web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Dokumenti 60 milionë euro që akuzon prokurorin Dritan Prençi

21 Prill 2025, 16:36, Denoncim CNA
Dokumenti 60 milionë euro që akuzon prokurorin Dritan Prençi
Dritan Prençi, prokuror, foto ilustruese

Dosja e inceneratorëve është një nga aferat më të mëdha në Shqipëri. Një nga aferat që në këto 34 vite tranzicion demokratik nuk e kishim parë dhe nuk e kishim dëgjuar.

CNA po sjell sot një dokument, i cili vlerën e faturës së tij e ka rreth 60 milionë euro.

Ky dokument është firmosur më datë 15.10.2018 dhe kompania “Integrated Energy BV SPV sh.p.k.” më pas, në Holandë, ndërroi emrin dhe u bë “Geogenix”. Kjo kompani, e cila kaloi në shumë veprime procedurale e teknikalitete për të fshehur emrin e Klodian Zotos, si aksioner, apo të Giuseppe Ciaffaglione-s, pasi mashtroi shtetin shqiptar me një brand të madh ndërkombëtar si ‘Paul Wurth’, përfitoi një kontratë “Për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitim i venddepozitimeve ekzistuese” në Tiranë. Inceneratorit, që në fakt nuk ekziston dhe një landfilli që është gati në emergjencë për kryeqytetin.

Dokumenti 60 milionë euro që akuzon prokurorin Dritan Prençi

Dokumenti 60 milionë euro që akuzon prokurorin Dritan Prençi

Dokumenti 60 milionë euro që akuzon prokurorin Dritan Prençi

 

Nuk ka më kapacitet për mbajtjen e plehrave, nuk ka më kapacitet për dherat. Është gjithçka e keqmenaxhuar, e keqdrejtuar, e kthyer përtej një skandali.

Krimi i madh është fakti se në dokumentin koncesionar të kontratës, kompania e kishte të përcaktuar çështjen e dherave. Por, u gjet një shpikje te mbetjet e ngurta, e cila do t’u kushtonte xhepave të biznesit dhe qytetarëve të Tiranës rreth 60 milionë euro.

Pasi kompania bëri një marrëveshje me drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Ermal Kapllani, Evisjon Salku dhe Taulant Tusha, të cilët duket se nuk kanë asnjë të drejtë të firmosin në atë lloj dokumenti, pasi kontratën e bën autoriteti kontraktor që duhet të ishte Bashkia e Tiranës dhe do të firmoste kryetari, jo një tufë drejtorësh të firmosin ca letra, asaj ju shtuan të ardhurat me dhjetra milionë euro çdo vit.

Ndoshta ata drejtorë janë kush brenda e kush jashtë skemës së “5D-së”, por nuk kishin asnjë të drejtë të përdornin vulën zyrtare të Bashkisë së Tiranës. Atë e përdor kryetari dhe përdorimi i vulës është i mirëpërcaktuar në ligj.

Shpikën dherat, transportin e tyre në landfill. Bënë një kontratë, i futën disa vula dhe u lëshuan si hiena mbi biznesin, duke vënë tarifa që dherat të çoheshin me detyrim në landfillin e Sharrës dhe më pas, me detyrim po prapë t’i blije. Kur i çoje, paguaje 400 lekë/m³, pra rreth 4 euro, kur i merrje, i merrje me 8, apo shkonin në 10-12 euro sipas llojit të diferencimit, dhera, inerte, etj.

Nga kjo kontratë shmangën riciklimin e mundshëm të dherave, pra që vetë kompania e ndërtimit nuk ka një gropë, por ka dy gropa dhe te njëra po gërmon, te tjetra ka përfunduar, duhet dhé për sistemime. Nuk lejohej që t’i merrnin, por duhej të shkonin njëherë të merrnin paratë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pastaj t’i merrnin sërish paratë për të marrë dheun nga Klodian Zoto me Mirel Mërtirin. Nuk mund t’i transportonin dherat nga objekti 1 në objektin 2, pra të bëhej ajo që mund të quhej procesi i riciklimit të dherave. Dhe kjo për shkak të kësaj kontratës famoze që ndodhet në dosjen e inceneratorëve.

Këtë kontratë e ka në dorë prokurori Dritan Prençi.

Çështja e dherave është një nga aferat më të mëdha që zë një nga peshat kryesore në pagesat që janë bërë për çështjet e inceneratorëve. Pagesa, të cilat, duhet të theksojmë, rreth 10 milionë euro në vit vazhdon i paguan ende qeveria shqiptare, nëpërmjet transfertës së pakushtëzuar nga Bashkia e Tiranës dhe pjesën tjetër e paguajnë qytetarët e Tiranës, pasi ndërtuesit, faturën me kosto prej 15 euro/m² që u dilte në ndërtim, ua lanë qytetarëve.

Ky dokument është një akuzë e rëndë në çështjen e inceneratorëve dhe nuk mund të mbyllet me 3-4 teknikalitete me Lefter Kokën apo Taulant Tushen, me ndonjë zyrtaruc që ndoshta s’i ka zënë dhëmbi asnjë kockë nga mishi i hellit që kanë shpërndarë Mirel Mërtiri me Klodian Zoton.

 

Afera e dherave e çon çështjen drejt një grupi të strukturuar kriminal dhe nuk është i vetmi ky dokument që ka në dosje Dritan Prençi për çështjen e inceneratorit të Tiranës. (LEXO KETU)

Ky është një nga dokumentet kryesore.

CNA, nga sot e në vijim, do të vazhdojë ditë pas dite të rikthejë dokumentet për inceneratorin e Tiranës, t’i kthejë memorien publikut, t’i tregojë çdokujt se nuk harrohet kollaj çështja e inceneratorëve, edhe sikur të dojë ta mbyllë prokurori.

Ka dokumente që do ta hapin me një prokuror tjetër, me një çështje tjetër, me detaje të tjera, sado që të përpiqen biznesmenët, miliardat, mediat, ortakëritë, politika, që një aferë të tillë kriminale ta hedhë në kosh apo duke menduar se çudia më e madhe 3 ditë zgjat. (LEXO KETU)

Çudia e inceneratorëve nuk ka për të mbaruar kurrë, deri në ditën që do të japë llogari edhe përgjegjësi i fundit dhe ai që ka marrë qindarkën e fundit dhe ka vjedhur xhepat e shqiptarëve të varfër./CNA

 





Lajmet e fundit nga