LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Mjeshtri i Topit/ Zeni Çela, rrëfen emocionet e një karriere plot shkëlqim

11 Nëntor 2023, 17:23, Qyteti im CNA
Mjeshtri i Topit/ Zeni Çela, rrëfen emocionet e një karriere
Zeni Çela

Sot është 87 vjeç, e mban mbi supe një karrierë të gjatë e të suksesshme futbollistike. Zeni Çela është korçari i mirënjohur, mjeshtri i topit, një nga figurat më të shquara që qyteti i Korçës ka fatin ta ketë jo vetëm si qytetar, por edhe si profesionist të fushës.

City News Albania ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me Zeni Çelën, i cili na ka pritur me shumë kënaqësi dhe ka treguar shumë kujtime të veccanta të cilat kanë mbetur jo vetëm në memorien e tij, por tashmë nëpërmjet reportazhit tonë, do të jenë edhe në kujtesën e sportdashësve korccarë e më gjerë.

Zeni Çela e ka nisur karrierën e tij që në vogëli, më konkretisht në klasën e katërt kur ai u kërkua të luante për ekipin e të rinjve të Skënderbeut. Një ftesë që u prit fillimisht me shumë Çudi, por që me talentin që Zeni kishte, u kthye në nisjen e një karriere të gjatë në futboll. Ndeshjen e parë, Çela e luajti në Shkodër, aty ku ka shënuar golin e barazimit për të shpëtuar ekipin korccar nga humbja që rrezikonte.

"Më bëhet qejfi për respektin që treguat, jeni e para media që po më intervistoni dhe unë ju falenderoj. Karriera ime si futbollist ka nisur në vitet 1952-1953 dhe gjysma e vitit 1954. Njeriu i parë që më afroi ka qenë babai i futbollit korçar, Tato Bimbli. Më ka marrë me ekipin e të rinjve karshi shokëve Stavri Lubonja, Kosta Koça, Gaqo Tasho e shumë të tjerë. Në mesin e vitit 1954, kur kam qenë në pedagogjike në klasë të katërt, më vijnë në një orë mësimi dhe takojnë drejtorin e shkollës dhe kërkuan të merrnin lejë nga drejtori për të më takuar. Më thanë të vija me skuadrën e parë, shkuam të bëjmë analizat te doktori dhe më thanë që nesër do vija në Shkodër. Ndeshja e parë e karrierës sime ka qenë me Dinamon e Shkodrës.

Mbërrijmë aty, atje kam luajtur me skuadrën e parë dhe kam realizuar golin e barazimit, kemi dalë 2-2 dhe mbaj mend që isha 17 vjeç dhe gazetari Rifat Ruçi më ka folur atje me shumë respekt. Aty filloi karriera ime me ndeshjet, duke vazhduar që në 1954 deri në 1967 pa humbur asnjë ndeshje dhe duke luajtur 90 minuta të plota. Kam luajtur karshi lojtarëve të mëdhenj, si Loro Boriçi, Teliti, Zini Gjinali etj. Hapat e mia ishin gradualë dhe tifozi im personal ka qenë Anton Mazreku, i cili gjithmonë më jepte kurajo edhe kur transmetonte.", tha Zeni Çela.

Prej vitit 1954, e deri në vitin 1967, ekipi i Skënderbeut kishte pjesë të formacionit një sërë emrash të njohur të cilët i tregon me hollësi Zeni.

"Ekipi në atë kohë ishte me kapitën Xhuvi Mborja, Petro Mile ishte në mbrojtje, Trajan Veriga dhe Jani Kodheli djem të shkëlqyer dhe të sakrificës. Në mesfushë ishte organizator Zeni Çela, Rapo dhe Tori Prodani, në sulm Xhuvi Mborja, Gaqo Lara dhe Kosta Koça. Kjo ishte në dhjetëshen e parë që kam luajtur deri në vitin 1967, me trajner Spiro Koça, njeri punëtor dhe na trajtonte si të ishte prindi jonë. Gjatë kësaj periudhe, çdo 2-3 ndeshje të kampionatit, dilja në 11-shen më të mirë të Shqipërisë, karshi lojtarëve me famë si Refik Rezmja, Loro Boriçi, etj.", tregoi ai. 

Emocionet që të jepte një ndeshje ishin mjaft të forta. Këto emocione i ndjente jo vetëm tifozeria në stadium, por më tepër lojtarët e ekipit të cilët jepnin shpirtin e tyre në fushë. Zeni tregon dy nga kujtimet më të bukura gjatë karrierës së tij si futbollist.

"Kujtimi më i bukur ka qenë ndeshja me Partizanin, ku ne fituam 1-0. Kujtoj këtu portjerin e talentuar Mikel Janku. Në atë periudhë kur luaja unë, penalltitë i gjuante vetëm një njeri. Kam dy momente që dua të veccoj. Bëhet penallti karshi Partizanit dhe ishte një moment delikat për atë që gjuan. Gjithë populli pret dhe s'lëviz as miza, por zemra të rreh fort. Punë të madhe me mua ka bërë Miço Plluska, i cili më trajtonte si djalin e tij dhe më mësonte si të gjuaja. Meritë të madhe ka edhe Spiro Koça, trajneri, i cili pas çdo stërvitje më mbante rreth 1 orë, vendoste dy shkopinj rreth gjysëm metri dhe unë gjuaja me sy mbyllur. Me ndeshjen me Partizanit, Mikel Janku gjuan në krah të majtë dhe topi hyn në krah të djathtë. Aty buçiti i gjithë stadiumi, gati 10 mijë veta. Pas ndeshjes u mblodhëm për respekt me lojtarët e Partizanit. Një kujtim tjetër, ishte se në atë kohë bëheshin edhe kupat e gazetave, dhe gazeta "Puna" doli në finale me Skënderbeun. Unë realizova të pesta penalltitë, ndërsa kundërshtari im e humbi të fundit. Në periudhën time, unë kam gjuajtur 101 penallti, dhe të gjitha i kam realizuar.", u shpreh Zeni Çela.

Zeni Çela përfundoi karrierën si futbollist në vitin 1967, por nuk hoqi dorë nga pasioni i tij për futbollin, duke vazhduar më pas si trajner i ekipit të moshave, dhe po ashtu si mësues pranë shkollës Stavri Themeli. E një ndër arritjet e profesor Çelës ka qenë formimi i një ekipi privat të cilin e quajti Oktapodi, duke dalë 10 vite kampion, e duke i dhënë Korçës një tjetër ekip me vlerë në atë kohë.

"Fundi i lojës time ka qenë në fund të vitit 1967, pas 14 viteve me skuadrën e parë të Skënderbeut. Pasi përfundova aktivitetin si futbollist, unë vazhdova të punoj në shtëpinë e Pionerit me moshat, dhe më mbajti pranë Bimbli. Më pas ngrita të parën klasë sportive në shkollën Stavri Themeli, me rreth 18-20 veta. Këtu dolën talente si Paulin Dhëmbi, Bledi Shkëmbi, Klevis Lluka, Dioni Riza etj. Si mësues vazhdova deri në vitin 1990 atëherë kur dola në pension në shkollën Stavri Themeli. Nuk u shkëputa nga aktiviteti, pasi trajnoja të rinjtë për 8 vite rrjesht. Formova ekipin privat Oktapodi. 18 vjet kam punuar me këtë ekip, ndërsa 10 vite dolëm kampion. Përfaqësuam Korçën në spartakiadat kombëtare, pasi atëherë ju jepej shumë rëndësi aktiviteteve. Në 1973 në Vlorë dhe në vitin 1975, dy herë jam shpallur kampion i Shqipërisë, dhe konkretisht ka qenë kryetari i BFSÇ-së Veiz Lelo që më ka dorëzuar kupën, dhe Manol Bozaxhiu në 1975. Futbolli ka qenë jeta ime.", tregoi ai. 

Profesor Zeni ka komentuar me keqardhje por edhe me shumë optimizëm, situatën që ndodhet Skënderbeu sot. Ai ka dhënë një këshillë jo vetëm për lojtarët dhe trajnerin aktual, por edhe një thirrje drejt presidentit Takaj.

"Më vjen keq që Korça ra nga kategoria, tani po përparon. Ka marrë një trajner që e njeh mentalitetin korçar, Ivanin e kam takuar disa herë dhe është njeri shumë punëtor, i përpiktë dhe i zgjuar. Mirëpo djemtë janë të rinj, akoma nuk janë formuar dhe kanë patur luhatje. Ndeshja me Kukësin dhe me Shkodrën kanë humbur vetë sepse hynë si në ndeshje për qejf, të pamobilizuar. Duhet të lenë shpirtin në fushë. Ky ekip do japë rezultate por unë nga përvoja ime edhe si trajner, them se duhet një qendërmbrojtës shumë i fuqishëm dhe një sulmues pykë. Organizator kanë Liçin, një djalë të talentuar por duhen organizuar këto reparte, mbrojtja , mesfusha dhe sulmi. Kanë bërë ndeshje të shkëlqyera, sepse dhe në rastin me Partizanin hynë me shpirt në fushë. Shpresoj se ky ekip do të ecë përpara, duhet vlerësuar që në fillim kundërshtari. Nuk diskutohet më rënia e Korçës nga kategoria, sepse Korça është vend me kulturë e me tradita, dhe duhet të jetë në vendin që i takon. Këshillë i jap veçanërisht presidentit, Ardjan Takaj, Skënderbeu u dënua 10 vjet, nuk është dënuar ekip në Shqipëri dhe në botë kaq shumë. Qëllimi ishte ta eleminoni Skënderbeun. Duhet të shikohet kjo gjendje pasi kanë edhe 3 vjet dënim, dhe duhet vënë dorë pasi i kemi të gjitha mundësitë dhe ambjentet e duhura.", u shpreh Çela.

Qyteti i Korçës ka nxjerrë figura të njohura në të gjitha fushat. Jo vetëm qyteti, por edhe ekipi i Skënderbeut ka patur fatin ta ketë pranë profesor Zeni Çelën, i cili ka dhënë shumë në trajnimin e të rinjve dhe nxjerrjen e talenteve korccarë, që sot e kësaj dite luajnë në ekipe të mëdha në Shqipëri apo edhe në Europë./ CNA

Lajmet e fundit nga