web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Lulu Fest" ndez Korçën/ Orkestrat bashkohen në tingujt e miqësisë

26 Tetor 2025, 14:58, Qyteti im CNA

"Lulu Fest" ndez Korçën/ Orkestrat bashkohen në

Korça ka përjetuar një tjetër mbrëmje magjike në kuadër të “Lulu Fest”, festivalit ndërkombëtar të bandave frymore që ka sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme në qytetin juglindor. Nata e dytë e festivalit ka mbledhur bashkë orkestrat pjesëmarrëse në një performancë të përbashkët që ndezi skenën dhe publikun korçar. Në qendër të skenës, ritmet e fuqishme dhe tingujt harmonikë u ndërthurën në një koncert që përçoi energji, profesionalizëm dhe emocion.

Lirjona Sylejmani, dirigjente e Orkestrës Frymore të Forcës së Sigurisë së Kosovës, u shpreh se ndjehej e privilegjuar të ishte për herë të parë në Korçë. Ajo theksoi se mikpritja e qytetarëve e ka bërë të ndihet si në shtëpi dhe se për të ky festival është një mundësi për të bashkuar dashurinë për muzikën me atë për atdheun.

"Unë në Korçë po ndihem shumë mirë. Për mua është kënaqësi edhe pse jam për herë të parë. Kemi qenë shumë të mirëpritur nga qytetarët e Korçës dhe kjo ma ka bërë të ndihemi edhe më mirë. Ne sigurisht këtu jemi për të bërë muzikë dhe për ta zbukuruar edhe më shumë këtë qytet të bukur, kështuqë besoj e kemi arritur qëllimin edhe dje, do ta arrijmë edhe sot."

Rrugëtimi muzikor i Lirjona Sylejmanit është ndërtuar mbi dy shtylla të forta, dashurinë për atdheun dhe pasionin për muzikën. Ajo i ka bashkuar këto dy dimensione të rëndësishme të jetës së saj duke qenë pjesë e Orkestrës Frymore të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku dirigjon me krenari, veshur me uniformën e ushtrisë së vendit të saj. Për të, profesioni i dirigjentes mbart vështirësitë dhe sfidat e veta, por dashuria ndaj artit e bën çdo pengesë më të lehtë për t’u përballuar.

"Rrugëtimi im muzikor ka filluar me dëshirën e madhe për të bashkuar dy gjëra shumë të rëndësishme në jetën time, pjesa atdhetare dhe pjesa e dashurisë ndaj profesionit të cilat i kam bërë bashkë duke qenë pjesë e Orkestrës Frymore të FSK-së, si dirigjente e duke mbajtur veshur uniformën e ushtrisë së Kosovës. Besoj të gjitha profesionet e kanë vështirësinë e vet, edhe drejtimi i dirigjimit i ka vështirësitë e veta. Gjithsesi, kur ke dashuri ndaj profesionit, edhe ato vështirësi tejkalohen me lehtësi."

Sylejmani shtoi se koncerti përmban si pjesë të muzikës ushtarake, ashtu edhe këngë shqiptare, ndërsa kulmi i performancës është bashkimi i të gjitha orkestrave në interpretimin e këngës “E duam më shumë Shqipërinë”.

"Koncerti i sotëm përmban dy pjesë në aspektin muzikor, luajmë marrshe të cilat janë muzikë ushtarake po ashtu luajmë edhe këngë shqiptare. Në fund orkestrat frymore bëhen bashkë dhe luajmë "E duam më shumë Shqipërinë". Mendoj se është mjaft e rëndësishme kur sheh orkestra të nacionaliteteve të ndryshme që luajnë këngë shqipe."

Emocione të veçanta ndau edhe perkusionisti Patris Berisha nga FSK, i cili e cilësoi këtë përvojë si të paharrueshme. Ai u shpreh se ishte privilegj të performonte për herë të parë në Korçë dhe të ndante skenën me kolegë nga vende të ndryshme, përfshirë Kroacinë, Italinë dhe Shqipërinë. Sipas tij, momenti më i veçantë i festivalit mbetet bashkimi i të gjitha bandave në një vepër shqiptare, një simbol i miqësisë dhe harmonisë mes popujve.

"Për ne është një ndjenjë shumë e veçantë posaçërisht në këtë festival. Është një eksperiencë e vëçantë sidomos këtë vit pasi për mua është ardhja e parë në Korçë dhe është një privilegj të jem në mesin e shumë kolegëve dhe vendeve të ndryshme si Kroacia, arbëreshët e Italisë, bandës së Tiranës dhe ne të Kosovës që jemi bashkë. Është gjë interesante sepse edhe ne luajmë vepra të shteteve të ndryshme, ndërsa sot, të gjithë bashkë do të luajmë një vepër shqiptare dhe është gjëja më e veçantë për këtë festival. Shpresoj që ky festival të vazhdojë edhe vite të tjera dhe të kemi suksese të mëdha si sot dhe dje që bëmë një paraqitje të veçantë me paradën në Korçë."

Ndërkohë, për muzikantin kroat ?eljko Kertez, pjesëmarrja në “Lulu Fest” ka qenë një eksperiencë e re dhe e mrekullueshme. Ai tregoi se banda e tyre, me një traditë mbi 50-vjeçare, performon zakonisht muzikë filmash dhe botërore, por në Korçë do të sjellë edhe këngë pop, ndërsa është entuziast për bashkëpunimin me orkestrat shqiptare dhe kosovare në interpretimin e këngës “E duam më shumë Shqipërinë”.

"Ne vijmë nga Kroacia dhe kjo është hera e parë e jona në qytetin e Korçës. Në fakt është hera e parë që vizitojmë Shqipërinë. Banda jonë është një ansambël, e cila është krijuar dhe punon së bashku për më shumë se 50 vite. Ne zakonisht luajmë muzikë filmash dhe muzikë botërore, e po ashtu edhe muzikë klasike. Unë personalisht ndihem shumë mirë, po ashtu e shoh që dhe pjesa tjetër e grupit mezi pret që të performojë për qytetarët e Korçës. Do të luajmë këngë filmash dhe disa këngë pop. E njohim këngën "E duam Shqipërinë" dhe do të shohim se si do të bashkëpunojmë me orkesterën shqiptare, atë kosovare dhe orkestrën e Korçës. Është një mundësi shumë e mirë që katër orkestrat të luajmë së bashku."

Drejtuesi i festivalit, Ilir Kodhima, tha se pas provës gjenerale me të katër bandat, emocionet ishin të jashtëzakonshme. Ai theksoi se “Lulu Fest” ka zgjuar Korçën me ritmet e bandave dhe me atmosferën festive që ato përcjellin tek qytetarët. Sipas tij, ky festival është një urë bashkëpunimi mes vendeve dhe qyteteve që ndajnë pasionin për artin dhe traditën frymore.

"Ne sapo mbaruam provën gjenerale, ishte pjesa "E duam më shumë Shqipërinë", e luajtën të katërta bandat bashkë. Ishte një emocion i paparë dhe jam i sigurt që do të ketë akoma më shumë emocion në koncert. Korçën e kemi zgjuar me këto ditë të forta, me ritmet e bandave, me festën që ato përçojnë tek publiku, por edhe me ëork shop-et për të rinjtë e qytetit dhe takimet midis artistëve. Kanë qenë pesë banda të mrekullueshme, ajo e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Orkestra Frymore e FSK-së e cila është një bandë e mrekullueshme, e konsoliduar, mund të them më e mira në mbarë trevat shqiptare. Po ashtu është një bandë arbëreshe e cila ka ardhur bashkë me kryetarin e bashkisë së tyre dhe jemi munduar të krijojmë një bashkëpunim midis dy qyteteve të Italisë dhe të Korçës. Gjithashtu kemi edhe bandën e mrekullueshme të Korçës që ka një traditë mbi 100 vjeçare dhe do të japim kontributin tonë maksimal për ta ringritur në një nivel superior."

Mbrëmja e dytë e “Lulu Fest” u mbyll në mënyrën më të bukur, me emocione, duartrokitje të zjarrta dhe ndjenjën e përbashkët të krenarisë që përçoi muzika. Tingujt e katër orkestrave që u bashkuan në fund në interpretimin e këngës “E duam më shumë Shqipërinë” krijuan një moment solemn e magjik, ku skena dhe publiku u bënë një. Korça përjetoi një mbrëmje të paharrueshme, ku arti i bandave frymore u shndërrua në një gjuhë të përbashkët të paqes dhe bashkëpunimit. Artistët nga Shqipëria, Kosova, Kroacia dhe Italia sollën një mesazh të fortë bashkimi përmes muzikës./ CNA





Lajmet e fundit nga