LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mosha dhe trashëgimia/ Të gjitha shkaqet pse njerëzit preken nga sëmundjet kanceroze

9 Shtator 2023, 15:11, Shëndeti Vera Martinella

Mosha dhe trashëgimia/ Të gjitha shkaqet pse njerëzit preken nga

Nuk ka një përgjigje përfundimtare se pse zhvillohet një tumor në trupin e një njeriu, por njihen shumë faktorë rreziku që luajnë një rol pak a shumë vendimtar: mosha, trashëgimia, stili i jetës dhe faktorët mjedisorë. Në këtë fushë është bërë një përparim i madh dhe tani është e qartë se përhapja e pakontrolluar e qelizave kancerogjene varet nga ndryshimet (mutacionet) e gjeneve.

“Disa nga këto mutacione janë të trashëguara, por shumica shkaktohen nga faktorë të jashtëm, nxiten nga sjellja jonë apo nga mjedisi në që jetojmë”- thotë Saverio Çinieri, president i Shoqatës Italiane të Onkologjisë Mjekësore (AIOM).

Mosha

Plakja është faktori më i rëndësishëm i rrezikut për kancerin. Shumica e kancereve zhvillohen tek njerëzit mbi moshën 60 vjeç. Pra në shumë raste, tumoret konsiderohen si “patologji tipike të plakjes”. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse tumoret janë në rritje në të gjithë botën, paralelisht me zgjatjen e jetëgjatësisë dhe rritjen e numrit të të moshuarve.

Tek të moshuarit, rreziku i zhvillimit të kancerit është rreth 40 herë më i lartë sesa tek njerëzit e moshës 20-40 vjeç, dhe 4 herë më i lartë se tek ata të moshës 45-65 vjeç. Midis moshës 50 dhe 69 vjeç, 1 në çdo 5 burra dhe 1 në çdo 7 gra ka të ngjarë të kenë një diagnozë të kancerit.

Trashëgimia ose familjariteti

A janë të trashëgueshme tumoret? Kjo është një pyetje që bëhet shpesh. Është një frikë shumë e përhapur. “Por nëse shihni të dhënat, do të qetësoheni: vetëm një pakicë e vogël e të gjitha kancerave të diagnostikuara çdo vit, kategorizohen nga mjekët si të trashëguara në familje thotë Çinieri.

Dhe kjo nuk do të thotë se sëmundja transmetohet përmes gjeneve, por vetëm se ekziston një predispozitë më e madhe për ta zhvilluar atë sëmundje. Prandaj, nëse në familje ka pasur disa raste të kancerit, kjo nuk do të thotë që herët a vonë të gjithë anëtarët do të sëmuren, por vetëm se duhet t’i kushtohet vëmendje më e madhe ndjekjes së një stili jetese të shëndetshëm dhe kontrollit të rregullt tek mjeku.

Në fakt, është e mundur të trashëgohet një gjen që ka pësuar mutacion dhe që e bën qelizën më të ndjeshme ndaj sëmundjes. Por që tumori të nisën të zhvillohet dhe të rritet, duhen shtuar edhe ndryshime të tjera thekson eksperti. Për këtë arsye, mjekët këshillojnë që njerëzit të mos i nënshtrohen testeve gjenetike me pagesë, pa pasur ndonjë indikacion të veçantë mjekësor, gjë që mund të nxjerrë në pah një probabilitet më të madh statistikor për t’u prekur nga kanceri.

Mënyrat e jetesës

Ekspertët nga e gjithë bota e kanë përsëritur prej disa kohësh: më shumë se 1 në 3 raste me kancer mund të shmangen vetëm duke adoptuar zakone jetese të shëndetshme. Këshillat janë të thjeshta: mos pini duhan, mos pini alkool, ndiqni një dietë të moderuar ushqimore, ushtrohuni fizikisht rregullisht, parandaloni infeksionet që mund të shkaktojnë kancer.

Përveç duhanit, që është përgjegjës për një listë të gjatë të llojeve të kancerit (nga mushkëritë tek goja), zgjedhja e asaj që vendosim në pjatën tonë duket të jetë gjithnjë e më e rëndësishme (ata që hanë mirë shmangin gjysmën e kancereve). Dhe provat e verifikuara nga disa studime, tregojnë se mbipesha dhe obeziteti janë ndër faktorët e njohur të rrezikut për kancerin endometrial, kolorektal, ezofagut, veshkave, pankreasit dhe kancerit të gjirit, veçanërisht tek gratë pas menopauzës.

Po ashtu është vërtetuar shkencërisht se aktiviteti fizik i moderuar (si ecja e shpejtë) për të paktën gjysmë ore 5 ditë në javë, ndihmon në mbajtjen larg formave të ndryshme të kancerit. Së fundmi, është thelbësore që të ekspozoheni me kujdes në diell, duke shmangur djegiet që mund të favorizojnë shfaqjen e kancerit të lëkurës (nuk është rastësi që llambat për nxirje artificiale janë të përfshirë në listën e kancerogjenëve të njohur).

Faktorët mjedisorë

Vetëm rreth 5 për qind e rasteve të kancerit shkaktohen nga mjedisi në të cilin jetojmë, dhe mund ta kenë origjinën nga ndotja e mjedisit. Në mjedisin përreth ka disa elementë që mund të favorizojnë shfaqjen e neoplazive. Disa janë të pranishme në natyrë, si rrezatimi jonizues (nga rrezet kozmike që depërtojnë në atmosferë); azbesti, përgjegjës për mesoteliomën e frikshme pleurale dhe disa metale, duke përfshirë arsenikun, beriliumin, kadmiumin, kromin, plumbin dhe nikelin.

Të tjerat janë produkte kimike ndaj të cilave mund të jenë më të ekspozuar kategori të caktuara punëtorësh. Për shembull benzeni, që gjendet në disa tretës dhe materiale pastrimi kimik, por edhe në tymin e cigareve, dhe që e rrit rrezikun e shfaqjes së leuçemisë. Dioksinat janë substanca që prodhohen gjatë proceseve të ndryshme të prodhimit. Ato priren të grumbullohen në mjedis dhe ushqime. Substanca të tjera të rrezikshme gjenden në disa pesticide të përdorura në bujqësi dhe klorur vinil, me të cilët bien në kontakt sidomos ata që punojnë në industrinë e plastikës.

Apo hidrokarburet aromatike policiklike të pranishme në gazrat e shkarkimit të makinave dhe në tymin e prodhuar nga djegia e drurit në soba, që mund të favorizojnë zhvillimin e tumoreve të mushkërive, të lëkurës dhe traktit urinar.

Viruset

Në Itali, ashtu si në vendet e tjera me të ardhura të larta, infeksionet kronike janë shkaku i rreth 7-8 për qind të të gjithë tumoreve malinje të diagnostikuara çdo vit. Pra më pak se 30.000 raste në vit nga 377.000 në total thotë eksperti.

Ato shkaktohen nga disa infeksione kronike (përfshirë viruset e hepatitit B dhe C, Epstein-Barr, HIV dhe papillomavirusin njerëzor ose HPV), të cilat mund të shmangen ose edhe të parandalohen kryesisht nga vaksina. Duke qëndruar për shumë vite në organe dhe inde të ndryshme, këta agjentë infektivë mund të shkaktojnë formimin e tumoreve të ndryshëm bazuar në karakteristikat individuale dhe ato të agjentit infektiv.

Viruset e hepatitit B dhe C, mund të çojnë në tumore të mëlçisë (hepatokarcinoma). HPV-ja shkakton tumoret e qafës së mitrës dhe zgavrës në gojë, vaginës, vulvës, anusit. Ndërkohë  Helicobacter pylori nxit tumorin e stomakut. Po ashtu disa kancere të gjakut, limfoma dhe leuçemi janë të lidhura në shkallë të ndryshme nga infeksioni me virusin Epstein-Barr.

Epigjenetika

“Që kanceri shkaktohet nga gabimet në sekuencën e ADN-së, qofshin ato të trashëguara, të rastësishme apo për shkak të agjentëve të jashtëm si tymi i cigares, kjo dihet mirë tashmë”-shpjegon Çinieri. Megjithatë, përveç gjeneve, ka edhe disa ndryshime të tjera, që ndonëse nuk e modifikojnë vetë sekuencën e ADN-së, kanë një ndikim në shprehjen normale të gjeneve, duke aktivizuar disa dhe duke shtypur të tjerat.

Kjo shkakton në disa raste rritjen e pakontrolluar të qelizave tipike për tumoret. Prandaj nuk mund të flasim më vetëm për gjenetikën e tumoreve, por duhet të studiojmë më mirë epigjenetikën (nga greqishtja “mbi gjenet”), pra të gjitha ato transformime që “ndezin” dhe “fikin” gjene të ndryshme./ Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga