web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Gjurmë në muzikë dhe teatër/ Vaskë Niço, ikona lëvizëse e qytetit!

18 Dhjetor 2023, 15:12, Qyteti im CNA

Gjurmë në muzikë dhe teatër/ Vaskë Niço, ikona

Përse e quajnë Vaskën ikonë lëvizëse të Korçës? Sepse është një artist i mrekullueshëm, pjesë e shumë fushave të artit korçar, në teatër, muzikë, organizime karnavalesh, pra një sërë zhanresh që e bëjnë njeriun më të famshëm të qytetit. Thuajse 43 vite karrierë, të mbushura me emocione, me lodhje e vështirësi, por që ia ka dalë të kthehet në një nga artistët më të dashur për korçarët.

CNA TV sjell për shikuesit profilin e Vaskë Niços, i cili tregon histori shumë të bukura e të veçanta nga jeta e tij. Por si filloi karriera e Vaskës?

"Për Vaskën është shumë e vështirë të flasësh sepse duhet të flas për veten dhe të 'mburresh', gjë që unë nuk e kam dhunti dhe shpresoj të flas të vërtetën për atë që jam. Tashmë janë bërë thuajse 43 vjet debutime në skenë dhe në të gjitha zhanret që përfaqësoj. Një kurorë e bukur me xhevahirë nuk mund të jetë e plotë nëse i mungon një.

Karriera ime është shumë e hershme me artin dhe me kulturën, mund ta them që në kopsht. E kam pasur dhunti që mësoja shumë shpejt poezitë e vjershat dhe recitoja. Kam luajtur në teatër, me rolin e një komisari, më kujtohet një event shumë i bukur në shtëpinë e pionerit, në fund të shfaqjeve nxirrnim portretet e byrosë. Më ra roli i Haki Toskës, dhe e ngrita portretin e tij me kokë poshtë. Ndoshta që atëherë padashje kam qenë disident. E kam dashur demokracinë dhe gjërat e lira, nuk kam dashur që njeriu të mbetet rob i të tjerëve, por të bëjë atë që di më mirë vetë."

Gjurmë në muzikë dhe teatër/ Vaskë Niço, ikona

Pjesë e karrierës së Vaskës ishte teatri i kukullave, me rolin kryesor të ujkut, një rol që e bënte me aq mjeshtëri sa mori edhe pseudonimin e kësaj kafshe.

"Më vonë zanafillën time e vazhdova me poezitë, shkruaja, por nuk kam botuar asgjë. Atribuova më pas në teatrin e kukullave në vitin 1979, dhe atje kam një plejadë shumë të bukur me regjisoren Drita Kallamata, dhe kam mbi 13 pjesë të xhiruara dhe kisha rolin kryesor, më thërrisnin 'Vaskë ujku' sepse luaja gjithmonë ujkun, isha zë i plotë. Më vonë, mund të kem mbi 180 premiera të dhëna, por vetëm 13 janë të xhiruara. Më e bukura ishte se veç estradës, ne bënim edhe parodi, e duke shfrytëzuar vokalin tim ne ia dilnim të ishim të parët në këtë zhanër."

Risia për qytetin e bukur të Korçës ishte krijimi i Karnavaleve. Një organizim që zhvillohet çdo vit tashmë, prej vitit 1994. Një prej kontribuesve në këtë organizim ishte edhe Vaska, i cili ka luajtur rolin e Chaplin-it. Por ky ishte vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë të karrierës së Vaskës, i cili kaloi më pas në zhanrin e dramës, duke fituar edhe çmim të parë në Rusi.

Gjurmë në muzikë dhe teatër/ Vaskë Niço, ikona

"Në vitin 1994, pas krijimit të bashkisë së re me kryetar Gjergji Gjinkon, na mblodhën artistë nga gjithë qyteti për të krijuar karnavalet. U dhanë disa kontribute, edhe unë isha një nga artistët kryesorë, dhe u mora pak edhe me menaxhimin. Pas demokracisë filluan karnavalet për herë të parë. Karnavalet e para i kemi bërë me shkollat e mesme, atje kam luajtur për herë të parë rolin e Charlin Chaplin-it, një nga rolet më të realizuara të miat.

Pas kësaj unë kalova edhe te drama, me regjisore shumë të mirë, me Llazi Sërbon dhe Dhimitër Orgockën, kemi bërë shfaqje shumë të bukura sa kemi kaluar edhe jashtë kufijve. Vlen për t'u përmendur se në vitin 2007, kur kemi shkuar në St. Peterburg, në festivalin ballkanik të teatrove, ishte një event shumë i jashtëzakonshëm për ne. Atje flitej nga të gjitha gjuhët e Ballkanit, dhe kemi marrë çmim të parë me një triptikë 'Gosti në kohë kolere', e vendosur me mjeshtëri nga Llazi Sërbo. Ai ishte një shkollë regjisure, që kushdo vetëm po ta dëgjonte, mësonte. Ky event mbahet mend sepse pas 45 vjetësh shkon një trupë teatrore në Rusi."

Krahas Karnavaleve dhe teatrit, fokusi i Vaskë Niços mbetet te muzika, e më konkretisht të serenatat korçare.

Kitarën e ka mësuar në mënyrë autodidakte, duke mos njohur notën. Ai ka krijuar rreth 42 këngë dhe 2 albume, të cilat janë realizuar bashkë me djalin e tij Marion. Por pasioni dhe dëshira e madhe për të kënduar dhe mbajtur gjallë serenatën, bëri që të krijonin edhe një grup muzikor që zhvilloi aktivitetin për 6 vite rresht.

Gjurmë në muzikë dhe teatër/ Vaskë Niço, ikona

"Mua më dinë që i bie kitarës, e kam mësuar vetë në mënyrë autodidakte, me vesh, nuk e njoh notën. Kam afro 42 këngë të miat, 2 albume i kam bërë me djalin tim Marion që sot është në Amerikë, dhe shpresoj të bashkohemi shpejt e të bëjmë diçka të bukur së bashku.

Në festën e 100-vjetorit të Pavarësisë, u bënë shkas Mario bashkë me shokët e tij, për të krijuar një grup tonin me të rinj serenatistë dhe e krijuam, duke i vendosur emrin 'Ëndërr serenate'. Për 6 vite kemi bërë shumë koncerte duke ruajtur këngën e serenatës korçare, duke e kënduar ashtu siç kanë qenë këngët dhe kjo bëri shumë bujë. U bëmë gati 100 veta në grup, dhe nga këto dolën 6 grupe të tjera që këndojnë nëpër lokale. Më bëhet zemra mal që kjo rini u mor me serenatat. Me rikonstruksionin e pallatit të kulturës e shkrimë grupin sepse s'kishim vend ku të bënim prova dhe nuk e vazhduam më për shkak të kushteve."

Krijimi i grupit "Ëndërr Serenate" ka sjellë edhe benefitet për Vaskën dhe djalin e tij. Ata filluan të këndonin në lokale të Korçës, e ndërsa sot, Mario ndodhet në Amerikë, ndërsa Vaska vijon të këndojë serenatat në një prej restoranteve të qytetit. Në këtë fazë të karrierës së tij, Vaska ndihet më se i kënaqur, sidomos me duartrokitjet e vizitorëve, të cilët çdo fundjavë zgjedhin Korçën. Vaska thotë se pozitiv ngelet fakti që është pak humorist, duke qenë edhe aktor, dhe krijon mbrëmjeve një atmosferë të ngrohtë që çdo vizitor të ndihet si në ambient familjar dhe shoqëror.

Gjurmë në muzikë dhe teatër/ Vaskë Niço, ikona

"Me krijimin e grupit 'Ëndërr Serenate', filluam po këndonim në lokale, mora edhe djalin. E kam futur që 17 vjeç Marion, vazhduam, por gjatë rrugës pashë që nuk duhej thjesht të këndoje nëpër lokale. Përveç këngës dhe materialeve të bukura që i ruaj edhe më sot, unë kam një dhunti nga dramaturgjia, dhe këtu tek O2 Boutique ku punojmë aktualisht e kthejmë në spektakël. Ua bëjmë qejfin të gjitha trevave, turistëve nga Tirana, nga Elbasani, Vlora, por baza është serenata. Pse jo u bëjmë edhe humor. Një këngë shumë e bukur që është humoristike, unë e quaj të tillë sepse ajo është si tragji erotike, që quhet 'flutur gënjeshtare'. Unë u them gjithmonë para se të filloj këngën 'Tani do të këndoj një këngë me cëk, të kenë kujdes të gjithë burrat që kanë gratë afër dhe të gjitha gratë që kanë burrat afër' dhe e këndoj.

Në këtë moment krijohen insinuata mes çifteve që kanë kaluar xhelozi, ka dhe nga ata që kënaqen. Kemi arritur në stadin që kërkohemi shumë, emigrantët janë pafund dhe kemi porosi shumë për Krishtlindjen e Vitin e Ri."

Gjurmë në muzikë dhe teatër/ Vaskë Niço, ikona

Shumë vite karrierë, por me siguri diçka ka mbetur peng në jetën e Vaskës. E këtë na e tregon vetë ai, pak me keqardhje, por edhe i bindur në fjalën që ka thënë shumë vite më parë.

"Një peng e kam sepse duke qenë një nga protagonistët kryesorë në vitet 1979-1982, në vitin 1983 kam konkurruar për dramaturgji bashkë me një mikun tim Emil Bibollin që nuk jeton më. Disa materiale i kishim të dy të përbashkëta, dhe është e çuditshme që ne që kishim më shumë fletë lavdërimi, ne nuk fituam dot. Ishin shumë arsye, por unë përdora mënyrën time, të unit tim, babai më ka lënë 8 vjeç dhe jam rritur vetëm me nënën. M'u lutën përsëri, e pranuan që bënë gabim. Dhe më kërkuan vitin tjetër të konkurroja përsëri, por nuk pranova. Artistin e sfidon skena dhe do të shikoni nëse do të jenë në skenë ata që përzgjodhën në atë konkurrim. Dhe ja ku jam unë sot, në drama, në estradën profesioniste, me serenatat, me karnavalet."

Vaskë Niço mund të quhet me plot gojën një "ikonë lëvizëse e qytetit", e këtë e pamë më së miri në historinë e tij të jetës. Një personazh mjaft i veçantë që ka lënë dhe po lë gjurmë në artin shqiptar, në muzikë dhe teatër, duke qëndruar pranë organizimeve të shumta të qytetit. Vaskën e gjeni çdo të premte e të shtunë pranë O2 Boutique, duke performuar me bandën e tij. CNA TV iu vë në dispozicion numrin e telefonit në raste interesimi për ta pasur artistin pranë organizimeve familjare apo dhe më gjerë.

069 237 2353





Lajmet e fundit nga