web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën Shqipërinë në 2024-ën

2 Janar 2025, 15:00, Kronika CNA
Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën
Foto nga masakra e Dobraçit

Viti 2024 do të niste “i përgjakshëm”. Shumë prej këtyre atentateve kanë dinamikë të njëjtë.

Fillimisht ndiqet për disa ditë objektivi, autorët vijnë me motor ose makinë dhe hapin zjarr dhe në fund gjendet i djegur mjeti i autorëve.

Gjithashtu, ka pasur disa krime në familje, që kanë tronditur opinionin publik.

Në përfundim të 2024-ës, CNA po sjell një përmbledhje të atentateve dhe vrasjeve në një vit.

Vetëvrasja e Bedrie Lokës

41-vjeçarja Bedrie Loka u vetëhelmua mëngjesin e 2 janarit 2024 duke pirë fotoksinë. Fillimisht u raportua se Bedrie Loka i kishte dhënë fund jetës për shkak se i kishin hapur një adresë në rrjetin social “TikTok”, ku e ofendonin dhe i postonin foto nga më të ndryshmet, me qëllim denigrimin e saj.

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën
Fotomontazh - Viktima Bedrie Loka

Llogaria në këtë rrjet dyshohej se ishte hapur nga kunata e saj, më pas u aludua nga shoqet e punës, ku ajo punonte në një fasoneri, por më pas vëmendja u kthye nga bashkëshorti i saj, Xhemal Loka, i cili u arrestua nga policia.

Fëmijët e tij deklaruan se ai e dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht të ndjerën, ndërsa vetë Xhemal Loka i mohoi këto akuza në gjykatë.

Hetimet zbuluan se 45-vjeçari ushtronte dhunë psikologjike ndaj nënës së 4 fëmijëve dhe në një rast kishte tentuar që ta vriste me thikë.

63-vjeçari vrau vëllain dhe veten në Tiranë

Mëngjesin e 4 janarit kryeqyteti u trondit nga një krim në familje, ku vëllai vrau vëllanë në zonën e Freskut dhe më pas edhe veten me të njëjtën armë. (Lexo këtu)

63-vjeçari Vehap Cami shkoi në shtëpinë e të vëllait Lulzim Cami dhe e qëlloi me armë në sy të familjarëve të tjerë. Më pas e drejtoi armën nga vetja dhe i dha fund edhe jetës së tij. Shkak për ngjarjen dyshohet se ishin pronat në Bulqizë. 

Vrasja e Gëzim Sinomatit

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën

Gëzim Sinomati u vra me tek plumb snajperi në kokë mbrëmjen e 7 janarit, sapo kishte dalë për të pirë një cigare në ballkonin e shtëpisë, në lagjen “Hajro Çakërri” të Vlorës. Agresorët 5 minuta më vonë dogjën makinën, në ndenjësen mbrapa së cilës u gjet një bllok betoni, i cili dyshohet se shërbeu si mbajtës i armës së krimit.

Në lagjen “Hajro Çakerri”, në kohën e vrasjes mungoi energjia elektrike për 10 minuta. Viktima është djali i Sokol Sinomatajt, i njohur ndryshe si “Buzëderri”, i cili ndodhet në burg. Krimi nuk është zbardhur ende plotësisht.

Shqiptari vret kunatin në Greqi

Pasditen e 9 janarit, një 50-vjeçar shqiptar vrau me armë zjarri kunatin e tij, vëllain 33-vjeçar të gruas. Ishte vetë shqiptari ai i cili telefonoi autoritetet dhe rrëfeu krimin.

Ai u vetëdorëzua në polici dhe deklaroi se kunatin e vrau për shkak se kishte abuzuar seksualisht me vajzën e tij nga martesa e parë. (Lexo këtu)

Vajza 18-vjeçare i kishte thënë të atit se vëllai i njerkës abuzonte seksualisht me të që në moshën 9-vjeçare dhe prej disa kohësh e shantazhonte duke publikuar materiale video dhe foto në këmbim të parave. Shqiptari u lirua nga gjykata greke disa ditë pas krimit.

Atentati te Rrethi i Selitës në Tiranë

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën

Në orët e vona të 12 janarit, te Rrethi i Selitës në Tiranë iu bë atentat Zamir Kalemit. 40-vjeçari ishte duke udhëtuar me mjetin e tij tip "Smart", në momentin që persona më makinë, qëlluan me kallashnikov drejt tij.

Nga të shtënat, ai mbeti i plagosur, ndërkohë që autorët pas ngjarjes dogjën automjetin në Bërzhitë. Ky atentat dyshohet se është i lidhur me sagën e vrasjeve të Aleksandër Sadikajt si dhe Edmond Papës.

Kalemi është kushëriri i Sadikajt, i njohur edhe si 'Sanço' dhe vëllai i Andrea Kalemit, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa.

Vrasja për hakmarrje

Më datë 21 janar, në fshatin Vig të Burrelit, 63-vjeçari I. M. vrau me armë gjahu shtetasin P. K. Autori rrëfeu vetë krimin dhe u vetëdorëzua.

Shkak i vrasjes ishte hakmarrja, pasi autori kishte konflikte të hershme me viktimën. Në vitin 2009, ky i fundit kishte plagosur me automatik vajzën dhe kunatën e 63-vjeçarit (tezen e vajzës). Shtetasi P. K. u dënua me 21 vite burg për krimin, ndërsa bëri vetëm 12 vite. 

Atentati ndaj biznesmenit

Selman Mihana, ekonomisht në një firmë inertesh në Kurbin, u vra aksidentalisht mëngjesin e 10 shkurtit. 70-vjeçari ra pre e plumbave brenda ambienteve të punës. Policia e Kurbinit tha se shënjestër e atentatit është pronari i firmës së inerteve, shtetasi A. Gj, i cili shpëtoi me plagë të lehta.

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën
Viktima Selman Mihana

Pista kryesore e hetimeve është hasmëria e pronarit të firmës. Në vitin 2002 ngeli e vrarë një grua dhe u plagos një efektiv policie. Të dyshuar për këtë ngjarje kanë qenë pronari i firmës së inerteve së bashku me vëllain e tij.

Vetëvrasja e 27-vjeçares

Më 10 shkurt, 27-vjeçarja me iniciale S. A. u vetëhodh nga kati i katërt i një godine në zonën e Kamzës dhe ndërroi jetë në spital. Hetimet zbuluan se shkak i kësaj vetëvrasjeje ishte Altin Çoku, personazh i rrjetit social “TikTok”, i cili dyshohet se e kishte kërcënuar dhe i kishte publikuar foto intime në rrjet.

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën
Altin Çoku

Policia arrestoi Altin Çokun lidhur me ngjarjen e rëndë, ndërsa ai mohoi që foton e vajzës ta ketë shpërndarë ai në rrjetet sociale, duke ia hedhur përgjegjësinë shokut të tij. Ndaj tij u ngrit akuza e shkaktimit të vetëvrasjes.

Horrori në familjen Meta

Më 10 shkurt 2024 u vra Pëllumb Meta në Shenavlash të Durrësit. Familjarët e tij e denoncuan të zhdukur më 13 shkurt. Nga hetimet e thelluara u zbulua një krim tronditës më 23 shkurt. Policia gjeti trupin e 49-vjeçarit të groposur në kasollen e bagëtive.

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën

Fillimisht u dyshua se autore e vrasjes së 50-vjeçarit ishte vajza e tij, 19-vjeçarja Hygerta Meta, e cila mori përsipër krimin, duke thënë se babai e kishte nxitur të fejohej pa dëshirën e saj.

Më pas u zbulua se ky ishte një krim në bashkëpunim mes tre fëmijëve të viktimës Hygerta Meta, Hysen Meta dhe Amarildo Meta. Pëllumb Meta u vra nga djali i madh Hyseni, ndërsa dy fëmijët e tjerë ndihmuan në fshehjen e krimit.

Vrasja e dyfishtë në Korçë

Mbrëmjen e 28 shkurtit, në Korçë u regjistrua një vrasje e dyfishtë. Ilo Lluka, emigrant në Greqi, vrau me armë zjarri Emiljano Pinen dhe më pas veten. 

Shkak ishin prona dhe një sasi lekësh që babai i autorit i kishte lënë bashkëjetueses së tij, nënës së Emiljano Pines. Nëna e Emiljanos kishte bashkëjetuar për 4 vite me babin e autorit të vrasjes dhe kujdesej për shkak të pamundësive të tij fizike dhe moshës. (Lexo këtu)

Atentati në Grugë të Shkodrës

28-vjeçari Gjergj Ndershtiqaj dhe kunati i tij, Gjin Nika mbetën të plagosur rëndë në një atentat në Grudë të Re të Shkodrës në 12 mars. 80 plumba u zbrazën drejt makinës së tyre, e cila u dogj bashkë me mjetin e autorëve. 

Objektivi i atentatit dyshohet se ishte Gjergj Ndërshtiqaj për shkak të profesionit. I riu në vitin 2020 ka punuar si patrullë e përgjithshme, ndërsa nga viti 2023 ndiqte studimet për oficer në Akademinë e Sigurisë. Aktualisht çështja është akoma në hetim.

Vrasja e Gentian Bejtjës

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën
Gentian Bejtja

Gentian Bejtja, më 15 mars 2024 u qëllua me breshëri armësh në banesën e tij, në fshatin Larushk të Fushë-Krujës. Autorët u afruan te banesa e Bejtjës me automjetin "Land Rover Discover" me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes së vrasjes u larguan nga vendngjarje dhe dogjën makinën në fshatin Hasan.

Dyshohet se Bejtja kishte dijeni për shumë krime të tjera të 10 viteve të fundit. Ai ishte i dyshuar si i përfshirë në disa atentate, si personi që ka nxjerrë në pritë viktimat, informator apo ndihmës i ekzekutorëve. 42-vjeçari para se të vritej u kishte shpëtuar disa atentateve.

Sipas policisë, një nga autorët e vrasjes së Bejtjës ishte Flodian Plaku (Mamo & Serjani), i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ndërkohë ndodhen në burg dy prej bashkëpunëtorëve.

Vrasja në Shkozë

Mbrëmjen e 31 marsit 2024, një sherr mes dy grupesh të rinj përfundoi me një viktimë. Dyshohet se shkak për nisjen e sherrit mes të rinjve u bë një vajzë, e cila në momentet që ndodhi takimi mes dy grupeve, ndodhej në automjetin e viktimës. Vajza kishte pasur një lidhje romantike me njërin prej bashkëpunëtorëve në vrasje.

Të rinjtë pretenduan në dëshminë e dhënë në polici se ka qenë viktima A. D. ai që i ka qëlluar fillimisht me një levë dhe më pas ata kanë reaguar dhe e ka goditur me thikë. Për këtë ngjarje ndodhen në burg 4 të rinj.

Tragjedia e nënës me 3 fëmijët

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën
Alma Arrazi me fëmijët

Më 2 maj 2023, Alma Arrazi mori tre fëmijët për dore, Arditin 3 vjeç, Gresin 7 vjeçe dhe Ergesën 9 vjeçe dhe shkoi në lumin Buna. Alma hodhi 3 fëmijët në lumë dhe më pas u hodh edhe vet.  Ngjarja tragjike u zbulua kur një peshkatar gjeti rastësisht trupin e vajzës së parë, ndërsa trupat e tjerë u gjetën nga polumbarët.

Trupat e fëmijëve dhe nënës u gjetën nga data 4 maj deri më 7 maj, gjatë kërkimeve në rrjedhën e lumit Buna.

Dyshohet se 39-vjeçarja Alma Arrazi e ndërmori aktin ekstrem pas dhunës së vazhdueshme psikologjike dhe tradhtisë nga bashkëshorti.

Me kërkesë të familjarëve, Alma u varros në Durrës pranë nënës së saj, ndërsa fëmijët prehen në Shkodër.

Për këtë ngjarje u arrestua bashkëshorti i Almës, Erdgy Arrazi, akuzohet për veprën penale “Shkaktim i vetëvrasjes”.

Vrasja e të moshuarve

Në 2 maj 2024 u gjetën të pajetë dhe me shenja dhune në trup çifti i të moshuarve Kosta Ilia dhe Kleoniqi Ikia. Ngjarja ndodhi në fshatin Bodrishtë të Bashkisë Dropull.

Ngjarja u zbardh pas 3 ditësh dhe vuri në pranga autorin Thoma Mastora. 69-vjeçari kishte qenë në banesën e çiftit duke pirë kafe dhe më pas i ka vrarë, duke i qëlluar me sende të forta.

Shkak për krimin u bë një konflikt i çastit që ka përshkallëzuar deri në përdorimin e sendeve të forta. Pasi i vrau më 2 maj, Thoma Mastora u largua nga vendi i ngjarjes duke e lënë çiftin të pajetë në banesë. Autori u arrestua nga policia dhe po përballet me drejtësinë.

Ekzekutimi i Roan Brahimit

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën

Roan Brahimi u vra në një atentat të mirëfilltë mafioz në lagjen Vyronas të Athinës, mbrë0mjen e 9 majit 2024. Krimi, në sy të gruas së tij të dytë dhe djalit të vogël ndodhi në një zonë të populluar. Brahimi kishte shkuar në Greqi për pushimet e Pashkës, pasi jetonte në Dubai. Ai kishte në Athinë një grua dhe një fëmijë, ndërsa në Shqipëri ai kishte një familje tjetër me një bashkëshorte dhe dy fëmijë.

Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, njihet edhe si rival i Ervis Martinajt, pasi ishte i shpallur në kërkim për t’u pyetur për vrasjen e Brilant Martinajt, (kushëriri i Ervis Martinajt) atentat që ndodhi në 17 korrik 2022, dhe u vranë dhe 2 të tjerë. 

Gjithashtu, ai dyshohet se ka pasur lidhje edhe me vrasjen e Gentjan Bejtjës. Një nga personat e arrestuar nga policia si transportues i vrasësve, Ilir Beqaraj, rezulton kunat me Roan Brahimin.

Vrasja e efektivit të “Shqiponjave”

Më 13 maj 2024, Novruz Cenalia u vra me plumb në kokë në fshatin Baltëz të Fierit, teksa po shkonte për në punë. Ai ishte efektiv i repartit “Shqiponja” dhe ishte pjesë e policisë prej 3 vitesh.

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën
Novruz Cenalia

Autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje tragjike ishte Azgan Mërnica. Pasi e qëlloi për vdekje efektivin ai u largua me makinë nga vendi i ngjarjes, por u arrestua më pas nga policia. Mërnica pranoi fajësinë para togave të zeza.

Ai tha se ishte duke ecur me shpejtësi me makinë dhe efektivi i kishte bërë me shenjë të ndalonte, ku edhe i kishte bërtitur. Autori deklaroi se u ndie i frikësuar dhe për këtë arsye e qëlloi me armë.

Vrasja e trefishtë në Memaliaj

Një atentat i ndodhur mbrëmjen e 19 korrikut 2024 në Memaliaj la 3 viktima dhe një të plagosur.

Një nga viktimat, shënjestër e atentatit ishte Shyqyri Kalemi. Gjithashtu, kanë humbur jetën kamerieri Gledio Muka dhe Marsel Çela, ndërsa i plagosur mbeti Artur Kalemi, xhaxhai i Andrea Kalemit. Si në çdo atentat mafioz, autorët dogjën makinën dhe u larguan nga vendngjarja.

Pista kryesore e hetimit është hakmarrja, pasi 74-vjeçari është babai i Andrea (Adriatik) Kalemit. Ky i fundit dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022-shit.

Vetëvrasja e Olsi Ibros

Më 20 korrik u vetëhodh nga një pallat në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku” në Tiranë Olsi Ibro, i përfshirë në skemën e mashtrimit miliona eurosh.

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën
Olsi Ibro

Ai ndërroi jetë në vendngjarje. Olsi Ibro kontrollonte bashkë me bashkëshorten e tij, Elda Ibro, institucionin e mikrokredive, "Micro Credit Albania". 

Një ditë para vetëvrasjes, Prokuroria e Tiranës vuri nën sekuestro preventive shoqërinë "Micro Credit Albania" si dhe "Final". Të dyja këto shoqëri akuzohen për "Mashtrim me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim" si dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” të  kryer në bashkëpunim.

Vrasja në azil

Më 8 gusht, historiani 78-vjeçar Zyhdi Shehi vrau me bastun shokun e dhomës në një azil privat në Tiranë, Virxhil Vesho.

Pas ngjarjes së rëndë, Shehi u arrestua, por më pas me vendim të trupës gjykuese u shtrua në një spital psikiatrik.

Shkak i sulmit u bë një konflikt banal mes dy të moshuarve për krevatin.

Fillimisht ngjarja nuk u raportua në polici, pasi infermierja kishte njoftuar morgun dhe një agjenci funerale për të tërhequr trupin e viktimës. Më pas u zbulua se i moshuari ishte vrarë.

Historiani ndërroi jetë disa javë më pas në QSUT, pasi vuante nga parkinsoni.

Vrasja e Egli Progës

Egli Proga humbi jetën pasi u dhuna barbarisht më 10 gusht në një lokal në Pogradec.

Policia arrestoi si autor të vrasjes Denis Meçen, me akuzën e vrasjes me dashje dhe procedoi për moskallëzim krimi Voltan Shkulakun, Leonidha Guçen dhe Arjan Manellarin.

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën
Fotomontazh - Egli Proga

Prokuroria e Korçës, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, lehtësoi akuzën për Denis Meçin nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia, çfarë solli përplasje mes policisë dhe Prokurorisë së Korçës.

Ndërkohë, akti i ekspertimit konfirmoi shkak i humbjes së jetës së Egli Proges është hemorragjia në cipën e trurit dhe hemorragjia e indit të trurit.

Vrasja e dyfishtë në Velipojë

Mbrëmjen e 19 gushtit në plazhin e Velipojës, në Shkodër u vranë Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi.

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën

Viktimat janë kunetër. Ata dyshohet se u ekzekutuan nga dy vëllezërit E. F. dhe G. F., pronarë të një hoteli.

Për këtë ngjarje u vunë në pranga 2 punonjësit e hotelit të autorëve, shtetasit me iniciale M. P. dhe Z. Z., të dyshuar si bashkëpunëtorë.

Atentati në Shkodër

Paraditen e 30 gushtit 2024, 36-vjeçari Elis Rroshkodoli u qëllua me breshëri, teksa po qëndronte në verandën e një lokali në lagjen “Ahmet Haxhia”, në Shkodër.

36-vjeçari me precedent të mëparshëm kriminal mori 14 plumba në trup, ndërsa autorët u larguan nga vendngjarja dhe dyshohet se çmontuan makinën me të cilën lëvizën.

Për këtë ngjarje u arrestua 26-vjeçari Xh. M., pasi akuzohet se siguroi kushtet dhe mjetet për të kryer vrasjen.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim 3 bashkëpunëtorët e tij të identifikuar, të dyshuar si vrasës me pagesë. Ndërkohë nuk dihet ende se kush është porositësi.

Krimi në familjen Balla

Më 13 gusht, Esmerald Balla vrau me pistoletë babain e tij Enver Balla, pas një sherri për motive ekonomike. Shkak ishin 75 mijë eurot e zhdukura nga kasaforta e familjes.

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën
Viktima Enver Balla

Esmerald Balla tentoi të fshehë krimin dhe bëri denoncim në polici se babai i tij ishte zhdukur. Hetuesit i morën me rezerva deklarimet e tij dhe dyshuan në detajet kontradiktore që i riu dha për çelësin e kasafortës në banesë, ku ndodhej një shumë e madhe parash. 

Ndërkohë Esmerald Balla kishte sajuar edhe historinë se i ati kishte ikur me një grua, e cila i kishte shkruar në "Instagram". Por kur policia vendosi të sekuestrojë celularin, në të u gjetën prova interesante që zbërthyen ngjarjen.

Përveç fotove të vajzave të gjetura në celular u gjet edhe një "screenshot" bisede, një grua që i shkruante se kishte ikur me babanë e tij. Por nga hetimi u zbulua se i njëjti profil që i kishte shkruar ishte i tij, i hapur në celularin e tij, duke zbuluar mashtrimin.

Esmerald Balla dyshohet se vrau babain e tij, pasi i mori një shumë lekësh në kasafortë. 

Sipas policisë, ai, në bashkëpunim me Edison Brahajn, 25 vjeç, transportuan me automjet trupin e viktimës nga vendi i ngjarjes deri te vendi ku u gjet nga policia.

Vrasja e vëllezërve në Roskovec

Dy vëllezërit, Gramoz dhe Vladimir Kurtaj, 52 dhe 46 vjeç, u vranë më 10 shtator në fshatin Kurjan të Roskovecit. Shkak ishte një konflikt që viktimat kishin me djalin e autorit.

Autori Altin Kuka kishte shkuar të sqarohej me dy vëllezërit, por sherri arriti në sharje dhe përleshje fizike.

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën

49-vjeçari mori një armë zjarri automatike nga automjeti dhe qëlloi drejt dy vëllezërve. Menjëherë pas ngjarjes, autori u vetëdorëzua në komisariatin e policisë Fier, ku dorëzoi edhe armën e krimit. Policia arrestoi edhe dy djemtë e autorit, si edhe një bashkëpunëtor.

Masakra e Dobraçit

Qyteti i Shkodrës u trondit pasditen e 30 tetorit 2024 nga një masakër në zonën e Dobraçit, që la pas 4 viktima.

Atentatorët, persona ende të paidentifikuar, qëlluan me breshëri në drejtim të “Benz”-it me të cilin po udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati.

Mjeti i tyre doli jashtë rruge dhe përplasi një çift bashkëshortësh që po udhëtonin me motor. Lici ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa 3 të tjerët në spital.

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën
Foto nga vendngjarja

Pas krimit, në vendngjarje u shfaq edhe një person që dha ndihmën e parë, i cili është identifikuar në media si Ibrahim Lici.

Kjo masakër fillimisht u hetua nga Prokuroria e Shkodrës, e cila më pas shpalli moskompetencë dhe ia kaloi SPAK-ut, pasi ka dyshime se është kryer nga një grup kriminal.

Atentati ndaj biznesmenit

Më 13 nëntor 2024, në rrugën “Faik Konica”, u plagos me armë zjarri biznesmeni Eduart Reçi, i cili si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital.

52-vjeçari, prej disa vitesh merrej me firmën e tij të ndërtimit, ndërkohë më herët ka qenë drejtor në institucionin e SHISH.

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën
Eduart Reçi

Dyshohet se ai u ekzekutua nga dy vëllezërit, njëri prej tyre në rolin e qitësit, efektiv policie në komisariatin Nr. 2 në kryeqytet.

Shkak i vrasjes mendohet se është bërë konflikti për një pallat që viktima planifikonte të ndërtonte, për të cilën dy autorët nuk kanë qenë dakord, si pronarë të një godine pranë vendit të ngjarjes.

Hetimet kanë zbuluar se biznesmeni i ndërtimit kishte diskutuar dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit lidhur me vëllezërit F. D dhe Sh. D., të cilët u arrestuan.

Ekzekutimi i Klaudio Prendit

Pak pas mesnate, rreth orës 00:36 të 19 nëntorit 2024, u ekzekutua Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi. Ai u qëllua me silenciator në mesnatë sapo doli nga një lokal në Tiranë, në zonën e njohur si “Xhamlliku”. I riu mori plumba në gjoks dhe kokë dhe ndërroi jetë në spital.

Për vrasjen e tij ka 3 pista hetimi. Pista e parë lidhet me lojërat e fatit, e dyta për disa konflikte që ai kishte në lidhje me një borxh. Prendi kishte shkuar në polici për një përplasje me një person për një borxh që nuk pranohej. Sa i përket pistës së tretë, ajo lidhet me funksionin e babit të viktimës, shanset për të cilën janë të pakta.

Klaudio Prendi nuk është emër i panjohur për blutë, pasi më 6 maj 2023, ai ka qëlluar me armë zjarri në qytetin e Pukës.

Vrasja e Alfred Dedjës

Më 1 dhjetor u ekzekutua me armë zjarri 50-vjeçari Alfred Dedja, në Ndroq të Tiranës. Personi i akuzuar si autor i vrasjes së 50-vjeçarit është 26-vjeçari Julian Gjoshi, i cili u vetëdorëzua në polici një ditë pas krimit.

Dyshohet se ngjarja ndodhi për shkak të prishjes së pazareve të drogës mes autorit dhe viktimës, të cilët kanë qenë të njohur dhe miq me njëri-tjetrin.

Nga Bedrie Loka te masakra e Dobraçit/ Krimet që tronditën
Alfred Dedja

Sa i përket dinamikës së krimit, autori dhe viktima janë parë në ambientet e të njëjtit lokal dhe pas një debati mes tyre, Julian Gjoshi ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar mbi 50-vjeçarin.

Julian Gjoshi rezulton person me precedent penal, pasi është arrestuar për armëmbajtje pa leje në janar të vitit 2021. Ai u dënua 3 vjet shërbim prove nga gjyqtarja Shefkie Demiraj, dënim i cili duhej të mbaronte në 23 dhjetor 2024.

Disa ditë pas krimit, Julian Gjoshi u vetëdorëzua në polici, ku deklaroi se Alfred Dedja e shante nëpër tavolina. Kur e mësoi këtë gjë, ai tha para bluve se shkoi në lokalin ku Dedja rrinte në Ndroq dhe e qëlloi me armë.

Vrasja në Durrës

Branko Shkoza u deklarua se humbi jetën aksidentalisht në Durrës, por më pas rezultoi se ishte vrarë nga shoku i tij. Policia zbardhi ngjarjen vetëm pas 8 ditësh. Për këtë ka arrestuar si autor të dyshuar 35-vjeçarin M. H.

33-vjeçari Shkoza kishte humbur kontaktet me familjen nga 2 dhjetori dhe babai tij e kishte deklaruar të zhdukur në polici më 5 dhjetor. Pas kërkimeve, trupi u gjet i hedhur në një kanal në zonën e Spitallës në Durrës.

Shkoza, sipas policisë kishte pasur një përplasje me Habibin, i cili e shtyu 33-vjeçarin duke e hedhur nga ura në kanalin e ujërave të zeza, e si pasojë e rrëzimit i shkaktoi dhe humbjen e jetës.

Pas prangosjes, shoku i tij tha në polici se e kishte vrarë Brankon për shkak të ngacmimeve ndaj gruas së tij. Më pas, në gjykatë 35-vjeçari M. H. mohoi krimin, duke pretenduar se në polici i kishin bërë presion të pranonte autorësinë e vrasjes./ CNA





Lajmet e fundit nga