web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga njohja me Laert Haxhiun te shpërthimi në lokalin e Noizy-t/ Zbardhet dëshmia e Cllevio-s në GJKKO

24 Qershor 2026, 14:30, Aktualitet CNA

Nga njohja me Laert Haxhiun te shpërthimi në lokalin e Noizy-t/

Reperi Kleviol Ahmeti i njohur si “Cllevio” është paraqitur ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme, ku ka dëshmuar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Laert Haxhiut dhe grupit të tij.

Sipas raportimeve, Cllevio është shprehur se me Haxhiun njihen që të vegjël pasi kanë jetuar në të njëjtën zonë. Ndërkohë ka shtuar se vitet e fundit nuk ka pasur asnjë lloj kontakti me të.

Gjatë dëshmisë, ai ka treguar edhe se si nisi konflikti mes tij dhe reperit Rigels Rajku, i cili njihet me emrin e artit si Noizy.

Sipas tij, me tritolin e vendosur në lokalin e Noizy-t, Laert Haxhiu nuk ka asnjë lidhje. Cllevio është shprehur gjithashtu se të penduarin e drejtësisë, Artan (Marjus) Tafanin, nuk e njeh.

Nuk kam asnjë lidhje me të pandehurit, as familjare, as miqësore. Me Laert Haxhiun kam njohje. Jetoj në Lushnjë, Laerti është jo më larg se 150 m larg shtëpisë sime. Jemi rritur bashkë, njihemi familjarisht. Në vitin 2007 kemi luajtur futboll. Kam qenë në Amerikë dhe kur kthehesha rrija në Lushnjë. Kur e kam njohur Laertin ka qenë pa punë. Vitet e fundit unë s’e kam takuar hiç. Vij nga SHBA-ja në 2013 dhe në 2014 bie në burg. Kam dalë në vitin 2020 nga burgu dhe nuk jam takuar më me të. Burgun e kam vuajtur në IEVP '313', '302', Fier dhe Durrës. As telefonatë dhe asnjë lloj kontakti nuk kam pasur me Laertin.

Rigels Rajkun e kam të njohur, njohuri artistike. Ai është muzikant i njohur dhe unë kam qenë muzikant i panjohur. Ky Rigels Rajku, për të marrë famë, shante Viktor Palokën, i njohur si Unikkatil. Ne, kur na shante Noizy, ishim në Amerikë. Pas 15-20 viteve ia kthej edhe unë me muzikë, duke sharë Noizy-n. Unë jam shkrimtar, shkruaj tekste muzike. Kur dola në 2020 doja të bëhesha i famshëm dhe fillova të ngacmoja në mënyrë artistike, quhet diss. Dhe kur bëra këngën u bëra i famshëm dhe po më pëlqente.

Dhe një ditë të bukur i thashë vetes: boll me diss-e dhe shkova t’i kërkoja falje. Isha i shoqëruar atë ditë në Durrës. Kur shkova te lokali 'Zins' në Currila, parkova dhe u thashë të mos dilnin nga makina. Kur vajta aty, doli Rigels Rajku, djali i Bashkimit, dhe 12 veta. Aty më rrahën, më shkelën kokën me këmbë. Pata mpiksje gjaku në kokë. Shkova në spital, u mjekova dhe u arrestova, sepse isha në arrest shtëpie dhe përfundova në burg.

Unë e kisha njoftuar që po i shkoja te lokali dhe kisha hapur 'Instagram'-in live dhe thoja që po shkoja në Durrës te Noizy. Kur hyra te lokali ishte një roje. I thashë: ma thirr Noizy-n. Ai erdhi për 24 sekonda bashkë me bandën e tij OTR. Nuk i njoh kush ishin ata që shoqëronin Noizy-n. Kur erdhi Noizy, unë hoqa syzet për ta respektuar dhe në atë moment më qëlloi me grusht dhe më qëlluan 6-8 veta.

U përfshinë në sherr edhe dy shokët e mi, njërit prej të cilëve iu thyen dhëmbët. Unë kam pasur dëmtime në kokë dhe brinjë. Për këtë ngjarje kam dhënë deklaratë kur kam qenë në IEVP Fier. Nënën e kisha në Shqipëri, të tjerët ishin në Amerikë. Është dokumentuar me pamje filmike dhe më qëllojnë. Nuk mendova të hakmerresha ndaj Noizy-t. Lajmin për shpërthimin me tritol të lokalit të Noizy-t e dëgjova nga shokët e burgut. Kur shkova në sektor, e mora vesh që kishte ndodhur shpërthimi pas disa ditësh. Pastaj më thërret një oficer policie në Durrës dhe më thotë se ka një hetim për shpërthimin me tritol.

Unë i thashë se nuk e di kush ia ka vendosur tritolin, se isha në burg. E mendova me vete kush mund ta kishte bërë, e mendova se mund ta kishte bërë BABA. Nuk më ka ardhur asnjë llaf që Laerti ta ketë bërë këtë gjë. Marjus Tafanin nuk e njoh fare. Nuk pajtohemi me Rigelsin”, është shprehur reperi. /CNA





Lajmet e fundit nga