web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Prespa mirëpret "Kayak Fest"/ Sport, natyrë dhe kulturë në një destinacion të vetëm

29 Qershor 2025, 10:41, Qyteti im CNA

Prespa mirëpret "Kayak Fest"/ Sport, natyrë dhe kulturë

Prespa është kthyer në një nga atraksionet më të reja dhe më tërheqëse të turizmit alternativ në Shqipëri.

Aktiviteti “Kayak Fest”, i cili këtë vit është zhvilluar në Zaroshkë të Pustecit, sjell në vëmendje një kombinim unik të sportit, natyrës dhe kulturës, duke ofruar për pjesëmarrësit jo vetëm aventurë, por edhe përjetime të thella në kontakt me historinë dhe bukuritë e rralla të juglindjes shqiptare.

Me 12 kajakë në dispozicion dhe një itinerar prej 2.5 deri në 5 kilometra nga plazhi deri në ishullin e Maligradit, “Kayak Fest” është konceptuar si një udhëtim eksplorues nëpër ujërat e qeta të Prespës.

Aktiviteti ka tërhequr dhjetëra pjesëmarrës që kanë përjetuar emocionin e sportit në natyrë dhe bukurinë e një destinacioni ende të pazbuluar nga shumica e turistëve vendas.

Për organizatorët, zgjedhja e Zaroshkës nuk ka qenë rastësore. Sipas Elton Dheftos, zona ofron një terren ideal që bashkon malin, liqenin dhe trashëgiminë kulturore.

"Aktivitetin në Zaroshkë e zgjodhëm për terrenin që është i kombinuar mali, liqeni dhe pjesa e gjerave antike si kishat heremite. Na intereson kombinimi i kajakut me kulturën dhe me gjerat e vjetra. Vendi këtu është perfekt për të kryer kamping dhe kajak. Pjesa më e madhe është e turistëve të huaj por edhe shqiptarët janë shumë të interesuar. Nuk ështe diçka e re por në liqen është diçka më ndryshe."

Autoritetet vendore po e konsiderojnë këtë aktivitet si një shtesë të rëndësishme në ofertën turistike të Prespës. Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, vlerëson që përmes aktiviteteve si “Kayak Fest”, rajoni po fiton identitetin e një destinacioni të qëndrueshëm turistik.

"Ky është një investim që do të futet në ofertën turistike. Është një tjetër destinacion ku njerëzit mund të shkojnë për plazh, është një plus për destinacionet e Bashkisë së Pustecit. Oferta kryesore ngelet kulinaria me gatimet tradicionale të zonës, po ashtu kishat bizantine , Ishulli i Maligradit, muzeu i Sterjo Spases etj, dhe natyra, që Zoti e ka bërë të bukur Prespën. Po shohim që ka një trend në rritje të turistëve. Vitin e fundit ka pasur vizitorë të huaj, kjo duket nga rritja e numrit të prenotimeve në bujtinat e vogla. Jemi duke punuar për të bërë një paketë të përbashkët turistike dhe mendoj se nëse e arrijmë këtë gjë, do të jemi një destinacion jo një ditor por më gjatë se një javë."

Vetë pjesëmarrësit thonë se kjo është më shumë se një sfidë sportive. Është një eksperiencë e plotë sociale dhe kulturore. Ata ndajnë mbresa të ngrohta nga ky aktivitet që tashmë po kthehet në traditë.

"Ne jemi nga Korça dhe nga eksperienca e mirë që patëm vjet me Kajak Fest, vendosëm të vijmë edhe këtë vit. Ka patur një atmosferë shumë të këndshme sepse njerëzit u mblodhën, ndezën zjarr, kishim gatime zgarre dhe komunikim me njëri-tjetrin. Përveçse një pikniku në natyrë ke mundësi të njihesh me njerëz që i kanë qejf sportet. Është një mënyrë shumë e mirë për të promovuar edhe zonën. Prespa është një nga vendet më të preferuara për mua. Ka kuzhinë të mirë dhe tani jemi të lumtur që ka edhe një plazh publik."

"Është një turizëm që vjen si risi për të gjithë rajonin juglindor dhe për Shqipërinë. Është një motiv për të ecur ndryshe drejt Korçës dhe rrethinave të saj. Ajo që e bën të veçantë është shëtitja me kajak, ku po presim të qetësohet moti dhe ta provojmë edhe ne. I gjithë rajoni frekuentohet nga banorët e zonave por do kishim dëshirë që këtë mrekulli ta ndanim me pjesën tjetër të Shqipërisë."

Turizmi i qëndrueshëm në natyrë po shihet gjithnjë e më shumë si një mundësi për të zhvilluar zonat më pak të eksploruara të vendit.

“Kayak Fest” është një model i këtij zhvillimi që jo vetëm nuk cënon mjedisin, por e vë atë në funksion të përvojës turistike. Prespa, me liqenin e saj magjepsës dhe historinë që ruan në çdo cep, po shndërrohet në një destinacion të gjithanshëm turistik.

Aktivitetet si “Kayak Fest” sjellin një qasje të re në turizëm, jo vetëm pushime, por përjetime që lidhin njerëzit me natyrën dhe njëri-tjetrin./ CNA





Lajmet e fundit nga