LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shëndeti mund të ndikohet nga koha kur konsumoni vaktet tuaja gjatë një dite

14 Gusht 2023, 08:56, Shëndeti CNA

Shëndeti mund të ndikohet nga koha kur konsumoni vaktet tuaja

Paraardhësit tanë, gjuetarmbledhësit e hershëm, përballeshin dikur me periudha të gjata agjërimi. Qasja e tyre tek ushqimi mbështetej te gjuetia e suksesshme, peshkimi dhe disponueshmëria e bimëve të egra.

Me kalimin e kohës, zhvillimi i bujqësisë moderne dhe kalimi te shoqëritë e industrializuara, i ndryshuan modelet tona të rregullta të të ngrënit. Kjo solli zhvendosjen e kohës kur darkojmë për t’iu përshtatur orareve të punës. Me një qasje tek ushqimi i bollshëm, ne sot përjetojmë rrallëherë periudha të zgjatura agjërimi, përveç rasteve të humbjes së vullnetshme të peshës apo praktikave fetare.

Madje sot është më se i zakonshëm konsumimi i 4 ose më shumë vakteve në ditë, me më shumë kalori të konsumuara në orët e mbrëmjes. Po ashtu, është e zakonshme ngrënia e shpeshtë në një hapësire kohore prej rreth 15 orësh. Megjithatë, studimet tregojnë gjithnjë e më shumë se shëndeti ynë nuk ndikohet vetëm nga ajo çfarë dhe sa hamë, por edhe kur hamë.

Po çfarë do të thotë kjo për caktimin e vakteve? Dhe a mund të ndihmojë agjërimi me ndërprerje?

Ora e trupit tonë kontrollon më shumë sesa vetëm gjumin tonë

Kohëmatësi ynë i brendshëm biologjik, ose siç njihet ndryshe ora cirkadiane, rregullon shumë aspekte të fiziologjisë dhe sjelljes sonë. Ai na udhëzon të jemi zgjuar dhe aktivë gjatë ditës, dhe të pushojmë dhe të flemë gjatë natës. Por na tregon gjithashtu edhe kohën më të mirë se kur duhet të ushqehemi.

Trupi ynë është biologjikisht i përgatitur për të ngrënë gjatë ditës. Tretja e ushqimit, marrja e lëndëve ushqyese dhe metabolizmi i energjisë, është optimizuar që të ndodhë kur supozohet të jemi aktivë dhe hamë. Dhe çdo lloj veprimi kundër kësaj faze të paracaktuar, duke ngrënë rregullisht në kohën kur duhet të flemë dhe agjërojmë, mund t’i komprometojë këto procese dhe të ndikojë në shëndetin tonë.

Modelet e çrregullta të të ngrënit, përfshirë vaktet e natës së vonë, janë të lidhura me shtimin në peshë dhe me një rrezik më të madh të sëmundjeve metabolike. Për shembull njerëzit që punojnë në mbrëmje, natën ose me turne, janë më të rrezikuar nga obeziteti, sëmundjet e zemrës dhe diabetit. Megjithatë adoptimi i një modeli të të ushqyerit që përputhet me ritmin tonë cirkadian mund t’i zvogëlojë këto rreziqe.

A mund të ndihmojë agjërimi me ndërprerje?

Ndërhyrjet te dietat ushqimore, fokusohen gjithnjë e më shumë jo vetëm te “çfarë” hamë por edhe koha “kur” hamë. Agjërimi me ndërprerje, është një mënyrë për të kufizuar kohën dhe jo përmbajtjen e asaj që hamë. Ekzistojnë disa lloje agjërimi, njëra prej të cilave është ushqimi me kohë të kufizuar. Kjo do të thotë që të hamë çdo ditë të gjitha kaloritë tona në një interval të vazhdueshëm 8 deri në 12 orë, ose edhe më të shkurtër.

Por a mbështetet te provat?

Shumica e asaj që dimë sot për agjërimin me ndërprerje dhe ngrënien me kohë të kufizuar, vjen nga studimet mbi minjtë, që tregojnë një humbje të jashtëzakonshme në peshë dhe përfitime të përgjithshme shëndetësore të lidhura me këto lloj ndërhyrjesh dietike.

Megjithatë, disa aspekte të fiziologjisë së miut, mund të jenë të ndryshme nga njerëzit. Dihet që minjtë hanë më shpesh se njerëzit. Dhe një periudhë e shkurtër agjërimi, ka një ndikim më të rëndësishëm fiziologjik tek ata. Kështu, një ditë agjërimi tek minjtë, çon në një humbje prej 10 për qind të peshës së tyre trupore.

Për të arritur rezultate të ngjashme, njerëzit duhet të agjërojnë për 14 ditë. Dhe kjo e bën më të komplikuar një përkthim të drejtpërdrejtë të kësaj praktike nga minjtë tek njerëzit. Ndërsa përfitimet shëndetësore të agjërimit me ndërprerje dhe ngrënies me kohë të kufizuar janë vërejtur edhe tek njerëzit, gjetjet e studimeve në lidhje me humbjen e peshës janë më pak të qarta.

Të dhënat aktuale, sugjerojnë vetëm një rënie modeste në peshë tek njerëzit që i nënshtrohen këtyre regjimeve dietike, kur krahasohen me dietat e kufizuara në kalori. Nxjerrja e përfundimeve tek njerëzit mund të jetë më e vështirë, për shkak të madhësive të vogla të mostrës dhe dallimeve individuale në metabolizëm, variacioneve në strukturën e studimit (siç është përdorimi i protokolleve të ndryshme dhe kohëzgjatja e ndryshme e kufizimit të ushqimit) dhe faktin që pjesëmarrësit që nuk respektojnë udhëzimet e tyre.

Përfitimet shëndetësore mund të vijnë për shkak të konsumimit të më pak kalorive

Shumica e studimeve mbi përfitimet shëndetësore të ngrënies së kufizuar në kohë ose agjërimit me ndërprerje, kanë zbuluar gjithashtu se këto dieta shoqëroheshin nga kufizimi i kalorive:reduktimi i kohës së qasjes tek ushqimi, i bën njerëzit të hanë më pak.

Studimet që kontrollonin marrjen e kalorive nuk zbuluan më shumë përfitime të agjërimit me ndërprerje sesa vetëm kufizimi i kalorive. Humbja e peshës dhe përfitimet shëndetësore të vërejtura tek agjërimi me ndërprerje, ka të ngjarë t’i atribuohen reduktimit të vazhdueshëm të marrjes së kalorive. Gjetje të ngjashme janë raportuar për ushqimin me kohë të kufizuar.

Përfitimet nga ndjekja e orës së trupit tonë

Megjithatë, ushqimi i kufizuar në kohë ofron përfitime shëndetësore shtesë. Për shembull përmirëson metabolizimin e glukozës dhe presionin e gjakut, edhe pa pasur dallime në marrjen e kalorive, veçanërisht kur kufizohet në pjesën e hershme të ditës (pra kur hani për 6 orë herë pas here, deri në orën 15.00).

Kufizimi i marrjes së ushqimit gjatë ditës për ata që punojnë me turne mund të lehtësojë ndryshimet metabolike të shkaktuara nga kjo lloj pune. Ndërkohë, ky efekt nuk vërehet kur marrja e ushqimit është e kufizuar në mbrëmje.

Një ide është se konsumimi i hershëm i ushqimit, në përputhje me ritmin tonë cirkadian, ndihmon në sinkronizimin e orës sonë cirkadiane. Kjo gjë rikthen ritmin e sistemit tonë nervor autonom, i cili rregullon funksionet thelbësore si frymëmarrja dhe rrahjet e zemrës, për ta mbajtur fiziologjinë tonë të “akorduar” siç duhet, gjë që është parë tek eksperimentet me minjtë.

Ndërsa ka ende shumë për të mësuar nga kërkimet në këtë fushë, të dhënat e deritanishme sugjerojnë se për të ruajtur një peshë të shëndetshme dhe një mirëqenie fizike të përgjithshme optimale, synoni që të konsumoni vakte të rregullta, me vlera ushqyese gjatë ditës, duke shmangur ngrënien natën vonë dhe ushqimet e shpeshta./ Përshtatur nga CNA

14:24 Shëndeti Ilir Allkja

Shkaktarët e ankthit

Gjendja e ankthit është rezultat i shumë ndikimeve. Gjitha...

Lajmet e fundit nga