LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Qefini i Torinos: A është vërtetë pëlhura me të cilën u varros Jezu Krishti?

1 Janar 2023, 23:00, Kuriozitete CNA
Qefini i Torinos: A është vërtetë pëlhura me të
Foto ilustruese

Qefini i Torinos është një pëlhurë prej liri, e cila  përmban imazhin e një njeriu që duket se ka pësuar trauma fizike, në një mënyrë të tillë që përputhet me tregimin biblik të kryqëzimit të Jezu Krishtit. Ky objekt ndodhet aktualisht në Katedralen e Shën Gjon Pagëzorit në Torino të Italisë, dhe ka qenë për shumë shekuj subjekt i një shqyrtimi intensiv shkencor dhe fetar.

Qefini është afro 4.2 metra i gjatë dhe 1.05 metra i gjerë, dhe bart imazhin e zbehtë të fytyrës dhe trupit të një njeriu. Imazhi duket të jetë si negativi i një filmi, me zonat më të errëta që përputhet me pikat më të larta në pëlhurë.

Burri i përshkruar në qefin duket se është fshikulluar, kryqëzuar dhe goditur me thikë në ijë, dhe të gjitha këto janë në përputhje me tregimet biblike të vdekjes së Jezusit.

Shumë studiues e vënë në dyshim vlerën historike të Qefinit, duke pohuar se ajo u zbulua në fakt në Evropë gjatë Mesjetës, një periudhë kur dolën shumë objekte të tjera biblike, duke përfshirë copa nga kryqi mbi të cilin u ekzekutua Jezusi.

Edhe Kisha Katolike Romake nuk pretendon se trupi i pa jetë i Jezusit ishte i mbështjellë me këtë pëlhurë. Qëndrimi i tij zyrtar është se, pavarësisht vërtetësisë së tij, qefini është një instrument vendimtar për besimin e Krishterë.

Pak para se të largohej nga detyra e Papës disa vite më parë, Benedikti XVI autorizoi transmetimin e videos së Qefinit nga Katedralja e Torinos, ku relikti misterioz i krishterë mbahet jashtë syve kureshtarë në një kuti xhami anti-plumb.

Qefini i Torinis ka një histori të gjatë dhe shumë komplekse. Sipas rrëfimeve më të hershme historike, ai u zbulua pranë Lirej në Francë në vitet 1350. Thuhet se në fillim iu dorëzua dekanit të Kishës së Lirej nga kalorësi francez Godfrua dë Sharni si qefini i vërtetë i varrimit të Jezusit.

Nga ana tjetër nuk ekziston asnjë informacion se si dhe ku e mori Dë Sharni Qefinin, apo edhe mbi vendndodhjen e tij gjatë 1300 viteve që kishin kaluar që kur Krishti u kryqëzua në periferi të Jeruzalemit. Besohet se Qefini zotërohej për shumë kohë nga perandorët bizantinë në Kostandinopojë në shekullin XII-të.

Më vonë ai u dërgua në Francë nga Kalorësit Tempullarë. Në shekullin XIV-të, Qefini mbërriti në Itali, dhe ka mbetur atje që nga ajo kohë. Gjatë shekujve XIX-XX, Qefini ka qenë objekt i disa studimeve shkencore, duke përfshirë një seri testesh të datimit me radiokarbon që dukej se tregonin se pëlhura ishte krijuar në Mesjetë.

Pavarësisht kësaj, shumë njerëz vazhdojnë të besojnë se qefini është pëlhura autentike e varrimit të Jezu Krishtit, dhe se rezultatet e analizës së gjetjes së kohës së saktë përmes radiokarbonit kanë pasur jo pak të meta.

Disa ekspertë hipotetizojnë se Qefini mund të jetë kontaminuar nga një zjarr që e dëmtoi atë në vitin e largët 1532. Të tjerë kanë vënë në dukje faktin se testet e datimit përmes karbonit u kryen mbi një mostër të vogël të pëlhurës, e cila mund të mos ketë qenë përfaqësuese e të gjithë Qefinit.

Përveç debatit shkencor, Qefini i Torinos ka qenë sigurisht në qendër të një magjepsjeje të fortë shpirtërore dhe fetare. Shumë njerëz besojnë se Qefini është një relike e mrekullueshme, dhe se imazhi i njeriut të përshkruar në të, është një manifestim i mrekullueshëm i fytyrës së vërtetë të Jezusit.

Por studiues të tjerë besojnë se Qefini i Torinos është thjesht një falsifikim mesjetar shumë inteligjent, dhe se imazhi është krijuar duke përdorur një proces kimik ose artistik. Pavarësisht mungesës së provave përfundimtare shkencore në një mënyrë apo tjetrën, Qefini i Torinos mbetet një simbol i fuqishëm dhe i qëndrueshëm i besimit të Krishterë për shumë njerëz në mbarë botën.

Pavarësisht nëse është pëlhura autentike me të cilën u varros Jezus apo një falsifikim në epokën e Mesjetës, ai ka frymëzuar vepra të panumërta të artit, letërsisë dhe muzikës, dhe vazhdon të nxisë ende imagjinatën e njerëzve nga të gjitha sferat e jetës.

Përkthyer nga CNA.al

08:46 Kuriozitete

Si formohet bora?

Bora formohet kur temperaturat janë të ulëta dhe ka lagësh...

Lajmet e fundit nga