka 63 mijë vota, Partia Demokratike ka 62 mijë vota.

Afera 400 milionë euro e inceneratorëve/ Dy pyetjet që ?kryqëzojnë? Edi RamënShkojmë në zgjedhjet e vitit 2013.

Në këto zgjedhje Partia Demokratike, ka munduar të sigurojë 5 mandate dhe 56 mijë vota, ndërsa PS dhe aleatët e saj kanë mundur të sigurojnë 7 mandate, nga të cilat 5 PS dhe 2 LSI.

Në vitin 2013 Qarku i Korçës kishte sërish 12 mandate. Partia Socialiste në atë kohë ka marrë 63 mijë vota ndërsa Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë mundur të kenë gati 56 mijë e 200 vota, ndërsa LSI pësonte një rritje të fortë duke marrë dhe dy mandate deputetësh dhe duke shkuar mbi 14 mijë vota.

Në zgjedhjet e vitit 2017, Qarkut të Korçës i ikën një mandat, pra nga një qark me mandat çift me 12 mandate, bëhet me mandat tek me 11 mandate. Pjesëmarrja vërtitet gjithmonë tek 130 mijë votues, ku një efekt të rëndësishëm kanë edhe emigrantët, numri i të cilëve shkon jo pak, por nga 7-8 mijë zgjedhës që vijnë në çdo palë zgjedhje parlamentare. Në zgjedhjet e vitit 2017 Partia Socialiste, merr 62 mijë vota dhe ruan 6 mandatet e saj, Partia Demokratike shkon në 42 mijë vota dhe merr 4 mandate, ndërsa LSI shkon në 19 mijë vota dhe merr një mandat.

Ajo që ndodh në 2017 krahasuar me 2009 dhe 2013 është se PS ruan mandatet dhe performancën e saj të votave, ndërsa PD ka një rënie. Në 2017, 42 mijë votat për demokratët janë një katastrofë, janë 40 % më pak se sa viti 2009, gati 30 % më pak se viti 2013 por kjo ka dhe një analizë tjetër.

Në vitin 2017 aleancë me PD ishte dhe Partia e të Drejtave të Njeriut, e cila në Qarkun e Korçës ka një efekt elektoral prej të paktën 3-4 mijë vota. Dhe po të futen dhe këto vota brenda, katastrofa elektorale e PD është e frikshme, pasi e vetme në vitin 2013 kishte marrë 47 mijë vota, dhe 9 mijë i kishin marrë aleatët e saj, ndërsa në vitin 2017 bashkë me aleatët përfshirë dhe me Partinë e të Drejtave të Njeriut do kishte shkuar minimalisht në rreth 60 mijë vota, shkoi në vetëm 42 mijë vota, e vetme ndoshta as 30 mijë vota.

Zgjedhjet e vitit 2021.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, Partia Socialiste ka mundur të sigurojë 60 mijë vota. Partia Demokratike 50 mijë dhe LSI gati 8 mijë e 300 vota, të cilat kanë sjellë një rënie të kësaj force politike me gati 11 mijë vota. Në Korçë në vitin 2021 ka ndodhur një fenomen. Ka një ulje ose thuajse diku një stanjacion të pjesëmarrjes në votime, kjo dhe për shkak të mbylljes së kufijve dhe mosardhjes së emigrantëve, që ka ndikuar tek të gjitha palët politike.

Por po të shohim, PS ka një rënie shumë të ulët nga 2009, 2013, 2017 në 2021. Pra është gati 60 mijë vota, është afër shumë afër 62-63 mijë votave të saj, çka do të thotë ka një rënie pas 8 vitesh pushtet, jo më shumë se 4-5 % të totalit të votave.

Nga viti 2009 në vitin 2013 dhe nga viti 2013 sot në 2021, pas 8 vitesh qeverisje duke mbajtur për 14 vite Pushtetin Vendor dhe 8 vite Pushtetin Qendror, me Niko Peleshin ministër apo Sotiraq Filon kryetar bashkie, socialistët kanë siguruar në Qarkun e Korçës 60 mijë vota, duke zbutur dhimbjen në Bashkinë e Devollit ku anon me një diferencë shumë të vogël, duke thelluar fitoren në Kolonjë, në Maliq dhe në Pogradec.

Çfarë ndodhe me Partinë Demokratike?

Ka marrë vetëm 50 mijë vota, pra edhe pse ka PBDNJ brenda, edhe pse këtë radhë i shtohet edhe FRD, e cila në 2017 ka rreth 1 mijë e 500 vota.

Pra, PD plus aleatët e saj në Qarkun e Korçës duhet të ishte të paktën tek 60 mijë vota, në qoftë se do të marrim trendin e vitit dhe votat që ka patur në vitin 2013, nuk po shkojmë tek 2009 sepse, janë zgjedhje në pushtet, sepse me atë rezultat duhet të kishte qenë 70 mijë vota gati dhe duhet të kishte dalë 6 me 5 për PD në tavolinë rezultati zgjedhor. Por ka ndodhur e kundërta.

Nuk ka 60 mijë vota por ka 50 mijë. Është rritur me gati 8 mijë vota nga 2017 dhe ka gati 12 % më pak vota se nga viti 2013. Pra ditën e fundit kur PD është larguar nga pushteti, pas 8 vitesh qeverisje, mori 56 mijë vota. Sot pas 8 vitesh opozitë, duke shtuar edhe dy aleatë që kanë mbi 4 mijë vota në Qarkun e Korçës, PD nuk ka mundur të kapë as rezultatin e vitit 2013. Nuk ka mundur ta mundë PS e cila ka 8 vite në pushtet dhe nga ana tjetër ky rezultat shpallet fitore.

CNA.al i sjell në rresht të gjitha tabelat elektorale.

Këto janë shifrat zyrtare të nxjerra nga KQZ, por edhe shifrat që kanë partitë politike të cilat tregojnë qartazi se në Korçë ka një problematikë thelbësore të strukturës së PD, e cila sa vjen dhe ulet, ngushtohet.

Ndërsa, teza se PD plus LSI në Korçë, janë mbi PS, sërish kjo është gënjeshtër.

LSI është diku te mbi 8 mijë vota, PD është 50 mijë vota ndërsa të dyja së bashku shkojnë tek 58 mijë e 500 vota, ndërsa socialistët të vetëm janë mbi 60 mijë vota.

Edhe sikur të ishin koalicionet së bashku, socialistët do ta kishin fituar mandatin shtesë edhe sikur brenda në koalicionin e PD të ishte Jozefina Topalli, e Lëvizjes për Ndryshim apo Astrit Patozi i Bindjes Demokratike.

Pra në çdo rast, duket se majta është më solide dhe më e formësuar, trupa elektorale i funksionon më qartë. Faktorët pse ka ndodhur kjo rrudhje e PD janë të shumtë por le ti përkasin një analize tjetër.

Kjo është një analizë e qartë e shifrave për të gjithë ata që kanë shpallur fitoren e PD në Korçë, të cilët pretendojnë se PD plus LSI do të mundte dhe do të kishte marrë një mandat shtesë, kur në fakt rritja e PD nga viti 2013 nuk ekziston.

Sot pas 8 viteve të socialistëve në pushtet, ka një rënie të PD me gati 12 % krahasuar me vitin 2013, jo të qeverisjes.

Nuk po bëjmë krahasime me vitin 2009 se del edhe më keq, shifrat janë sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga KQZ.

Pra, në Korçë, gjithçka flet për një avantazh të socialistëve , të cilët ruajnë trendin e tyre elektoral ndërsa demokratët, ashtu si në vitin 2017 fatkeqësisht me disa kandidatura të turpshme shpallin fitoren dhe tallen me njerëzit duke thënë se kanë fituar, ndërsa në fakt në qeverinë në pushtet është kryeministri Rama.

Shifrat janë ato që flasin për gjithçka. Debatet dhe analizat nga mënyra e ndërtimit të artikulimit politik janë diçka tjetër, por e vërteta është një dhe vetëm një. Rënia dhe rrudhja e PD në Qarkun e Korçës, fatkeqësisht është e vazhdueshme./Elvi FUNDO-CNA.al





Lajmet e fundit nga