web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një histori me Damir Fazlliçin, Berishën dhe britanikët

22 Korrik 2022, 17:43, Opinione Habjon Hasani
Një histori me Damir Fazlliçin, Berishën dhe britanikët
Kryetari i PD-së, Sali Berisha

Në vitin 2008 isha me punë te gazeta "Albania", e cila asokohe ishte në marrëveshje biznesi me grupin “Vizion Plus” të Dulakut. Te kafja e “Vizionit” paradite, ndërsa po bënim mbledhjen ditore të mëngjesit, shfletuam "Gazeta Shqiptare", e cila ishte hapur me titullin "Zbulohet kontrata sekrete e qeverisë Berisha me Tom Ridge".

Lajmi ishte i bujshëm, por një kolegu im në tavolinë i quajtur Albert Gjoka, më thotë:

-Tom Ridge ishte në linje me firmën lobuese BG&R, një femër e BG&R që njoha në 2005 mua më përmendte dikë tjetër si shumë të rrezikshëm në ate firmë, ishte boshnjak po s'ja mbaj mend mirë emrin, Damian më duket se e quajnë. E kishin shumë inat këtë boshnjakun.

Origjina boshnjake e personit misterioz më tërhoqi shumë sepse ndërkohë në kuadër të interesimeve për skandalin e fishekëve me Pentagonin, kishin dalë gjurmët e një kompanie seksere në Qipro, të quajtur "Evdin LTD" dhe gazeta Dani në Bosnjë shkruante se kjo kompani kishte zyrë në Bosnjë dhe përfaqësohej nga shtetasi Adnan Sarajliç.

Ju luta Bertit se mos i kujtohej emri i atij boshnjakut "Damian", por nuk i kujtohej. Nisa të bëja kërkime në Google me emra të ngjashem nja dy ditë, kërkoja kryesisht me gërma cirilike, por hiç, asnjë gjë.

Durimi sosi dhe lashë një gotë birre në bllok me një mikun tim, i cili kishte njohje të mira në sallonet diplomatike.

- “Është një person, me shumë influencë te Berisha që po kërkoj, ka qenë dhe pjesë e BG&R, emrin e ka Damian ose diçka e ngjashme”, i them.

- “Se di, s'më del në radar”, më tha duke ngritur supet.

- “Mund të jetë serb ose boshnjak me origjinë”, i them.

- “Ahaaaa, Damir Fazlliç” më thotë. - “Po ai është lobist, është britanik nuk është serb e as boshnjak”, ma kthen miku.

- “Po ç'britanik leshi është ky, ku ka britanik me ‘viç’”, i them.

- “Është absolutisht britanik, madje me shtetësi britanike”, ma kthen miku, origjinën andej nga thua ti e ka patjeter.

Emrin "Damir Fazliç" e shënova në telefon duke ja nisur vetes me sms. Shkova në redaksi dhe nisa search-in, kur e kërkojë me gërma cirilike dilnin plot artikuj të gazetave boshnjake për të (kryesisht Slobodna Bosnia). Paralelisht merrja dhe informacion sa mundesha mbi takatin e Fazlliçit në Tiranë.

Periudha e kërkimit vijoi dhe akumuloja materiale dhe në këtë kohë më bie telefoni nga një person që ishte miqësi e imja dhe e Mero Bazes. Më tha që Mero donte të më takonte.

Takohem me Meron për herë të parë te kullat përballë Kryeministrisë dhe në takim ai më pyeti nëse kisha në radar kontratat korruptive të Rezart Taçit. I thashë që s'më interesonte fare Taçi sepse isha fokusuar te boshnjaku Damir Fazlliç. Mero sigurisht që e dinte mirë se kush ishte ai, madje disa nga shkrimet e Slobodna Bosna i posedonte. I thashë që mund të bëj një triptik dhe e botojmë te TemA, pasi kam bërë disa kërkime interesante që e lidhnin me trafikun e armëve.

Triptiku u publikua në TemA me titullin "Njeriu hije i Berishës", shkrimet qarkulluan me bujë në rrethet gazetareske sidomos, por i vetmi që i mbështeti publikisht, ishte Kiço Blushi. Ai bëri një shkrim në "Gazeta Shqiptare" asokohe dhe pyeste me të drejtë pse nuk fokusohen mediat tek ky person. I jam mirënjohës pafund Kiço Blushit për atë që shkroi dikur, ky detaj madje ka qenë përcaktues tek unë që dhe kur binte rasti për implikime të Ben Blushit me inceneratorët, të isha shumë i përmbajtur dhe me tendencë për të mos u marrë fare me të mundësisht.

Kjo ishte periudha kur nisi dhe QKR-ja te funksiononte elektronikisht nëpërmjet mbështetjes së USAID. Futa emrin e Damir Fazliç në QKR dhe pashë se aty dilnin disa të dhëna, emra kompanish.

Paraqitem në sportelin e QKR-së dhe për fatin tim të mirë aty ishte punonjëse një vajze nga Fieri të cilën e njihja.

-“S’ke nevoje të bësh kërkesë me shkrim”, - më tha, -“mjafton internet explorer dhe i shkarkon direkt të dhënat”.

Nuk e besova në fillim, ma trego tani në vend i thashë. U ula në kompjuterin e saj, e bëra vetë me dorën time procedurën që ta besoja. Shkarkoheshin vërtetë.

Përpara meje u hap një oqean i tërë me informacion.

Shkova në redaksi rreth orës 17:00, shkarkova çdo material që lidhej me Fazlliçin dhe kompanitë e tij. Paralelisht gjeta dhe një manual në internet që tregonte se si bëhej më produktiv kërkimi me sistemin "aspx" që përdorte QKR-ja, ky manual më ndihmoi shumë, pasi jo vetëm e bënte më të larmishëm kërkimin, por dhe ato "files" që dukeshin të dëmtuara unë arrija t'i hapja duke ndjekur udhëzimet e manualit.

Kur kam dalë nga redaksia ka qenë ora 09:30 e sabahut, stafin e gjeta në kafen e zakonshme. Më pyetën ç'ne kisha ardhr aq herët, por nuk u thashë që e kisha gdhirë aty. Shkova në shtëpi. Fjeta ca orë.

Në orën 17:00 shkova sërish në redaksi dhe përgatita një MEMO me të dhënat e mbledhura.

Kompania kryesore e Fazlliçit ishte “Altaria Research Limited”, kjo kompani lidhte Fazlliçin me Flutura Kolën, ortaken e Argita Malltezit dhe me Erion Isufin, kunatin e Bashës.

Kompania kishte bërë një blerje energjie 1.75 mln euro, por që ta kapnim duhej që të vërtetonim që nuk kishte paguar tatim fitimi. Dokumentin në tatime e siguroi Mero dhe dosja u kopsit.

Bashkë me Meron vendosëm që investigimin do e publikoja në revistën “MAPO” të Minxhozit, shkrimi do ishte me emrin tim, më pas mund ta merrnin lirisht të gjitha mediat e tjera. Minxhozi ra dakord fillimisht. Bëra shkrimin gati dhe e nisa, do publikohej në fundjavë.

Diku nga e mërkura më telefonojnë e më thone se shkrimi në “MAPO” ishte bllokuar. U pataksa, pasi presupozohej se “MAPO” ishte revistë e lidhur fort me opozitën e Edi Ramës, mirëpo mos harrojmë që në këtë kohë kishte sevda e mirëkuptim mes Berishës dhe Ramës, aq sa shkërmoqën Kushtetutën së bashku dhe ndanë llomkat e lejeve të ndërtimit tek Liqeni.

U mërzita jashtëzakonisht shumë. Por aq e kisha takatin. Isha i varfër, nevojtar dhe pa lidhje direkte në nivele vendimmarrëse për të shkuar e për t'u interesuar personalisht për shkrimin.

Pak ditë më vonë ndodhi që Damir Fazlliç u arrestua në Bosnjë bashkë me Naser Oriçin. Lajmi doli në disa media dhe në Tirane, pasi emri i Fazlliçit nuk ishte më i panjohur pas atij "Triptikut".

Takova Meron, s'kemi kohë tha duhet ta plasim se po vlon. Të nesërmen plasi skandali, shkrimin e plotë e kishte vetëm gazeta “Albania” dhe “TemA”, të tjerat kishin copëza nga shkrimi, njëra një detaj, tjetra ca detaje ndryshe.

Mero bëri më pas dhe një shkrim shumë të mirë "Profil i paautorizuar" ku shkoqiste prapavijën e lidhjeve politike të Damirit me kupolën e PD-së, ndërsa unë u pataksa ndërsa shikoja se si ajo çështje që unë e shihja thjesht si shkrimin e radhës, kishte tronditur qeverinë, tani të gjithë flisnin "për atë boshnjakun" e Berishës.

Paradoksi ishte se fiks në këtë periudhë kisha dy muaj pa marrë rrogën; isha në vështirësi ekonomike, e më vinte zor para familjarëve të mi, të cilët shihnin se si produkti im trondiste njerëzit më të fuqishëm të vendit, ndërsa unë s'dija si dreqin do t’ja dilja deri në fund të muajit. Kështu e kam përjetuar atë që ndodhi.

Në atë kohë, bashkë me një koleg aplikova dhe në një projekt gazetarie, i cili mbështetej edhe nga ambasada britanike, me një shkrim investigues të kopsitur, por koordinatorja e projektit na skualifikoi pasi si anglishtfolëse e kualifikuar që ishte, preferoi miqtë e saj me reportazhe fshati. Ishte fiks momenti kur krijova bindjen se projektet e gazetarisë të financuar nga ambasadat janë në fakt një gallatë e madhe, një mut i madh.

Në 2014-ën Damirin e takova personalisht në Sheraton, bisedova relativisht gjatë me të, e shijova bisedën. Ai është njeri tepër i mprehtë dhe i drejtpërdejtë. Kam qeshur pafund kur përdori epitetin "Forrest Gump" për Lulzim Bashën. Madje dhe u habita sepse nuk e mendoja që ai kishte kaluar në atë lloj përçmimi dhe mungese respekti për Bashën.

Pata kënaqësinë t'i tregoja ekzaktësisht këtë fabul mbi mënyrën se si u zbuluan bizneset e tij, e m'u përgjigj: "Pse s'më nise një e-mail, ta kisha blerë gazetën tënde"

Nejse, të gjithë këtë rrëfim vendosa ta bëj pikërisht sot kur po përflitet se "qëndrimi i Britanisë ndaj Berishës mund të ketë për bazë lidhjet e tij me Fazlliç".

Uroj të kenë të tjera motive ndaj Berishës, sepse nëse vërtetë është Fazliç arsyeja, me gjithë respektin për nënën Mbretëreshë, por kjo është idiotësi stratosferike.

Damir Fazliçit i buronte forca në sajë të lidhjeve dhe shërbimeve që i bënte amerikanëve dhe britanikëve, ai është njeriu i tyre para se të jetë njeriu i Berishës.

Çdo variant tjetër që ju thonë, është pordhë me rigon.





17:28 Opinione Eugen Beci

Na e fikën llambën

Gjithkush që përdor një kompjuter për çfarëdolloj arsy...

Lajmet e fundit nga