web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Komandantë pa ushtri

14 Shtator 2024, 09:51, Opinione Ardi Stefa

Komandantë pa ushtri

Sot, në opozitën shqiptare mbizotëron një situatë absurde. Në rast se shkon pranë saj dhe thërret “kryetar”, një dyzinë politikanësh do të kthejë kokën.

Është me të vërtetë mbresëlënëse të shohësh se sa politikanë të opozitës deklarohen lidera dhe deklarojnë përpara popullit, (por nuk e besojnë realisht) se mund të udhëheqin partitë e tyre, por edhe opozitën në përgjithësi dhe të fitojnë me Ramën.

E beson, megjithëse kam dyshime nëse e beson vërtet, Sali Berisha. Ëndërrojnë të  jenë udhëheqës potencialë të së ardhmes edhe disa të tjerë brenda PD.

Vetëpërcaktohet fitues dhe lider nëpër struktura metalike, bjeshkë me male të larta apo dete e lumenj me ujëra të pastra edhe Ilir Meta.

Kërkojnë rol primar në opozitë edhe Basha, Alibeaj, Agron Shehaj, Lapaj, Shabani, Qorri, Duka,Shehi, Dulja nëpërmjet Belerit, Idrizi... Madje edhe Gjuzi me Jenishehrin nuk qëndrojnë pas...

Bindja e tyre nuk bazohet në ndonjë arsye tjetër thelbësore, përveç asaj që ata mendojnë se "kanë rezonancë", se "ndiejnë se mund të përballen me Ramën", apo se "e zotërojnë mirë komunikimin me publikun".

Nuk përmendet ngarkesa e tyre politike, çfarë programi përfaqësojnë, (me përjashtim të Bashës, që prezantoi programin kur kishte vulën e logon). Nuk përmendin asnjëri politikën alternative që propozojnë, strategjinë që kanë përpunuar, modelin e qeverisjes që do të donin të testonin, si e përcaktojnë aktualisht politikën progresive apo "popullore". Asgjë, vetëm denoncojnë skandalet e qeverisë, zhyten çdo ditë në populizëm, kauzat që kanë janë kauza personale të dikujt tjetër dhe deklarojnë se do e rrëzojnë Ramën.

Ata as që mendojnë nëse kanë ndërtuar dhe në çfarë mase marrëdhënie përfaqësuese me shtresa më të gjera shoqërore, domethënë nëse përfaqësojnë një dinamikë elektorale dhe politike dhe nëse shoqëria i njeh realisht si personalitete potencialisht udhëheqëse dhe jo si dikë, që u kujton diçka nga studiot televizive.

E vetmja gjë që bëjnë është të sillen si kandidatë potencialë të drejtimit të opozitës dhe të shkojnë nëpër televizione, në disa protesta të mekura e të shuara pa u ndezur, apo poshtë ballkonit për të bindur veten dhe ndonjë tjetër se u takon ai vend apo ajo ëndërr që kanë...

Për të mos folur për faktin që e trajtojnë të gjithë procesin jo si një betejë politike, një përballje apo edhe një “rivalitet” me propozime, programe dhe drejtime ideologjike, por si një lojë realiteti të stilit të mbijetuar.

E gjithë kjo fillon me një mungesë të habitshme të të kuptuarit se çfarë është në të vërtetë politika. Ngaqë ata ende mendojnë për gjetjen e personit që do të jetë "antiRama". Pra, realisht nuk kuptojnë asgjë. Rezultati është një inflacion ambicieje i kombinuar me një deficit të madh serioziteti.

Por Rama nuk qeveris 12 vjet, sepse është thjesht “një person”. Aspekti më i rëndësishëm i pranisë së tij politike nuk është as “fytyra” që ai paraqet. Në fund të fundit, ai gjithmonë ka qenë një komunikues i talentuar dhe mjeshtër i imazhit.

Rama përfaqëson një politikë, një model qeverisjeje e një mënyrë ushtrimi të pushtetit, një aleancë shoqërore që e identifikon veten me këtë qeveri dhe me këtë mënyrë ushtrimi të pushtetit! Rama përfaqëson një plan që favorizon privatizimet dhe investitorët strategjikë; është i vetmi politikan që ka marrëdhënie me politikën e jashtme, ndryshe nga opozita që nuk takohet dot me ndërkombëtarët dhe është e izoluar në bunkerin “non grata”. Rama di dhe e ka të qartë se si do ta marrë dhe do të mbajë pushtetin, ndryshe nga opozita që ka një retorikë të vjetëruar, pa ide, pa njerëz, ndryshe nga opozita e cila pret që shoqëria të ndryshojë sjellje ndaj saj dhe jo ajo ndaj shoqërisë...

Kjo politikë vërtet nuk është mazhoritare në shoqëri, por arrin të përqendrojë elektoralisht pakicën më të fuqishme, edhe pse me zhgënjim në rritje.

Nëse dikush dëshiron të përmbysë pozicionin dominues që mban aktualisht Rama dhe PS, duhet të bëjë diçka të ngjashme dhe të mos shfaqet thjesht si një “fytyrë e re” duke nxjerrë skeletet nga dollapi, as të presë të bëjë garderobë të re me kostume të vjetra.

Kjo do të thotë se ai që pretendon se do të përmbysë nga pushteti Ramën, duhet të paraqesë një program, propozime specifike për një politikë alternative ekonomike, konceptin apo mënyrën e tij për qeverisjen dhe demokracinë, qëndrimet e tij se si duhet të ndërtohet politika e jashtme dhe e brendshme dhe mbi këtë bazë të formojë një aleancë të ngjashme sociale dhe në thelb të pretendojë hegjemoninë mbi një pjesë e rëndësishme e shoqërisë.

Natyrisht, e gjithë kjo nuk është e lehtë, kërkon studim, strategji, përkushtim, punë paraprake, kontakte me shoqërinë dhe padyshim punë kolektive, hapje e vërtetësi, tolerancë dhe jo qëndrime refraktare, përulje dhe realizëm dhe mbi të gjitha të kuptuarit që një person nuk mund t'i bëjë të gjitha këto i vetëm.

A keni parë ndonjë gjë të tillë në PD? Po te PL (LSI)? Po te partitë apo grupimet e tjera opozitare? Keni parë ndonjë lloj konfrontimi politik të substancës për karakterin, stigmën ideologjike, vizionin social të partisë, në një mënyrë që i intereson dhe e frymëzon shoqërinë?

Përgjigja është jo! Sepse është pikërisht ky problem në opozitën aktuale, që vjen nga mungesa e demokracisë së vërtetë. Vjen, sepse opozita funksionon ende me mentalitete të vjetëruara dhe janë parti të vjetra edhe partitë e reja.

Sepse opozita si pjesë e establishmentit, vazhdon jo me zgjedhje e qarkullime elitash, por me emërime, kulte individi ndërkohë që lufton për të mbajtur në këmbë establishmentin dhe jo për t’i dhënë perspektivë, vizion e prosperitet Shqipërisë!

Por duket se tashmë është bërë një rregull në partitë politike shqiptare të opozitës që nga gabimet nuk duhet mësuar, por thjesht të përsëriten, se mos ndoshta “thyen këmbën dreqi” dhe rezultatet do të jenë të ndryshme pas gabimeve të njëjta.

Ndërkohë që shoqëria shqiptare është e zhgënjyer nga mënyra se si funksionojnë partitë politike në hapësirën demokratike, e zhgënjyer nga aftësia e tyre për të prodhuar politikë e jo pazare; është e zhgënjyer drejtuesit që mund ta zbatonin këto politika. Shoqëria shqiptare është e zhgënjyer nga korrupsioni, partitokracia dhe shteti klientelist; është një shoqëri në depresion të thellë dhe me pritshmëri të ulëta, e gatshme të pranojë çdo gjë për aq kohë sa duket si "normalitet" dhe të zgjedhë ikjen në vend të përpjekjes për ndryshim. 

Dhe kjo dëshmon jo vetëm për një krizë të thellë ekzistenciale të hapësirës demokratike, por për një krizë, e cila përkthehet në të njëjtën kohë në një krizë të funksionimit të vetë demokracisë.

Ndërkohë që opozita do të kërkojë gjeneral për të rrëzuar Ramën, me shumë gjasa nuk do të ketë ushtri, kur të vijë ora e luftës.../ CNA





09:13 Opinione Ardi Stefa

Dilemë

Kur them që me këtë opozitë, të ngujuar në “bunkerin” ...

21:03 Opinione Ardi Stefa

Parti për veten

Përpara disa javësh në SHBA, kush merr pak erë nga politik...

14:00 Opinione Arian Galdini

Porosia e Lasgushit!

Në letrën e tij dërguar në vitin 1930 Dhimitër Paskos apo ...

Lajmet e fundit nga