web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Fytyrëpërshkrim për një prift mashtrues – Niko Bllazhde

24 Korrik 2025, 11:32, Opinione Col Mehmeti

Fytyrëpërshkrim për një prift mashtrues – Niko

Ish-kryeministri Albin Kurti nuk është i vetmi që u mashtrua keq nga dy komedianët rusë, Vovan dhe Lexus, që iu paraqitën në telefon si presidenti i Latvisë. Helaq janë bërë edhe tre kryetarë komunash, Përparim Rama, Ardian Gjini dhe Gazmend Muhaxheri, me takime skandaloze me një të ri nga Elbasani që e quan veten kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës. Ndërkohë, me mijëra njerëz në media sociale lajthiten e mashtrohen nga elbasanasi, Niko Bllazhde dhe organizimi i tij fantom.

Ndonëse Ligji për Lirinë Fetare në Kosovë është tejet liberal kur vjen puna për regjistrim bashkësish fetare, krijimi i një ‘Kishe Ortodokse Autoqefale’ ngjan të jetë veçse mashtrim i dobët adoleshentësh – gjasat për një organizim të tillë janë baraz me zero meqë nuk ka as staf klerikal e as besimtarë. Edhe sikur të krijohej, kjo kishë zor që do të kanonizohej e autoqefalizohej nga Patriarkana Ekumenike apo kishat ortodokse në botë. Niko Bllazhde mbetet ai që i bën autogola Kosovës dhe citohet vazhdimisht nga Serbia e Kisha Pravosllave në dosjen e tyre anti-Kosovë.

Ai nuk ka as formim prej teologu e as nuk është prift kanonik – i vetmi që e njohu si të tillë ishte serbo-rumuni Moisije Vasi?, i cili njëherë u shfaq me mashtruesin nga Elbasani dhe pas kësaj u zhduk.

22 korrik 2025 – Tre kryetarë komunash në Kosovë janë bërë gazi i dynjasë duke u takuar me dikë që nuk është as prift, as klerik, as peshkop e as nuk përfaqëson ndonjë bashkësi fetare.

Me 15 korrik, 16 korrik dhe 21 korrik, të riut nga Elbasani, Niko Bllazhde, i kanë bërë sajditë më të larta kryetari i Prishtinës Përparim Rama, i Gjakovës Ardian Gjini, dhe ai i Pejës Gazmend Muhaxheri.

Madje, njëri prej tyre, kryetari i Gjakovës, e ka bërë një njoftim fare të çuditshëm në faqen e tij zyrtare.

Sipas Gjinit, i riu elbasanas është “udhëheqës i Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës” (sic!)

Ç’është e vërteta, kryepeshkopi i vetëshpallur është një nga rastet e rralla ku ndryshe njihet nga organet e drejtësisë e ndryshe nga opinioni.

Ç’thonë dosjet?

Për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ai është Niko Bllazhde, i cili më 27 nëntor 2023, hyri në kishën e Shën Kryeengjullit Mihail, në Rakinicë të Besianës.

Po të flasim me gjuhën prokuroriale të aktakuzës, Niko Bllazhde e Lejdi Zagalli kishin hapur dhunshëm portën e kishës për ta shpallur atë si kishë të Fan Nolit e për ta vënë nën ‘Kishën Ortodokse Shqiptare’ në Elbasan.

Një video e bërë disa ditë më vonë kishte mjaftuar që i riu Bllazhde me mikun e tij të konsumonin veprën penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit”.

Niko Bllazhde në letërnjoftim, Nikollë Xhufka për patriotizëm

Rjedhimisht, ky Niko Bllazhde është thuajse i panjohur për publikun në Kosovë e Shqipëri.

Këndejpari, ai lexohet, dëgjohet e shihet ndryshe.

Pakkush guxon të mendojë se bëhet fjalë veçse për një sharlatan që ecën mbi litarin e pehlivanit duke vënë në rrezik serioz drejtpeshimin delikat të sigurisë në vend.

Me 9800 ndjekës në "Facebook", ai vetëprezantohet si Nikolla Xhufka, madje duke e mbiquajtur veten 'peshkop' dhe thuajse secili shkrim e njoftim i tij pasohet me qindra e mijëra pëlqime.

Pos emrit të tij tashmë të popullarizuar mes popullit të "Facebook"-ut e mediave të tjera sociale, ka turlifarë kronikash televizive që kureshtohen pas gjithçkaje të ‘priftit’ të pazakontë.

Një qymez me tavane të ulëta e pa dritare në lagjen Kala në Elbasan, ku është improvizuar një biçim kishe që mban emrin e Shën Kozmait, përbën një rrëfim me grimasa ekzotike që shkëputet nga banaliteti ditor.

Kjo përdhesë u bë popullore kur nga aty shkreheshin diatriba kundër kryepeshkopit tashmë të ndjerë Anastas Janullatos apo kur bëheshin poza në emër të themeluesit të autoqefalizmit ortodoks shqiptar, Fan Noli.

 

Nga një qymez në Elbasan në një apartament në Ulpianë

Megjithëse e kështuquajtura Kishë e Shën Kozmait nuk njihet ligjërisht nga asnjë instancë, kjo nuk e ka penguar të riun elbasanas që të përvilte mëngët për një tjetër organizim fiktiv.

Pikërisht me kredencialet e të ashtuquajturës Kishë Ortodokse Autoqefale e Kosovës,  që ka përshtatur si zyrë një apartament në rrugën ‘Filip Shiroka’ në Prishtinë, Niko Bllazhde është faktorizuar si dikush me peshë.

Atij, pra, po i hapen dyert e komunave kudo nëpër Kosovë, madje agjenda protokollare e kryetarëve e shënon si alamet arritje takimin me ‘kryepeshkopin’.

Ashtu siç ndodh gjetiu me impostorët e klerikët e vetëshpallur, ai nuk ia huq për të dalë kudo me rasën e zezë e me kryqin e varur në qafë.

Në ditë të shënuara kremtesh, Niko vë edhe omoforin si simbol autoriteti peshkopal, mitrën si kurorë ceremoniale dhe engolpionin si qafore me medaljon.

Mysafiri i emisioneve tallava

I papërtuar për paraqitje në media, i dashur për producentë e moderatorë që e kanë gajle ditore gjetjen e një mysafiri në studio, i riu elbasanas është importuar edhe në Kosovë.

Herë në emisione tallavaje si "Kojshia Show" i Sadri Imerit apo aso burleske si "Kosova News" i Jehona Bajramit e Kron Sadikut, ‘at Nikolla’ është shndërruar në kanakar të të gjithëve.

Për të qenë sa më popullor ai duhet t’ia bëjë qejfin secilit porcion shoqëror duke i thënë ato gjëra që kanë nevojë të dëgjohen.

Për islamikët ai është ‘prifti’ që i validon dhe ka fjalë në qiell për islamin; për laikët e nacionalistët ai është ‘prifti i drejtë’ që i kundërvihej Janullatosit dhe demek e mbron frymën noliane; për të tjerët ai është asgjëmangut pos kleriku i nevojshëm që mitralon armikun e Serbinë me gjuhën e fesë.

Rrëfimi për ‘priftin’ riosh mund të zgjatej me orë të tëra po nuk u kujtua një gjë fare e thjeshtë: Niko Bllazhde, i ndryshequajtur at Nikollë Xhufka, nuk është as prift dhe as prift kanonik!

Rrënjët e mashtrimit

Grigja ortodokse në Republikën e Shqipërisë drejtohet nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë (KOASh) si njëra nga pesë bashkësitë fetare në vend.

Statuti i orthodhoksizmes shqiptare është gjuhëprerë dhe i njëkuptimtë nga neni në nen.

Në nenin 10 bëhet e qartë se nuk ka vend për klerikë të vetëshpallur: “Asnjë klerik orthodhoks nuk mund të ushtrojë detyrën e tij priftërore në Shqipëri, në qoftë se nuk është i lidhur kanonikisht me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe pa pasur paraprakisht një leje të veçantë prej autoritetit kishtar kompetent”.

Qysh kur ishte mitropolit i Korçës, kryepeshkopi i tashpërtashëm i KOASh-it, Joan Pelushi, kishte skicuar mënyrën se si bëhet dorëzimi (hirotonisja) i dikujt si prift.

Në librin Besimi Orthodhoks (Selanik, 1996), ai kishte vënë theksin se njëra nga cilësitë kryesore dhe të domosdoshme për një kandidat për priftëri është që ai duhet të ketë një thirrje të brendshme për këtë detyrë.

“Ai duhet të kuptojë rëndësinë e detyrës dhe përgjegjësinë e madhe që do të këtë përpara Perëndisë dhe Kishës. Priftëria është një shërbesë dashurie dhe sakrifice. Ajo kërkon një dashuri të madhe për Perëndinë, Kishën dhe për gjithë popullin. T’i shërbesh Perëndisë është detyra më e lartë, por dhe më me përgjegjësi nga të gjitha. Altari është një zjarr dhe me këtë zjarr nuk mund të luhet. Kush do të bëhet i denjë të veshë rrobat e priftërisë, do të veshë rrobat e ‘bardha’. Por rrobat e ‘bardha’ duan kujdes, sepse edhe bëhen shpejt pis. Prandaj, para se dikush të vendosë të ndjekë rrugën e priftërisë, duhet të sigurohet ai vetë në është thirrur nga Perëndia. Dhe kjo thirrje e brendshme sanksionohet nga populli i mbledhur në dorëzim, që i përgjigjet ‘i denjë’ (aksios). Kështu, thirrja e brendshme sanksionohet këtu zyrtarisht nga Trupi i Krishtit, Kisha e mbledhur në Eukaristi (Kungatë). Dhe thirrja e padukshme bëhet e dukshme në priftërinë e Krishtit”, shkruante Pelushi.

Përveç cilësive të sipërpërshkruara, kandidatët për priftërinj, ata që tashmë kanë plotësuar kushtet, kanë përballë edhe disa ‘teknikalite’ në ceremoninë e dorëzimit për prift.

Sipas Pelushit, “misteri i dorëzimit kryehet nga një episkop, meqenëse vetëm ai e zotëron priftërinë në plotësinë e saj dhe mund t’ua japë atë të tjerëve”.

Lidhja me ekstremistin Moisije Vasi?

Me këto konsiderata në mendje, djaloshi Niko Bllazhde zbulohet i lakuriqësuar si dikush që as nuk ka bërë rrugëtimin e priftit, as nuk ka farë vokacioni e as nuk ka kapërcyer pragun procedural të hirotonisjes.

‘Priftëria’ e djaloshit elbasanas nuk duket asfare transparente.

Ai kishte zgjedhur të hynte "jo nga dera, por nga penxherja" siç e kishte shpjeguar qartazi teologu, Miron Çako.

Është pikërisht këtu hija e madhe që rëndon mbi manipuluesin e ri.

Në Selanik, Bllazhde kishte rënë në kontakt me disa qarqe ekstremiste ortodokse, që i mbahen kalendarit të vjetër, e që u kundërvihen kishave dhe konvencave zyrtare.

Duke qenë se nuk plotësonte asnjërin nga kushtet për t’u bërë prift, për elbasanasin e ri u bë një dallaver i mirëmenduar.

Në nëntor të 2021-shit, në rrethana krejt të pasqaruara e me pikëpyetje, në Elbasan e sollën një klerik nga komuniteti rumun në Serbi me emrin Moisije Vasi?.

Ky i fundit kishte marrë me vete mitrovicasin, Patrik Kurti që shërbeu si ndërmjetës gjuhësor në ceremoninë e çuditshme të shpalljes prift të Bllazhdes.

“Personalisht kam ardhur këtu me lutjen e at Nikollës, i cili mund t’i shërbejë Kishës Ortodokse. Shpresoj që nuk do të ketë probleme dhe kryetari i bashkisë t’i dalë në mbrojtje”, kishte thënë Vasi? në serbisht.

Kush është serbo-rumuni pas “at Nikollës”?

Profili rumun serbishtfolës del të jetë një enigmë në vete.

Edhe në "Facebook" llogaria e tij nuk përban asnjë informacion me përjashtim të disa fotografive.

Llogaria e tij është ‘Homoljska Etno Arhiepiskopija’ (që në përkthim shqip i bie ‘Etno Kryepeshkopata e Homoljes’, krahinë kjo ku banon pakica rumune), por se zyrtarisht në Kishën Pravosllave në Beograd nuk njihet një bashkësi e tillë.

KOASh: “Nikolla Xhufka nuk është klerik ortodoks”

Qëndrimet gjithnjë e më përçarëse të ‘priftit’ të ri elbasanas më në fund morën përgjigje zyrtare nga instancat kishtare ortodokse në Shqipëri.

Më 16 nëntor 2022, Mitropolia e Shenjtë e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit reagoi me shqetësim ndaj mediatizimit të rij.

Duke kujtuar një thënie biblike të Mateut “Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq grabitqarë”, kjo Mitropoli kishte njoftuar publikun se “Nikolla (Bllazhde) Xhufka nuk është klerik ortodoks dhe nuk njihet si i tillë nga asnjë kishë e krishterë në asnjë vend”.

Në reagim ishte shkërmoqur edhe pretendimi i vetë Bllazhdes se është dorëzuar prift nga një person serbo-rumun, por që, sipas Mitropolisë, “nuk ka asnjë lidhje me Kishën Ortodokse dhe nuk është klerik i saj”.

“Nikolla përfaqëson vetëm veten e tij, nuk ka as kishë as komunitet besimtarësh, pavarësisht deklaratave pompoze që bën herë pas here në media”, ishte thënë në reagim.

Sipas Mitropolisë së Elbasanit, Bllazhde kishte gënjyer haptazi se kishte kryer studime fetare, por se në të vërtetë ai kishte të mbaruar vetëm shkollën e mesme profesionale për teknologji ushqimore në Elbasan.

“Mungesa e formimit fetar bën që deklaratat e tij mediatike në lidhje me besimin ortodoks të jenë të gabuara dhe dezinformuese. Ky person nuk varet nga asnjë autoritet kishtar dhe nuk mban përgjegjësi për veprimet e tij”, ishte thënë mes të tjerash në reagim.

Nisja e aventurës "patriotike"

Sapo e krijoi imazhin e tij si "prift rebel", Niko Bllazhde tanimë njihej në publik si at Nikolla Xhufka.

Kosova u bë sheshbeteja e parë për poza atdhetarie.

Me këso mëtime ishte bërë edhe një vizitë e tij në shkurt të 2023-shit në Manastirin e Deçanit.

Kjo për pak sa nuk ishte shndërruar në inicident, për çka vëllazëria murgjërore në Deçan e kishte alarmuar edhe KFOR-in.

Nga ajo kohë e tutje, statura e ‘priftit’ rebel po rritej e po fitonte simpati të gjerë.

Ai krijoi lëndë të mjaftueshme për të trashur dosjen e Serbisë dhe Kishës Pravosllave në Beograd – hyrjet e tij të paautorizuara në kishën në Rakinicë të Besianës u bënë një fusnotë shtesë në reagimet e njëpasnjëshme të Dioqezës Rashkë-Prizren.

Ato gjetën pasqyrim edhe në raportimet e UNMIK-ut, shpesh të prirura për të ekzagjeruar situatën rreth trashëgimisë ortodokse në Kosovë, ashtu sikundër edhe në reagimin e fundit të OSBE-së.

Legjislacioni në Kosovë përballë mashtruesve

Por ku topallon mashtrimi me të ashtuquajturën Kishë Ortodokse Autoqefale të Kosovës?

E përimtuar sipas ligjeve në fuqi, nuk ka diçka të tillë si Kishë Ortodokse Autoqefale të Kosovës.

Ligji për Lirinë Fetare, i miratuar gati dy dekada më parë, njeh zyrtarisht vetëm pesë bashkësi fetare.

Me fasadat e bëra dy vjet më parë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare e ka rritur këtë numër në shtatë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia e Besimit Hebrej, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, Bashkësia e Tarikateve të Kosovës dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës.

Paçka se bashkësitë fetare nuk janë të detyruara të regjistrohen e të pranojnë statusin e personit juridik, ligji i ‘fasaduar’ e ka bërë lehtësisht të kapërcyeshëm pragun e regjistrimit.

Nëse dikur ishin të nevojshme 500 nënshkrime, tani themelimi i një bashkësie kërkon që ajo të ketë së paku 100 anëtarë, shtetas të moshës madhore të Republikës së Kosovës.

Edhe kushtet e tjera janë të lehta pendël: mjafton një përfaqësues i autorizuar sa për kontakt me autoritetet publike, paraqitja e qëllimit dhe aktiviteteve, skicimi i parimeve bazë të besimit dhe paraqitja e pasurisë në zotërim dhe qëllimet për përdorimin e saj.

Gënjeshtra me Kishën Ortodokse Autoqefale të Kosovës

Megjithatë, çështja është përtej bujarisë e shpirtit liberal të ligjit.

Afirmimi i një kishe serioze ortodokse me staturë ndërkombëtare është sprovë herkuliane ashtu siç e provon historia e kësaj dekade dhe e gjithë shekullit të kaluar.

Në Krishtërimin Lindor, secila kishë duhet të jetë kanonike e autoqefale. Që të dyja këto ecin dorëpërdore me një pezhishkë ndërvarësie ku përkapen edhe valë e dinamika politike e kulturore.

Të qenit kishë kanonike nënkupton që edhe kishat simotra ia njohin hierarkinë, sakramentet dhe lidhjet me kusurin e botës ortodokse.

Në anën tjetër, autoqefalia (vetëqeverisja) kupton e parakupton që kisha është e zonja e vetes për të zgjedhur kryeparin e saj dhe për të ushtruar juridiksion brenda kufijsh të përpiktë.

Që të bëhet e pranuar tamam, statusi në fjalë duhet të njihet nga Kishat simotra ortodokse – gjë që ndodh shpesh me vështirësi të dukshme për shkak të mungesës së konsensusit.

Sado nuk është fiksuar një mekanizëm i gjithësishëm për të dhënë autoqefalinë, Patriarkana e Konstandinopojës e ka përparësinë e nderit dhe rolit bashkërendues për të lëshuar tomosin e autoqefalisë.

Kësaj praktike i bën naze vetëm Kisha Ortodokse Ruse, e cila i mëshon asaj që autoqefalia mund të dhurohet prej ‘Kishës Nënë’, që domethënë se kjo e reja duhet të marrë lejen nga kisha që paraprakisht ushtronte juridiksion aty.

Politikë, bërryla, interesa…

Kisha Ortodokse Ruse këtë ngulmin e bën me kast.

Ajo nuk e përballoi e as nuk e kapërdiu dot vendimin e janarit të 2019-ës kur Patriarku Ekumenik Bartolomeu I e shfuqizoi transferin e ndodhur më 1686 kur Metropolisi i Kivit iu bashkëngjit Moskës.

Tomosi i Autoqefalisë iu dha Kishës së riformuar Ortodokse të Ukrainës.

Kjo kishte bërë që Kisha Ortodokse Ruse të hakërrehej keq duke e quajtur këtë veprim si “cenim flagrant të së drejtës kishtare”.

Një rast larg më interesant është ai me Kishën Ortodokse Maqedone, e cila më 1967 e shpalli krye më vete autoqefalinë.

Ky veprim nuk qe njohur nga asnjë kishë ortodokse, dhe nga ajo kohë ortodoksizmi maqedonas e vuajti peshën e pezullisë pa kanonizëm e autoqefali të njohur.

Kësodore, autoqefalizimi i saj ishte një ecje jo e lehtë në litarin e fesateve politike veçmas kur Kisha Ortodokse Bullgare u vetëofrua që të bëhej kisha ‘nënë’.

Çështja iu la për ndërmjetësim Patriarkanës Ekumenike, e cila në maj të 2018-ës e shqyrtoi statusin kanonik të Kishës Ortodokse Maqedone.

Më 9 maj 2022, Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike e njohu Kishën Ortodokse të Maqedonisë, hierarkinë e saj, urëzoi bashkim eukaristik me të dhe ligjëroi juridikisionin e saj mbi Maqedoninë e Veriut.

Kjo njohje u bë me kushtin që të mos përdorej termi ‘Maqedoni’, por të emërzohej si Kryepeshkopatë e Ohrit.

Kurse, autoqefalia, sipas sugjerimit të Patriarkanës Ekumenike, iu la Kishës Pravosllave Serbe, e cila e lëshoi tomosin e autoqefalisë më 5 qershor 2022.

Tri ditë më vonë, Kisha e Greqisë e njohu kanonicitetin e Kishës Ortodokse në Maqedoninë e Veriut, porse e kundërshtoi emërtimin ‘maqedone’, ashtu sikundër edhe faktin që tomosi u lëshua nga Kisha Pravosllave në Beograd e jo nga Patriarkana Ekumenike.

Njohjet pasuan gati menjëherë nga Kisha Ortodokse Bullgare dhe Kisha Ortodokse Ruse, për t’u pasuar nga Kisha Ortodokse Polake, Kisha Ortodokse e Ukrainës, Patriarkana e Antiokut, Kisha Ortodokse gjeorgjiane dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.

A ka ortodoksë shqipfolës në Kosovë?

Hëpërhë, nuk ka të tillë përveç rasteve tejet të pakta të familjeve që së paku janë të vetëdijshme për të kaluarën e tyre ortodokse.

Të tilla janë disa familje në Zebincë, Manishincë e Gmicë me mbiemrin Korça që, gjatë shekullit XIX, u shpërngulën nga Korça dhe u vendosën në fshatrat rrotull Artanës.

Sa u përket shqiptarëve vendës ortodoksë, prania e tyre hetohej mjaft e gjallë në fillimvitet e shekullit të kaluar.

Fshatra ortodokse ishin të dukshme në anë të Malësisë së Gollakut të Poshtëm si dhe në të dyja Moravat si: Gregjenik, Cërnicë, Llashticë, Capar, Malishevë e Epërme, etj.

Nga literatura traveologjike e shekullit XIX ashtu dhe nga shënimet manastirore të Deviqit e Mushtishtit, shqiptarë ortodoksë viheshin re edhe në Drenicën veriore, Llapushë e Siriniq.

Pjesa më e madhe e paraardhësve të shqiptarëve të sotëm në Kosovë ishin shenjimisht ortodoksë.

Qysh ndër përmendjet e para të shqiptarëve mesjetarë, si te Mihal Ataliati më 1040, shqiptarët përmenden se kanë “homothreskeía” – kjo nënkupton se ata ishin të njëjtë për nga feja me pjesën tjetër të botës ortodokse bizantine.

Deri në autoqefalizimin e Kishës Pravosllave me 1219, janë dy shekuj të pakëputur afrimiteti me Kryepeshkopatën e Ohrit. Prizreni, Lipjani e pjesërisht edhe Rasi mbulonin praktikisht krejt Kosovën e sotme, dhe si gjuhë liturgjike ishte greqishtja kishtare.

Dhe nuk mund të ishte ndryshe kur në tri burimet e para hagiografike serbe Kosova e sapopushtuar identifikohej si ‘gr?ke zemlje’ (tokë greke) – kjo sebep besimit ortodoks në Kosovë.

Megjithë rikonfigurimet dhe demarkimet e reja fetare, tradita ortodokse në Kosovë, qoftë bizantine, qoftë pravosllave, është ruajtur gjer vonë nga shumica shqiptare./ Col Mehmeti, Nacionale.com





15:17 Opinione Boris Miska

A zgjidhet!

Askush më shumë se qytetarët, ata që në gjuhën specifike e...

19:15 Opinione Klodian Tomorri

Zegjinetë e Doktorit

Dje ‘Kapitali’ publikoi një investigim për rimbursimet fik...

17:21 Opinione Ardi Stefa

Autokratët e vegjël

Kur skllavëria politike maskohet si dashuri për demokracinë,...

11:33 Opinione Luan Rama

THETHI NË RROPAMË

Kurrkush nuk e ka menduar se vjen një ditë e Thethi, fshat...

16:06 Opinione Edvin Kulluri

Azem, ti nuk je gjallë!

Në dhjetor të 1990, një grup studentësh që mendonin se kis...

09:11 Opinione Ardi Stefa

Parimet apo perimet?

Shoqëria jonë përballet me sfida të thella politike dhe mo...

Lajmet e fundit nga