web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rënia e popullsisë së Ballkanit/ Shkaqet dhe zgjidhjet e mundshme

3 Dhjetor 2022, 09:14, Aktualitet CNA

Rënia e popullsisë së Ballkanit/ Shkaqet dhe zgjidhjet e mundshme

Javën e kaluar, isha në një konferencë në qytetin verilindor të Bosnjës, Tuzla, që është një nga qytetet kryesore të vendit. Madje kantoni i Tuzlës është më i populluari në vend. Megjithatë, u mahnita se sa bosh ishte qyteti të premten dhe të shtunën. Kryeqyteti i Sarajevës është plot me diasporën boshnjake dhe turistët që nga maji deri në fund të gushtit.

Por, situata është shumë ndryshe pas verës. Kur fillova të punoja si asistent/pedagog në Sarajevë më shumë se një dekadë më parë, kisha afër 1000 studentë. Tani kam rreth 200. Këto së bashku me tendencat e tjera të dukshme tregojnë se popullsia e Bosnjës po bie me shpejtësi.

Në një regjistrim të kryer në vitin 1991, Bosnja kishte një popullsi prej 4.37 milionë banorësh. Në regjistrimin e fundit të vitit 2013 shifra ishte 3.53 milionë. Por realiteti është edhe shumë më i zymtë. Shumë analistë në vitin 2013 e konsideruan të pasaktë regjistrimin e fundit.

Shifra reale ishte edhe atëherë shumë më e ulët. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, ka pasur një tendencë të emigrimit masiv nga Bosnja. Shumica e atyre që largohen nga Bosnja, e bëjnë këtë në kërkim të punësimit në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani.

Të rinjtë universitarë dhe të sapodiplomuarit po mësojnë gjithnjë e më shumë gjermanisht me shpresën se do të emigrojnë atje. Dhe nuk janë vetëm të papunët, ata që po largohen nga vendi, por edhe një sërë profesionistësh të rinj të punësuar, të cilët po gjejnë punë të mira me kushte më të mira në vendet e Bashkimit Evropian.

Ka shumë raste kur familje të tëra paketojnë valixhet dhe shkojnë drejt Perëndimit. Mungojnë statistikat zyrtare se sa qytetarë boshnjakë janë larguar që nga regjistrimi i vitit 2013.

Një organizatë joqeveritare në Bosnje raportoi se gjysmë milioni njerëz e bënë këtë ndërmjet viteve 2013-2019. Vetëm në vitin 2021, shifra e të larguarve u vlerësua të ishte të paktën 170.000. Ky është ekuivalenti i largimit të një qyteti të madh në Bosnje brenda një viti. Këto janë shifra marramendëse për një vend me një popullsi zyrtare prej 3.5 milionë banorësh. Megjithatë, statistikat nuk pasqyrojnë ende shkallën e vërtetë të eksodit.

Një shëtitje në Tuzla apo në qytete dhe qyteza të tjera anembanë Bosnjës të tregon qartazi shtrirjen e gjerë të këtij fenomeni. Një model i ngjashëm i rënies së popullsisë është regjistruar edhe në vendet e tjera të Ballkanit. Një regjistrim i kryer në Kroaci në vitin 2021, regjistroi 3.88 milionë njerëz që jetonin në këtë vend.

Kjo ishte një rënie e mprehtë nga shifra prej 4.28 milionë banorësh në regjistrimin e vitit 2011. Raportet e medias tregojnë se Irlanda është një destinacion i preferuar për shumë kroatë. Në dallim nga Bosnja, Kroacia nuk ka një ngërç politik të brendshëm që e pengon qeverisjen të funksionojë në mënyrë efikase.

Vendi është anëtar i NATO-s dhe BE-së, e megjithatë ka regjistruar një rënie të konsiderueshme të popullsisë. Serbia nisi të kryejë në tetor të këtij viti një regjistrim të ri të popullsisë. Ai ndodh pak më shumë se një dekadë pas mbajtjes së regjistrimit të tij të fundit.

Ndërsa statistikat zyrtare nuk janë publikuar ende, në media ka raporte se popullsia pritet të bjerë deri në gjysmë milioni. Në Maqedoninë e Veriut, regjistrimi i vitit të kaluar, tregoi një popullsi prej vetëm 1.83 milionë banorësh. Kjo ishte një rënie prej më shumë se 9 për qind nga censusi i fundit i mbajtur në vitin 2002.

Këto shifra tregojnë se sfida e rënies së popullsisë është e zakonshme në të gjithë rajonin. Por nuk janë vetëm qytetarët e vendeve që ishin pjesë e Jugosllavisë, ata që po shkojnë drejt Gjermanisë dhe Austrisë. Në udhëtimet e mia të fundit në Greqi dhe Rumani, dëgjova se edhe të rinjtë atje donin të shkonin në Gjermani, gjë që do të thotë se edhe vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së kanë sfida të pasluftës të ngjashme me ato në Bosnje.

Për pjesën më të madhe të 2 dekadave të fundit, anëtarësimi në BE u perceptua si një ilaç për shumicën e problemeve me të cilat përballet Ballkani. Diskursi dominues në Ballkan, ka qenë se procesi i integrimit evropian do të çonte në reforma të rëndësishme në shtetet që aspirojnë t’i bashkohen bllokut, dhe se kjo do të përmirësonte standardet e qeverisjes dhe të jetesës në rajon.

Ndërsa procesi i anëtarësimit në BE ka qenë i dobishëm për disa shtete të Ballkanit, ka ende një rënie të popullsisë. Në thelb, të rinjtë nga Ballkani po shkojnë drejt një punësimit më të mirë, mjediseve më të qëndrueshme dhe një të ardhmeje më të ndritshme në Perëndim.

Ajo që tregojnë këto tendenca shqetësuese, është se rënia e popullsisë do të vazhdojë me apo pa anëtarësimin në BE.

Sfida e rënies drastike të popullsisë duhet të jetë një zile alarmi për qeveritë e rajonit. Situata është veçanërisht e rëndë në Bosnje. Qeveritë e reja që pritet të formohen në nivele të ndryshme në Bosnje duhet të përpiqen ta trajtojnë këtë sfidë. Ato mund të ofrojnë një mori stimujsh për të rinjtë e vendit, që këta të qëndrojnë në vend.

Po ashtu, qeveritë në rajonin e Ballkanit duhet të ofrojnë grante dhe të subvencionojnë strehimin për të rinjtë. Familjeve me fëmijë të vegjël duhet t’u jepet mbështetje financiare për kopshte dhe shkolla. Stimujt tatimorë për profesionistët e rinj, veçanërisht për profesionistët e lirë duhet të jenë një prioritet.

Sipërmarrësit e rinj duhet të mbështeten financiarisht nga qeveritë në të gjithë rajonin. Kujdesi shëndetësor duhet të përmirësohet. Megjithatë, është e paqartë nëse tendenca e rënies së popullsisë mund të ndryshohet. Ndoshta vetëm mund të përmirësohet disi.

Shënim:Hamza Karcic, profesor i asociuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, Bosnje Hercegovinë.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga